Timeless Vera!

2Intuita që e çoi te zgjidhte profesionin qysh në moshën 7-vjeçare, energjia e pashtershme për të krijuar spektaklet më të dashur për publikun shqiptar, stili i spikatur me të cilin shenjoi një markë të sajën të pangatërrueshme. Vera Grabocka është njeriu që ka parë gjithmonë nga e ardhmja, dëshmuar kjo edhe nga zbërthimi i patentave ndërkombëtare si X-Factor, Dance With me apo Your face sounds familiar. Dhe plane të reja ka në horizont shumë shpejt … Por nuk është vetëm puna. Familja, pasionet, forma fizike që do zilepste çdo njëzetvjeçare…Lexoni rrëfimin e regjisores dhe producentes që ka shkruar historinë e televizioneve shqiptare, nisur me revolucionarin Festival të 11-të…

 

A më do? Ishte pyetja që Vera i drejtoi Jonathanit  5–vjeçar, nipit të vogël! Përgjigjja ishte:  “I  love you  beyond  infinity”  – “të dua përtej së pafundmes”. E habitur nga mençuria e një fëmije, kjo frazë e futi në  mendime.

Ajo çka njeriu paskësh dashur të dijë më shumë në këtë jetë qenka sa e duan. Ta ndiejë që rrethohet me dashuri nga ata që ka pranë…bashkëshorti, fëmijët, familja, kolegët, bashkëpunëtorët, njerëzit me të cilët punon çdo ditë… Ndaj për të gjitha pyetjet, Vera Grabocka ka vetëm një përgjigje: Dashuria!

E ndjen çdo mëngjes kur i shoqi, aktori i njohur Timo Flloko, e pyet me të qeshur: “Sa më do?” dhe e gjen, pa kuptuar ndoshta që ka qenë duke e kërkuar, me dhjetëra herë gjatë ditës, në kontakt me njerëzit, natyrën, artin… Ka shumë dashuri pranë saj edhe pse, nga larg, dallohet vetëm sukses.

Nuk ka kaluar shumë kohë nga përfundimi i “Your Face Sounds Familiar”, por para fluturimit të përvitshëm përtej oqeanit, tek e bija Linda, ajo është ende në zyrë, në TV Klan, për të mbyllur edhe detajet më të fundit për “Dance With me” që nis në shtator. Pyetja e parë që i bëra kur e takova ishte si për forcë zakoni “A jeni lodhur?”. Por përgjigjja vetëm e zakontë që nuk ishte. “Në të vërtetë, propozoj që fjala lodhje të mos jetë në fjalor”… Nën tonet e humorit, mesazhi është i qartë: me energjinë e Verës nuk konkurrohet dot. Por as me pamjen.

8Elegante, e veshur me stil me një këmishë të kuqe që i nxjerr në pah dekoltenë sensuale me lëkurë të tonifikuar, më një buzëqeshje rinore që mbetet po ajo e ngrohta që jemi mësuar t’ia shohim në të paktat herë që pranon të shfaqet përpara kamerave, xhinset skinny që tregojnë siluetën e këmbëve të holla, këpucë stiletto që ia shtojnë më shumë hijeshinë pamjes së përgjithshme: Vera i ngjan vetëm Verës! Në dhjetë vjet, njerëzit që e njohin nga afër të thonë me bindje se ka pasur të njëjtin fizik, të pandryshuar në kohë, përveçse një kilogrami…vetëm një kilogram i shtuar në kaq vite. Ruan ende disa prej veshjeve që shfaqnin shijen dhe stilin e saj në fillimet e karrierës si regjisore, si xhaketat kadife, apo fustanet me rrip në mes dhe të gjitha i rrinë fiks si atëherë. E njëjta masë, të cilën mund ta zbulosh vjedhurazi  në etiketën e një këmishe që rri varur diku në zyrë. Për habinë e syve, që ke ca kohë që nuk i beson më kur je para Verës, është “0”.

Por mbi të gjitha, atë e gjen gjithmonë pozitive. Ndoshta, ndikojnë edhe ato minutat e meditimit me të cilat nis çdo ditë, e veçuar në një qoshe të gjelbëruar në shoqërinë e muzikës së Maharishit. Dhe këtë energji të mirë, nuk kursehet ta ndajë me stafin më pas. Njëherë e një kohë, Carlo Bollino, e pat pyetur se çfarë u bënte Grabocka njerëzve me të cilët bashkëpunonte që të mos shikonin kurrë orën dhe të punonin si një skuadër e vetme me aq shumë pasion. Energjia ishte sekreti, ajo energji e injektuar te bashkëpunëtorët që vinin si studentë të thjeshtë dhe transformoheshin në profesionistë të shkëlqyer në shumë pak kohë. Dhe për ta përforcuar është intuita për të zgjedhur të duhurit…

Me intuitë i zgjedh talentet, dhe më pas me një fill dashurie i bashkon, tek e  fundit Vera beson se drejton dhe bashkon shpirtra njerëzish,  jo objekte. “Regjisori duhet të dijë të organizojë shpirtërisht. Janë njerëzit ata që do lëvizin, jo muret”. Ky është organizimi i përsosur sipas Verës, e cila gjen te secili një talent dhe i nxit ta përsosin.

 

4Intuitë, energji, shije…kokteji Vera Grabocka

Ishte vetëm një vajzë e vogël shtatëvjeçare, atje në vendlindjen e saj, Korçë, kur  e vulosi të ardhmen e saj. Teatrin e qytetit e kishte fare pranë shtëpisë dhe si fëmijë kureshtar gjente një mënyrë të hynte tinëz e t’i shihte shfaqjet qysh në prova.

Një ditë mësoi se një burrë i ri me flokë të gjata, i cili sapo kishte ardhur nga Rusia, i diplomuar për Regji, do të vinte në skenë dramën “Pamje nga Ura” të dramaturgut amerikan Arthur Miller.

E magjepsur nga ky burrë, që quhej Pirro Mani  ajo e ndiqte në çdo lëvizje… Edhe kur ai ngjitej në skenë si  Eddie Carbone, rol që më vonë, shumë vite pas martesës me Verën, do e luante Timo Flloko, por edhe kur Pirroja zbriste dhe ulej në një poltronë duke udhëzuar e sugjeruar aktorët në skenë.

U bë histori ndër korçarë, sesi Vera e vogël tregonte me bindje që do të bëhej regjisore. “Dua të bëhem si ai burri me  flokë të gjatë! Por jo si ai lart në skenë, por si ai që u flet njerëzve aty poshtë.”

Ishte studente, vetëm 20 vjeç, kur u fut për herë të parë në një dhomë regjie, një det i thellë i mbushur me kamera, kujton Vera. Edhe pse pak e dinë, ajo ka transmetuar për të gjithë shqiptarët  atë që më pas do të quhej revolucioni shqiptar i muzikës, “Festivalin e 11-të”, që solli shumë jetë të shkatërruara burgjeve, vetëm e vetëm sepse tri netët, nga 22 e deri më  25 dhjetor, kishin prurë në ekranet e shqiptarëve  të ashtuquajturat “shfaqje të huaja”.

Pasi kaloi ai uragan pushimesh nga puna, arrestimesh e internimesh,  edhe ajo e ndjeu rrezikun se herët a vonë togat famëkeqe do të trokisnin për t’i lajmëruar arrestimin. “Ishte projekt shumë tronditës. Pasi të gjithë të mëdhenjtë, me në krye drejtorin e asokohe të RTSh-së Todi Lubonjën, përfunduan burgjeve; pata vërtetë frikë se do të kisha të njëjtin fat”- kujton ajo, ndërsa sjell ndërmend sesi  kolegu i saj i vjetër, Lulëzim Tufa, bëri një apologji të ndjerë përpara  300 punonjësve  të Radios dhe Televizionit Shqiptar, duke ngulmuar se dikush që jep shpirtin për një projekt dhe punon  24 orë pa u ndalur nuk e meriton të ndëshkohet…

“Mendoj se asokohe drejtuesit e RTSh-së  edhe pse isha shumë e re më zgjodhën  për dy arsye…

E para sepse nga pikëpamja biografike isha e mbrojtur dhe e dyta si vajzë e re sillja një frymë të re” –vijon  ajo, duke shtuar se nëse do të kishte pasur fatin e shumë njerëzve që u dënuan asokohe mund t’i shembej  gjithçka, ëndrrat, jeta, karriera. Për fat qe e shkruar ndryshe në yje…

 

Që pas Festivalit të 11–të, ajo nuk u nda më kurrë prej televizionit. Vazhdoi të ishte ajo që frymën e re e shpërfaqte në mënyrën inovative të të bërit televizion, të të punuarit me një dinamikë të pakrahasueshme dhe shijen dhe stilin unik…U kujdes për gardërobën e televizionit, futjen e elementëve të orkestrës simfonike të radios apo atë të festivaleve. “Isha gjithnjë e prirur drejt së resë dhe modernes e nëse kishte një gjë që më  rrezikonte ishte ekstravaganca e shijes. Kam pasur gjithmonë dobësi për njerëzit  e bukur dhe të aftë. Ata që regjimi në mënyrë absurde i dënonte, luftova edhe për ta” !

Mund të quhet pa frikë  pioniere e modës shqiptare. Ishte viti 1993, kur u nis për të shpikur stilistët e parë shqiptarë në vend. Mblodhi piktorët e Akademisë se Arteve dhe i vuri në garën e parë të modës së fustaneve të çuditshme në sfilatat e “Rreth fatit për 12 javë”, por, veç kësaj, Vera ka qenë gjithmonë një njëri i veshur bukur. Kur e pyes se ç’mendon për modën, ajo e kapërcen për t’u ndalur te stili. “Moda është sot, ndërsa stili është përgjithmonë”!

 

 

1Patentat e Vera Gabockës

Në  atë botën e rrënuar ekonomikisht e shpirtërisht të izoluar të Shqipërisë, për 45 vite  me radhë, ndërsa  askush nuk e njihte e aq më pak ta përdorte termin “producent”, Vera Grabocka e kishte vënë në jetë duke krijuar të parat patenta televizive, spektaklet që do të mbanin vulën e saj, shpesh të veshura edhe me një lloj misticizmi me shifrën  12.

E para ishte “12 vallëzime pa një të shtunë” prezantuar nga Adi Krasta e Valbona Selimllari, në mjediset e së parës e me gjasë të vetmes disko shqiptare “Disco Club Albania”. Ishte ajo Bona, që sot ulet në jurinë e “Dance with me” dhe shihet në tavolinat miqësore të një klani të vogël, por të pandryshueshëm femëror, që Vera ka pranë vetes. Prova e rëndësishme e suksesit në jetë për njerëzit, sado lart të jetë emri i tyre në profesion, është pikërisht një grup i përhershëm miqsh ku të besosh dhe Vera e ka. Një prej këtyre njerëzve të afërt është pikërisht Valbona Selimllari. Projeksioni për Valbonën ishte që të mbetej figura mitike e bukurisë shqiptare…Jo vetëm sepse karakterizohej nga një bukuri dhe elegancë natyrale, por sepse kjo bukuri vishte një karakter të fortë që vetëm ata pranë saj arrijnë t’ia njohin. Dhe për këtë kombinim të rrallë të së bukurës me të mirën, Vera e do fort dhe e ka mbajtur gjithmonë pranë për vite të tëra, duke realizuar edhe shumë spektakle ku Bobi ka qenë asistent regjisore.

Por janë shumë emrat e artit, televizionit apo modës në Shqipëri që e kanë ndjerë prekjen e një njeriu me shqisa speciale si të Verës dhe pak ata që nuk kanë diçka për të kujtuar dhe mbajtur mend nga ajo çka mund të shkëmbehet me regjisoren…

 

Po të mbetemi ende në vitet  e para të dhjetëvjeçarit ’90, kujtojmë atë spektakël vallëzimi që Grabocka e krijoi duke ia nuhatur suksesin shumë më përpara se të krijoheshin patentat ndërkombëtare “Dancing With the Stars”, apo “Dance With Me”. “12 në Hollivud”, “Rreth Fatit për 12 javë”, sado e tepruar të tingëllojë, nuk është veçse e vërtetë: nuk u krijuan as nga Endemol, as nga BBC Worldwide. Ishin të gjitha “Made In Albania” dhe “Made in Vera”.

“Patentat e Verës, në kontekstin e një Shqipërie tjetër do të ishin shitur në panairet mediatike ndërkombëtare në kushedi sa shtete”, thotë me shaka e me të vërtetë njëherësh, Alketa Vejsiu, që ndan një zyrë në TV Klan dhe një histori 16- vjeçare bashkëpunimi me Grabockën, nisur me “12 ëndrrat e një nate vere” (më e gjata në historinë e televizioneve shqiptare).

6Nuk mund të lësh pa përmendur, që megjithë frymën ndërkombëtare e moderne, Vera ka një marrëdhënie të fortë me rrënjët e saj dhe ka dashur gjithmonë të bëjë diçka të mirë për Shqipërinë. Mblodhi artistët shqiptarë të shpërndarë  në të gjithë botën, nën siglën “Dua më shumë Shqipërinë”, solli 50 shtete në “Miss Europa” për t’i servirur një Shqipëri tjetër shqiptarëve dhe të huajve, në një produksion që do të mbetet përgjithmonë shembull i sfidimit të “së pamundurës”, solli 500 artistë ndërkombëtarë në “Folk Arena” ….Puna asokohe e humbiste numërimin e orëve. Ishin ditë e net të tëra të kaluara për punën dhe me punën edhe sepse teknologjia ndihmonte pak. Derisa Alketa Vejsiu, pati vizionin se duhej parë nga Perëndimi. Ishte koha e patentave ndërkombëtare të spektakleve të suksesshëm, që patjetër duhet t’i kishte edhe Shqipëria.

“Ashtu siç ishte, shtatzënë me fëmijën e dytë, mori rrugën drejt Kanës dhe konkurroi me disa televizione të tjera për të sjellë një patentë tek e cila besonte, X-Factor”. Ky i fundit u pasua nga disa prodhime të tjera në TV Klan, si Dance With me apo Your Face Sounds Familiar.

“Patentat  ma kanë lehtësuar jashtëzakonisht punën. Më parë vrisja mendjen se çfarë risie do të sillja. Sot, me globalizimin mediatik, Televizioni është një familje e madhe e përbotshme dhe ka disa avantazhe që mund të përthithen pa shumë sforco. Ka vende me produkte mediatike shumë më të zhvilluara sesa Shqipëria të cilave mund t’u referohemi, kështu që është bukur që i njëjti produkt të flasë gjuhën e vendit ku shkon, në shtete të ndryshme. Një gjë është e sigurt pastaj, nga ideja te realizimi është një oqean në mes, por përvoja dhe puna e pandalur na kanë ndihmuar që t’ia dalim.”-sepse, siç thotë shpesh Vera, suksesin nga dështimi një fill i hollë i ndan dhe vetëm puna e bën këtë diferencë. Edhe pse numëron shumë vite në televizion si regjisore, producente ekzekutive dhe producente artistike, rrëfen se çdo projekt të ri e nis me një lloj droje me përkushtimin dhe emocionin e fëmijëve kur hyjnë në klasë të parë.

Kujton kohën kur bënte producenten dhe i duhej të kujdesej edhe për anën financiare, duke i gjetur burimet e të ardhurave dhe sponsorët vetë, por tani “është lumturi të punosh në televizionin Klan, lehtësim i madh. Bën atë që dëshiron të bësh, por me kushte speciale. Jam e kënaqur që këtu në Klan jam vetëm producente artistike, e kjo falë infrastrukturës që ka krijuar Alba dhe Sandër  Frangaj” –thotë Vera, ndërsa bashkëpunëtorët mbeten po të njëjtët prej vitesh. Por është edhe një raport tjetër, më i veçanti nga të gjithë, ai që ka krijuar me publikun. Famën e karrierën ia dedikon pikërisht publikut, sidomos atyre që vinin bast se atë programin e ri që transmetohej në TVSh, vite më parë, e kishte bërë Grabocka, për t’u bindur, në fund, kur dilnin titrat se nuk ishin gabuar.

“E kam marrë kënaqësinë time në televizion qysh kur isha 20 vjeç. Kënaqësia që marr nga ai shkëmbim sa virtual edhe i prekshëm me  publikun, më bëri  Vera Grabockën që jam. Ia kushtoj publikut çdo arritje…Çdo njeriu të thjeshtë që ka admiruar për së largu punën time. Por kam pasur gjithmonë një ndjenjë vetëkontrolli të lartë për suksesin. Suksesi deh dhe, duke e njohur fluturimin e artistëve të rinj, por dhe atyre të afirmuar ndonjëherë, dua të them që asnjëherë nuk duhen shkëputur këmbët nga toka.” Vetë Vera nuk ka dashur kurrë ta humbë ekuilibrin dhe duket se e ka arritur.

 

3Dashuria, familja dhe spiritualja

 

Qenia e saj përshkohet nga spiritualiteti dhe shprehet te dashuria. Kjo, dëshiron Vera, të jetë gjurma e gjithçkaje që bën në jetë. Për të gjithçka është dashuri. Madje përgjigjja e të gjitha pyetjeve, e vetmja. Sepse, përtej famës, karrierës, jetës profesionale, ambicieve vetjake, mbi të gjitha, qëndron dashuria dhe njeriu shqetësohet vazhdimisht nga pyetja e heshtur se sa e duan të tjerët. “Kjo është pyetja që e trazon njeriun. Mund të ndodhë që nuk ua thua dot ndoshta, nuk i pyet dot drejtpërdrejtë, por dëshiron shumë ta kuptosh sesa të duan. Përgjigjja më e bukur që kam marrë ndonjëherë është ajo e djalit të vajzës, Jonathan-it 5-vjeçar kur më tha “Vera, I love you beyond infinity!” –tregon ajo një nga ato rastet e shumta, kur djemtë e së bijës, Jonathan dhe David, vihen para pyetjes së Verës dhe Timos, sesa shumë i duan. “Ata e kanë bërë shumë të bukur dhe interesante jetën tonë. Edhe pse jetojnë larg, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, unë dhe Timo u përkushtohemi shumë. Të dy më quajnë Vera dhe unë kënaqem që më thërrasin kështu”- zbulon ajo, ndërsa me të bijën Linda thotë se qysh prej moshës 12–vjeçare kanë themeluar një marrëdhënie prej shoqesh që vazhdon sot edhe kësaj dite.

“Nuk kemi qenë prindër klasikë, ishim dy artistë që u bëmë prindër. Gjyshja e Lindës, Mamica ka merita të veçanta në rritjen dhe edukimin e vajzës sonë. Nuk ka fund mirënjohja ime për atë grua të veçantë që u kujdes me aq shumë dashuri për vajzën. Gjatë gjithë jetës, ne kemi ndikuar te Linda me modelin tonë. Them që Zoti na ka bekuar që i dha asaj më të mirat gjëra nga të dy ne, por dhe ajo vetë diti ç’të merrte. Jemi investuar me gjithçka mundëm që të arsimohej në një vend me sistem të mirë dhe Linda na nderoi. Bar Exam-i ka qenë një suspansë në familjen tonë, derisa Linda e finalizoi dhe mori provimin për të qenë tani një avokate e licencuar e shtetit të Kalifornisë. Jemi të qetë dhe të lumtur për të, edhe pse kilometrat na ndajnë, sepse djali ynë i munguar tani është bashkëshorti i saj, Illan Gorodezki, i cili i qëndron pranë, e frymëzon dhe e motivon çdo ditë, duke kompensuar mungesën tonë. Lutja jonë më e madhe, shkon për ta. Zoti t’i mbrojë për gjithçka kanë dhe janë.”

 

Flet me po aq krenari për talentin artistik të Lindës, sa ç’flet për arritjet e saj universitare. “Mënyra sesi ime bijë e koncepton jetën, më ndihmon. E ndjek në shumë gjëra. Linda ka një aftësi gjykuese natyrale, që i është sofistikuar edhe prej shkollës, me të cilën arrin të dalë fituese edhe para njerëzve me më shumë vite dhe përvojë, por mendoj se nëse s’do të kishte studiuar për Drejtësi, tani do të  kishte më siguri një markë të sajën në modë. Shija dhe mënyra si kombinon veshjet befason gjithmonë. Më duhet ta pranoj, nëse dikur mund ta kem ndikuar unë Lindën për disa zgjedhje në jetë, sot është shija e saj që më ndihmon në zgjedhjet dhe kombinimet e veshjeve. Dhe gjithashtu, frenat më të mira, për t’u ndalur pak në vrapimin tim për punën është një fjali që më qëndron si një alarm i aktivizuar në kokë e që ndizet në çaste të caktuara: “Take care of yourself Mom!”.”

 

Sa i përket martesës me aktorin Timo Flloko, mund të shkruhet një roman për dashurinë e tyre, që lindi po me një parandjenjë e intuitë të cilën Vera e ka shumë të zhvilluar. E dashuroi pa ia parë portretin. Në një listë prej dhjetë emrash, tingëllimi i emrit të tij i kumboi në zemër. Qysh asokohe janë të pandarë, duke përshkuar bashkë një udhë të gjatë, një rrugëtim jete që sipas Verës ka qenë i jashtëzakonshëm. “Është e vërtetë që jam ambicioze dhe e kam thënë qysh kur isha 7 vjeç që do bëhesha ajo që jam sot, por takimi me Timon i dha drejtim të vërtetë jetës sime. Partneri i duhur të bën jetën, raportin, suksesin. Kur të dy gjejnë njeri-tjetrin është perfeksion pastaj. Edhe në gjumë ia ndiej frymën  nëse ka diçka që nuk shkon me Timon dhe bëj gjithçka që ai të ndihet mirë. Jeta është shumë e shkurtër për të mos u ndier mirë. Mendoj që kjo është zgjedhja që duhet të bëjmë për të mos shpërdoruar kohën e vyer që na është dhënë për të jetuar. Dashuria nuk ka kohë. Dashuria jeton me njeriun” – rrëfen ajo çiltërsisht.

E ka njohur  në periudhën e studimeve, e ka pasur pedagog, edhe pse Timo Flloko asokohe  ishte fare i ri,  21 vjeç. “Udhëtimin e kemi bërë së bashku, por mund të them që isha unë që përfitova nga pjekuria e Timos.  Një pjesë të madhe  të asaj çka jam sot, në mënyrë absolute ia dedikoj Timos. Jo vetëm për lidhjen tonë, por për komunikimin. Ne i kemi lindur dhe rritur gjërat së bashku, në jetë dhë në punë, duke  e  jetuar jetën, dashurinë dhe punën  si një ceremoni”.

Jo vetëm Timo e ka ndihmuar dhe ndjekur në hapat e karrierës së saj, por edhe Vera nuk e ka lënë kurrë vetëm në punën e tij, në as edhe një natë të kalendarit të shfaqjeve  në teatër apo sheshxhirim.

“Nëse Timoja ka 30 shfaqje, unë jam aty të gjitha netët. Sepse interpretimi në skenë është gjithmonë unik, i ndryshëm. Asnjë natë nuk i ngjan tjetrës. Por edhe ai nuk lë episod  të spektakleve të mia pa ndjekur”.

Ashtu e ndjekin njëri-tjetrin edhe në gjërat e vogla… Një telefonatë që e shkëput nga puna  për të ngrënë një drekë së bashku, një ecje mëngjesi në pyll, një udhëtim pranë natyrës…madje ndajnë edhe të njëjtën shije. “Jemi në një valë mendimi. Kemi shumë të përbashkëta. Ashtu siç edhe jemi të kundërt. Unë jam energji dhe zjarr, ndërsa Timoja më i tërhequr, më i shtruar”.

Dhe meqë jemi te pasionet dhe dashuria e dy artistëve, ajo për teatrin që Verën e ka mbërthyer, qysh në moshën 7-vjeçare, vazhdon t’i mbetet e fortë edhe sot e kësaj dite.

“Për punën time  ka shumë ndjekës, miliona shikues. Ndërsa fatkeqësisht publiku elitar i teatrit apo operës është një rreth që sa vjen dhe ngushtohet. Teatri, në një kuptim, mbetet në syrin tim arti më i vështirë. Këngëtarin në Opera e ndihmon muzika, ndërsa aktori instrument ka vetëm veten.  Violinë apo piano… është ai vetë dhe duhet të vërë çdo qelizë në funksion të arritjes së një muzike që njerëzit kanë interes ta dëgjojnë. Në Amerikë  më pëlqejnë shumë teatrot e vogla ku  të shijon interpretimi i aktorëve të mëdhenj, që ti i sheh të derdhin shpirtin mbi skenë”.

Thotë se Timo po punon mbi diçka të re, një pjesë për teatër. “Të dy e pëlqejmë atë mbi të cilën po punon. Është një pjesë elitare, me një filozofi interesante. Por nuk dua të flas më shumë, sepse nuk dua ta vjedh. Kur të vijë koha, Timo do të flasë vetë” –zbulon  Vera.

 

7Vera në epokën e Instagramit

E sheh aktive në rrjetet sociale. Pas faqes së Facebook-ut ka hapur edhe një profil në Instagram, ku poston shpesh fotografi  të saj brenda dhe jashtë televizionit, me look-un e saj të përditshëm dhe të freskët, të ngjan shpesh me blogger-et e famshme të modës.

“Për prezencën në median sociale më ka shtyrë Alketa. Dhe mendoj që ka pasur të drejtë. Alketa është një gjeni në mënyrën se si menaxhon teknologjinë si medium marketingu dhe komunikimi me vlerë. Siç ajo asimilon esenca nga përvoja ime në TV, unë marr nga mprehtësia e saj për të përvetësuar të renë”. Vera është një sfiduese e denjë e kohës dhe për këtë i ka dhënë të gjitha provat.

“Nuk më pëlqejnë ata njerëz që thonë: “Eh, në kohën tonë bëhej art, tani ka facebook dhe Instagram…”. Jo, koha është tani. Koha është ajo që je sot dhe duhet përqafuar”.

 

5Vera dhe dashuria për artet e bukura

Sigurisht që regjia është një  lloj arti, art  elitar madje!  “Regjia vjen nga fjala latine REX që do të thotë Mbret, ndaj më pëlqen të them që ka një kurorë profesionale çdokush që ka zgjedhur të jetë regjisor. Regjisori di të evidentojë dhe ndërlidhë të gjitha atributet artistike të një piktori, një stilisti, një kompozitori, aktori, shkrimtari, skulptori, këngëtari apo prezantuesi… Publiku është masiv, por arti mbetet elitar. Jam në kërkim të pandalshëm të kësaj cilësie në televizion dhe s’do të heq kurrë dorë, sado komerciale të jetë kërkesa e kohës së sotme. Artet elitare kanë më pak publik, televizioni është më masiv, më demokratik. Mund të bësh teatër të madh dhe në rastin më të mirë mund ta shohin 10 mijë njerëz, ndërsa një program për një natë arrin  1 milion njerëz”.

Por Vera është gjithashtu dashamirëse e pikturës dhe njohëse e mirë e saj, piktorët e preferuar shqiptarë janë Abdurrahim Buza, ndërsa nga ata bashkëkohorët, Bashkim Ahmeti.

Ndër shkrimtarët e preferuar, vend të padiskutueshëm zë Ismail Kadare, të cilin ajo nuk e radhit si më të mirin që kemi ndër trojet tona, por një nga më të mirët e të gjithë botës.

E dhënë pas arkitekturës, sidomos interierit ajo zbulon se ka arreduar shumë shtëpi, krejt nga e para, nga hiçi.

Dhe kur është kënaqur me të gjitha këto, ia lejon vetes një gotë verë të mirë, të cilën jo vetëm di ta shijojë, por edhe ta njohë tashmë si një eksperte, ndoshta duke ndier pandërgjegjshëm ngjashmërinë mes Verës dhe verës.

 

Pushimet me familjen, streha më e mirë e dashurisë!

Destinacioni i pushimeve ka mbetur i pandryshuar. Çdo vit në këtë periudhë, ajo preferon të relaksohet në Los Angeles ku jetojnë Linda, Illan, David dhe Jonathan. I duket se vetëm po kapërceu oqeanin, mund të arrijë vërtet të shkëputet nga puna, të pushojë dhe të shijojë projektin më të suksesshëm të jetës së saj, familjen. Nëse nuk do të ishte Kalifornia destinacioni,  me të shtrenjtët e saj do të donte të shijonte gjatë Hawain për rërën, detin përrallor  dhe diellin  e nxehtë.

Ajo pëlqen shiun më shumë sesa diellin në të vërtetë, por dielli, për zjarrin, optimizmin dhe shkëlqimin është sigurisht shenja e pandarë, jo vetëm e pushimeve, por e çdo dite. Edhe atëherë kur do rikthehet për të nisur punën, e pandryshuar dhe me të njëjtën energji.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤