Zekthi: Rama nuk ka ndryshuar, ai ka shqetësim vetëm propagandën

Analisti Fitim Zekthi i shikon me kriticizëm vendimet e tetorit të Ramës. Sipas tij, Rama nuk ka asnjë bindje politike dhe nuk ndjek asnjë princip

Z.Zekthi, Rama është njohur prej vitesh si njeri antikomformist, që paralelisht ka jetuar (me koshiencën e tij) një jetë prej anarkisti…Megjithatë ai gëzon popullaritet te njerëzit aq sa atij i kanë besuar një mandat të dytë qeverisës. Pyetja që lind është se çfarë ka ndodhur me Ramën pas 5 vitesh që drejton vendin? Vetëm brenda një muaji, ai i ka shpallur luftë veseve, si mbyllje bastesh dhe lotarish, ka paralajmëruar një nismë të re kundër pijeve alkoolike (për ata nën 18 vjeç), si dhe do t’i përcjellë opinionit publik një iniciative ligjore që lidhet me “vetërregullimin” e fjalës së lirë… A keni një koment për këto lëvizje të befasishme të Ramës?

Në momentin që flasim mendoj se Rama përpiqet të perceptohet sikur ka popullaritet. Njerëzit jetojnë në vështirësi të mëdha ekonomike, kanë probleme të thella me papunësinë, njerëz nga bota e krimit, vulgar dhe hajdutë gjithfarësoj janë në zemër të vendimeve të mëdha ekonomike apo politike. Në masë dërrmuese njerëzit duan të largohen nga vendi, dhe po largohen nga vendi. Mendohet se janë larguar në 6 vitet e qeverisë “Rama” më shumë se 300 mijë vetë çka do të thotë se janë larguar rreth 15 për qind e popullsisë që sipas censusit gjendej në Shqipëri në vitin 2011.

Nga viti 1990 deri në 2013 mendohet se janë larguar 1 milion njerëz. Pra, për 23 vjet janë larguar 1 milion njerëz dhe për 6 vjet janë larguar 300 mijë njerëz. Në qeverinë e tij numri i njerëzve që ikin është disa herë më i lartë se para tij. Kjo tregon se ai vetëm popullor nuk është. Në qoftë se e keni fjalën që Rama është i famshëm, rri gjithë ditën në televizor, bën spektakël, bën gallatë, tallet, thumbon, sulmon, vishet me lule dhe ngjyra… etj., atëherë po. Ai është i famshëm. Sa i takon mandatit që ju thoni se ia dhanë njerëzit kjo nuk është e vërtetë.

Ai i vodhi zgjedhjet, i bleu ato me para dhe njerëz që vinin nga krimi. Tani po zbulohen ngadalë. Më parë ishin Habilajt që thanë se Saimir Tahirit i duhen 20 milionë euro për zgjedhje. Përgjimet në Lezhë tregojnë se vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka blinte vota, përgjimet në Durrës tregojnë së Vangjush Dako blinte vota me njerëz të arrestuar si trafikantë ndërkombëtarë droge etj. Pra Rama me mjetet që ka, me mediat, paratë, krimin dhe spektaklin që jep përpiqet të perceptohet si popullor. Për ta bërë, ai lëviz nga fushatat e “qeverisjes me popullin”, deri te çështje që janë popullore dhe rreket të hiqet si mbrojtës i madh i të mirës kundër të keqes, i virtytit kundër vesit. Pra, nuk ka asnjë ndryshim te Rama. Është ai që ka qenë. Një njeri që ka shqetësim vetëm propagandën, që nuk ka asnjë bindje politike, që nuk ndjek asnjë princip në mënyrën se si vepron mjafton që të ruajë dhe zgjerojë pushtetin.

Rama nuk ka treguar se i ka bindjet e tij politike të motivuara nga një moral i tillë apo të prejardhura nga një moral i tillë që dënon vesin, që dënon kumarin, që dënon alkoolin. Përkundrazi, Rama është i njohur si njeri që është kulturalisht pro lirive të tilla, pra pro lirive për të mëkatuar në një farë mënyre.

A mendoni se vendimet e tetorit të Ramës, po merren pas një qeverisjeje të gjatë (pra që nuk i bënte dot gjatë mandatit të parë), apo rrethanat politike, akuzat me përgjime dhe ngjarje që e cenuan mazhorancën me timon të vetëm, e çuan atë në një ridimensionim të vendimeve sa të debatueshme aq edhe populiste…?

Vendime të tilla vijnë në një kohë që qeveria nuk ka më asnjë narrativë. Asnjë element tjetër propagandistik nuk prodhon diskutim ose nuk e çon diskutimin atje ku do Rama. Gjatë gjithë shtatorit dhe gjatë këtyre ditëve të tetorit Rama dhe qeveria e tij janë vënë në akuzë për lidhje me krimin, për përkrahje të krimit, kanë shpërthyer disa çështje si ajo Xhisiela, udhëtimet me çarter të Taulant Ballës me një trafikant, përgjimi i vëllait të ministrit Xhafa, përgjimi i kryetarit të Bashkisë, Dako etj.

Gjithë kjo dallgë akuzash dhe gjithë lufta e opozitës e ka përmbytur plotësisht qeverinë dhe Ramën dhe atij i duhet një zhurmë e madhe. Kjo zhurmë është ligji antishpifje, ai kundër basteve dhe kundër alkoolit.

Si kryetimonieri i qeverisë, Rama i ka marrë përsipër vetë nismat e bashkë me to edhe risqet. Çfarë impakti mendoni se do të kenë në popull këto vendime për qeverisjen e tij, kur testi i parë janë zgjedhjet vendore të vitit që vjen?

Duhet të themi se në kushtet kur jemi tani, pra në kushte të pandryshuara me ato kur u mbajtën zgjedhjet vjet Rama do t’i blinte votat lehtë, siç bëri. Një parti konkurron me një parti, një politikan me një politikan por një parti kundër një organizate politike që nuk ka asnjë kufi ndarës me mafien apo me njerëz të trafikut të drogës apo me njerëz që vijën nga aktivitete të ndryshme kriminale nuk mund konkurrojë. Duhet që PS-ja të garojë si parti dhe duhet që Rama të garojë si politikan.

Pra, duhet që biznesi që vjen nga krimi të mos financojë blerjen e votave, biznesi që vjen nga lejet e ndërtimit apo nga hashashi të mos blejë vota dhe duhet që deputetët që vijnë nga krimi të mos jenë aktorë zgjedhorë. Si tha djali i deputetit Rraja me pranga në duar “do ta shohë Basha në zgjedhje”. Sa i takon impaktit të këtyre vendimeve unë mendoj se ai do jetë i papërfillshëm. Njerëzit e kuptojnë shumë lehtë se pse i bën Rama këto gjëra. Ata e dinë mirë se si qeveris ai sepse po i ikin nga Shqipëria apo e shohin në tryezat e familjeve çdo ditë. Nuk ka mbetur asgjë nga Rama në qoftë se i heq atij mbështetjen e njerëzve dhe paratë që vijnë nga krimi. Nuk është as vetë Rama.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤