Zoran Panoviç: Zagori, “rrënjët” dhe nataliteti

I dashur Mustafa,
I kemi shkruar njëri-tjetrit për filmin, më parë kemi pas shkruar për muzikën, e kësaj here radha është të trajtojmë temën e romaneve vizatimorë (stripeve). Më ke thënë se ke punuar në Itali, e për këtë më intereson të di nëse ke lexuar romane vizatimorë? Pas Italisë, ish-Jugosllavia ka qenë vendi në të cilin është pritur më mirë romani vizatimor satirik Alan Ford, dhe interesantja është se njerëzit në Serbi adhurojnë vetëm atë burimorin, përkthimin në kroatisht të këtij romani vizatimor. Pas Alan Fordit, ndoshta më popullori ishte Zagori- versioni spageti i Tarzanit nga produksioni “Bonelli”. Zagori jeton në një pyll imagjinar të quajtur Darkvud diku në Amerikën e imagjinuar, dhe ky Darkvudi ishte shembulli më i dukshëm i brezit që nuk e sheh veten në atë metaforiken Prerovë – fshatin mitik të romanit të Dobrica Qosiqit, njëfarë babai i kombit joformal, gurù i “nacionalizmit demokratik serb” dhe “Tolstoi serb”, siç e thërrisnin me servilizëm fansat e tij.

Sepse, këtyre ditëve në RTS (televizioni publik), po transmetohet seria televizive e realizuar sipas një prej romaneve më të suksesshëm të Qosiqit “Rrënjët”. Ky adaptim, duke gjykuar nga seria e parë, është deri diku i suksesshëm. Pas Prerovës si Makonda e jonë, në imagjinariumin kombëtar serb (imagjinarium- fjalë që ka hyrë në përdorim masiv vetëm tani vonë, pasi që krijuesi i reality show-t serb “Zadruga”, pronari i TV Pink, Zhelko Mitroviq, prodhimin e tij e ka quajtur imagjinarium), ka edhe disa fshatra të tjerë imagjinarë- si “parajsa të humbura”. Përshembull Petllovaci imagjinar, i cili është vendi ku zhvillohen ngjarjet e serisë televizive serbe më të ndjekur vitet e fundit dhe që ka marrë titullin sipas fjalës së urtë serbe “Fshati digjet e gjyshja krihet”. Më intereson shumë nëse ekzistojnë në gjuhën shqipe fjalë të urta të ngjashme dhe të cilat përshkruajnë në mënyrë figurative zgjuarsinë në situata dramatike.

Por le t’i kthehemi Zagorit – “Shpirtit me sopatë” (fantomi amerikan në botën e romaneve vizatimorë “Shpirti që ecën”): Sesa Darkvudi i tij është i rëndësishëm për gjeneratat e të rriturve këtu, flet edhe fakti se një prej prodhimeve tipike më të mira serbe quhet Darkvud Dub. Këtë vit, i dashur Mustafa, festojmë gjysmëshekullin e Zagorit në këto territoret tona. Këtë hero italian e kanë krijuar skenaristët Guido Nolitta (pseudonimi i Serxho Bonelit) e animatori Gallieno Ferri në vitin e largët 1961 dhe erdhi në tregun e ish-Jugosllavisë në vitin 1968 në botimin për romanet vizatimorë të emërtuar “Seria e artë” dhe të cilin atëbotë e pati publikuar “Dnevnik” nga Novi Sadi. Kjo “Seria e artë” është rinovuar tashmë (botuesi ka një emër simpatik: “Veseli çetvrtak”- e enjta e gëzueshme), dhe madje, para disa muajsh u zhvilluan në Serbi polemika serioze nëse është në frymën e origjinalit kopertina që e kishte realizuar animatori serb me famë, Aleksa Gajiç. Kur u pata përfshirë edhe unë në këtë polemikë dikush më nervozoi me fjalën e urtë: “Popi i papunë pagëzon edhe kecat”. A keni diçka të ngjashme në gjuhën tuaj?

A e beson Mustafa se madje dhe një roman vizatimor i tipit kauboj fantazmagorik siç është Zagori ka lidhje me marrëdhëniet serbo-shqiptare në Kosovë? Diku në vitin 2015, në kohën kur Zagori ishte ylli kryesor i Salonit prestigjioz të romaneve vizatimorë në Beograd, me një pllakatë të madhe para Qendrës kulturore Studentore, mora nga dikush një botim jo të zakontë të Zagorit. Ishte koha kur ende ishte i freskët nënshkrimi në Marrëveshjen e Brukselit që parashikonte formimin e Bashkësisë së famshme të serbëve në Kosovë. Ky Zagor jo i zakonshëm ishte shtypur në një tirazh të vogël si njëfarë botimi pirat. Për këtë mendoj se shumë fansa të Zagorit në vendin tonë dhe nëpër botë nuk dinë gjë për këtë episod konceptual të vitit 2010. Madje ishte “huazuar” edhe logo e Bonellit me sa duket për ta bërë të duket sa më autentik.

Ky libërth me titullin “Mesazhi fatsjellës” ishte vepër e dy autorëve të panjohur që ishin paraqitur me pseudonime dhe paraqiste dhuratën e ditëlindjes për një fëmijë nga Beogradi. Ky fëmijë (Danillo) faktikisht më vonë shndërrohet në Çiko, që është shoku i ngushtë (ndjekës, hero, argëtues, këshilltar) i Zagorit. Vetëm se më trim, më i shkathët dhe më i dobësuar. Fëmija në oborrin e shkollës takon një plak me shajkaçë (kapelja tradicionale serbe) dhe me kokardë (stema ruajaliste serbe). Shokët i thonë se plaku e ka humbur rrugën, nuk e njeh sa duhet Beogradin, por ama ka informacione të rëndësishme.

– Shiptarët (përdoret ky term, këtu te ne me konotacion negativ, për shqiptarët) pas shtatë ditëve do të sulmojnë Patriakanën e Pejës. Të dhënat janë të sakta, ata po përgatiten, por askush nuk më beson. Duhen lajmëruar njerëzit atje – thotë plaku.

– Po këta tanët, ushtria dhe policia?- pyet djali.

– Disa besojnë disa nuk besojnë, por nuk munden dhe as nuk duan, të më ndihmojnë të bëj diçka. Gjithçka është rrethuar, ndërsa të gjitha lidhjet janë ndërprerë. Mesazhin mund ta dërgojë vetëm korrieri personalisht… Por për këtë duhet dikush që të jetë i shpejtë dhe mjaft i vogël për të mos rënë në sy – thotë plaku.

– Epo ja! Do të shkoj unë. Unë mundem. Lajmëroni mamin dhe babin se këtë duhej ta bëja patjetër. Serbia pret që unë ta bëj këtë – vendos djali i vogël.

Pas dy ditësh dhe dy netësh ecje me këmbë ai arrin në Kosovë dhe nga pylli vëzhgon patrullën e KFOR-it. Befas dikush i vjen nga prapa, ia zë dorën me pëllëmbë… Natyrisht, ishte Zagori.

-Unë jam gjithmonë atje ku ka luftë për liri. Më kanë thirrur disa miq të mi serbë që t’u ndihmoj në luftën për liri… − i shpjegon ai djaloshit se përse ai ishte në Kosovë. Dhe vazhdimi pastaj, natyrisht, legjendë.

Edhe e përditëshmja kroate “Sllobodna Dalmacija” nga Spliti citoi shtypin serb me emërtimin – “Zagori në Kosovë”! Më vonë pati edhe shaka për llogari të Daçiqit, sipas të cilave ai ka qenë i frymëzuar nga Zagori kur paraqiti argumentat kundër hyrjes së Kosovës në UNESCO.

Një prej analizave të gjenezës së dështimit serb në Kosovë është edhe ajo se shqiptarët i kanë mundur ata me lindje të shumta, pra natalitet të lartë. Te ne zhvillohet ende njëfarë fushate për rritjen e natalitetit. Kjo fushatë herë pas herë ka edhe momente të çuditshme. Presidenti Vuçiç para disa ditësh paraqiti disa të dhëna të njëfarë kërkimi shkencor, me të cilin opinioni publik shkencor nuk është ende i njohur, dhe sipas të cilit, në ndërtesat shumëkatëshe lindin më pak fëmijë. “Për këtë, në Serbinë Qendrore do të ndërtojmë ndërtesa me vetëm katër kate, ndërsa në Beograd dhe në Novi Sad me pesë dhe gjashtë kate”, -tha Presidenti.

Çudira pati edhe në fillim të këtij viti kur opinioni publik dënoi propozime të sloganit të tipit: “Ragjaj-ne odgagjaj” (Lind tani, mos e lër për më vonë), gjë e cila gjithsesi pati edhe variacione të errëta të tipit: “Ne u usta- da sela ne ostanu pusta” (“jo në gojë – që fshatrat të mos na mbeten të zbrazët). Gjithçka u reduktua përsëri në njëfarë përralle mbi “populizmin” e pushtetit, megjithëse dyshoj shumë nëse mund të ekzistojë një fushatë për rritjen e natalitetit që normalisht të mos ishte populiste? Këtu ankohen me të madhe se njerëzit e rinj dhe të shkolluar, ikin nga vendi, dhe paradoksalja është se njerëzit do të vazhdojnë të largohen madje edhe atëherë kur Serbia të hyjë në BE, sikurse edhe Kroacia mund të shkojë te epilogu cinik – se numri i të rinjve kroatë që e kanë braktisur vendin është i barabartë me numrin e serbëve të dëbuar.

Por le t’i kthehemi poetikës së Dobrica Qosiqit (sepse edhe romani “Rrënjët”, për të cilin folëm më lart, është njëfarë studimi poetiko-letrar mbi natalitetin), dhe asaj që thoshte edhe gjyshi im, ndoshta në mënyrë më kuptimplotë sesa “Tolstoi serb”, gjithmonë pra ka qenë kështu në Serbi: “Shteti, për luftën jep topa, pronarët japin buajt, varfanjakët djemtë”. Epo mirë, sot, në vend të buajve japin xhip-at, por thelbi është po ai. Gjë që natyrisht nuk është arsye për të mos lindur fëmijë, sepse edhe nëse do të kemi, është e vështirë të themi sot se çfarë do të bëjnë nesër këta të epokës “bejbi bum” të Vuçiçit, nëse ndokush prej tyre, i veshur me uniformë do të hapë derën e Patriakanës së Pejës në gjurmët e “Zagorit në Kosovë”, apo mos ndoshta shumë prej tyre do të lindin në plantazhet e software-ve serbë? Apo – dhe shprehja që vijon është një sfidë për përkthyesin – “vatali zjale” (“vatali zjale” do të thotë “të kapësh diçka që nuk ekziston”. Përkthyesi.

Politika e ndarjes obsesive “pro dhe kundër Vuçiçit” po radikalizon (pjesërisht edhe banalizon) çdo temë shoqërore, madje edhe atë të popullsisë. Çdo histori mbi përshpejtimin e politikës së popullsisë përherë ndiqet në treg nga ajo monedha keqndjellëse mbi “substancën biologjike”. Por, nëse i hedhim një sy hartës së vendeve europiane mbi bazën e haplogrupeve – këto janë grupet që kanë të njëjtin paraardhës dhe mund të jetë një prej mënyrave mbi bazën e së cilës mund të shqyrtohet përbërja gjenetike e një popullsie – arrihet në përfundimin e paraardhësit meshkuj në rastet e serbëve, kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve, malazezëve janë shumë të ngjashëm (në disa grupe pothuajse identikë), gjë e cila të shpie në konkluzionin se këto dallime mes popujve të lartpërmendur janë në radhë të parë të natyrës kulturologjike. Kësisoj, edhe vrasjet në territorin e ish Jugosllavisë në këtë rast janë “vëllavrasje”. Siç është edhe mungesa e tolerancës në narrativat nacionale gjenocidale, që janë vendimtare dhe të fshehura, në përfytyrimet kolektive mbi të kaluarën e largët dhe të afërme. Pra, jo në “substancë”, por gjithsesi kjo nuk do të thotë shumë për viktimat e shndërruara në “substancë” pa emër dhe mbiemër.

* Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe Mapo nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤