‘Unë, falë Zotit, jam ateist’!

Nga Mustafa Nano
Pjesë nga libri ‘Provocateur’, botim i UET-Press

Dhe tani le të ndalemi te një argument, që për shumë vetë, por jo për ju, është një patate e nxehtë. Është fjala për fetë.

Jo, jo, edhe për mua është një patate e nxehtë. I kam djegur duart më se njëherë.

Ju nuk besoni në Zot, apo jo?

“Në cilin Zot?”, do pyeste Richard Dawkinsi. Për sa i takon Zotit si krijues i universit, ka momente, në të cilat Ai nuk më duket i huaj, apo i pabesueshëm. Mirëpo besimi që këto janë momente të përtacisë sime intelektuale e plogështisë sime kognitive është më i fortë sesa besimi në këtë Zot. Çfarë mund të them me siguri, sidoqoftë, është që nuk kam ndonjë gjë kundër atyre që nuk e përjashtojnë idenë e një Krijuesi, për sa kohë që nuk e kemi zgjidhur enigmën e krijimit të botës.

Kështu i bie që jeni agnostik …

Le të themi që tek-tuk jam edhe agnostik. Por pjesën më të madhe të kohës e gjej veten një ateist kokëfortë. Dhe kjo do të thotë se edhe ideja e Zotit si Krijues i universit nuk më bind kushedi se çfarë.

Ju, deri në moshën 30-vjeçare, keni jetuar në një rend ateist gjërash. Para vitit 1990 shqiptarët ishin të detyruar të ishin ateistë. Madje, ishte më keq sesa kaq. Ata edukoheshin të ishin ateistë. Nuk e komprometon kjo rrethanë ateizmin tuaj? Sepse nuk është se keni zgjedhur ju të jeni ateist.

Kjo është e vërtetë. Besimi fetar nuk ekzistonte si opsion gjatë regjimit komunist. Mirëpo ka dy gjëra që dua të them në këtë pikë. Së pari, po e filloj me një vëzhgim të thjeshtë. Edhe në një regjim demokratik, në të cilin ekziston e drejta dhe liria për të zgjedhur, besimi a identiteti fetar nuk janë gjëra që njerëzit i zgjedhin. Përkundrazi, ose i marrin qysh herët në familjen e tyre apo në një kontekst sociokulturor të caktuar (siç kam marrë unë ateizmin), ose i mbrojnë dhe i ruajnë si një amanet që atyre u vjen prej të parëve të tyre. Ata që zgjedhin në këtë drejtim, janë fare të paktë. Brazilianët e argjentinasit e sotëm janë katolikë në shumicën dërrmuese të tyre.

Dhe këta nuk është se kanë jetuar nën ndonjë regjim teokratik, në të cilin të kenë qenë të detyruar të jenë katolikë. Jo, ata kanë qenë në çdo kohë të lirë, ose më mirë me thënë të papenguar për të zgjedhur të mos jenë katolikë. Por nuk para ka ndodhur, e nuk ndodh, që ta bëjnë këtë zgjedhje. Shkurt, brazilianët e argjentinasit janë katolikë jo sepse kanë zgjedhur të jenë katolikë, por sepse, në një mënyrë a në një tjetër, janë ushqyer me idenë e të qenët katolik, ashtu siç jam ushqyer unë me idenë e të qenët ateist. Dhe ky arsyetim mund të bëhet për kudo. Le të marrim, fjala vjen, anglezët e sotëm, që janë në një masë të madhe ateistë, ndonëse nuk kanë jetuar kurrë në një regjim ateist.

Pse janë të tillë? Ngaqë kanë zgjedhur? Jo, janë të tillë për shkak të kontekstit sociokulturoro-politik ku ata lindin e rriten. Kjo do të thotë se, përsëris, nuk janë ata që zgjedhin. Madje, edhe ata anglezë që vetëpërkufizohen si ateistë, kanë një dispozicion a tendencë të natyrshme për ta mbajtur fenë e traditës së tyre familjare e kombëtare, në mos jo si një besim, të paktën si një vulë identitare. Ata nuk bezdisen, nëse në shkollë a në një mjedis të caktuar publik shohin një kryq të varur apo nëse në shkollë, në orën e edukimit letrar, studiojnë ndonjë vepër të John Locke-ut, apo të John Miltonit të mbushur me kumte, aluzione apo citime biblike. Dhe janë këta që në një klimë karfosjeje fetare, do të deklaroheshin me shumë gjasë si anglikanë.

Meqë jemi në këtë diskutim, në Bavari, për një kundërpërgjigje ndaj emigracionit masiv që i ka dhënë një ngjyrë fetare jo kristiane hapësirës publike, kanë miratuar një ligj, nëpërmjet të cilit kanë bërë të detyrueshëm përdorimin e kryqit në mjedise publike, në shkolla, në burgje, në hyrje të institucioneve etj. Kryeministri i shtetit gjerman të jugut, Markus Soder, tha në momentin e miratimit të ligjit se “kryqi është një simbol themelor i identitetit tonë bavarez dhe i mënyrës sonë të jetesës; kryqi përbën një vlerë elementare për ne, siç janë edhe bamirësia, dinjiteti human, toleranca”. Italiani Matteo Salvini gjithashtu po tenton të bëjë të njëjtën gjë në vendin e vet dhe në të dyja rastet, qoftë në Bavari, qoftë në Itali, kundërshtimet nuk kanë ardhur nga ateistët. Në Itali kanë ngritur zërin njerëzit e Kishës Katolike e të Vatikanit, të cilët kanë manifestuar një lloj parehatie lidhur me përdorimin politik të simboleve katolike.

Kur vjen puna te feja pra, njerëzit nuk parapëlqejnë të zgjedhin, edhe pse mund ta kenë të drejtën të zgjedhin. Ata janë katolikë, protestantë, myslimanë, hinduistë, hebrenj, mormonë, për shkak të rrethanave historike e gjeografike. Nëse je arab, do të jesh si rregull mysliman sunit, nëse je iranian do të jesh mysliman shi’it, nëse je suedez do të jesh luteran, nëse je kroat do të jesh katolik, nëse je serb, grek, rus etj., do të jesh ortodoks, nëse je mirditor, do të jesh katolik, nëse je kolonjar, do të jesh bektashi e kështu me radhë. Mjafton ky fakt për ta bërë krejt qesharake garën mes feve për të marrë kurorën e fesë së vërtetë, e pas kësaj për të pretenduar se besimi në fenë e vërtetë është rruga e vetme që të çon në parajsë dhe se kush beson në një fe tjetër, e ka të sigurt vendin në ferrin e përjetshëm pas vdekjes. Jo për gjë, por kështu i bie që, nëse feja e vërtetë është katolicizmi, një mysliman do të duhet të shkojë në ferr për mëkatin që është arab, indonezian, kurd, shqiptar i Maqedonisë.

Sa e padrejtë do të ishte! Sepse do të ndëshkohej për gjëra që nuk varen prej tij. Në këtë pikë më vjen në mendje edhe gjyshja ime, që gjithë jetën, derisa vdiq në moshën 100-vjeçare, nuk bëri gjë tjetër veçse iu lut imam Hysenit e Abaz Aliut. Dhe ajo, me supozimin se katolicizmi është feja e vërtetë që të hap dyert e parajsës, i bie që të ketë përfunduar në ferr. “E ke katranosur. Ke çuar dëm përkushtimin ndaj Perëndisë, duke u marrë me imam Hysenin e Abas Aliun”, do t’i ketë thënë dikush atje sipër, gjatë gjyqit, në përpjekje për të shpjeguar vendimin për ta hedhur mes flakëve të ferrit. Sa do të kisha dashur të isha avokat i saj në atë gjyq. Mirëpo, nuk mundesha, e jo vetëm sepse unë isha ende në këtë botën e këtushme, por edhe sepse ai gjyqi atje sipër është i çuditshëm. Nuk ka avokatë. Nuk pranohet asnjë mbrojtje. Dhe ka vetëm një shkallë gjykimi. Nuk ka atje gjykatë apeli, gjykatë të lartë. Dhe unë e përfytyroj gjyshen time duke belbëzuar alibinë më të fortë që mund të ekzistojë. “Po nga ta dija unë se ajo që kam bërë ka qenë e gabuar? Mua kurrë nuk më foli njeri për shën Pal e shna Ndue. As për Jezu Krishtin. Këta emra tani po i dëgjoj për herë të parë.

Sepse unë jetën në atë botë e kalova të tërën në Skrapar”, mund t’u ketë thënë ajo, e shkreta. Por nuk ia kanë zgjatur shumë. E kanë marrë prej krahësh (ajo ka pritur deri në çastin e fundit se mos bëheshin të gjallë imam Hyseni e Abas Aliu, e t’u thoshin xhelatëve të Qiellit: “Daleni mor të uruar, çfarë po bëni kështu? Jeni duke gabuar!”. Mirëpo, fati i saj kish qenë i paracaktuar tanimë) dhe e kanë hedhur në gropën e zezë, të thellë, pafundësisht të thellë, ku përveç flakëve duhet të ketë zift të nxehtë, tym të zi, ujë të valuar, ndoshta acid sulfurik etj. etj. Hëm! Sikur të isha besimtar, do të isha trazuar keqas prej një shoqërimi të tillë idesh. Duket e pabesueshme të besosh në të tilla gjëra, por ja që ka njerëz që besojnë.

Kjo është e para. Keni për të më thënë edhe një gjë të dytë. Apo ju ka dalë nga mendja?

Jo, jo, nuk më ka dalë nga mendja. E nisa duke shpjeguar ateizmin tim që, sipas jush, nuk ka qenë një zgjedhje imja. Nuk është tamam kështu. Unë kam këmbëngulur, dhe kjo është e dyta, për ta vënë në diskutim ateizmin e marrë si edukatë prej vitesh të tëra. Madje, unë i jam futur studimit të feve me shpresën (në ndonjë rast me frikën) se do të mund të bëhesha besimtar. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur.

Nuk ju ndodhi asnjëherë që të ndienit se ishit afër besimit?

Asnjëherë! Më ndodhi e kundërta. Sa më thellë u futesha leximeve fetare, aq më shumë i largohesha idesë se mund të bëhesha besimtar. E di? Mënyra më e mirë për të mos u bërë besimtar është të lexosh Librat e Shenjtë.

Kur dhe si ndodhi që iu futët studimit të feve?

Andej nga viti 1991 më ra në dorë një Bibël. Në gjuhën shqipe, me germa të vogla, me letër të hollë. Dhe ishte e përkthyer shumë mirë. Zura ta lexoja. Me vëmendje e përqendrim të madh. Kureshtja ishte e jashtëzakonshme, gati shtypëse. Mirëpo, çfarë zhgënjimi që pësova! Qysh në rreshtat e parë: “Në fillim Perëndia krijoi tokën dhe qiellin. Por toka ishte e shkretë dhe e zbrazët. Oqeani i tërbuar që mbulonte gjithçka ishte i zhytur në errësirë të plotë. Ndërsa shpirti i Perëndisë lëvizte mbi ujëra. Atëherë Perëndia urdhëroi: Të bëhet drita! E drita u bë …”. M’u duk një rrëfim i mërzitshëm. Shkova deri te kopshti i Edenit dhe e lashë. Ishte hera e parë që merrja një libër në duar dhe e hidhja ende pa e filluar. Hera e dytë do të ishte më vonë me Lahutën e Malcis. Me këtë të fundit më ndodhi për shkak të gegërishtes, me të cilën nuk isha familjar. “Duhet të mësohesh me gegërishten!”, i thosha vetes.

“Nuk mund ta pretendosh titullin a statusin e intelektualit shqiptar nëse refuzon, apo nuk je në gjendje, apo nuk të vjen për mbarë, të lexosh autorët gegë”. Dhe me t’u mësuar me shqipen e Fishtës, rashë në dashuri me të. Me shqipen e tij, dua të them. Edhe me të, domosdo. E konsideroj një nga katër ‒ pesë shqiptarët më të rëndësishëm e më interesantë të shekullit XX, ndonëse nuk shkoj dot deri te mendimi i epërm që kanë katolikët e Shkodrës për të (nuk më pëlqen që ka qenë konservator në formimin e tij kulturor, shumë i marrosur pas magjisë së botës patriarkale e kanunore dhe i fiksuar pas shkjeve-armiq). Kam frikë se teprohet me një lloj shenjtërimi që i bëjnë, siç teprohet gjithnjë me shenjtërimet. Ka pasur shumë teprime pas vitit 1990. Dhe duhet thënë se për Fishtën, më pak se për të tjerë.

Kur iu rikthyet Biblës për ta lexuar deri në fund?

Iu riktheva sërish më vonë. Se si më dukej që unë të mos lexoja librin më të lexuar në historinë e botës. “Duhet ta lexosh se s’bën”, i thosha vetes. Duhet ta lexoja si një libër themelor të historisë botërore të kulturës, por edhe për të tentuar një marrëdhënie me Zotin.

Po pse nuk e filluat me Kuranin? Ju ishit mysliman nominal në fund të fundit. Dhe marrëdhënien me Zotin mund ta tentonit si i tillë.

Nuk ka pasur një Kuran të përkthyer në vitet e para pas përmbysjes së komunizmit. Ka pasur versione të Prishtinës e të Tetovës, të cilat nuk kisha se ku t’i gjeja. E përveç kësaj, në psikën time, në atë kohë, ishte Bibla që ishte libri i Zotit, apo për ta thënë më butë, ishte rruga që mund të të çonte te Zoti. Unë kisha lindur e isha rritur në një mjedis të myslimanizuar, ç’është e vërteta. Fjalë apo fraza të tipit “inshallah”, “Allah-Allah”, ishin shprehi të gjuhës së përditshme, habia e gjyshes sime e shprehur në formën “ja Abas Ali, ja imam Hysen” më shoqëronte gjatë gjithë ditës, teqetë e mekamet përmendeshin shpesh, emrat e të parëve të mi ishin të tërë myslimanë, shumë zakone të dasmave e të vdekjeve ishin më afër Islamit sesa Krishterimit, por të gjitha këto e të tjera që Rexhep Qosja i ka përfshirë te “mentalitetet, sjelljet, veprimet …”, me sa duket, ishin veç një cipë e hollë, me të cilën ishte veshur ajo botë.

Në thelb, në Skrapar, si në të gjithë Shqipërinë, ishim të bombarduar nga një propagandë, në të cilën bëhej kujdes të mos kishte elemente të fesë islame apo të traditës sonë islame. Filmat shqiptarë ishin pothuaj të gjithë me frymëzime ateiste (edhe filmat historikë ishin të zhveshur prej elementeve fetare). Ishin priftërinjtë që paraqiteshin më së shumti si personazhe negative në romane, filma, drama, por në të njëjtën kohë lihej të kuptohej se ata ishin të mençur e të kulturuar. Ndërsa hoxhallarët paraqiteshin në mënyrë qesharake, pa asnjë ndikim. Në përgjithësi klerikët myslimanë vizatoheshin si të prapambetur, ndërsa ata katolikë si të rrezikshëm, gjë që ishte e lehtë të merrej prej gjindjes për shenjë force e Krishterimit. Vetë feja islame shihej si e prapambetur, gjë që i bënte shqiptarët të merrnin distancë prej saj, të tentonin t’i iknin, t’i jepnin munxët me rast e pa rast, sidomos në rrugë onomastike.

Unë fola më sipër mbi këtë gjë, por më lejoni ta rimarr si temë për ta zhvilluar edhe pak. Kjo klimë ka qenë në një masë të caktuar edhe parakomuniste, madje daton qysh me Rilindjen tonë kombëtare. Miti i Skënderbeut, që i ishte kundërvënë një perandorie myslimane, punonte vetvetiu në këtë drejtim. Diskutimi mbi rrënjët shqiptare nuk mund të mos kishte si shoqërim idesh identitetin e krishterë të shqiptarëve. Emrat e Gjon Buzukut, Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit etj., lidheshin pa një pa dy me Krishterimin, ndonëse ata përmendeshin nën një dritë atdhetare. Në përgjithësi, historia shihej me syze të krishtera. Për sa u takonte filmave e librave të huaj, edhe pse zgjidheshin me kujdes që të përmbushnin sa më shumë të ishte e mundur kritere të caktuara ideologjike, ato e bartnin gjithsesi një sfond të krishterë, në to kishte gjithsesi ndonjë personazh që shkonte në kishë, që fliste për Zotin, që përmendte Biblën.

Edhe autorët shqiptarë, në mënyrë të pafajshme e asnjanëse, përdornin referenca biblike. Të gjithë e përdornin pa të keq metaforën biblike të djalit plëngprishës, apo foljen “kryqëzoj”, apo frazat “mollë e ndaluar”, “në fillim ishte fjala”, me të cilën hapet Ungjilli sipas Gjonit, apo “mos ua hidhni derrave perlat tuaja” e “nuk jetohet vetëm për një copë bukë”, që Jezui ua jep si këshilla dishepujve të tij, apo duelin midis Goliathit të madh e Davidit të vogël, apo Arkën e Noes, të cilën e quanin pikërisht kështu, Arka e Noes, e jo siç do ta donin ta quanin myslimanët, d.m.th. Arka e Nuhut (e në përgjithësi, të gjitha personazhet e Testamentit të Vjetër e të Ri thirreshin në trajta të krishtera, si: Adam, Eva, Gabriel, Solomon, Jezu Krisht, Moze/Moisi, Abraham, Mari etj., e jo respektivisht: Adem, Hava, Xhebrail, Sulejman, Isa, Musa, Ibrahim, Merjeme, etj). Referencat kuranike përgjithësisht mungonin. Bibla përkundruall Kuranit ishin si Gjergj Fishta përkundruall Hafiz Ali Korçës. Që të dy këta të fundit ishin të ndaluar, por Fishta ishte një i ndaluar që rrethohej me kërshëri. Ndërsa te tjetri nuk i shkonte kujt mendja. Iu riktheva në një farë mënyre këtij argumenti për të dalë tek ideja se në këtë klimë kulturore, Bibla ishte më ndjellëse se Kurani.

***

Duket se nuk iu bind fare Zoti i Librave të Shenjtë …

Më bind aq sa të bindin edhe qindra zotër të tjerë që u kanë paraprirë në kohë, hyjnitë pagane të lashtësisë, hyjnitë e Egjiptit të lashtë, si Amuni, Osirisi, Raja etj. (janë rreth 1500 hyjni të Egjiptit të njohura me emër), hyjnitë arabike të periudhave paraislamike, si Abgali, Abligoli, alLati, al-Uzza, Manati (tri të fundit konsideroheshin si bija të Allahut në Arabinë pagane) etj., hyjnitë mesopotamike, si Adadi, Anshari, Ashura etj. etj., hyjnitë greke si Zeusi, Poseidoni, Athina, Hera, Apolloni, e banorët e tjerë të Olimpit, bijtë e bijat e tyre, hyjnitë kelte, etruske, thrakase, në daçi edhe ilire, e mijëra Perëndi të tjera të ujit, të diellit, të hënës, të errësirës, të erës, të shiut.

Zoti pagan i shiut ka të njëjtat kredenciale besueshmërie me Zotin e feve monoteiste?

Absolutisht, po! Në një diskutim racional, të gjithë këta Zotër, përfshirë këtu edhe Zotin e feve monoteiste, janë njësoj. Ok, Zoti i shiut nuk ka arsye të besohet më në ditët e sotme. Fermerët, kur kanë nevojë për shiun, nuk i luten Zotit të shiut. Nuk i luten askujt. Përkundrazi, bëjnë një gjë tjetër: dëgjojnë se çfarë thonë folësit në fund të edicioneve të lajmeve të mbrëmjes. Ose bëjnë edhe një gjë më të thjeshtë: klikojnë tek aplikacioni “weather” në iPhone-in e tyre. Po njësoj ka ndodhur edhe me zotër të tjerë paganë, që kanë dalë jashtë loje. Por po njësoj, edhe Zoti i feve monoteiste ka dalë zbuluar herë pas here përballë arsyes e shkencës humane.

Ku e keni fjalën?

Ku ta kem më parë? Por, për të mos e hapur lojën shumë, po ndalem te një zbulim shkencor, që daton në shekullin XVI, dhe që pati për autor Kopernikun, e pas tij u përforcua nga Giordano Bruno. Këta thanë për herë të parë, dhe e provuan, se ishte Dielli e jo Toka, qendra e kësaj botës sonë. Provuan gjithashtu se nuk ishte Dielli që sillej rreth Tokës. Ishte e kundërta. Ishte Toka që sillej rreth Diellit. Mirëpo, Bibla e të krishterëve, bazuar te Bibla e hebrenjve, kishte një mijë e pesëqind vjet që i mbahej një vizioni parak, sipas të cilit Dielli ishte thjesht një aksesor i jetës në Tokë. “Perëndia urdhëroi: ‘le të jenë në Qiell dy lëshues drite … që t’i japin dritë Tokës’. Dhe ashtu u bë. Prandaj Perëndia bëri dy dritëdhënës të mëdhenj, të madhin, diellin, për të rregulluar ditën, e të voglin, hënën, për të rregulluar natën. Bëri gjithashtu edhe yjet, të cilët i vendosi në Qiell për t’i dhënë dritë Tokës, për të rregulluar ditën dhe natën e për ta ndarë dritën nga errësira.” (Libri i Zanafillës, 1:14-18) Siç shihet, Toka është objekti i vetëm i gjithësisë, të cilin Zoti e privilegjon, e mban me hatër. Jo më kot, Toka është objekti i parë astronomik që Ai krijoi, si “shtrojën e këmbëve të Veta” (Libri i Isaias, 66:1).

Pas Tokës u krijua çdo gjë tjetër në Qiell, dhe u krijuan në funksion të Tokës, e të ca gjallesave speciale të Tokës, të cilat ishin të llastuarit e Zotit mes gjallesave të tjera, dhe të cilat Zoti i kish krijuar sipas shëmbëlltyrës së Vet. (Libri i Zanafillës, 1: 26-27) Edhe vetë birin e Tij ai e dërgoi në Tokë. Dhe prej Tokës e rimori sërish pranë vetes. Më tej, në Librin e Psalmeve (104:5), Zoti lëvdohet që “Tokën e ndërtoi mbi themele të forta, që të ishte e sigurt e të mos shembej”. Në Librin e Job-it, thuhet se “Perëndia e shtriu në hapësirë tendën e Qiellit, dhe Tokën nuk e vari mbi asgjë”. Në Kuran gjendet i njëjti vizion gjeocentrik i botës. Aty flitet për Diellin e Hënën që rrotullohen rreth Tokës, që kanë orbitat e tyre.

E nuk flitet në asnjë rast për Tokën që rrotullohet, apo për ndonjë orbitë të Tokës. Thuhet më shumë se një herë se “Zoti e kthen natën në ditë e ditën në natë, se Ai e ka nënshtruar Diellin e Hënën, dhe se këto të fundit lëvizin për një kohë të caktuar” (shih në 13:2, 14:33, 29:61, 31:29, 35:13 etj.). Në Kuran, gjatë gjithë kohës flitet për krijimin e qiejve e të tokës. Toka pra veçohet, siç veçohen ndër yjet vetëm Dielli e Hëna, sepse këto, sipas Kuranit, janë respektivisht kandili e bishtuku që bëjnë dritë në Tokë (71:16). Dielli e Hëna janë, njësoj si në Bibël, aksesorë kozmikë të jetës në Tokë. Dhe kjo e fundit përshkruhet si “e qëndrueshme” (27:61) Flitet herë për qiejt (në shumës) e stolisur me yjësi, herë për shtatë qiejt (nuk kuptohet ky saktësim aritmetik, shtatë), herë për Qiellin (në njëjës), të cilin është Zoti që e mban të mos bjerë në Tokë (22:65). Siç shihet, është tërë gjithësia që vihet në shërbim të Tokës, ku – vini re vizionin e ngushtuar – “janë vendosur male të patundura, që Toka të mos lëkundet bashkë me njerëzit” (21:31). Mirëpo, ne të gjithë e dimë tanimë që ky vizion gjeocentrik i botës ka ardhur prej padijes. Themeluesit e feve kanë përshkruar atë që kanë parë me sytë e tyre, d.m.th. diellin që lindte nga njëra anë e perëndonte nga ana tjetër dhe hënën që lëvizte ngadalë nëpër qiell.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤