Zef Skiro di Maxho: Nëpër udhat e parajsit shqipëtar dhe t’arbëresh - Madame

Zef Skiro di Maxho: Nëpër udhat e parajsit shqipëtar dhe t’arbëresh

Ndëpër udhërat e parrajsit shqipëtar dhe t’arbëresh, Zef Skiro di Maxho sjell dy poema “gjysmë serioze” arbërisht me përkthim të lirë italian. Në një botim luksoz të shtëpisë botuese “Ombra GVG”, “Poemat arbëreshe” janë poemat e sprasme tetërrokëshe të një tradite shumëshekullore, ku vetë poeti i ka quajtur 390 faqet e tij, se “këtu kullohet ari i letërsisë arbëreshe”!

Zef Skiro di Maxho që ngjan një poet që zbret nga bota arbëreshe e shekullit të 15-të krijon një udhëtim irreal: pamje nga bota “fizike” e parajsës dhe ferrit, si zgjim i udhëtarit të Horës në vende, në njerëz, me virtyte e të meta, të dashur e armiq…Ndërpër udhërat e parrajsit shqipëtar dhe t’arbëresh, Skiro sjell dy poema “gjysmë serioze” arbërisht me përkthim të lirë italian. Në një botim luksoz të shtëpisë botuese “Ombra GVG”, “Poemat arbëreshe”, janë poemat e sprasme tetërrokëshe të një tradite shumëshekullore, ku vetë poeti i ka quajtur 390 faqet e tij, se “këtu kullohet ari i letërsisë arbëreshe”!. Zef Skiro Di Maxho njihet si poet epik e satirik, lirik, dramaturg, përkthyes dhe publicist.

Është autor i njëzet përmbledhjeve poetike, i disa poemave epiko-satirike, i pesëmbëdhjetë dramave e komedive, duke qenë i pranishëm në sa e sa antologji letrare brenda dhe jashtë Italisë. “Zef Skiro Di Maxho së bashku me Vorea Ujko-n kanë meritën e madhe të modernizimit të letërsisë arbëreshe, njëri në Kalabri dhe tjetri në Siçili, duke shkruar në traditat më të mira të letërsisë arbëreshe të traditës”, shkruan Luan Topçiu në parathënien e Poemave, ndërsa ky botim shoqërohet edhe me fjalët e profesor Gianfranco Romagnolit si dhe poetit Visar Zhiti. Në këtë botim dy poemat e mëdha: Nëpër udhat e Parrajsit shqipëtarë dhe t’arbëreshë (Udhëtim në Parajsën shqiptare) dhe Fatosat –trimat e rinj arbëreshë apo arsyeja e gjëravet japin tablo të gjera, si afreske me shtrirje në hapësirë, skena që i lënë vendin njëra-tjetrës, skena rustike dhe onorike, personazhe të njohur për poetin në një poemë epike.

Në udhëtimin e Skiro-së, ai shkel më këmbë në fusha, pyje, male, kodra, e përmes peripecive përshkrimi ka ironi, e mbushur me sarkazëm e humor, ku poeti krijon një vision satirik mbi pseudo intelektualët, e ligjeratat e ashtuquajtura punime shkencore, por njëkohësisht nderon ata që punuan e mbajtën gjuhën arbërishte. V.M

***

Një udhëtim jo përmes Ferrit

Gianfranco Romagnoli

Kam pasur qejfin të merrem, posi prefator, me krijimet letrare të Zef Skiro Di Maxhos, një intelektual arbëresh i njohur dhe i çmuar në fushën ndërkombëtare si eseist dhe autor dygjuhësh veprash që i bien anembanë nga poezia te dramaturgjia, prodhimin e të cilit ndjek me interes të gjallë falë edhe një marrëdhënieje nderimi të ndërsjellë dhe miqësi të sinqertë që u vendos midis nesh dhe që më bindi ta quaja midis anëtarëve të Akademisë Siciliane të Mitikëve, kryesuar nga unë. Ashtu që, kur më ka kërkuar një prezantim për këto dy poema të shkruara nga ai në vite të kaluara dhe ende të pabotuara, pranova me entusiazëm, i sigurt, se leximi i tyre më vërtetoi, që do të ishin vepra me cilësi…

…Poemat e përmbledhura në këtë botim janë dy: e para në rend kronologjik hartimi mban titull “nëpër udhat e Parrajasit shqipëtar dhe t’arbëreshë” (udhëtim në parajsën shqiptare), e dyta ka titull “Fatosat –trimat e rinj arbëreshë apo arsyeja e gjëravet”. Shkruar në vargje tetërrokëshe, përbëhen e para nga dhjetë dhe e dyta nga dymbëdhjetë këngë dhe kanë një leitmotiv të përbashkët: malli i autorit për gjindjen e tij, jo të idealizuar por të shikuar në realitetin e vlerave të saj dhe të të metave të saj jo të fshehura. Prapëseprapë, ngase është i ndryshëm frymëzimi që i ka dhënë vend shkrimit të tyre, do të jetë mirë në këtë çast të analizohen një për një…E para,

“Ndëpër udhat e Parrajsit Shqipëtar…” bazohet mbi një topos letrar dhe arketipik shumë i njohur, udhëtimi, e më pikërisht, udhëtimi në botën e përtejme. Nën këtë profil (të më lejohet për incidens të çmoj mungesën e anës përgatitore për udhëtimin), lidhja që menjëherë bie në sy është ajo e kësaj vepre me atë Komedi ( o Komedi Hyjnore) të Dantes, me të cilën bashkohet në të gjetur rastin për të fshikulluar, në disa ndodhje edhe egërsisht, zakone dhe personazhe bashkëkohore, megjithëse rrëmbimi i Aligerit këtu zëvendësohet nga një i hidhur dell humoristik, herëherë fqinj me sarkazëm, kështu tipik të Autorit tonë dhe, besoj të arbëreshëve përgjithësisht. Përveç kësaj, ndryshe nga Komedia, udhëtimi nuk zhvillohet përmes Ferrit (vendi ideal i zgjedhur nga Dante për të strehuar armiqtë) dhe Purgatorit, por i përket vetëm Parajsës.

Një Parajsë, prapëseprapë, shumë të veçantë, në të cilën, për shkak të mbipopullimit të Ferrit dhe të vështirësive administrative përkatëse, u pranuan qoftë shpirtrat e këqij qoftë djajtë, sepse këta të fundit lanë të shuhej zjarri i Ferrit nga një pasojë e një veprimi sindikal, duke lënë në ngricë edhe Parajsën; por shpirti i rivendikimeve të tyre vazhdon në vendin e ri me kërkesa të mëtejshme përsa i përket ndriçimit publik, punë që nuk duan ta kenë përsipër ata por të ngarkohet një ent publik që do të ngrihet: ja se po del kritika e Skiroit, që, megjithëse nuk mohon një reformë sociale, është kundër një forme sindikalizmi dritëshkurtër dhe ekstremist. Karakteristikë tjetër që e bën këtë Parajsë krejt të veçantë është ndarja në zona të rezervuara të çdo kombi, të sunduara nga një qiell me ngjyrat e çdo flamuri që pasqyrohen në ngjyrën e livadheve, dhe të ujërave:

del kështu, ndër të tjerat, një Parajsë italiane dhe një Parajsë shqiptare, dhe këtu po nënvizohet situatë e vështirë arbëreshë, dërguar në Parajsën italiane sipas letërnjoftimit të tyre, por të refuzuar nga banorët e saj për shkak të ndryshimit të gjuhës (kjo, përveç kritikës së nostalgjisë “me ndërprerje” për atdheun e origjinës), por edhe të përçarë midis tyre. Danteja që viziton këtë Parajsë, që strehon pa dallim shpirtra të këqij dhe shpirtra të zgjedhur përveç aq njerëz të rëndomtë, është një arbëresh, i cili në ëndërr (nëpër ëndërr bëhet fjalë) u pa të zvogëlohej si fëmijë në trajtën e jashtme edhe sikur duke mbajtur aftësitë mendore të një njeriu të rritur, kurse udhërrëfyesi i tij (Virgjili) është një Shkop i urtë metafizik, që do ta sjellë kudo nëpër krahinat e ndryshme të Parajsës, duke i mbyllur gojën kujt i kundërvihet pranisë së huaj të vizituesit duke e hedhur fjalën për “nunin”, emri i të cilit zëvendësohet me pika pezullimi: paraqitje satirike –dhe shumë siciliane – të vargut dantesk “kështu u vendos atje ku asht fuqija” (K,II,95 –Ferri, përkthyer nga Pashko Gjeçi – Tiranë 1960).

Udhëtimi në Parajsën shqiptare zhvillohet me këmbë nëpër pyje, lugaja, kodra dhe maja të larta në të cilat arrin me fluturim pas peripecive komike, dhe çdo vend i vizituar i jep strehë një kategorie të veçantë njerëzish, të paraqitur kolektivisht dhe individualisht nëpërmjet një satire therëse, për t’u mbajtur mend, ndër të tjera, kënga kushtuar filologëve dhe intelektualëve të rremë dhe ajo që rrëfen kongresin e Arbëreshëve, në të cilat këngë regjistroj çaste gazmore si ëndrrën e pavullnetshme, nga ana e protagonistit, të sekretarit të seksionit demokristian të Horës së Arbëreshëvet dhe si bombardimi në kongres, në kinema dhe në televizion, të ligjeratës së stërgjatur dhe shumë të mërzitshme të një pseudo intelektuali “zanatçi”; e në kundërshtim, këtu si në pjesë të tjera të poemës, lavdërimin e filologëve dhe poetëve të vërtetë që i japin nder popullit arbëresh, ndërsa aluzione të vazhdueshme dhe kritike i drejtohen Institutit palermitan për studimet shqiptare dhe atyre që i japing vetes (shpresoj se nuk bëj pjesë në numrin e tyre) një kompetencë dhe një rol drejtimi në lëndën shqiptare pa ditur asnjë fjalë të gjuhës.

Dhe në mbarim, duke kapërcyer aq shënime të tjera që lë t’i zbulojë dhe t’i shikojë lexuesi, pas një kalimi të papritur vënë në veprim nga një goditje me shkop në kokë, ndodh zgjimi i udhëtarit në Horë, “kërthiza e botës”, ku irealiteti i pamjeve të botës “fizike” të Parajsës, të përshkruara nga Autori me thekse poezie të lartë, gjen në realitet ngjashmëri të plotë në peizazhin, në vendet dhe në njerëzit që, me gjithë të metat e tyre por edhe me virtytet e tyre, i mban të dashur.

Është pikërisht kjo, gjindja e Horës, pika e lidhjes të së parës poemë me të dytën, nga titulli kuptimplotë “Fatosat –trimat e rinj arbëreshë”, që po nënvizon rëndësinë epike të personazheve të jetës së përditshme. Një galeri portretesh në të cilin Autori, lë mënjanë frymën polemike që përshkon poemën e mëparshme megjithëse pa ndërprerë mjetet e humorit dhe të ironisë veçori të tij, përvijon me një shije tipare dhe situate të një feste fshatare që simbolizon gjendjen e një populli të tërë “pezull” në mes dy atdherash dhe dy kohësh me modelet e ndryshme të jetës së tyre. Po të donim të përcaktonim, në fakt, në këtë poemë, një fill përcjellës që si leitmotiv del nga çdo këngë (o gati), mund ta gjenim në ndikimin në mes të traditës dhe modernitetit, që kushtëzon, aq sa e trazon, jetën e qetë të komunitetit më parë të mbyllur dhe vetëreferente.

Nën profilin e parë, traditën, delli poetik i Autorit gjen rrugë të gjerë: veçanërisht të bukur m’u kanë dukur kënga e dytë, “Bariu”, që ndjell poetikisht jetën bukolike me mjediset e saj malore dhe ritmet e saj, por të shkatërruar nga ndikimi i modernitetit kur bariu, dërguar në veri që të kryente detyrimin ushtarak, përmbytet nga shitjet me korrespondence të sendeve pak a shumë të panevojshme, sidomos për të; dhe kënga e nëntë, “Këpucari këngëtar”, që në rikujtimin lirik të mjedisit katundar të serenadave të natës shpreh me mprehtësi, për sa u përket muzikës dhe kantos, ide të specializuara që më kujtojnë komentin e d’Annunzio-s për Vdekjen e Isotës vagneriane. Letrari, sipas meje, ka shpesh, në krahasim me muzikologun, “një marsh më shumë”.

Dhe akoma, për sa i përket profilit mbizotërues të modernitetit, del i papërmbajtshëm delli humoristik i autorit, jo shkëputur nga shënime të përgjithshme me karakter etik dhe shoqëror por funksional me to. Citoj, sa për shembull, vetëm ca nga ngjarjet e treguara: kështu, në këngën e tretë, “Lutje dhe Shejtra”, katundarja që birret në Palermo në kërkim e sipër të ndalesës së autokarrocës që do ta sjellë përsëri në Pjana dhe që, duke ndërruar shtatoret lakuriqe të shatërvanit të Piazza Pretoria si Shenjtër, u lutet ta ndihmojnë, duke ngjallur vëmendjen e një bashkëfshatari i cili do ta shoqëronte në vendin e caktuar dhe duke vërtetuar kështu efektshmërinë e lutjes bërë me mirëbesim; kështu edhe ngjarja e hidhët e “Bulkut”, (kënga IV) që u fliste pemëve, por, detyruar nga pesha e viteve të mos merrej më me tokën e tij , ia shet të huajit duke shtuar kësisoj çnatyrimin e krahinës.

Kështu edhe “Kryetari i katundit” (kënga V) etja për drejtësi e të cilit vë në dritë kundërshtimin në mes drejtësisë formale, të arritshme, dhe asaj substanciale, të paarritshme për shkak të ligësisë së njeriut; dhe akoma “Nusja fëmijë” (kënga VIII) ku është nevoja të mos humbë krahë pune që, për të marrë përjashtimin nga shërbimi ushtarak për një Shtet të perceptuar si shtypës, shtyjnë familjet të rregullojnë martesa të bijve të rinj me nuse fëmijë, ende kushtuar lodrave foshnjore dhe krejt të papërshtatshme me kushtet e reja. Një mbyllje e denjë e kësaj poeme ndodhet në këngën XII, “Prifti elektricist”, në të cilën ky personazh, me thirrje-prirje për t’u sjellë dritë qoftë shpirtrave qoftë kurmeve, gjen një sistem përforcimi që nga Kisha malore e Odigjitries përhap tingëllime të kambanave dhe lutje mbi luginën e Horës që shtrihet poshtë: është këtu që Autori arrin një nga momentet më të larta të poezisë së tij.

NJË POET I RI 500 VJEÇAR

– Gjuha, poezia, parajsa, një trini emocionesh për shkrimtarin arbëresh Zef Skiro Di Maji –

Nga Visar Zhiti

Kur marr ndër duar një libër të Zef Skiro di Majit, mbase për rilexim a botim të ri, teksa shfletoj në kërkim të ndonjë mbrese, fjale apo visoreje, mendimi apo portreti, ngulmim në diçka metaforike, të pa përcaktuar, që nuk di ta shpjegosh siç të ndodh me poetët që i do, tekstura e tij si zakonisht hapet në dy gjuhë, arbërisht dhe italisht. Dhe të vjen të pyesësh: në ç’gjuhë u shkruan së pari poezitë e tij? Në atë të shpirtit apo në atë të jetës? Në gjuhën amë apo të kulturës së poetit, të shkollimit dhe të leximeve të mëdha? Më pas i përktheu apo i rishkroi?

Fjala teksturë, ndoshta e ardhur jo rastësisht, jep një asosacion idesh e përsjell ndërthurje të tjera: tekst dhe urë, tekst-stil… vegime bëmash: pëlhurë… në një si avlement homerik, ku ajo që thuret ditën, çthuret natën ose kalon në një kundërthurje të tjetërllojtë, zbrazje e përkthim… po ajo dizenjo e ndërkohë tjetër, e njëjta poezi në dy gjuhë, që është dhe s’është e njëjta, endje dhe çendje, për të kaluar në një endje të re, qilimi mitik i Penelopës. Por poetit çfarë i priu në zanafillën e krijimit, mësimi i mësuesit në vendin e jetës apo porosia prej Penelope e mëmës, e ardhur nga trojet e të parëve? Kush janë të huajt, këta në vendin e tyre apo ne që erdhëm në vendin e shpresës para 5 shekujve?

Po koha, parakujtesa, varret dhe kambanat tona, vallet dhe poemat arbëreshe, fëmijët që lindin dhe bekimi atëror? E rritja si italian, si qytetar i Europës…Jo, jo, nuk ka të huaj, i huaj mund të jesh dhe në atdheun tënd, as të mërguar s’ka, në mërgim mund të jetë shtëpia jote, e gjitha është vazhdim i njëra-tjetrës. Ashtu si lart në qiell edhe në tokë nuk duhet të ketë ndarje, njënjëshëm është, larmi magjepsëse, pasuri, po kështu dhe brenda njeriut. Me retë poetike sipër që shpesh në muzg marrin forma të çuditshme perëndish…O Zot i ëndrrave, mbase ka thirrur fëmija që do të bëhej poet nga Piana degli Albanesi! Dhe do të ruante buzëqeshjen fëminore, që herë do të ishte e shëndetshme si mollët e herë-herë do bëhej e trishtë, por dhe ironike bashkë me rritjen, do t’u kalonte spektatorëve që të buçiste në teatrin shëtitës të komedive arbërore.

Parajsa shqiptare… parajsa arbëreshe…

Shqiptarët moskokëçarës janë shqetësuar për të përtejmen. Duke qenë popull i skajshëm me historinë e tyre joshëse, kanë dashur t’i kalojnë caqet e truallit dhe të ekzistencës, të kalojnë nëpër një teksturë imagjinare. I ka shqetësuar pamjaftueshmëria dhe kanë emigruar.

Arbëreshë dhe shqiptarë kanë arritur deri në kontinentin amerikan, por duke i mbetur besnikë gjuhës si rrallëkush. Arbëreshët mund të krahasohen me hebrenjtë pa shkretëtirë… Dhe kanë rinisur… Si të thuash rinisja është si një lloj përjetësie e shqiptarëve.

Dhe me parajsën kanë buzëqeshur. Së pari mendësia popullore. Gjë që është futur dhe në poemat shqiptaro-arbërore. Kurse ferri duket se i erdhi me forcë letërsisë shqipe gjatë mbylljes diktatoriale, teksa binte perandoria komuniste, nga burgjet, nëntoka e dënimeve, Hadi…

Edhe në parajsë shqiptarët enden si të veçantë, madje të rrëmujshëm, me një hijeshi të pa parë.

Është interesante të tregoj, kështu më duket, kur fill mbas mbarimit të Luftës II Botërore vihej në skenën teatrore në një qytet mbi dymijëvjeçar shqiptar, Berati, një poemë ndryshe: Kryengritje shqiptare në parajsë, i një autori-aktor, H. Zh, që do të persekutohej nga regjimi e do të bëhej gjithnjë e më i pajohur, që i gjejmë në botimet postume të mëvonshme të ketë shkruar jo Thembra e Akilit, por e Akcilit, si të thuash e ne të gjithëve, pra kemi pikën e dobët, ku mund të goditemi, shpesh e gjithmonë. Prandaj na turbullon dhe parajsa, me kë do të popullohej ajo? Edhe atje shqiptarët, heronjtë e tyre, çojnë krye. Aty është dhe Skënderbeu i përbashkët. Së bashku, të kapur krah për krah, vallëzojnë të gjallë dhe të vdekur.

Parajsa e pakmëvonshme e Zef Skiro Di Majit, “Nëpër udhat e Parrajsit shqipëtarë dhe t’arbëreshë” (Udhëtim në Parajsën shqiptare), që na e sjell tani Shtëpia Botuese prestigjioze “OMBRA GVG”, është më shumë dantesko-palermitanase, ngjashëm dhe jo me parajsën e tejme të Beratit, pa e ditur fare atë. Ngërthehet në një nga format aktuale, më se të zakonshme, të një konference shkencore, të gjatë e groteske, ku kaptohet dhe më tej, në Shqipërinë e dëshiruar, te lufta e klasava atje, në komunizmin absurd. E në poemë nuk mungojnë ngjyra të fushëtirave dhe ujnave, siç vërehet, dhe e gjitha me gjuhën e popullit arbëresh të Horës së tij dhe ribërjen e saj në një italishte të çlirët, (…pëlhura me një endje tjetër…) me humorin e të folmes përreth.

U helmova me kujtimin

e ndan’qenit un’ u qasa

sa t’ i bëja një hajdhì;

kështu dorën sipër flokëvet

un’ i shkoja dal’ e dalë.

Mes dëshpërimeve dhe rënieve, si një gjest jete, sfidë dashurie, të ledhatosh qenin e poemës tënde, floknajën e metaforave e të buzëqeshësh e t’i tregosh gjindjes me seriozitet e guxim më të vështirën, bjerrjen dhe të metat deri në komicitet e të qeshin, po aq sa me rrëfimin “zef-skiro-di-maxhion”, me veten e tyre, teksa në ajër lëvrin “një shkop mjegulle”, kozmik, si i zbuluar me teleskop nga ballkoni i poetit, që përshfaqet si një ndëshkim fshikullues, por i pa të keq.

Yjet janë ulur poshtë. Vijnë dhe ikin personazhet, shqiptarë e arbëreshë, dhe siç na rrëfen autori dhe në gjuhën tjetër, në italishten e tij që për atë nuk është tjetër: “…Buzuku, Skanderbegu, Variboba, De Rada, alcuni preti e vescovi, Frashëri, Serembe, Zef Schirò, Dara, Crispi, Gurakuqi, Barbato, il re Zogu, G. Fishta, Koliqi, Petrotta, Sciambra, Mehmet Shehu, Enver Hoxa, Zef Schirò Junior, i segretari delle sezioni democristiane che hanno sede in quel di Piana e in quel di Lungro…”

Eposi është përmbysur kokëposhtë ose epos i çmitizuar, modernizuar mjeshtërisht, gjithë shpotí si në një farsë dashamirëse. E kërkonte realiteti, koha, poeti së brendshmi, zhvillimet. Duhej një dizenjo e re mbi pëlhurën e poemës, stilizim në tekst-urë…

*Fragment nga parathënia e “Poema arbëreshe”

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤