Vlashent Sata, Sa po ngroh kjo Hanë

 

vlashent sata (2)

Fminija , shokët, baba, balonat, hana, rranj’t, dashnia…albumi i parë, një koncert në Shkodër, dy në Tiranë dhe një në Paris , në teatrin “Le Palace” ku kanë kënduar yje si Michael Jackson e Steve Wonder . Vlashent Sata këndon shqip dhe zbulohet nën Hanën e Plotë

 

…Fjal’t harruar kam si kangën e parë, atë që knojsha fmi/ Fjal’t harru kam si rrugën e parë, atë që m’çonte n’shpi/ Erdhi dita…Qe ashtu siç pata andrru / ma s’fundmi m’rrita, po’ t’tana kishin ndryshu/A jam unë a asht veni/ T’tanve i veta me m’kallxu, asnjeni s’diti me m’tregu.

Renda renda renda një natë t’tanë der sa m’u shfaq vedi/ At’ që n’shpi kisha lanë/ ai u dru’,me i folë une deshta, ai nuk m’njofti, e unë u heshta…

Erdhi dita, ecin kam’t nuk b’zajnë/Erdhi dita, e me gjet një shpi/Erdhi dita, e me l’shu kto rraj

Erdhi dita, e me l’shu kto rraj …

Sytë iu mbushën me lot kur pa se edhe pse kish kaluar tash një vit, fëmijëve të cilëve ua pat kënduar për herë të parë këtë këngë ia mbanin mend fort mirë vargjet. i vizitoi më 20 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve për t’u lumturuar nga fakti se paratë e mbledhura nga koncerti i tij i parë recital në Tiranë e kishin përmbushur misionin dhe të vegjlit në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” po merrnin mësime muzike, ashtu siç kishte dëshiruar ai vitin e shkuar kur i lajmëroi ata që shkuan ta dëgjonin në sallën e madhe të Akademisë së Arteve se të gjitha të ardhurat e mbledhura nga shitjet e biletave do të shkonin për bamirësi.

Një ndjeshmëri e madhe për muzikën që ia ushqeu i ati të cilit i kushtoi një këngë , të titulluar “Bab” .. Bab’, a po m’tregon, a po m’tregon bab’… / Kur pate le ti, nana jote s’mujti

As krytin me ta përkdhel/ Shpejt’ e kishin thirr n’qiell… Baba im je-ti… je-ti(m)…

Një vit pasi u shfaq “Live session @ Vollga” ku regjistroi dhe realizoi një video me pesë këngë të tijat me Kubestudios dhe koncertit në Akademinë e Arteve, Vlashent Sata vendosi të kthehej edhe njëherë në Shqipëri për ta sjellë Hanën kësaj here të plotë, jo vetëm si këngë, por si një album me 12 këngë me muzikë, tekste dhe interpretim të tij dhe se fundmi edhe CD-në  e këtij albumi. E sollën tre koncerte, ku i pari e çoi te rrënjët e vjetra, në Shkodër, në skenën e teatrit “Migjeni”. “Është hera e parë që shkoj në Shkodër, që kthehem në shtëpi”- rrëfen Vlashenti, i cili ka pasur disa koncerte në Tiranë e Prishtinë , por e para herë në vendlindjen e të atit. “Shkodra është vendi i të gjitha ëndrrave të mia që pastaj u transformua në art. Kam kënduar në të njëjtin teatër ku kanë kënduar të gjithë njerëzit që më kanë frymëzuar kur kam qenë i vogël. Nuk e kam ditur atëherë , por ata njerëz më kanë ndikuar, kanë hedhur farën. Pata mundësi me fol shkodranishten time në Shkodër dhe kjo është shumë e bukur”- rrëfen Vlashenti.

vlashent sata (1)Pas rrënjëve ku u ndje i lirë dhe i kuptuar nga të gjithë me “gjuhen” e tij të melodizuar e prisnin degët në metropol, ku Qendra Kulturore Tirana e ftoi për një natë koncerti në teatrin “Metropol”. Vlashenti mendoi t’i kënaqte admiruesit e muzikës së tij dhe një natë e bëri dy. Në të dy netët, të gjeje  bileta u bë mision gati i pamundur,  siç edhe në Shkodër një natë më parë.

Me një sfond yjësish që organizatorët e kishin lënë enkas nga shfaqja teatrale “Qiell i heshtur”, e cila erdhi premierë në këtë teatër, Vlashent Sata dhe banda e tij- Gent Rushi në fizarmonikë dhe sintetizator, Ermal Rodi në klarinetë dhe saksofon, Kiril Tufekcievsky në kontrabas, Emiljan Dhimo në bateri dhe Denis Hima në kitarë- erdhën si një hanë e plotë me këngët“Këmbëzbathur”, “Ëmbël”, “E di unë”, “Ëndërruar”, “Bab’” “Erdhi dita”, “Çelesh”, “Kasollja ” “Në Botën tonë”, “Tregimi i fluturës” , “Djemtë e balonave”…një rrugëtim në kohët më të ëmbla të fëmijërisë, evokimi i një epoke pafajësie, lojërash, rrëfenjash, jete…dhe ritakim miqsh të vjetër dhe një përqafim mes skene ku Vlashenti ia kushtoi një prej këngëve mikut të tij të fëmijërisë. Të gjithë gjetën një copë të vetes, të së shkuarës që ngjallej nga vargjet e shkruara thjesht dhe melodia që të mbetej në mendje refren edhe pasi e kishe lënë atë sallë…Edhe nëse fjalët i kishe harruar, siç thoshte një prej këngëve të tij, ndjesia nuk harrohej lehtë.

“Jam i lumtur që koncerti i një viti më parë ka ende jehonë. Njerëzit kanë etje për gjëra të vërteta dhe ky album ka gjëra të vërteta që ne i kemi harruar, edhe unë vetë..”- thotë Vlashenti, duke shtuar se albumin e tij “Hana” ata që e pëlqejnë muzikën e tij mund ta gjejnë në disa pika shpërndarjeje.

“E di si ka lindur albumi?! Kur isha në Kosovë para disa kohësh më morën një intervistë për televizionin KTV dhe më pyetën: “Cili është plani yt i ardhshëm?!” U përgjigja: “Të bëj një album”. Unë ia “futa kot”. Se ato fjalë nuk dolën si proces mendimi por ashtu pa kontroll, lirshëm.  Mendoja se nuk më njihte njeri në atë periudhë në Shqipëri dhe në Kosovë. Elinën po, por unë nuk kisha investuar në Kosovë. Kjo pastaj më motivoi të bëja album” – thotë Vlashenti duke qeshur, ndërsa kujton koncertin e parë që realizoi në Prishtinë.

Albumi “Hana” pati edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, që siç thotë Vlashenti bashkoi  Shqipëri e Kosovë, ndërsa ai vetë përfaqëson një urë mes dy kulturash, asaj shqiptare dhe franceze. “ Albumi është regjistruar në Prishtinë. Studio e regjistrimit dhe miksimit të parë është “Homebasesound” në Prishtinë me inxhinier zëri Pëllumb Ballata, me muzikantët Gent Rushi fizarmonike dhe sintetizator, Ermal Rodi klarinetë dhe saksofon, Armend Xhaferi kitarë , Enes Bajramliqi bateri, Kiril Tufekcievsky kontrabas dhe Taulant Mehmeti kitarë. Pastaj Masterizimi është bërë në Zvicër në “No-Edit studio”, miksim dhe masterizim nga inxhinieri i zërit Leonard Sojli”- citon Vlashenti për të theksuar që ky album është realizuar edhe në sajë të njerëzve që besuan te ky projekt dhe bashkëpunuan me të.

vl

Janë dymbëdhjetë këngë të shoqëruara edhe me tekstet që evokojnë të shkuarën dhe e shkuara na çon në sirtarët më të lumtur të kujtesës, te fëmijëria. “E shkuara është e vetmja gjë që ekziston, sepse e tashmja është e pasigurt. Ishte e detyrueshme ta shihja më të zbukuruar të shkuarën dhe të gjithë personazhet e mi. Të zbukurohen gjërat nga largësia”- thotë Vlashenti, duke pohuar se ky album ka qenë një rritje. “ Gjithë këto këngë ishin një formë për t’u rritur. Deri para këtij albumi isha i mendimit se Shqipëria më mungon, se nuk isha i pranuar krejtësisht nga shoqëria franceze… Por ky album më ka bërë paqe me të gjitha gjërat; me Francën, me Shqipërinë, por sidomos me veten”- pranon ai, duke thënë se është e rëndësishme të kujtojmë ato çka personifikojnë jetët tona. “ Duhet t’i ndihmojmë të rinjtë që janë rritur në një kohë tranzicionesh të kuptojnë çka është pjesë e jona. Edhe varfëria, edhe koha kur i gjithë pallati i mbanin mishrat në një frigorifer me letra të shkuara emrat mbi to, apo kur ndanim bukën me shokët pasditeve ndërsa luanim…Nuk duhet të kemi frikë nga vetja, nga ajo çka kemi qenë. Kur flas me miq por edhe të panjohur francezë dhe u tregoj për Shqipërinë e fëmijërisë sime, atë të viteve ’80, më thonë se ajo ka qenë Franca e viteve ’40, por ne kemi përparuar me një shpejtësi të madhe”- thotë Vlashenti, duke bërë një përpjekje muzikore që me anë të gjërave të vogla të kumtojë ato që kanë vlera të mëdha në jetë siç janë kujtimet dhe identiteti. Është pikërisht ky identitet, duke mos mohuar vendin dhe kulturën nga vjen që e ka bërë të veçantë në skenën muzikore franceze Vlashent Satën.

Ajo që ai bën është e njohur si “world music” “Një përzierje mes folkut xhazit dhe popit” –sqaron Vlashenti, e ndërsa muzika e tij ngjan disi recitative, ndikuar edhe nga shkolla franceze e muzikës ku Vlashent Sata ka marrë formimin e tij dhe ku u mëson studentëve të Konservatorit të Parisit piano, vetë francezët pohojnë se muzika e tij është stili i tij, është krejt e veçantë.

E quan përshkruese, madje-madje edhe vizuale muzikën e tij, madje thotë se ka pasur nga ata që e kanë parë të qëndrojë edhe si kolonë zanore e ndonjë filmi. E pakundërshtueshme është që muzika e tij nuk të lë indiferent. Nuk i ka lënë indiferentë as francezët, megjithëse ai këndon në një gjuhë tjetër dhe duhet t’ua shpjegojë legjendën dhe fabulën e këngës përpara se të nisë të interpretojë.

vlashent sata (3)I pari koncert i plotë në Paris në shqipen gegnisht,  siç ai këndon qysh kur e nisi këtë karrierë është ai në “Le Palace” – një teatër mitik prej 1500 vendesh, ku kanë interpretuar yje botërorë si Michael Jackscon, Sting, Steve Wonder e shumë të tjerë, do të jehojë në gegnisht.

Në Festivalin Ballkanik  që zgjat një javë në kryeqytetin francez janë parashikuar pesë koncerte, një nga më të rëndësishmit është koncerti i Vlashent Satës me debutimin e albumit “Hana”  në Francë i shoqëruar nga banda e tij franceze, e po ashtu e ftuar do të jetë edhe këngëtarja e njohur e xhazit, Elina Duni.

“Jam ftuar nga Hazis Vardar, organizator i këtij festivali dhe drejtor i këtij teatri të famshëm, i cili është me origjinë të vjetër shqiptare, i lindur në Belgjikë. i vëllai i tij Alili është shumë i njohur për komeditë e tij. Është hera e parë që luaj me bandën time, e cila përbëhet nga muzikantë me karrierë në skenën franceze të xhazit dhe janë: Jonathan Orland në saksofon, Ariel Tessiernë bateri, Paul Jarret në kitarë, Emmanuel Forster në kontrabas dhe Erwan Boulay si inxhinier zëri” .

Këtë vit zbulon se ia ka kushtuar xhazit, është thelluar më shumë në njohjen e tij dhe pikërisht nga skena e xhazit ka pikasur edhe kuintetin, me të cilët prej pak muajsh ka krijuar “Vlashent Sata & Band” dhe ka projekte për të marrë pjesë në festivale xhazi brenda Europës dhe përtej oqeanit, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

vvvvv“Kam pasur disa koncerte xhazi si instrumentist. Luaj me një vibrafoniste nga Tajvani dhe kemi një projekt së bashku. Të rejat e këtij viti lidhen me profilizimin në xhaz dhe më vjen mirë që projekti “Hana” është pritur mirë nga banda ime, të cilët kanë nisur të mësojnë shqip”- thotë duke qeshur Vlashenti. Deri tani ka pasur adaptime të muzikës së vjetër shqip, ndërsa ai shkon me tekstet e veta, të cilat shpesh lindin në mënyrë krejt të atypëratyshme. “Unë vë në “record” telefonin dhe nis e luaj. As nuk e kuptoj çfarë kam bërë derisa e dëgjoj. Kështu lindin këngët e mia, nuk është se unë ulem dhe them: tani do shkruaj një këngë”- rrëfen ai, duke thënë se frymëzimi i vjen kur fle, kur bën dush…gjithmonë gegnisht. I kanë kërkuar të këndojë në frëngjisht, por deri më tani historitë e tij janë shqip. “Gjuha nuk ka të bëjë me mua, por me historitë. Nëse historia vishet nga gjuha frënge mund të shkruhet frëngjisht.

Përtej projekteve me xhazin dhe “Hanën e Plotë” , ai rrëfen se ka pasur bashkëpunime edhe me baletin, duke improvizuar muzikë për lëvizje të improvizuara koreografie me profesorë të shquar të cilët e kanë çuar baletin përtej strukturës pedagogjike në performanca në salla të mëdha. Janë institucione të rëndësishme, saktëson Vlashenti si  “Le Petit Palais” “Le grande Palais” “Théâtre de la Ville” etj. Muzika e improvizuar atje ka qenë edhe me tema shqiptare, pohon ai.

Edhe një vit më pas, misioni i tij përtej të bërit art për art është i njëjti; paratë e mbledhura nga biletat e koncertit në teatrin “Migjeni” do të shkojnë për Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Shkodër për instrumente dhe mësime muzike… E përmes muzikës këta fëmijë e kthejnë pas në kohë e mosha nuk ka më rëndësi, veç shpirtit që mund të udhëtojë e të bëhet edhe njëherë fëmijë…vlashent sata (4)

 

 

 

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤