Vitore Tusha, një emër i dakordësuar për kreun e KLSH ?

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, njëherazi kryetare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha është propozuar si kandidate për të marrë drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas ReportTV, emri i Vitore Tushës është përzgjedhur nga Ilir Meta dhe Gramoz Ruçi për t’ju propozuar Kuvendit ditën e nesërme. Presidenca njofton se Tusha është zgjedhur pas procesit të hapur që në datën 12 tetor. Kryetari në largim i Kontrollit të Lartë të Shtetit është Bujar Leskaj, dhe mandati i tij përfundon më 22 dhjetor 2018.

Mandati i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit është 7-vjeçar. Përzgjedhja e kreut të KLSH, bëhet me anë të një procedure, ku garën e hap Presidenca, ndërkohë që emri zgjidhjet nga Kuvendi me votë. Në njoftimin e zyrës së Shtypit të Presidentit Meta thuhet se Tusha është një personalitet në fushën e jurisprudencës që gëzon moral dhe integritet të lartë shoqëror.

Në rast të zgjedhjes në krye të KLSH-së, Tusha do të jetë e para grua që drejton institucionin më të lartë të kontrollit të veprimtarisë së shtetit shqiptar. Aktualisht KLSH drejtohet nga Bujar Leskaj i cili është në fund të mandatit të tij dhe parlamenti pritet të vlerësojë si zëvendësuese të tij zonjën Tusha. Gjatë periudhës 1992-1997 KLSH u drejtua nga Dr. Blerim Çela, 1997-2004 nga Mustafa Kërçuku ndërsa nga vitet 2004 deri në 2011 institucioni u drejtua nga Zydi Pepa, Ylli Memisha, Alfred Karamuço dhe Robert Çeku.

Por situata nuk duket e thjeshtë, pasi Tusha do detyrohet të braktisë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, një institucion i rëndësishëm i vetingut, që mund të futet në ngërç, pasi njerëzit që po kalojnë vetingun janë si ujët e pakët.

Vitore Tusha mban gradën doktore shkencash. Ajo është anëtare e Gjykatës Kushtetuese që prej vitit 2008 e gjithashtu anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Lindur më 26 nëntor 1960 në Tiranë, ajo u diplomua në vitin 1983 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, dega Drejtësi.

Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ka ushtruar detyrën e Përmbarueses Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 ushtroi profesionin e avokatit.

Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate.

Në vitin 1997 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës.

Është bashkëautore në hartimin tekstit Procedura Civile. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Tusha është mes gjyqtarëve që kanë shpallur si jokushtetuese çështje me ndjeshmëri të lartë publike, sikurse marrëveshja e detit, apo ligji i lustracionit, ndërsa u rreshtua mes gjyqtarëve kushtetues që i thanë po ligjit të vettingut.

Por, çështja më e bujshme e shqyrtuar prej saj është regjistruar gjatë kohës që mbante detyrën e gjyqtares së Kasacionit, nga viti 1994 deri në vitin 2001.

Në nëntor të vitit 1995 , Tusha rrëzoi kërkesën e ish-Kryeministrit Fatos Nano, i cili kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu pasi ishte dënuar me 12 vite heqje lirie.

Megjithatë, Nano e la burgun para kohe, pasi ndryshimet e atëhershme në Kodin Penal e ricilësuan veprën për të cilën ai ishte shpallur fajtor, duke ulur edhe parashikimin e dënimit.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤