Vera Bekteshi: Dantellat kundër kallashëve mashkullorë…“Tutori” i Mimoza Ahmetit

View Gallery
4 Photos
Vera Bekteshi: Dantellat kundër kallashëve mashkullorë…“Tutori” i Mimoza Ahmetit
Vera Bekteshi

Vera Bekteshi: Dantellat kundër kallashëve mashkullorë…“Tutori” i Mimoza Ahmetit
Mimoza Ahmeti 2

Vera Bekteshi: Dantellat kundër kallashëve mashkullorë…“Tutori” i Mimoza Ahmetit
Vera Bekteshi

Vera Bekteshi: Dantellat kundër kallashëve mashkullorë…“Tutori” i Mimoza Ahmetit
mimoza-ahmeti

Rreth romanit “Tutori” me autore Mimoza Ahmetin, botimet Mapoedition
Nga Vera Bekteshi

Është një roman atipik, i shkruar përmes bashkëbisedimeve dashurore të tregimtares me të mëdhenjtë e letërsisë, por jo vetëm.

Edhe kur heroina, humbet shtigjeve gati të pakapërcyeshme të jetës, ata që e orientojnë, janë tutorët e mrekullueshëm të letërsisë, thuajse të gjithë jo ndër të gjallët, por që herë pas here na ndihmojnë më mirë se ata…

Qëllon të ketë në libër edhe bashkëbisedim me të tjerë, me ata që i ndesh veçse përkohësisht në jetë, që krijojnë ato historitë e pa harxhuara, të cilave nuk u harxhohet as magjia. E ç’nuk ka në ato 180 faqe nga koha jonë ‘e Re’, që ende nuk po i lë gjë të vjetrës.

Herë-herë romani të sjell ndërmend periudhën e studimeve universitare, më të lumturën periudhë jetësore, atë që nuk është vetëm e tillë, por edhe një mënyrë jetesë, me plot lodhje, por edhe me hare, sepse është koha e ëndrrave, e asaj inteligjence përthithëse të pashoq, siç e pat përkufizuar dikur Leon Tolstoi, njëri prej dy tutorëve kryesorë të librit.

Të gjithë ne, që gjatë studimeve patëm lidhje me autorë të mëdhenj të artit apo shkencës, dashë pa dashë nuk i shpëtuam dot identifikimit me ta, sepse ndër vite kryem së bashku biseda të gjata:

“Unë dua të njoh mendimet e Zotit, të tjerat janë veçse detaje”- na pat thënë dikur Anshtajni. Dhe ne, të frymëzuar prej mrekullive të tij, e transformuam në shprehjen:

“Unë po njoh mendimet e Anshtajnit, ç’më duhen gjepurat e tjera?”

Në se zbulimet apo teoritë shkencore edhe mund të tejkalohen (fundja le të vjetrohen, sepse e kryen detyrën ndaj zhvillimit njerëzor për një kohë të caktuar), letërsia, në se shkruhet mirë, është e pa vjetrueshme, d.m.th. nuk tejkalohet, sepse ajo është e padiskutueshme, e parënushme, përndryshe nëpër faqet e librit, nuk do të na shfaqej Shekspiri, një prej ‘tutorëve’ më të lashtë, apo i lashti më prezent prej të gjithëve, po qe se harrojmë të parin, Omerin.

Në se bashkëbisedues të tjerë të kohëve të fundit, si Markes, apo Saramago, apo dhe i gjalli Kenziburo Oe, e vënë gruan në qendrën e adhurimit të tyre, heroina jonë e quan të fituar prej kohësh këtë privilegj, a thua se e ka pasur përherë këtë vend.

Më tej na parakalojnë edhe ‘tutorët’ e sotëm, protagonistët e politikës, apo politikbërësit e pas 90’, ashtu të vetëmjaftueshëm sa edhe të vetëkënaqur me mendjen dhe bëmat e tyre. Disa gati i kemi harruar, por plagët na i kujtojnë duam s’duam ne, disa janë ende aty për të na kumtuar se nuk na hiqni dot, jemi këtu me ju, veçse vdekja do të na ndajë.

Viti ’97 na vjen edhe ai (patjetër që do të na vinte), si pjesë e ndërgjegjes sonë të pas Diktaturës. Autorja e sjell në një version krejt origjinal, e sjell përmes dantellave të të brendshmeve të gruas që u kundërvihen kallashëve mashkullorë.

Dhe më vonë, pas luftërave burrërishte (lufta nuk ka fytyrë gruaje, thotë Svjetllana Aleksejeviç), vjen melankolia. Një melankoli e thellë, e trajtuar me aq delikatesë, që iu ka hije grave dhe burrave të mirë ( pa fytyrë lufte).

Por e gjejmë shpesh edhe ironik tregimin e saj.

Jam krejtësisht dakord me Aurel Plasarin në parathënien e librit, … se e shndërron narrativen e romanit Tutori në matematikë. Më saktë e shndërron në Fizikë, do thosha, që e përmban edhe matematikën në përshkrimin e ligjeve të saj, por po të doni edhe përtej fizikës, në metafizikë.

Duke mos e shprehur ‘banalisht’ devizën e bashkëbiseduesit kryesor, Fjodor Dostojevskit, se “E bukura do të na shpëtojë”, ajo bën veçse këtë gjë, në rrugëtimin e saj brenda letërsisë kërkon veçse të bukurën.

– A mundet njeriu ta vuajë jetën e vet si kulturë për të tjerët? – bën pyetjen Mimoza Ahmeti në fund të librit të saj.

– Mundet më së miri – do qe përgjigja ime e vendosur. Këtë jemi përpjekur të bëjmë gjithë këto vite, mirë apo keq.

Dhe pasi vazhdon tregimin për po atë grua të fisme, shkruan:

“Thomëni tani, a nuk ishte krim ta mbaje të izoluar këtë vend, qoftë edhe vetëm për sjelljen cilësore të kësaj gruaje…

Një epilog i papritur, me idenë se majat edhe pse nuk janë të shumta, mbase mjaftojnë për ta bërë gjithë vargmalin të lartësishëm, ose thënë disi më kuptueshëm, ndoshta do të mjaftonte sjellja e një gruaje fisnike, për të zbutur terrorin e burrave mujsharë…

Ajo vjen edhe kësaj here ndryshe nga prozat e zakonshme, sepse si të gjithë ata që vijnë nga poezia, nuk i shpëtojnë dot asaj, veçse duke i dhënë prozës, notat dhe dendësinë e vargut.

Është e bukur, është pasuri të kesh në letërsinë e kohës zëra të ndryshëm.

Urime Mimoza për librin e ri. Unë e lexova me një frymë. Uroj që edhe ju.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤