UET Polivalent: Tashmë me Diploma Profesionale në 5 programe studimi

Përveç studimeve në Bachelor, Master dhe Doktoraturë, Universiteti Europian i Tiranës vjen me 5 programe në Diploma Profesionale në Kontabilitet, Menaxhim, Turizëm, Aplikime Informatike, Dizajn dhe Modë

Universiteti Europian i Tiranës, pas dymbëdhjetë vitesh kontribut në historinë e arsimit të lartë shqiptar duke ofruar tri cikle studimesh: Bachelor, Master dhe Doktoraturë, vendosi që të ofrojë edhe 5 programe Diplomash Profesionale në Kontabilitet, Menaxhim, Turizëm, Aplikime Informatike, Dizajn dhe Modë. Rrugëtimi i studimeve të programeve profesionale nuk është i thjeshtë, por një gjetje e re në sistemin arsimor pas reformës arsimore ‘Rama’ të vitit 2015. Në kuadrin e Diplomave Profesionale, Universiteti Europian i Tiranës mirëpret studentë me notë mesatare ndërmjet 5 dhe 7. Kryerja e një programi profesional, në një universitet me emër, i cili i përfshin të gjitha ciklet e studimeve, ofron një garanci shtesë për suksesin e studimeve profesionale për të qenë sa më pranë tregut të punës. E ardhmja e botës së punës është e paditur, interaktiviteti ose shpejtësia e reagimit të universitetit ndaj botës së punës, dhe botës e punës ndaj universitetit, është kushti bazë.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, si iniciator për hapjen e programeve të studimit profesional, shprehet se ‘do ta vëmë theksin pikërisht te krijimi i dinjitetit të profesionit’.

“Për sa i përket turizmit, para dy vitesh kur u bë një studim për këtë sektor dhe u hartua Strategjia e Turizmit në Shqipëri, rezultoi një shifër e tmerrshme. Nga të gjithë punonjësit në sektorin turistik shqiptar, vetëm 6 për qind prej tyre kishin një specializim në turizëm më shumë se dy javë. 94 për qind e mbetur nuk kishin asnjë ditë specializim, shkollë apo studim që kishte të bënte me turizmin. E krahasuar me Kroacinë, e cila natyrisht është shumë më e zhvilluar, rezultoi se mbi 80 për qind e atyre që punonin në sektorin turistik, kishin më shumë se tre muaj deri në 1 vit kualifikim për këtë sektor. Turizmi sot, në mënyrë vjetore punëson rreth 60 mijë njerëz, përveç sezoneve që kjo sasi trefishohet ose katërfishohet. Për këtë arsye brenda turizmit në konceptin e gjerë, llogaritëm që ka 30, le t’i quajmë shërbime ose elementë të spikatur profesional që fillojnë nga pritja e klientëve, transporti, menaxhimi i thjeshtë, dhomat, ekskursionet etj., në këtë sens kolegji profesional do të krijojë pikërisht këtë kategori specialistësh që duket sikur janë të humbur brenda një sektori, por në fakt ata janë çelësi dhe thelbi që i japin eficiencën dhe krijojnë të ardhura ndaj këtij sektori. Në Shqipëri problemi me profesionet është edhe problem dinjiteti. Sidomos për këto që quhen Shkolla Profesionale, që s’kanë lidhje fare me shkollën e lartë. Ka disa vite që në Europë ka një tendencë për të krijuar dinjitetin e profesioneve. Nëse vërtet do që një profesion të jetë i pëlqyer dhe i vlefshëm, së pari, duhet të jetë dinjitoz. Besoj se në hartimet e këtyre 5 programeve që kemi hapur, dhe gjithçka që mendojmë në këto 5 drejtime, do ta vëmë theksin pikërisht te krijimi i dinjitetit të profesionit. Kjo gjë do ta bëjë më të vlefshme dhe më eficiente”, shprehet Civici.

Prof. dr. Ermira Qosja si përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut, ka shpjeguar qasjen e re që biznesi i turizmit ka në Shqipëri. Ajo tregon se Diplomat Profesionale në Menaxhim dhe Turizëm brenda Fakultetit Ekonomik të Biznesit dhe Zhvillimit, do të shkojnë më së miri në përputhje me nevojat e tregut të punës.

“Në këtë vit të ri akademik, Departamenti i Menaxhimit dhe Marketingut vjen edhe me dy diploma të reja profesionale në Menaxhim dhe Turizëm. Menduam se ka ardhur momenti që ne të krijojmë njerëz që kanë kompetenca të thjeshta në funksion jo vetëm të kompanive të mëdha, por në funksion të sipërmarrjeve të tyre individuale. Diplomat e reja në Menaxhim dhe Turizëm, duket se përputhen më së miri me qasjen e re që biznesi i turizmit ka në Shqipëri. Shpresojmë që nisma jonë, që shkon në përputhje me nevojat e industrisë së turizmit, por dhe me qasjen e ministrisë përkatëse, e cila gjithmonë e më tepër po synon të punësojë individë me diplomë në turizëm, do të japë rezultatet e duhura. Nuk do mundemi të shkojmë shumë lart në këtë drejtim nëse nuk do të kemi përkrahjen e industrisë. Krahas këtyre dy diplomave, Departamenti i Financës do të ofrojë edhe një diplomë profesionale në Kontabilitet duke qenë se nevoja e tregut për kontabilistë bazikë është gjithmonë në rritje dhe nuk do ndalojë ndonjëherë. Shpresoj që nisma jonë në këto tre programe të reja brenda Fakultetit Ekonomik të Biznesit dhe Zhvillimit do të shkojë më së miri në përputhje me nevojat e tregut”, shprehet Qosja.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, Arben Dushi, tha se Universiteti Europian i Tiranës ka mundësinë në mënyrë sintetike të sistemojë dijet, për të cilat kanë nevojë studentët.

Janë me mijëra djem dhe vajza të talentuara në fushën e informatikës, janë të mirëpritur në Universitetin Europian të Tiranës pikërisht për të marrë këtë Diplomë Profesionale, e cila do t’iu shërbejë shumë. Shembulli i Bill Gates është i freskët, nuk mori asnjë provim dhe është një frymëzim për gjithë këtë brez për pozicionin që ka sot. Ne kemi mundësinë në mënyrë sintetike të sistemojmë dijet që ata studentë kanë nevojë, shprehet dekani Dushi.

Ndërsa Mirela Oktrova si Përgjegjëse e Departamentit të Arteve të Aplikuara, tregon se Diploma Profesionale në Modë është shumë e preferuar së pari, se prek interesin e një shoqërie si e jona, është një profesion që pikërisht për këtë arsye është në qendër të vëmendjes dhe sepse krijon mundësinë që të akomodojë në këtë lloj diplome të gjithë ata të cilët deri më tani nuk studionin dot modë apo dizajn. Ajo thotë plot bindje se Universiteti Europian i Tiranës do ta bëjë këtë diplomë të suksesshme.

Mendoj se kjo diplomë profesionale e prek nervin e kërkesës në tre pika. Së pari, sepse prek interesin e një shoqërie si e jona, mesdhetare, për të cilën është shumë interesante dhe shumë e rëndësishme paraqitja e jashtme meqenëse synimi i diplomës është të përgatisë stilistë. Së dyti, është një profesion që pikërisht për këtë arsye është në qendër të vëmendjes dhe për këtë arsye është edhe i lakmuar. Dhe së treti, sepse krijon mundësinë që të akomodojë në këtë lloj diplome të gjithë ata të cilët deri më tani nuk studionin dot modë apo dizajn apo pikturë tekstili siç quhej diku, sepse nuk kishin mesataren dhe nuk i plotësonin kushtet paraprake për këtë. Me sa duket interesi është vërtet aty, sepse të paktën në portal e kanë zgjedhur si diplomë dhe shpresojmë se do të identifikohet edhe me interes konkret në regjistrimet që vijnë. Është zgjedhur një figurë përfaqësuese për këtë diplomë, stilistja Anila Zaimi Katanolli dhe besoj që jo vetëm diploma, jo vetëm prestigji i universitetit, por edhe pedagogët që janë në të do arrijnë ta bëjnë këtë diplomë të suksesshme për të justifikuar hapjen dhe interesin, shprehet Oktrova.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤