Virgjil Muçi: Një lamtumirë për perandorin e fundit… të kinemasë

View Gallery
6 Photos
Virgjil Muçi: Një lamtumirë për perandorin e fundit… të kinemasë
Bernardo Bertolucci 1

Virgjil Muçi: Një lamtumirë për perandorin e fundit… të kinemasë
Bernardo Bertolucci 2

Virgjil Muçi: Një lamtumirë për perandorin e fundit… të kinemasë
Bernardo Bertolucci 3

Virgjil Muçi: Një lamtumirë për perandorin e fundit… të kinemasë
Bernardo Bertolucci 4

Virgjil Muçi: Një lamtumirë për perandorin e fundit… të kinemasë
Bernardo Bertolucci 5

Virgjil Muçi: Një lamtumirë për perandorin e fundit… të kinemasë
virgjil-muci

Nga Virgjil Muçi
Bernardo Bertolucci nuk është më. Dje u shua në shtëpinë e vet në Romë pas një sëmundjeje të gjatë, e cila, në fillim e gozhdoi në një karrige me rrota e më pas në shtrat, por pa mundur t’ia mpijë nervin krijues: siç thonë njerëzit që iu gjendën pranë deri në çastin e fundit, Bertolucci po punonte mbi një skenar të ri që, për fat të keq, ndoshta tonin më shumë se të tijin, nuk do ta shoh kurrë dritën e realizimit.

Ashtu si për rrallëkënd tjetër nga regjisorët e mëdhenj, jo vetëm të huaj, por edhe tanët, mund të them pa drojë dhe pa e ekzagjeruar se kam parë pothuajse gjithçka që Bernardo Bertolucci ka xhiruar. Duke nisur nga “Konformisti” e “Strategjia e merimangës”, ndër realizimet e para, për të vijuar më tej me “Tango e fundit në Paris”, “Novecento”, “Perandori i fundit”, “Buda i vogël”, “Çaj në shkretëtirë” sa për të përmendur disa syresh, më të njohurit e më të vlerësuarit botërisht. Bëhet fjalë për kapërcyellin e viteve shtatëdhjetë – tetëdhjetë deri në prag të viteve nëntëdhjetë. Vite kur falë një programi të famshëm të quajtur filmski maraton e gdhinim duke parë gjithçka, absolutisht gjithçka që shfaqej në ekranin e vogël të televizionit jugosllav, e vetmja dritare mbetur hapur asokohe që shihte nga Perëndimi mbasi regjimi mbylli RAI-n – ma do mendja shumëkujt nga brezi im i kujtohen pengesat e të famshmit zhurmues dhe shpikjet tona me një vibrator prej teli bakri e varaku për t’i kapërcyer – për të hedhur një sy e zhbiruar kinematografinë e përbotshme, kryesisht atë italiane dhe amerikane, por jo vetëm.

Kësaj kohe i përket edhe ajo ngjarje e bujshme dhe e paharrueshme për të gjithë ne, “rebelë ndaj gjithkujt e ndaj gjithçkaje” të asaj kohe, dhe që lidhet me “Tangon e fundit në Paris”. Qysh një ditë më parë ishte përhapur dhe kishte marrë dhenë fjala se jugosllavi do të shfaqte “Tangon… “, filmin skandaloz të Bertoluccit me Marlon Brandon dhe Maria Schneiderin. Ashtu si çdo pasdite kisha dalë me çunat e Petroninit te bordura përballë hotel Dajtit, duke pirë cigare e vrarë kohën në pritje për t’ia mbathur në shtëpi dhe për të parë filmin. Siç ndodhte shpesh me shokët e mi, e kishim bërë me fjalë që filmin do ta shihnim tek unë. Para disa kohësh, ungji i sime mëje, rrugës së kthimit për në Amerikë, ishte ndaluar në Romë dhe na kish dërguar një televizor italian të markës Phonola, duke na bërë pjesë të atyre lucky few që mund t’i gëzoheshin mrekullisë që konsiderohej një televizor me ngjyra.

Dhe ndërkohë që rrinim e prisnim, kullosnim sytë e bënim sehir, duke hedhur e pritur batuta, atë lumë të rinjsh e të rejash që kryente ritualin e përnatshëm, xhiron e bulevardit të Tiranës, e cila niste te Skënderbeu e soste te korpusi i universitetit për të rifilluar nga e para. Ndërkohë që akrepat e orës, sikur të talleshin me padurimin tonë, zvarriteshin përtueshëm, vumë re, jo pa një farë habie në krye, e më pas duke u gajasur, se shëtitësit e ngeshëm të xhiros, nisën të rrallohen dhe dalëngadalë u tretën e u zhdukën pa bërë zë e pa u ndjerë nga sytë-këmbët, diçka që nuk kishte ngjarë kurrë më parë. Sakaq u kuptua, çuna e goca po ia mbathnin të shihnin filmin aq fort të nëmur të Bertoluccit. Kjo ngjarje që të nesërmen në shkollë do ta mbanim në gojë e komentonim gjer’ e gjatë, ashtu siç do të komentonim filmin, skenë pas skene, bën pjesë në bëmat tanimë të harruara të asaj kohe, kohë që në kujtesën time mbetet e pashlyeshme për elokuencën dhe kuptimplotshmërinë e vet.

“Në një ditë vjeshte kur fiskajat e mjegullës shthuren qetësisht në diell/ loja u ndal befasisht e të la fill i vetëm atje ku rruga soset…”. Me këto vargje poeti i fjalëve Attilio Bertolucci i drejtohej të birit, poetit të kinemasë Bernardo, duke krijuar një imazh të pavdekshëm.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤