Vlerat kulturore të shqiptarëve

“Një jetë me antropologjinë” libri i UET-Press sjell një histori të antropologjisë parë me sytë e një prej njohësve më të mirë të saj, Aleksandër Dhimës. Kulturat dhe qasja jonë ndaj tyre vijnë në një analizë të një shoqërie në ndryshim

Nga Aleksandër Dhima
Njerëzit që u përkasin kulturave të ndryshme janë në gjendje të japin një gjykim kolektiv mbi moralin personal të dikujt, sepse rrezatojnë dhe kanë pranuar norma të përbashkëta. Kodet etike të disa profesioneve, si mjekësia apo gjyqësori, s’janë asgjë më tepër sesa norma të debatuara nga autoritetet e sferave të ndryshme dhe, në fund, të formalizuara. Një ligj është një lloj i veçantë norme, e formuluar dhe e imponuar nga autoritetet qeverisëse.

Megjithëse nganjëherë individëve iu duket sikur normat e kulturës së tyre janë një grumbull budallallëqesh, që “do të bëheshin” dhe “duhen bërë” për t’iu “zënë frymën”, në fakt ato janë krejt të dobishme për ne si individë. Kjo ndodh mbasi ato fitohen gjatë procesit të enkulturimit, në saje të të cilit ne mësojmë se si të veprojmë ndaj të tjerëve dhe çfarë të presim nga veprimi i të tjerëve ndaj nesh. Kështu p.sh., kur hyn në një mjedis festiv krejt të huaj, në fillim njeriu s’di se ç’duhet bërë. Por secili e di detyrën e tij kur ndodhet në mjedisin e vet kulturor, duke shtrënguar duart dhe duke kërkuar miqtë e vet, për t’i pyetur mbi intimitete të jetës së tyre familjare. Në këtë rast, ashtu sikurse në rrethana të tjera të jetës së përditshme, normat nuk mund të kuptohen si detyrim, por shërbejnë si orientim i dobishëm për çka duhet bërë, në mënyrë të tillë që të tjerët të dinë se ç’është duke bërë dikush që vepron brenda grupit dhe të pranojnë veprimet e tij si normale.

Normat kulturore luajnë rol të rëndësishëm për funksionimin e shoqërisë. Ato ndihmojnë në rregullimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të së njëjtës kulturë dhe lidhen me vlerat, besimet apo me ideologjitë e saj. Kështu, nëse individualizmi është vlerë qendrore e një kulture, ai do të shprehet edhe në norma shoqërore, siç është rasti i largimit të fëmijës nga familja në një moshë të caktuar dhe, më vonë, mosmarrja e përgjegjësive mbi prindin nga ana e fëmijës.

Përvoja jetësore tregon se jo të gjitha normat kanë të njëjtën rëndësi për shoqërinë, gjithashtu, çdo kulturë ka norma të shumëllojshme; ato ndryshojnë nga njëra kulturë në tjetrën dhe në rrjedhën e kohës. Për normat me rëndësi më të madhe morale dhe shoqërore në funksionimin e shoqërisë, Samneri përdori termin “mores”. Me kalimin e kohës, moret janë mbështetur edhe nga normat ligjore. Dhunimi i moreve provokon reagime të ashpra, jo vetëm të opinionit publik, por edhe të strukturave shtetërore përkatëse. Shumica e njerëzve e çmojnë zbatimin me përpikëri të moreve. Por, jo të gjitha këto norma ndiqen, sepse disa prej tyre dhunohen. Mosrespektimi dhe shkelja e tyre shkakton reagime shoqërore të ashpra ndaj atyre që i dhunojnë. Zbatimi i moreve vihet nën kontrollin e rreptë e të vazhdueshëm të opinionit shoqëror dhe mbështetet nga normat ligjore që imponon shteti. Moret janë parime që njerëzit duhet t’i respektojnë. Ato përfaqësojnë “atë që duhet bërë” dhe atë që “nuk duhet bërë” në jetën sociale. Normat kulturore më pak të rëndësishme se moret, Samneri i quajti “folkej” (nga anglishtja: folkways).Me këtë term ai cilësoi disa kritere të etikës së sjelljes, veshjeve etj. Dhunimi ose shkelja e këtyre normave kulturore sjell përgjithësisht reagime më të buta nga ato që shkaktohen prej dhunimit të moreve (Sumner 1906).Moret dhe folkejt janë të lidhura me njëra-tjetrën në çdo sistem kulturor. Ato rregullojnë të gjitha marrëdhëniet e “anëtarëve” të çdo kulture.

NORMAT KULTURORE NË TRADITËN SHQIPTARE

Në kulturën tradicionale shqiptare kanë ekzistuar tabu të shumëllojshme. Mjaft prej tyre kanë qenë në fuqi deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Këto kishin të bënin me shumë anë të veprimtarisë dhe të mënyrës së shqiptarëve. Kështu p.sh., asokohe ndalohej ngrënia e mishit të disa kafshëve, si iriqi, kërmilli, bretkosa etj., të cila ishin shumë të parapëlqyera në kuzhinat e vendeve të Perëndimit. Por ekzistonin edhe tabu të tjera që rregullonin marrëdhëniet shoqërore ndërmjet shqiptarëve: disa prej tyre ndalonin martesat brenda fshatit ose krahinës, të tjera ndalonin pjesëmarrjen e grave në jetën shoqërore ose i ndalonin ato të hanin me burrat e miqtë në një sofër etj.

Kultura tradicionale e popullit shqiptar ka një pasuri normash kulturore të shumëllojshme dhe mjaft origjinale. Mbi bazën e normave kulturore kanunore zgjidheshin të gjitha problemet shoqërore, ekonomike e politike, kulturore e administrative, civile e penale, në kushtet e vetëqeverisjes vendore të asaj pjese të popullsisë së zonave malore që nuk iu nënshtrua pushtimit osman. Por, ndikimi i normave kulturore tradicionale qe i rëndësishëm edhe në veprimtarinë dhe mënyrën e jetesës së asaj pjese të popullsisë së zonave fushore që nuk mundi ta ruante mëvetësinë nga administrata e kohës.

Pas shpalljes së Pavarësisë deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore nuk u fuqizuan sa duhet strukturat shtetërore. Në kushte të tilla, ndikimi i këtyre normave kulturore në funksionimin e shoqërisë shqiptare ka qenë i ndjeshëm, ndoshta më i ndjeshëm se në çdo shoqëri europiane të asaj kohe.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u ngrit dhe u fuqizua shteti socialist. Ai zbehu shpejt ndikimin e shumicës së normave të kulturës tradicionale, sidomos të atyre që kishin të bënin me çështjet e pronësisë private, të organizatave e riteve fetare etj. Nën parullën e “luftës kundër zakoneve prapanike” u bënë përpjekje të organizuara që shumë norma kulturore të traditës të zëvendësoheshin me të tjera, të krijuara artificialisht. Disa prej tyre vinin shpesh si ndikim i kulturave të vendeve të Lindjes. Ndër to u krijuan edhe tabu artificiale, si ndalimi i rreptë i literaturës me përmbajtje antikomuniste ose i librave erotikë, mosdhënia e edukatës seksuale në shkollë ose nga institucione të tjera kulturore etj. Asokohe u bënë përpjekje për të krijuar norma kulturore që synonin të diktonin respekt, deri në përulje, ndaj sistemit.

Normat kulturore të diktuara nga regjimi socialist e dëmtuan ndjeshëm formimin kulturor të shqiptarëve, sidomos të të rinjve. Mirëpo, në klimën e zhvillimeve demokratike, qysh në fillim të viteve ’90, norma të tilla u zbehën shumë. Në saje të këtij shndërrimi u krijuan mundësi për një formim më të gjithanshëm dhe harmonik të personalitetit kulturor të shqiptarëve. Nga ana tjetër, forcimi i shtetit ligjor dhe i vetëdijes juridike të popullit po shoqërohet edhe në Shqipëri me një proces të natyrshëm të dobësimit të rolit të disa normave kulturore tradicionale në veprimtarinë e shoqërisë.

VLERAT DHE ECURIA E TYRE NË KONTEKSTIN SHQIPTAR

Vlerat konsistojnë në ide të rrezatuara rreth natyrës së qëllimeve ose stilit të jetës, të cilat janë të dëshirueshme për individë, grupe ose për shoqëritë në tërësi. Sipas përkufizimit të Uilliamsit, vlerat kulturore janë kritere të përgjithshme, me anë të së cilave “anëtarët” e së njëjtës kulturë përcaktojnë se ç’është e dëshirueshme ose e padëshirueshme, e mirë ose e keqe, e bukur ose e shëmtuar për ta (Williams 1982: 206-207).Ato kanë një efekt të ndjeshëm, ndonëse pjesërisht të pandërgjegjshëm, mbi individët. Qëllimet që ndjekim, ashtu sikurse idetë tona të përgjithshme mbi “jetën e mirë”, ndikohen nga vlerat e shoqërisë në të cilën jetojmë.

Vlerat janë pika kritike e shoqërisë në tërësi, sepse ato përfaqësojnë cilësitë në të cilat beson një popull dhe janë thelbësore për vazhdimësinë e mënyrës së tij të jetesës. Një shembull të shkëlqyer të vlerave, si standarde vlerësimi të një shoqërie të caktuar, përbën këmbëngulja amerikane për të drejtat e individit, që janë përfshirë edhe në Kushtetutën e SHBA-së: liria e shtypit, shprehjes dhe fesë, si standarde “ultimative”, të cilave u jepet përparësi mbi opinionet dhe interesat e çastit.

Vlerat kulturore nuk janë pohime përshkruese, por gjykime që kanë të bëjnë me të gjitha aspektet e veprimtarisë dhe jetës së anëtarëve të së njëjtës kulturë. Ato janë pjesë përbërëse kryesore e sistemeve kulturore. Vlerat janë, si të thuash, “inde të padukshme me fibra ideale”, të cilat paraqesin përgjithësisht qëndrueshmëri të lartë. Nga shkalla e përafrimit të vlerave kulturore të sistemeve të ndryshme përcaktohet në një masë të madhe ecuria e përshtatjes kulturore të njerëzve, kur ata kalojnë përkohësisht ose përgjithnjë nga mjedisi i njërit sistem kulturor në atë të tjetrit.

Në pikëpamjet e njerëzve për realitetin natyror e social dhe për vetveten mishërohen mjaft vlera kulturore, të cilat ata i përvetësojnë në procesin e socializimit, nën ndikimet komplekse të strukturave të tilla socializuese si familja, shkolla, institucionet kulturore, organizatat fetare etj., dhe që i bën ato origjinale e të dallueshme në popuj të ndryshëm. Por edhe brenda kulturës së të njëjtit popull ka ndryshime të dukshme në vlera. Ndryshime të tilla janë më të theksuara në popujt e mëdhenj, si ai kinez, amerikan, indian, rus etj., por edhe ndër popuj të vegjël, të cilët, për një varg arsyesh historike, kanë patur zhvillime përpjesëtimore në mjaft fusha të jetës e veprimtarisë së tyre.

Megjithatë, është për t’u theksuar se çdo kulturë ka përgjithësisht një numër të caktuar vlerash, të cilat shumica e njerëzve i njohin, përpiqen t’i zbatojnë dhe t’i ruajnë në kohë; këto janë “vlera sunduese të kulturës”, sepse luajnë një rol të veçantë në bashkëpunimin midis sistemeve të ndryshme kulturore.

Vlerat kulturore ndihmojnë në organizimin dhe integrimin social të individit, ato drejtojnë sjelljen tonë drejt qëllimit përfundimtar të jetës dhe, si të tilla, përbëjnë ideale abstrakte për orientimin e drejtë të individit në mjedisin social përkatës. Në disa vepra antropologjike, vlerave u jepet një rol parësor në mbarëvajtjen e shoqërisë. Tipare të tilla kulturore, si traditat, veshjet dhe zakonet, marrëdhëniet familjare e miqësore, arti dhe bota shpirtërore, bartin në vetvete vlera dhe simbole që shërbejnë si elemente themelore për identitetin e një populli. Sipas Klakhornit dhe Strotbekut, metodologjia për të dalluar një kulturë nga një tjetër lidhet drejtpërdrejt me përmasën normative të vlerave (F.R.Kluckhorn & F.L.Strodtbeck 1961).

Vlerat kulturore ndryshojnë, ndonëse ngadalë në shumicën e rasteve, ndërsa qëndrimet ndaj tyre ndërrojnë më shpejt. Kështu p.sh. në Spanjë, zhvendosja nga qëndrimet autoritare tek ato demokratike për qeverisjen përbën një shembull kuptimplotë të kësaj prirjeje. Çështja themelore është: si duhet të integrohet ndryshimi kulturor në konceptimin, strategjinë, planifikimin dhe programimin e zhvillimit politik dhe atij ekonomik. Antropologët kanë bashkëpunuar për disa dhjetëvjeçarë në zhvillimin e institucioneve të tilla, si Banka Botërore dhe USAID. Veçse, pothuaj në të gjitha rastet, përpjekjet e tyre kanë patur si qëllim të informojnë vendimmarrësit për realitetet kulturore që duhet të pasqyroheshin në projektimin e politikave dhe programeve zhvillimore, si dhe për zbatimin e tyre; vetëm në raste të veçuara, ndërhyrjet e tyre kanë patur si qëllim përkrahjen dhe reklamimin e ndryshimit kulturor, meqenëse kjo ide ka qenë tabu në shoqëri të margjinalizuara.

Nëse krahasojmë një shtet, një komb apo një vend me një tjetër, do të duhej të merrnim parasysh, ndër të tjera, edhe vlerat e secilit. Duke bërë një gjë të tillë, ne japim edhe gjykimin tonë mbi to, për të shkuar më tej te vlerësimi. Vlerat, në vetvete, duket se ndryshojnë edhe nga njëra periudhë historike në tjetrën. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në këtë ndryshim.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤