Valbona Mhilli  nga Këndi i Ekspertes

View Gallery
5 Photos
Valbona Mhilli  nga Këndi i Ekspertes
IMG_5217-Edit

Valbona Mhilli  nga Këndi i Ekspertes
IMG_5224-Edit

Valbona Mhilli  nga Këndi i Ekspertes
IMG_5227-Edit

Valbona Mhilli  nga Këndi i Ekspertes
IMG_5278-Edit

Valbona Mhilli  nga Këndi i Ekspertes
IMG_5295-Edit

Ajo është drejtuesja e  emisionit “Këndi i ekspertit” , i cili transmetohet live tri herë në javë, në Report TV  e ku trajtohen problematika sociale të ndjeshme për qytetarët. Por sigurisht që rruga deri në ekranin e televizorit nuk qe aq e shkurtër. Valbona rrëfen përvojën e parë me radion në moshën  11 –vjeçare, studimet në Universitetin Europian të Tiranës dhe përvojën e re televizive

Foto: Jetmir Duraku

Kur u njoh për herë të parë me magjinë e medies, në studiot e një stacioni radiofonik me ato dhomëzat e izoluara prej zhurmave me sfungjer, ndarësen prej xhami me montazhin dhe mikrofonin e madh në mes, ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Iu desh vetëm ajo përvojë e shkurtër asokohe që t’i shënjonte krejt të ardhmen. Sot Valbona Mhilli drejton emisionin “Këndi i ekspertit” , i cili transmetohet live tri herë në javë, në Report TV  e ku trajtohen problematika sociale të ndjeshme për qytetarët.

Por sigurisht që rruga deri në ekranin e televizorit nuk qe aq e shkurtër. Studioi Shkenca Politike në ciklin Bachelor e më pas ndoqi studime Master Marrëdhënie  me Publikun në Universitetin Europian të Tiranës. “Janë pesë vite të mrekullueshme të kaluara pranë këtij universiteti me të cilin ndaj kujtime dhe eksperienca të bukura. Dua të veçoj stafin pedagogjik të cilët realisht janë më të kualifikuarit në të gjithë hapësirën akademike shqiptare. Dhe jam shumë e lumtur që kanë kontribuuar në formimin tim akademik dhe profesional.” – rrëfen Valbona ndërsa kujton se prej fëmijërisë ndërsa rritej ka qenë e pranishme në forume rinore dhe fort e angazhuar në aktivitete ku i duhej të komunikonte me audienca.  “Natyra ime tepër sociale, për të njohur njerëz të ndryshëm dhe për t’u socializuar, më forcoi bindjen se rruga ime e ardhshme do ishte pikërisht komunikimi dhe media, fusha të cilat janë arma ime më e fortë – dhe mund të them se të dyja i kam arritur në kohën dhe momentin e duhur”.

Ftesën për t’u bërë pjesë e televizionit ku aktualisht punon e mori nga Drejtori i Informacionit, Muhamed Veliu. Kjo ishte edhe sprova e parë në botën e televizionit, të cilët ajo e quan tashmë dashuri me shikim të parë. “Ndoshta ishte fat që isha në kohën e duhur me njerëzit e duhur ,  një marrëdhënie e ndërsjellë për interesa të të dy palëve. Ata donin një gazetare për formatin të cilin e kishin ideuar ndërsa unë të realizoja ëndrrën time të madhe.”

Drejtuesit i propozuan moderimin e Këndit të Ekspertit, emision i cili nisi   në nëntor të vitit të kaluar . “Sikurse thashë eksperienca ime e parë i ka fillimet në televizionin Report Tv, ekrani i të cilit është shumë i përzemërt për mua. Bashkëbisedimi në kohë reale me ekspertë të fushave të ndryshme dhe bashkëbisedimi nëpërmjet telefonatave me shikuesin përputhen me degën time të shkollës. Kështu që mund të them që është një përmbushje e ëndrrave të mia.”

Megjthëse televizioni duket si përmbushja më e madhe e ambicieve të saj profesionale, nuk e harron kohën kur punoi në radio e drejtonte emisionin “Stina juaj” në Radio Stinët.

“…dhe më kujtohet kënga e parë  një për fëmijë,  e transmetuar në emision “një maçok çamarrok.” –kujton  duke qeshur.” Më vonë konkurrova dhe u bëra pjesë e “Radio Stars” me Adi Krastën në Club FM”.  Mes 1500 pjesëmarrësve, Valbona asokohe 13 –vjeçare, arriti të përzgjidhej mes 50 më të mirëve. “Pas kësaj eksperience të paharruar dhe shumë të bukur për mua, kam punuar në radio deri në vitin 2009. Po në këtë vit i shpalla vetes një sfidë për t’u bërë pjesë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të cilën e arrita duke mbajtur funksionin e organizatores në këtë forum.” –zbulon  ajo aktivizmin e saj.

Kur e pyet nëse ka qenë e vështirë për të dhe  a është njësoj jo fort e lehtë për bashkëmoshataët e saj të sapodiplomuar jo vetëm për të depërtuar  në tregun e punës, por edhe për të ndjekur ëndrrat siç ajo i kishte për botën e medias, Valbona di ta vlerësojë përvojën që i kanë dhënë profilet e studimeve, si në Bachelor ashtu edhe në Master.“Të rinjtë sot në momentin që diplomohen kanë me vete një eksperiencë të profileve të tyre. Kjo falë praktikave apo trajnimeve që ata kryejnë si në universitet ashtu edhe në institucione të ndryshme. Sigurisht që të bëhesh pjesë e medias nuk është edhe aq e lehtë, sa mund të duket në pamje të parë. Të jesh pjesë e saj do të thotë që t’i ke një background shumë të madh dhe një eksperiencë të konsiderueshme. Unë personalisht i jam shumë mirënjohëse z.Carlo Bollino,  i cili më besoi këtë emision edhe duke ditur që unë nuk kisha një eksperiencë të mëparshme televizive. Në këtë mënyrë ai më dha mundësinë që unë të nis rrugëtimin në botën e medias.”

Këndi i Ekspertit, siç e sqaron më hollësisht Valbona, është një formulë interaktive që u  jep prioritet teleshikuesve të bëhen pjesë e emisionit me anë të telefonatave për shqetësimet e tyre, duke bërë të mundur edhe të marrin një përgjigje në kohë reale nga ekspertët në studio. “Konkretisht, e hëna rubrika “Prona ime” ka në fokus trajtimin në tërësi të problematikave të pronësisë, hipotekave dhe ALUIZNI-t. Pra, me pak fjalë, çdo gjë që lidhet me pasuritë e patundshme. Të mërkurën, rubrika “Administratori im” ka në fokus trajtimin e Administrimit të pallateve si dhe problematikat e tyre. Ndërsa të premten, në rubrikën “Pensioni im”, trajtohen problematikat e pensioneve në vendin tonë. Në të tri këto rubrika, mundohemi të kemi në studio ekspertët më të mirë, në mënyrë që sqarimi apo zgjidhja e një problemi të jetë sa më efikas dhe i saktë.” Këndit të Ekspertit u jep hapësirë të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e emisionit pa asnjë seleksionim dhe kjo ndodh në një kohë kur jo të gjithë qytetarët kanë mundësi të shprehen në shtyp  apo në mediat e tjera, sqaron   Valbona më tej, ndërsa zbulon që jo vetëm e moderon emosionin, por bën punë mirëfilli gazetareske duke gjetur temat me interes për publikun, të ftuarit në studio dhe gjithë organizimin e emisioneve.

Tashmë ai kënd i saj, të cilin e ndan me teleshikuesit i është shndërruar natyrshëm në një shtëpi të dytë.  “I gjithë televizioni karakterizohet nga një frymë e tillë bashkëpunimi. Mund të përmend drejtorin e programacionit, Arianit Filopati, i cili përkujdeset për të gjitha emisionet në mënyrën maksimale dhe shumë profesionale duke na krijuar një frymë bashkëpunimi shumë të mirë.” Rrëfen se angazhimi që i kërkon emisioni e do në dispozicion gjatë gjithë javës dhe ndaj koha që qëndron në  studiot televizive i është bërë më e gjatë se ajo që kalon në shtëpi. Tashmë tek sheh studiot, dhomën e grimit,  ndriçimin, kamerat e bëhet gati të dalë në transmetim me t’u dhënë sinjali, kujton atëkohë kur hyri për herë të parë në radio dhe kënaqësia e pushton me sigurinë se ia doli mbanë ta realizojë ëndrrën.

 

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤