Vjeshtë kulture, dasmash dhe mbetjesh në Tiranë

Please Add Photos
to your Gallery

Ishte një javë e mbushur me ngjarje të rëndësishme kulturore në kryeqytet ajo e fundit të shtatorit.  Tre festivale ndërkombëtarë, tre zhanre të ndryshëm, dhjetëra miq të huaj…

Rikthimi në qytet në këtë fillim vjeshte qe një gosti me letërsi, kinema e teatër, edhe për ata që nuk e patën qëllim ndjekjen e ngjarjeve kulturore,  por qenë thjesht kalimtarë të rastësishëm.

Nga ata kalimtarë që janë mësuar të dëgjojnë me zë të lartë veçse zëra politikanësh që kanë kurdo dhe kudo diç për të kundërshtuar…Dukej se arti, qoftë edhe vetëm për një javë, qe aq i fuqishëm dhe joshës sa edhe retorika e ngatërruar ( por çuditërisht aq nanuritëse për veshët e  popullit)  e politikës..

Ky muaj është gjithashtu ai i dasmës Mbretërore.  Martesa e Princit Leka II me Elia Zaharian, është e dyta ngjarje e madhe e monarkisë shqiptare që zhvillohet  në Tiranë.  78 vjet pas martesës  së gjyshërve të tij, trashëgimtari sjell edhe njëherë vëmendjen e medias ndërkombëtare , por edhe shkëlqimin e luksin e familjeve mbretërore të ftuar në dasmë.

Një udhëtim në kohë në të shkuarën me Geraldinë Aponi dhe një paralelizëm me të tashmen, ku princesha Elia Zaharia rrëfen përgjegjësitë e titullit që do të marrë me kurorëzimin në martesë.

Një ngjarje që na bën të ëndërrojmë të gjithëve nga pak , edhe pse Princi nuk është në fron, edhe pse dasma do të jetë më e përmbajtur se ajo e vitit 1938 që mblodhi gjithë Shqipërinë në shesh.

Por asnjëra nga këto ngjarje nuk mund ta mbysë aromën e plehrave që presin të zbarkojnë në vendin tonë. Plehrat apo mbetjet? Mbetjet apo mbetjet e parrezikshme?  Menaxhimi i integruar apo riciklimi? Plehra të huaja apo vendase? Prodhim apo import? Askush nuk di t’i japë më përgjigje kësaj zallamahie që nga një projekt i qeverisë për nxitjen e biznesit të riciklimit, nga interes i pastër financiar i biznesit të këtij sektori, nga shqetësim i  thjeshtë i qytetarit ende me zë të mekur që mblidhet të protestojë (asnjëherë nuk arrin në destinacion dhe populli është ai që kurrë nuk i di të gjitha, gjithmonë gabim, gjithnjë me gjysmë informacione, gjysmë të vërteta, sepse atë absoluten e mban ende vetëm Shteti) , më shumë se kaq është shndërruar në lojëra politike të atyre që gjenden gjithnjë në front  për të përqafuar kauza ( kauza që për ironi krejt në të kundërt i përqafonin kur ishin në pushtet). It’s not personal, it is just business! It’s politics as usual… The same, and the same shit as everyday in this experimental Albania?

Po ç‘ndryshim ka kur ke 25 vjet që mbledh plehrat e botës, që vishesh te “Gabi” me second-hand, që konsumon ushqime të skaduara, me përbërës të dyshimtë me origjina të paverifikuara?  Për ata që duan të bëjnë avokatin e djallit apo ata që janë të punësuar në institucionin e “sarkazmës” , mundemi vetëm t’u themi…Po tani që plehrat na kanë ardhur  në grykë dhe patëm një moment ndriçimi, tani që nuk zbarkohen fshehurazi, porse në mënyrë zyrtare a na ndalohet ta ngremë edhe atë pak zë që na ka mbetur? Ata pak zë pa ngjyra mavi, blu, të kuqe, të gjelbër, etj, etj. Atë zë të tejdukshëm si ai i një leximi me zë të një poezie, si ai i një leximi të një drame, si ai i një protagonisti në një film dokumentar…Si ai i një qytetari që në këtë lojë të madhe “Imitimi të jetës” mundohet të bëjë rolin e tij…Dhe në fund fare  vlen urimi: “Zoti na ruajt shëndetin!  Sa për shëndetësinë ..Ndoshta kthehet në biznes riciklimi

*Suadela Balliu

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤