Viti i Ri si moment reflektimi për kuptimin e jetës

Nga Klementin Mile
Viti i Ri nuk është vetëm kohë feste për njerëzit, ai është gjithashtu moment reflektimi dhe bilanci. Çfarë arrita të realizoj këtë vit? Çfarë nuk munda të bëj? A është jeta ime në shinat e duhura, apo pakuptuar, kam dalë jashtë tyre? Pse i bëj gjërat që bëj? A duhet të ndryshoj diçka?

Të gjitha këto pyetje, sado praktike, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me çështjen filozofike të kuptimit të jetës. Në fakt reflektimi dhe bilanci ynë për veten varet nga pozicionimi në këtë çështje. Çfarë kuptimi ka jeta? Zakonisht, kur përpiqen t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, njerëzit i referohen diçkaje përtej vetë jetës, qoftë kjo gjë në një hapësirë apo në një kohë tjetër. Këto referenca të jashtme mund të jenë shumë të rëndësishme. Ato mund të jenë, në fakt, gjëja më e rëndësishme në jetë. Megjithatë, këto referenca nuk i përgjigjen plotësisht pyetjes, por e drejtojnë problemin në instanca të tjera.

Fëmijët. Shumë njerëz do thoshin se kuptimi i jetës qëndron te fëmijët e tyre dhe te fëmijët e fëmijëve të tyre. Por kjo përgjigje na vendos në një situatë të çuditshme. Nëse kuptimi i jetës nuk gjendet në jetën e tyre, por në jetën e dikujt tjetër, çfarë i jep kuptim jetës së tyre? Fëmijët e tyre. Por, nga ana tjetër, çfarë i jep kuptim jetës së fëmijëve të tyre? Fëmijët e tyre, e kështu me radhë. Në këtë mënyrë njerëzit gjithmonë janë prirur ta projektojnë zgjidhjen në të ardhmen, në një vend ku mbizotëron paqja dhe lumturia e plotë – në atë vend që filozofët e quajnë utopi. Dhe natyrisht njerëzit do të donin që fëmijët e tyre, fëmijët e fëmijëve të tyre, dhe fëmijët e fëmijëve të fëmijëve të tyre të mund të jetonin në paqe dhe lumturi. Por si i jep kuptim kjo dëshirë jetës së tyre? Dhe cili është kuptimi i jetës për ata të afërm të largët që jetojnë të lumtur në utopi?

Zoti. Shpeshherë thuhet se për njerëzit që besojnë te Zoti nuk ka fare kuptim të shtrohet çështja e kuptimit të jetës. Por kjo nuk është e vërtetë. Për shembull, besimtarë të devotshëm si filozofi Shën-Agustin apo mendimtari fetar Martin Luter e shtronin çështjen e kuptimit të jetës më shumë se cilido ateist. Të mendosh se besimi te Zoti i përgjigjet pyetjes së kuptimit të jetës, vetëm sa e shtyn një hap më tej pyetjen. Dhe në fakt ne vazhdojmë të pyesim: Pse na ka krijuar Zoti? Çfarë pret Ai prej nesh? Pse na krijoi ne? Pse duhet të mendojmë se na krijoi për një mision ose qëllim të veçantë? Dhe, nëse është kështu, për çfarë misioni? Pra, siç shihet, besimi te Zoti nuk i jep përgjigje pyetjes së kuptimit të jetës, por në fakt e bën më urgjent shtrimin e kësaj pyetjeje.

Jeta e përtejme. Njerëzit gjithashtu besojnë se kuptimi i jetës gjendet në një jetë tjetër, e cila është shpërblim ose ndëshkim për këtë jetë që jetojmë. Por, të thuash se kjo jetë ka kuptim vetëm prej një jete tjetër, do të thotë se kjo jetë që jetojmë është, në vetvete, e pakuptimtë. Dhe pastaj, çfarë duhet të bëjmë ne në këtë jetë të pakuptimtë në mënyrë që të shpërblehemi në jetën tjetër? Thjesht duhet të kemi besim te Zoti? Të bëjmë vepra të mira? Ta jetojmë jetën plotësisht? Të realizojmë potencialin tonë artistik dhe social? Të konvertojmë të pafetë? Të mësojmë të gatuajmë? Pra, çështja e kuptimit të jetës nuk merr përgjigje, veçse shtrohet në një rrafsh tjetër: Nëse kjo jetë është kaq e pakuptimtë, çfarë do i jepte kuptim jetës tjetër? A mos lidhet kjo me faktin që kjo jetë është shumë e shkurtër dhe tjetra do jetë shumë e gjatë? Por nëse jeta, në vetvete, nuk ka kuptim, pse duhet të presim të ketë kuptim jeta e përhershme?

Nuk ka kuptim. Fjala që përdoret për të shprehur pikëpamjen se jeta nuk ka kuptim është ‘absurdi’. Pra, nëse jeta është absurde, ajo nuk ka kuptim. Në këtë konkluzion kanë arritur si njerëz që kanë besuar te Zoti ashtu dhe ateistë. Filozofi francez Alber Kamy shkruan në librin Miti i Sizifit se absurdi është përhapur gjerësisht në kohën tonë. Dikush mund të punojë çdo ditë të javës, të hënën, të martën, të mërkurën, të enjten, të premten, të shtunën. Në ditën e pushimit, të dielën, mund t’i ndodhë të shtrojë pyetjen: “Pse punova gjithë javën? Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo, duke ditur se nga e hëna e tutje do rifillojë e njëjta gjë?” Dhe ky person mund të arrijë konkluzionin se java e tij nuk kishte kuptim, madje edhe që e gjithë jeta e tij nuk ka kuptim.

Kuptimin e jetës nuk mund ta gjejmë jashtë saj. Referencat e jashtme (fëmijët, Zoti, jeta e përtejme) nuk vlejnë për t’i dhënë kuptim diçkaje që ndodh këtu dhe tani, si jeta jonë. Në fakt, kuptimi i jetës duhet kërkuar në kontekstin e jetës sonë, të jetës që jetojmë konkretisht, dhe jo në referencat jashtë kësaj jete. Përkushtimi ndaj Zotit i jep përgjigje çështjes së kuptimit të jetës për sa kohë jetojmë për Zotin. Të pasurit fëmijë i jep përgjigje çështjes së kuptimit të jetës për sa kohë jetojmë për fëmijët. Por, edhe nihilizmi – pikëpamja sipas së cilës jeta nuk ka kuptim – i jep përgjigje çështjes së kuptimit të jetës për sa kohë jetojmë për t’u hequr njerëzve iluzionin se jeta ka kuptim.

*Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤