Valbona Zeneli me librin e ri, “Në opinionin tim…..”

UET-Press promovoi sot librin “NË OPINIONIN TIM… Çështje të sigurisë europiane, tregtisë dhe Ballkanit Perëndimor”, me autore Valbona Zeneli, pedagoge në Marshall Center. Libri shoqërohet me skica të djalit 12 vjeçar të autores dhe vjen me parathënie nga personalitete të shquara në fushën e sigurisë dhe gazetarisë në Europë.

Me fokus kryesor çështje të Ballkanit dhe nevojën për integrim europian të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë, ekspertja e sigurisë, Valbona Zeneli, sjell librin e saj me 39 artikuj “NË OPINIONIN TIM…Çështje të sigurisë europiane, tregtisë dhe Ballkanit Perëndimor”, botim UET-Press.

Libri u promovua dje në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, ku Zeneli ka qenë pedagoge para se të vijonte karrierën e saj akademike jashtë vendit. Libri shoqërohet po ashtu me disa karikatura të përshtatura për temën e çdo artikulli, një punë që autorja ia ka besuar djalit të saj të talentuar vetëm 12 vjeç.

Në hyrje të librit lexuesit marrin rekomandime të shkëlqyera për autoren dhe qëndrimet e saj profesionale në fushën e sigurisë nga njerëzit më të njohur sot në Europë në këtë fushë.

Gjeneral (ret) Keith W. Dayton, Drejtor i Marshall Center shkruan se “vëzhgime mbi Çështjet Europiane të Sigurisë, Tregtinë Ndërkombëtare dhe Ballkanin Perëndimor është një libër që duhet të lexohet nga studiues seriozë të forcave dinamike që udhëheqin çështjet bashkëkohore europiane.

Një ekonomiste e re brilante nga Shqipëria, shkencëtare politike dhe edukatore, dr. Valbona Zeneli, është një vëzhguese e mprehtë e çështjeve ndërkombëtare, njohuritë e së cilës janë me vlera të veçanta, duke pasur parasysh edhe eksperiencën e saj në rajon. Unë nuk kam parë kurrë më parë një vlerësim më depërtues të disa prej sfidave më të vështira me të cilat përballen europianët teksa i afrohemi dekadës së tretë të shekullit të 21.”

Po ashtu Ioan Mircea Pascu, Zëvendëspresident i Parlamentit European, shkruan se “lexuesi do të përfitojë nga analiza e vendosjes së rajonit në një kontekst më të gjerë europian dhe botëror. Një përvojë mjaft edukuese dhe e këndshme, të cilën unë ua rekomandoj ngrohtësisht të gjithë lexuesve”.

Ndër parathëniet e librit të Zenelit veçojmë dhe atë të gazetarëve të shquar të mediave prestigjozeve si Tim Judah i “The Economist”, Stephan Richter, Publikues dhe kryeredaktor i “The Globalist” dhe James Pach, Publikues dhe kryeredaktor i “The Diplomat”.

“Valbona Zeneli është një vëzhguese e mprehtë e botës dhe ky koleksion esesh, duke filluar nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, në tregtinë dhe sigurinë ndërkombëtare, përbën një koleksion fantastik të eseve të saj të mprehta të shkruara në vitet e fundit. Shumë nga këto, të shkruara gjatë disa viteve të fundit, megjithëse tema ende të tanishme, përbëjnë një lexim pothuajse nostalgjik – kujtime nga një kohë tjetër.

Ndërsa esetë e tjera, duke filluar nga korrupsioni, ikja e trurit nga Ballkani deri te sfidat e zgjerimit të BE-së, të gjitha merren me çështje kritike dhe askush tjetër nuk do të ishte në gjendje për ta bërë më mirë këtë sesa Zeneli” – shkruan Tim Judah.

Gjatë promovimit të librit në UET, rektori prof.dr. Tonin Gjuraj vlerësoi faktin që Zeneli rikthehet në universitetin ku ka punuar për të publikuar librin e saj dhe e cilësoi autoren një aset të madh të Shqipërisë në fushën akademike.

“Sipas meje në libër ka të bëjë me impaktin që Ballkani Perëndimor, pjesë e të cilit jemi dhe ne, mund të ketë nesër për Europën, negativisht, për arsye të qeversisjes së keqe, të korrupsionit por edhe të emigracionit”- tha ndër të tjera Gjuraj.

Ambasadorja e Kroacisë në Tiranë Sonja Bujas Juraga përshëndeti provimin e këtij libri duke e cilësuar një studim të rëndësishëm në fushën e sigurisë. “Mendimi i profesore Zenelit është mjaft i rëndësishëm, në situatën aktuale me kërcënimet dhe sfidat e sigurisë”- tha ajo.

Vetë autorja e cilësoi librin një komunikim të shpejtë me lexuesin e përgjithshëm dhe kjo është arsyeja pse ajo ka zgjedhur të vijë me artikuj të shkurtër dhe jo një punim shkencor të gjatë.

“Sot ne nuk kemi shumë kohë për të lexuar, jetojmë në kohën e Twitter-it, ku me 120 karaktere përçohen mesazhe. Shumë nga artikujt kanë baza artikujsh shkencorë, pra janë si përmbledhje e artikujve shkencorë të cilët më pas janë paraqitur në libër.

Janë të gjitha të botuara në media të tjera ndërkombëtare, një pjesë e mirë janë përkthyer, janë botuar dhe në median shqiptare. Fokusi kryesor është Ballkani, ka shumë tema të tjera ndërkombëtare, por gjithçka fokusohet tek Ballkani dhe tek nevoja për integrim europian e Ballkanit Perëndimor dhe sigurisht edhe Shqipërisë”- tha autorja.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤