Të lirë në Spaç

View Gallery
19 Photos
Të lirë në Spaç
dhomatak

Të lirë në Spaç
dushet

Të lirë në Spaç
fjetoret

Të lirë në Spaç
fjetorja e rrenuar

Të lirë në Spaç
kuzhina-mensa

Të lirë në Spaç
Mensa

Të lirë në Spaç
Revolta

Të lirë në Spaç
takimet

Të lirë në Spaç
uneeee

Të lirë në Spaç
komand

Të lirë në Spaç
kuzhina e rrenuar

Të lirë në Spaç
miniera

Të lirë në Spaç
planimetria e burgut

Të lirë në Spaç
studentet

Të lirë në Spaç
dhoma e tkaimit

Të lirë në Spaç
dhoma

Të lirë në Spaç
dhomat e izolimit

Të lirë në Spaç
flamuri

Të lirë në Spaç
godina e punetoreve

Një vizitë nga afër e kampit-burg më famëkeq të regjimit diktatorial. Lugina e harruar mes malesh, godinat në gjysmë rrënoja të një monumenti kulture të kategorisë së dytë. Vuajtjet dhe tmerret çnjerëzore, rrëfyer nga një ish i dënuar… A mund të ishe i lirë në Spaç? E vetmja liri që ndjemë në një ditë fund maji të vitit 2017, ishte të shkelnim në hapat e atyre që lirinë  ua  vodhën  për vite. Për shumë të tillë, të gjatë e të ashpër…

 

Nga Suadela Balliu

Foto: Ani Jaupaj

 

Nga dritarja pa hekura e një prej qelave të katit të tretë edhe qielli të dukej i burgosur. I zënë fryme prej atij mali, që edhe pse i gjelbëruar në këtë fund maji, dukej kërcënues…po aq sa tre rrethimet e telave me gjemba qark luginës (A thua se ajo kurorë malesh të mos qe e mjaftë për ta bërë njeriun të ndjehej i izoluar!). Poshtë, në hapësirën disa metrash katrorë, me bar të rrallë e të shkelur, sheh një burrë flokëzbardhur duke biseduar me një grup studentësh të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë nga Universiteti i Tiranës, që kanë mbërritur aty për një vizitë, të  organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ( IDMC). Vizitës i jemi bashkuar edhe dy gazetare të medies së shkruar. Spaçi është nga ato rrugëtime ( jo thjesht destinacione) që duhen bërë të paktën njëherë në jetë. Për të kuptuar, ndjerë  e për të  shkruar më pas për një vend njëmendi të përjetuar, përpos përshkrimeve të të tjerëve.

…Telat e rrethimit  tash nuk janë më. Me shumë gjasë banorët e zonës i shitën për skrap ( biznes i tranzicionit). Por Gjeto Vocaj tek na bën udhë,  i vijëzon me gishtërinj, duke e kthyer këtë vizitë si në një rrugëtim imagjinar drejt së shkuarës, ose më saktë një vizitë në një prej rrathëve të ferrit, ndoshta më të tmerrshmit.

Burri i moshuar ka mbërritur në këtë fshat për të tretën herë.  Atëherë, kur e sollën fill ishte viti 1977. Si armik i shtetit komunist, sepse nuk kishte kallëzuar për kinse veprimtari armiqësore të një kolegu të tij. Kështu mësuesi i matematikës u bë një prej banuesve të atyre dhomave ku flinin 54 burra  dhe një prej të dy mijë të dënuarve të Burgut të Spaçit.

Ka kaluar 40 vjet prej asaj kohe dhe periudha e vuajtjes së dënimit aty qe e shkurtër (Pasi u kuptua se një prej oficerëve ishte djali i tij i hallës, u transferua në burgun e Ballshit) i njeh këto godina si një njeri që i ka përjetuar.  “Për një muaj e gjysmë mujta me pa jetën e ktij veni të tmerrshëm” – thotë ai, ndërsa mundohet të kujtojë me saktësi  funksionin e secilës ndërtesë.

Një proverb aziatik thotë se më mirë të shohësh diçka njëherë, sesa të dëgjosh rreth saj njëmijë herë. E njëjta vlen edhe për këtë ferr, disa qindra metra mbi nivelin e detit, mes maleve të Mirditës. Nëse nuk vë këmbë aty, kurrë nuk mund ta kuptosh vërtet se çfarë kanë vuajtur ata njerëz, mbi të cilët ushtrohej pa asnjë mëshirë një eksperiment njerëzor…një shfarosje e  ngadaltë. “Nuk ishim të dënuar, jo. Ishim skllevër” –shton  Vocaj, ndërsa rrëfen se rrathëve me tela e me kabina rojesh mundën t’u arratiseshin vetëm dy burra. Jo në kohën kur qe ai i dënuar, as vitin e saktë nuk e mban mend, por shokët e burgut asokohe ia patën treguar me aq hollësi sa ishte sikur t’i kish parë me sytë e tij. “Vetëm nji her’, me nji rast ka pas tentativë arratisjeje. Kanë arrit me ik dy burra. Njani ishte me fizik t’mirë e tjetri i smun me ulcera e shumë i dobt’. Sesi manovrojnë…përfundimisht kan’ ik  dhe kanë vazhdu’ nëpër pyjet…Shkojshin natën nëpër shpijat t’fshatarvet me hangër noisend…Pastaj marrin rrugën me u arratis prej Shqipnie. I dobti smuhet rrug’s me hemorragji n’stomak . I thotë shoku:  “M’len t’vdes ktu e ik ti, pshto!” Por ky tjetri i thotë, jo se ne kena ba nji betim.  E ka marrë burrin e dobt’ n’supe dhe e ka çu n’spital. Aty u kanë diktu’ dhe i kanë pru’prapë ktu”.

Shpesh rrëfimet e tij vishen me legjenda. Kaluar gojë më gojë narratorët i kanë shtuar gjithnjë e më shumë elementë gati të mbinatyrshëm historive, si për t’i dhënë zemër sho-shoqit se edhe të pamundurave mund t’u arratisesh. Disa prej ngjarjeve kanë ndodhur pasi ai u largua prej Spaçit, por jehona i  kish mbërritur, ose i pat lexuar në dëshmitë e para të tmerrit në ato fillim vitet  ’90.   Maks Velo, i cili hyri në qelitë e Spaçit më  1979 –ën e rrëfen me detaje dhe nota më realiste historinë e dy burrave, ku vërtet njëri pat qenë i fuqishëm, ndërsa tjetri i dobët e i sëmurë. U dorëzuan në pikë kufitare në përpjekje për arratisje dhe përfunduan sërish aty  në Spaç. “Madje burri i dobët pati histori që e kalonte edhe imagjinatën e tregimtarit më pjellor. Me baba të pushkatuar, kur erdhën t’i thoshin shërbyesit e regjimit nënës së tij se ia patën  vrarë të shoqin, djali i vogël në kampin e Tepelenës i pat rënë në shqelm vrasësit, ndërsa ky i fundit iu betua se sapo të hynte në moshë madhore do  pësonte të njëjtin fat, si babai. Vite më vonë, persekutori u kthye nga regjimi në armik të popullit e ndërsa vuante dënimin në spitalin e burgut, pyet me habi se kush qe ai djalë që po e ndihte aq shumë në ato çaste të vështirë? Burri i ri i pat thënë  se ish ai djali që dikur i pati pushkatuar babanë”. Histori të tmerrshme që mund të merrnin kuptim vetëm nën atë regjim mizor  të diktaturës komuniste. Maks Velo në një bisedë të mbrame  e kujton dhe më të bëshmin prej dy burrave, i cili kryente dënimin me vitet e shtuara në burgun e Spaçit, ku iu arratis me sukses, por jo duke kapërcyer telat siç ia kanë rrëfyer Vocajt, por prej galerive të minierës aty pranë ku të burgosurit kryenin punë të detyruar, ndërsa burri shtatshkurtër e shëndetlig i cili nuk u pendua kurrë përpara partisë dhe madje guxoi të thoshte se do të tentonte të arratisej sërish (pasi i kish bërë edhe do përpjekje të tjera arratisjeje në burgje të tjera) u pushkatua.

Askush më, nuk provoi guximin e arratisjes prej atyre telave. Veç një djali të ri, që qëllimshëm iu ngjit për të vdekur. Pas vdekjes së prindërve, hidhërimi i thellë e çoi të mos e donte jetën. E dinte se rojat po ta shihnin të varur aty, do e qëllonin me armë. Ashtu ndodhi. E goditën në këmbë, por nuk vdiq. E lanë me gjakderdhje për orë të tëra mbi tela derisa dha frymën e fundit… Maks Velo e kujton fare mirë atë ngjarje, sepse ndodhi në periudhën kur ai kryente dënimin. Thuhej se oficerët  e përdorën si informator brenda burgut, kështu thuhej, por të vërtetën  ai e mori me vete. Pas takimit  15 minutëshe me nënën e motrën, iku i zemëruar. Kur roja e thirri për t’i dorëzuar torbën me ushqime që e ëma i pat sjellë ai refuzoi dhe pa e zgjatur shumë iu hodh telave. Pasi vdiq i vrarë nga armët e rojave e lanë aty derisa ekipi hetimor mbërriti me automjet nga Rrësheni.  Varur në telin me gjemba mbeti njëra prej këpucëve të tij të rrëgjuara. Pasi Maks Velo bëri një skicë të kufomës mbi tela, që ia kërkuan ekipi hetimor, vite më vonë shkroi një tregim mbi këpucën në tela. Jo vetëm kujtim, por simbol i vuajtjeve të atyre që ikën, detyrë për t’i përjetësuar të atyre që i rezistuan të gjallë regjimit.

Këto ishin vetëm disa prej historive, që dëgjonin e rrëfenin burrat netëve kur mbylleshin në fjetore apo në atë shëtitoren disa metra, ku mund të merrnin pak ajër, teksa ditët në motin e ftohtë malor sikur i trefishonin orët, për ta bërë dënimin edhe më të gjatë. Kurse malet rreth e qark ta ndalonin të shihje ndonjë horizont tjetër, veç majave që ciknin qiellin dhe bënin një vend absurdi.

Ishte si të kërkoje Kurrkundin. Sidomos për ata familjarë që mbushin trastat ma pak ushqime ( që të paktën fryma të mos dilte prej urie ) e merrnin udhën drejt burgut të Spaçit.

Sot, me mjetet e transportit dhe infrastrukturën rrugore gjendesh për dy orë në stacionin famëkeq. Atëherë, kujton Gjeto, se të gjithë shoferëve të kamionëve që u binte rruga këtej, u ishte ndaluar kategorikisht të merrnin familjarë. Mbase më ngulmuesit ia dilnin të mbërrinin. Pasi kalonin dhomëzën e kontrollit, që gjendet para portës hyrëse të burgut,  u drejtoheshin dhomës së takimeve. ( Sot është aq e rrënuar sa është shndërruar në një zgavër të madhe tullash dhe  harta lagështie, në pjesët ku ende qëndron suvaja dhe boja mbi të). Takimet zgjasnin vetëm  15 minuta. Ti mund të kishe edhe vite pa u parë, por asnjë sekondë më shumë nuk lejohej. Oficerët e shërbimit kontrollonin trastat me ushqime. “Po t ‘kishe vo’ i thynin përtokë, se mos kishte ndonjë armë të msheftë mrenda” –kujton Vocaj. Ata që ishin më fatlumët ( familjarët e të cilëve mundeshin të mbërrinin në ‘Kurrkund’ me trasta ushqimesh që ishin ‘kursyer’ pa degdisur në kampe internimi) edhe pa vezët që thyheshin në dhomat e takimit, mund të hanin diç që e kishte ende shijen e ushqimit.

Ujë e kripë, baza e ushqimit të të dënuarve

Të tjerët do të zinin radhën para mensës , aty ku gaveta dhe luga e aluminit ( që të kthehej aq e pandashme sa edhe emri, prej trupit) vihej në radhë përpara një ulluku, ku kullonte ujët e shiut “E kishin vu’ për kastile aty që të mushej gaveta me ujë shiu dhe po të mos e zbrazshe shpejt e hidhnin garuzhdën me gjellë sipër ujit”. Por edhe ushqimi i mensës së burgut bazën e kishte ujë. Ujë, kripë dhe një grusht makarona, ishte mëngjesi i dy mijë të burgosurve. Atij që i binte një makaron në masën e madhe të lëngut të kripur, mund të quhej më i ngrënë. Dreka vijonte thuajse me të njëjtët asortimente, ku makaronat zëvendësoheshin me oriz. Ndërsa darka ishte çaj. Kjo ishte menyja e pandryshueshme. “Ishte nji ushqyerje për ta çu’ njeriun drejt vdekjes dhe nuk kanë vdek’ pak”, tregon Gjetoja.  Menyja me pak fjalë ndahej në tre nivele; më e varfra për të papunët,  diç në mes për ata që punonin në sipërfaqje dhe  pak më e pasur për të burgosurit që punonin në minierën e bakrit dhe piritit,  aty pranë. (Rrethimi, mjetet e rënda të transportit dhe lëvizjet të bëjnë të kuptosh se ende nxirret mineral nga ajo minierë, prej një kompanie private).

Të burgosurve u urdhërohej të kryenin normën brenda turnit, që ishte prej 12 vagonësh mineral. Ata që nuk mundeshin ta kryenin, merreshin, zhvisheshin, lidheshin pas një shtylle me këmbët zbathur në dëborë  për tetë orë rresht, ndërsa shihnin shokët që mundoheshin aq shumë fizikisht ta kryenin normën. “Nodhte që të dilte vagoni nga shinat, pastaj shokët lenin punën për me ndihmu’ ” –kujton Vocaj.

Rruga drejt minierës bëhej më këmbë, të lidhur dy nga dy, ndërsa kontrollet në trup prej oficerëve bëheshin dy herë; një herë në kamp e një herë në  hyrje të minierës. Pas tetë orëve , kthimi i gjente në mensë, aty në radhë për ushqimin , që veç vlera ushqimore nuk kishte.

Vendi i kujtesës, i  harruar

Pasi zbret disa shkallë, e ulesh në një tjetër nivel tarrace të hapësirës së kampit , në të majtë mund të shohësh mensën. Ose atë që dikur ka qenë e tillë. Sot është thuajse krejt e rrënuar. Në të djathtë,  tabela pranë një godine tjetër, lyer me bojë ngjyrë tulle, të thotë se ka shërbyer si qendër shumë funksionale –e  ndërtuar pas zhvendosjes së të burgosurve politikë në anën e galerive –qendër shëndetësore, librari, zyra të nënoficerëve dhe magazina ushqimore. Maks Velo kujton se i patën kërkuar të skiconte planin për atë godinë, bashkë me atë të oficerëve, që u projektuan prej tij dhe u ndërtuan nga vetë të dënuarit.

Hapësira në mes ishte sheshi  ku të burgosurit rreshtoheshin për të ngrënë sipas zonave të shënuara në mure. Tanimë të padallueshme. Toka bëhet më e pjerrët aty ku ngrihen fjetoret e të dënuarve. Ajo që ka mbetur prej tyre është vetëm struktura. Tulla, hekura, pllaka apo dyshemetë me çimento janë shkatërruar. Në disa prej dhomave  ku flinin 54 burra nga lagështia gjallon bimësi. Burgu i Spaçit renditet, aktualisht, si monument kombëtar i kategorisë së dytë.  I vetmi element që ta kujton këtë janë tabelat sqaruese. Gjithçka tjetër është lënë në (pa)mëshirë të kohës. Nga projekti i detajuar për restaurimin e godinave, kthimin në muze me  relikte nga jeta aty apo monitori me skena nga xhirimet kur ambienti funksiononte si burg, do kenë mbetur vetëm letrat. Asgjë konkrete nuk është bërë. Mbrojtja e  vetme është nga një banor i zonës, që siç pretendon ai prej tetë vitesh kur u zotua se do e mbronte, nuk do të shkulej asnjë shufër apo tullë. Ai thotë se nuk ka ndodhur.

Përballë tyre kanë mbetur thuajse themelet e kuzhinës ku të burgosurve me ushqime nga familja u lejohej të gatuanin, por në mënyrë ironike nuk u lejoheshin drutë. Por edhe nëse mblidhnin ndonjë shkarpë, nuk kishte mjete të mprehta për t’i prerë. Kështu të burgosurit bënin ndonjë ujdi të vogël me oficerët në këmbim të ca shkarpave. Një copë hekuri e ngulur thellë në tokë, që nuk është ndryshkur prej kohës, thuhet se u shërbente të dënuarve për t’i prerë drutë e për të gatuar vaktin që ua siguronte dritën e frymës edhe për pak kohë. Kënaqësia më e madhe është kur pihej kafe. Nuk kishte xhezve, por të burgosurit përdornin çdo mjet rrethanor. Një paketë cigaresh “Durrësi” mblidhej në formë hinke e aty ziente disi kafeja, që gjerbej ashtu.

Pak më tutje janë tualetet, ku ende dallohet vendi ku mbahej sapuni, ndërsa tualetet nuk dallohen më për shkak të bimësisë që ka zënë rrënojat. Kjo ishte edhe pjesë më e tmerrshme, kujton Vocaj. Pasi numri i vogël i banjave, i detyronte të mbanin radhë të gjata, të cilat duhet t’i lije pasi oficerët mund të të thërrisnin për paraqitje. Netëve, nëse donin të dilnin për nevojat personale, duhet të ishin të veshur me këmishë të bardhë, për t’u dalluar nga oficerët e shërbimit.

Aty pranë duhet të ketë qenë edhe dhoma e izolimit. Edhe pse godina nuk ekziston më, tabela shënon se aty mbylleshin për ndëshkim të dënuarit që nuk realizonin normën në  minierë  apo që kryenin shkelje të ndryshme disiplinore. Dhoma ishte  me përmasa  200x120cm. “Të linin pa rrobe në mes të të ftoftit në qeli, krejt vetëm. Kishte raste kur futeshin disa dhe të paktën kshu’ mund të ngrofeshin” –kujton  Vocaj duke sjellë ndërmend atë thëllim, ku temperaturat në dimër shkonin deri në minus 20 gradë celsius. Po aq i padurueshëm ishte edhe të nxehtët e verës.

Tarraca e apelit, ku të dënuarit rreshtoheshin për apel, që shpesh ishte cingëritës për nervat pasi zgjatej e zgjatej pafund ( me siguri pjesë e llogaritur e eksperimentit njerëzor), bëhej edhe e vetmja copëz lirie ku të dënuarit mund edhe të shkëmbenin biseda nga bota “tjetër”  herë pas here. Rrëfenjat, që shpesh merrnin edhe përmasat e miteve ishin ushqimi për të duruar, se do të vinte një ditë e do ta shihnin lirinë të valëvitej.

Revolta e Spaçit, 44 vjet më pas

Si ai flamuri i ngritur në mes të hapësirës prej gjashtë njësish të godinave të kampit-burg , i bërë me cohën e një jorgani  të kuq, i pikturuar me bojë të zezë një shqiponjë, pa yllin komunist. Ishte ky akt dhe rebelimi tri ditor i të burgosurve ajo që njihet sot si revolta e Spaçit.

Në maj u bënë plot 44 vjet nga ajo betejë në kërkim të lirisë dhe të të drejtave të njeriut,  ndodhur në vitin 1973. Revolta nisi me thirrjet  “Ja vdekje, ja liri!”.  Për disa orë revolta triumfoi, të burgosurit ia dolën të zotëronin kampin, përzunë policinë. Ndërsa  flamuri u ruajt nga Ndrec Coku dhe Shuajp Saiti. Për tri ditë ishin zotë të kampit. Nga tarraca e fjetores ata lëshonin thirrje antikomuniste, brohorisnin për demokracinë perëndimore.

Trupat speciale ushtarake u lëshuan mbi të burgosurit e dobët,  të pangrënë e të pagjumë për tri ditë, pa pikë mëshirë. Ndëshkimi ishte mizor. Shumë prej pjesëmarrësve iu shtuan vitet e dënimit dhe katër prej tyre Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja dhe  Hajro Pashai, u pushkatuan. “Bashkë me ata vranë edhe qenin e burgut. Ai i dojte shumë të burgosmit, kurse oficerave u sulej” –kujton Vocaj. Pasi e varën me tel, qeni mundi të lirohej, por edhe pse me çdo ligj ndërkombëtar-nëse të dënuarit me varje i lirohet litari dhe bie në tokë është i falur-por ata nuk patën mëshirë për qenin që aq shumë e donin të burgosurit, që hiqnin nga goja e tyre ushqim  për të.

Kjo kishte ndodhur katër vite përpara se Vocaj të burgosej aty, por jehona e atij akti ishte ende e fortë. Kujton sesi ndalohej në mënyrë kategorike mësimi i ndonjë gjuhe të huaj aty brenda apo orët aq të mërzitshme të  propagandës komuniste, por pa efekt  shpëlarjeje  truri te  “armiqtë e shtetit”. Si shenjë e ngadhënjimit të jetës ndaj makinerisë vrastare është një pemë, që Vocaj na e tregon duke ngritur sytë lart. Ka mbirë mbi tarracën me beton e zift të godinës shumëfunksionale të kampit dhe gjelbëron si simbol lirie ende…

Të mbijetuarit , ata që i rezistuan fizikisht terrorit prej  27 vitesh lënë dëshmitë e tyre me zë e shkrim mbi atë kohë absurdi dhe mizorie, por shumë nuk mundën ta shihnin qiellin pas atij mali që shihet nga dritarja e qelave të fjetoreve. Eshtrat e tyre paemër prehen diku thellë, pas kanionit, në fund të asaj hinke të natyrës që mendjet e mbrapshta të një regjimi pervers e përdorën për motivet më të  errëta. Varroseshin netëve, për të mos pasur dëshmitarë veç hënës. Vocaj ka dëgjuar që me trupat  e pajetë vendosej një shishe me një letër brenda, ku shkruhej emri dhe arsye e vdekjes. Por dy zotërinj, shoqërues të kësaj vizite, ndërhyjnë duke thënë se po të qe kështu, edhe drama e gjetjes së trupave të të dashurve nga familjarët do të qe zgjidhur…

Ndërsa e lë pas kampin, kalon portën hyrëse edhe dalëse që ndante zonën e të burgosurve me administratën, godinat e oficerëve (që sistemi djallëzor e po aq iluziv i kishte burgosur duke i lënë të lirë në rrethimin e kampit të Spaçit). Më tutje, aty ku është parkuar minibusi që do të na kthejë sërish  në kohën e sotme janë godinat fantazmagorike të punëtorëve të lirë në Spaç. A mund të ishe i lirë në Spaç? E vetmja liri që ndjemë në një ditë fund Maji të vitit 2017, ishte të shkelnim në hapat e atyre që liria iu vodh për vite. Për shumë të tillë, të gjatë e të ashpër…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤