Xhoi Kallaverja: Misioni i një artisti është që të përçojë emocion

Ajo është e bukur, ka prezencë, është serioze si shumica e burrneshave të zonave të Veriut. Prej shumë vitesh është marrë me muzikë, nga ku ajo i fle në zemër, por së fundmi e kemi parë në një nga festivalet më me zë që organizohet në këtë periudhë festash, në edicionin e ‘Kënga Magjike’. Bëhet fjalë për Xhoi Kallaverjan, një nga pjesëmarrëset më simpatike në festivalin e fundit të ‘Kënga Magjike’ me këngën që mban titullin ‘Aq sa më do’.

Xhoi është nga Peshkopia dhe gjithë jetën e saj është marrë me muzikë, duke kënduar që e vogël nëpër qendra kulturore e deri më tani që vendosi të marrë pjesë në një format kaq madhor dhe me përgjegjësi. Ajo ka mbaruar studimet Bachelor për Diplomaci dhe studimet Master për Juridik dhe nga ana tjetër ka qenë gjithë kohës e angazhuar me muzikë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë intervistë të fundit me Xhoin ajo foli rreth pasionit të saj për këngën, eksperiencën e re si pjesëmarrëse te ‘Kënga Magjike’ etj.

Me origjinë ju jeni nga Peshkopia. Angazhimi juaj në muzikë ka filluar kur ju ishit 6 vjeçe. Sa e vështirë ka qenë për të pikasur në një vend aq të vogël?

Është e vërtetë që jam nga Peshkopia dhe rrjedh nga një familje me emër e me tradita! Hapat e parë drejt muzikës i kam pasur në moshën 6-vjeçare. Fillimisht filloi si një pasion fëminor, por që më pas unë gradualisht u bëra pjesë e aktiviteteve kulturore të asaj kohe ku mora pjesë në Festivalin e Fëmijëve në Qendrën Kulturore në Peshkopi deri në moshën 14 vjeç. Më pas jam angazhuar në aktivitetet në Estradën e Peshkopisë deri në moshën 18 vjeç.

Kush ka qenë nxitësi kryesor që ju të merreshit me muzikë e që vazhdon të jetë suporti më i madh për ju?

S’do pushoj së thëni që mbështetja ime më e madhe ka qenë dhe është mamaja ime, gjithashtu dhe përkrahja e familjes sime padyshim dhe do doja t’i falënderoja publikisht, për kurajon dhe mbështetjen që më kanë ofruar.

Kush është motoja që e shoqëron Xhoin sa herë që performon përpara publikut?

Misioni i një artisti është që të përçojë emocion te publiku pa marrë parasysh nëse janë dy-tre persona apo më shumë të pranishëm, mjafton që për një moment ato të shkrihen me ty dhe të harrojnë sadopak problemet dhe streset e ditës.

A mbani mend ndër këto vite ndonjë situatë të sikletshme me fansat gjithmonë nëse ka, që ju ka mbetur në mendje dhe një nga më të bukurat që nuk do ta harronit kurrë?

Situata të sikletshme ose qesharake janë pjesë e punës sonë! Do veçoja grisjen e një fustani, në një ambient ku unë këndoja dhe m’u desh ta lija në mes këngën, duke ftuar një koleg tjetër derisa dola nga skena pa rënë në sy. Një situatë tjetër ka qenë kur po i këndoja këngën e ditëlindjes një mysafiri që kishte ardhur për të festuar ditëlindjen në një restorant ku unë performoja ‘live’ dhe në momentin final harroj emrin kthehem me shpejtësi nga një koleg i imi me idenë që ai e mbante mend, por ai me qetësinë më të madhe më thotë emër tjetër për tjetër dhe unë e them emrin siç ma tha ai dhe pastaj plasën të qeshurat, sepse me atë emër nuk kishte njeri prezent në sallë e kështu që nuk kisha më mundësi ta vazhdoja më programin nga të qeshurat.

Së fundmi të kemi parë te ‘Kënga Magjike’ me këngën “Aq sa më do”, e cila të themi të drejtën u prit mjaft mirë nga publiku për sa kohë ju jeni konkurrente e re dhe aspironi për kategorinë e “New Artist”. Përse të pamë kaq vonë në media edhe në një festival kaq të njohur sa ‘Kënga Magjike’? Çfarë ju stepte më përpara për të mos marrë pjesë?

Po kjo është dalja ime e parë në “Kënga Magjike“ dhe mendoj se kënga është pritur mjaft mirë nga publiku përderisa kam marrë komente pozitive dhe përgëzime. Nuk mendoj se jam vonë, por mendoj që është momenti që unë ndiej se jam pjekur artistikisht për të qenë pjesë e një kompeticioni kaq të rëndësishëm siç është “Kënga Magjike” dhe shpresoj të jetë një ogur i mbarë për mua për të vazhduar më tej.

Marrja pjesë te ‘Kënga Magjike’ si hera juaj e parë, ju bëri të përjetonit emocione të cilat i kaluan pritshmëritë duke marrë një mbështetje të madhe apo ndodhi e kundërta?

Mund të them që pjesëmarrja në “Kënga Magjike“ apo kompeticione të ngjashme me të është thikë me dy presa. Ndodh që kënga të pëlqehet nga publiku dhe nuk pëlqehet nga juria ose anasjelltas, por për fatin tim të mirë mora impakt pozitiv nga të dyja anët si nga juria ashtu dhe nga publiku. Vlen të përmendet që menjëherë të nesërmen e daljes në YouTube të këngës time jam kontaktuar për intervista të ndryshme si nga media e shkruar dhe ajo vizive. Kjo gjë më gëzon pa masë.

A do merrje pjesë edhe një herë tjetër në formate të tilla dhe pse? Me çfarë u ndeshët te një festival i tillë që ju ka lënë mbresa?

Patjetër pse jo. Janë emocione të papërshkrueshme që një artist duhet t’i përjetojë. Gjëja e parë që të vjen në mend është ajo shtypja e butonave jeshil apo të kuq dhe përballja me artistë të afirmuar të tregut muzikor shqiptar dhe me reagimin e tyre të drejtpërdrejtë me artistin. Ky ishte një emocion i fortë deri në momentin që të japin atë ‘OK’ për të vazhduar më tej.

Me çfarë jeni marrë me përpara për një publik që nuk ju njeh akoma?

Për një publik që nuk më njeh, Xhoi është marrë gjithmonë me muzikë. Kam performuar ‘live’ si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë nga muzika e lehtë deri tek ajo popullore qytetare. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe kam mbaruar studimet e larta për Diplomaci Bachelorin dhe Masterin për Juridik.

Më përpara në repertorin tuaj janë vënë re më së shumti këngë të muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Çfarë ndikoi këtë herë për të sjellë një baladë?

Baladat më pëlqejnë shumë dhe kanë zënë gjithmonë vend në repertorin tim. Nisur nga kjo në diskutim e sipër me producentin e këngës Gent Myftaraj ramë dakord për “Aq sa më do”, të cilën e pëlqeva që në momentin e parë kur m’u propozua dhe vendosëm që ky është materiali që më duhet dhe që i përshtatet dhe vokalit tim.

A mendoni që publiku ka hequr dorë nga muzika popullore dhe ndjek më së shumti baladat?

Jo nuk është e thënë ka vend për të gjitha këto lloje dhe gjini të këngëve që sapo përmendëm edhe më lart. Mund të them që baladat kur ngjisin te publiku jetojnë më gjatë.

Me çfarë projektesh të reja do e shikojmë Xhoin tani e tutje? Ku mendoni të fokusoheni?

Për momentin do mbyllim Festat e Flamurit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ku unë do jem e angazhuar si çdo vit. Projektet më të reja ristartojnë në fillimin e vitit 2019 dhe shpresoj të sjell diçka ndryshe dhe më me ritëm.

Dua ta mbyll këtë intervistë duke falënderuar pa përjashtim të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe vazhdojnë të më mbështesin në rrugëtimin tim. Ju dua, Xhoi! Gjithashtu dhe ju, për këtë intervistë kaq të këndshme.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤