Të çlirojmë të ardhmen nga e shkuara dhe të shkuarën nga e ardhmja

Gjithçka e trishtë është histori, është ngjarje. Ëndërroj një kujtesë pa ngjarje, ëndërroj harrimin. Dua të bie në ekuilibër si formë.

Dua të njoh gjithçka jo si ngjarje, jo si kusht, jo si mishërim i së drejtës apo gabimit. Për mua një kërshëri e tillë ka marrë fund.

Gjithçka ekziston si kënaqësi pavarësie formash. Të biesh në gjurmët e formave të tjera dhe të ndjesh si vjen në shprehje forma jote!

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Ideja e lirisë, ky iluzion shtazor, e cikloi jetën time në gjithfarë pengesash, ashtu siç i ciklon të gjitha llojet e jetëve, por tani e përjashtoj jetën time nga një ciklim i tillë dhe supozoj një mori jetësh të shpëtuara, madje të gjitha jetët e jetëve si mundësi reale.

Natyrisht, të rënët në luftëra, ata që dergjen në burgje dhe gjithë sa herë martirë zënë fill mes gjindjes njerëzore, një ndjenjë drithmuese, dukshme e qartë, më fërgëllon në deje, por kjo kalon, dhe e përhershme tek unë do të mbetet gjendja e një paqeje që s’di nga më ka filluar, që s’di ngë do të mbarojë ndonjëherë, që s’më shteron në shije dhe është ky i vetmi akord, e përsëris, i vetmi, që më jep tonalitetin e të qenit. Nuk mund të mos i shtoj si formë kujtese kësaj që përshkrova, agoninë e një vuajtjeje dikur të pafundme që lidhej ndoshta me atë iluzion që përshkrova. Por edhe vetë iluzioni do të lidhej me një mori iluzionesh të tjera, saqë tani vështirë se mund të përshkruaj atë ngatërresë agnostike që i sjell jetës së njeriut etjen e ethshme për t’u çliruar.

Kisha kaluar dërmesa, kisha kaptuar humnera mbi të cilat edhe heronjtë e përrallave do të humbisnin besimin, kur kthjelltësisht kuptova, se vetë ato: lodhjet, humnerat, gjithë agonia, s’ishin tjetër veçse pjellëza të lindjes sime, sepse unë kisha lindur prej të tjerësh, por ndërkaq po lindesha prej vetes.

Në momentin më të parë të prehjes, më lindi dëshira për të takuar ndonjë aristokrat. Atëherë dhe u kujtova se të tillë nuk gjendeshin më në vendin tim dhe se dëshira “për të çliruar” kishte zhdukur gjithçka nga tradita. Megjithatë dëshirat e mia shfaqen vetëm kur janë të mundshme. E takova një.

Sigurisht vitet e tij të burgut dhe aq më tepër vuajtjet e tij, tani unë nuk mund t’i kuptoja. Ai ishte për mua thjesht një e dhënë. Si për shembull moti, si do të jetë nesër moti. Gjithçka tjetër e tij ishte supozuar natyrshëm në gjithë qenien time, gjë për të cilën me sa kuptova, ai kishte nevojë, madje për moskuptimin e së cilës ndoshta e kishin dënuar.

Ndërkaq unë do të harroja aristokratin, ashtu siç i harroj të gjitha dëshirat e plotësuara, duke u hedhur me mish e me shpirt pas dëshirash të reja, të cilat vetëm sesa zgjerojnë e përmbushin harresën tonë, brenda së cilës e pavetëdijshme dhe e pamposhtur rishfaqet dëshira për jetën; kështu çmendurisht e çliruar, me një traditë minimale sa ç’mund të të dhurojë jeta e një njeriu, dhe në një vend të shfaruar nga çdo lloj tradite, duke ngarë veturën time njëlloj si dhe jetën time, pra duke i dhënë pa e ditur se si ecën, dhe aq frenetikisht duke iu dhënë të dyjave, rashë në lirinë e llahtarshme pa limit dhe si moral më shërbente vetëm kujtimi i kujtimit të vuajtjeve të mia të dikurshme, të cilat edhe ato i përbuzja tani – e vetmja traditë kjo që kisha trashëguar nga e gjithë Tradita.

Do të ndodhte pikërisht atëherë që gjithë egoizmi im i zvetënuar nga penetrimi pakahje i universit të binte në lumturinë e një deliriumi pikëllues ku gjithçka lëvizte për të bërë të vazhdueshme një barazi ekuivoke midis jetës dhe vdekjes.

Në këtë gjendje agonia ime ende s’do të kish mbaruar, por tani ajo ishte pothuajse e lakmueshme, një lloj droge të cilën e thithja nëpërmjet trurit në gjithë trupin tim. Pikërisht atëherë do të kryhej tek unë përmbysja madhështore e gjuhës. E nënvizoj si madhështore atë përmbysje ku të gjitha termat u zhveshën para meje dhe nocionet i lidhja, i vishja e makioja, iu bëja paradë mendore duke shtyrë në mënyrë ekzibixive kapicën e madhe të rekuizitave të vjetra e të stërpërdorura. Në të vërtetë unë po bëja atë që kisha ëndërruar prej vitesh. Unë kisha ndërprerë të menduarit njerëzor.

Të çlirojmë të ardhmen nga e shkuara, të çlirojmë të shkuarën nga e ardhmja?

Po, duhet t’i çlirojmë. Të dyja. Menjëherë. Sa më parë do të thoja. Ky qëllim ideal s’do të më ndalte përballë asnjë mjeti. Gjithçka do të përdorja, madje dhe jetën time, siç e përdor, siç e përdorin të gjithë, duke e ditur e duke mos e ditur, pikërisht për këtë, për çlirimin e kohës, të së shkuarës dhe të së ardhmes, për çlirimin e të dyjave nga të dyja, që të mbarojë dhimbja dhe të mbetet ndjeshmëria, që më në fund koha- ky kusht i tmerrshëm, të mos i dalë njeriut përballë, por ta përshkojë atë duke humbur rrjedhshëm, siç humbet gjithësia drejt harrimit. Në fëmini intuita lëviz me njësinë e orëve: të lindjes së diellit, mesditës, lojës dhe gjumit. Më pas, e stërvitur, ajo fillon të ndjejë kohën si prani dhe mungesë e njerëzve, posaçërisht e të më të dashurve, në veçanti të një të dashuri.

Kjo lojë ekzistence vazhdon deri kur njeriu ndalet te kuptimi, aty ku ka kujtuar se është ndalur gjithmonë. Në të vërtetë ai ka ndalur në të qenit e tij sipas një kohe biografike, konkrete, të detajuar, ku logjika ecën në mënyrë lineare e montuar nga fakte, drejt një kohe të copëzuar, drejt një kohe me të ardhme dhe të shkuar. Në këtë fazë njeriu vuan në mënyrë sfilitëse dhe jeta i ngjan një torture. Shpagimi bëhet motoja e lëvizjes, vetja të duket i martirizuar, ndërsa je bërë viktimë e vesit të tmerrshëm që është hakmarrja. Njeriu lind pasi hakmerret, po kjo ndodh pa pjesëmarrjen e tij, sepse të hakmerresh do të thotë të zbatosh instinktin. Në këtë rast, edhe pse fatkeq, ai është i drejtë, sepse i tillë është instinkti i mbijetesës. Mbarojnë zhurmat. Përhapet një qetësi e thellë dhe për herë të parë si prani etike shfaqet Zoti. Tani jeta jote është bërë e të tjerëve, dhe e të tjerëve e jotja – dhe si strukturë që vlen për të gjithë fillon kuptimi. Nëpërmjet kuptimit komunikon, dhe kjo vlen si masë e jetës. Ti ndjen se koha e copëzuar është rezultat i një komunikimi jo të mjaftueshëm, defekt i tij. Ti don ta penetrosh të gjithë kohën si të gjithë hapësirën. I mbushur nga kjo ndjenjë, në momentet e ngopjes të duket e gjithë bota derivati yt, je ti kushti i ekzistencës, krijuesi.

Në fillim kjo ndjenjë dehëse të dhuron një mori zbulesash që ti më pas fillon t’i përdorësh si elemente për të vendosur rend. Por edhe kjo është iluzive. E gjitha është iluzive. Nuk mund të dish se si lindin gjepura të tilla, ç’i shkakton ato, si për shembull kjo “të çlirosh të shkuarën nga e ardhjma, apo të ardhmen nga e shkuara”, ç’i shpik dhe çfarë i kthen këto në versione mendore për shumë njerëz, për një bashkësi që arrin ta perceptojë ekzistencën e kohës dhe, aq më tepër, si njësi e copëzuar. Gjithçka ndërtohet mbi bazën e harresës, që do të thotë edhe një herë se koha nuk ekziston, se ekziston si e tillë vetëm si aftësi e harresës për të zgjidhur momentin (sa ëndërroj një harresë të përbërë prej harrimesh kujtimebukura), dhe se njeriu pa harresë, njeriu që nuk di të harrohet është diçka e tmerrshme, diçka më e tmerrshme se bisha. Ndoshta prandaj jeta jonë është ende kaq e shformuar, kaq e pashfaqur, kaq e paardhur në shprehje, e mbushur me gjithfarë kujtesash, fiksimesh, me numra ditësh, me copëzime faktesh, me historira.

Gjithçka e trishtë është histori, është ngjarje. Ëndërroj një kujtesë pa ngjarje, ëndërroj harrimin. Dua të bie në ekuilibër si formë. Dua të njoh gjithçka jo si ngjarje, jo si kusht, jo si mishërim i së drejtës apo gabimit. Për mua një kërshëri e tillë ka marrë fund. Gjithçka ekziston si kënaqësi pavarësie formash. Të biesh në gjurmët e formave të tjera dhe të ndjesh si vjen në shprehje forma jote!

Këtu mbaron kushti. Këtu mbaron koha. Këtu dhe çlirimi humbet kuptim.

Ndoshta jeta jote këtu ka filluar…

Ishte vjeshta gjermane dhe trysnia e butë e librave që dominonin studjon, një nga dominimet më të këndshme, ndërsa dëgjoja Markun të arsyetonte mbi principin historik…

– Më duket se kuptimi i esencave vlen vetëm për qenie gnosologjike, e ndërpreva unë. – Gjithçka paraqitet si formë, menjëherë sa çlirohemi nga pamjaftueshmëria. Eshtë gjëndja jonë e irrituar që na bën të diskutojmë..

– Por nëse nuk i diskutojmë, ç’mund të bëjmë atëherë me format? – pyeti ai.

– I supozojmë me qenien tonë, i shijojmë.

Ai hodhi verë në gota dhe më zgjati njerën.

-Kjo është thjesht verë apo formë?- e pyeta.

Ai më pa i çuditur.

– Formë – tha pastaj. Eshtë formë.

Piva. Ishte një shije e mrekullueshme që nuk pengohej në lidhje me mua.

– Qenka vërtet formë- thashë edhe unë.

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤