Studentët e UET që përfituan nga Erasmus, Vilma Beqa: Diferencat nuk ishin as kombëtare apo rajonale, por individuale

Shumë studentë të Universitetit Europian të Tiranës kanë pasur mundësi që të ndjekin një semestër studimesh jashtë vendit nëpër universitete të famshme. Këtë ua mundëson projekti Erasmus+. Por si ndjehen studentët që kanë përfituar nga kjo përvojë?

Vilma Beqa: Diferencat nuk ishin as kombëtare apo rajonale, por individuale

Vilma Beqa, ish-Presidente e Qeverisë Studentore UET, ndan eksperiencën e saj të studimeve jashtë vendit. Vilma sapo është diplomuar në ciklin Bachelor, në programin e studimit Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës ku mesa duket, ia ka dalë të marrë maksimumin prej këtij mjedisi. Mesatarja e lartë, tipari i lidershipit, eksperienca e studimeve jashtë, si dhe puna si koordinatore e klubeve studentore janë tregues sesa mirë është gjendur ajo pranë universitetit. Tani për Vilmën fillon një eksperiencë e re, ajo e studimeve Master në Austri, në programin e masterit të përbashkët PoSIG, pjesë e të cilit është dhe Universiteti Europian i Tiranës. Ajo na tregoi më shumë rreth eksperiencës së Erasmus-it të realizuar në semestrin e fundit të ciklit Bachelor duke ndarë disa këshilla me bashkëmoshatarët e saj.

Pse zgjodhët të iknit jashtë kufinjve të Shqiperisë me Erasmus? Për çfarë ju shërbeu kjo eksperiencë?

Zgjodha të zhvendosem me një semestër Erasmus pasi kjo ka qenë një nga ambiciet e mia që para se të filloja studimet në UET. Faktorët “push” që mendoj se ndikojnë në këtë vendim tek studentët janë minimalisht dy, së pari universiteti ku ti zhvendosesh është më lart i rankuar se ai ku studion aktualisht dhe së dyti, vendi ku ti shkon është më tërheqës se ai ku jeton aktualisht (me tërheqës mund të nënkuptojmë shumëçka). Kurse faktori “pull”, i cili është përzgjedhje më individuale, konkretisht kishte të bënte me nevojën për të patur një eksperiencë të tillë para studimeve master, e cila mendoj që ka shërbyer si një provë gjenerale para një cikli të rëndësishëm e më të specializuar.

Në cilin shtet patët mundësinë të vazhdonit semestrin e fundit të ciklit Bachelor? Si quhej universiteti?

Semestri i fundit i Bachelor-it më gjeti në Budapest, Hungari dhe në universitetin më të mirë të këtij shteti, ELTE University.

Si funksionon, çfarë hapash ndiqen për të aplikuar dhe për të qenë në fund një fatlum i një eksperience të tillë? Patët mbështetje në paqartësi të ndryshme gjatë dokumentacionit nga stafi i UET?

Niveli burokrat që shoqëron procesin e aplikimit është thuajse i pandjeshëm. Fillimisht çdo student do të marrë në email lajmërimin për thirrjet që janë hapur. Deadline për çdo thirrje zgjat afërsisht një muaj, pra mëse i mjaftueshëm për të përgatitur dokumentacionin. Lista e dokumenteve është klasike, ku asnjëherë nuk mungon një letër rekomandimi, motivimi dhe një CV. Pra, asgjë e re për një student që ka kohë që e mendon por dhe, asgjë e vështirë për një student që sapo ka dëgjuar për këtë mundësi.

Çfarë do ju thonit bashkëmoshatarëve tuaj në lidhje me studimet Erasmus? Do ua këshillonit këtë gjë?

Mendoj që dëshira për një shkollim sa më të plotë shkon paralelisht me synimin për një eksperiencë Erasmus. Por edhe përtej saj, Erasmus do të thotë: (shkollë+udhëtim+jetësë+miq të rinj) falas (kjo e fundit nuk garantohet nga Komisioni Europian).

Stafi në ELTE University si ju mikëpriti? Çfarë lehtësirash ju mundësuan? Vështirësitë me gjuhën, me kolegët e rinj arritët t’i rikuperoni shpejt? 

Stafi ishte korrekt dhe të përgjegjshëm në detyrën e tyre. Personalisht m’u desh ta ribëja listën e lëndëve që doja të ndiqja, dhe koordinatorët e zyrës ndërkombëtare ishin tepër të gatshëm edhe në të papriturat që pata.

Çfarë diferencash ka midis nesh si studentë si nga ana e formimit profesional, kulturor dhe atyre në Budapest? Çfarë mendoni se na identifikon ne dhe studentët jashtë kufijve, sidomos ata me të cilët ndatë bankat e auditorëve?

Erasmusi në thelb të tij të jep mundësinë të shquash diferencat mes njeri-tjetrit dhe mbi to të ndërtosh tipare të reja që të bashkojnë. Nuk mund të flas për ne (shqiptarët) dhe të tjerët (francezët, belgët apo anglezët), pra diferencat nuk ishin as kombëtare apo rajonale, por individuale.

A mendoni që kjo mundësi që UET ju jep studentëve është e vyer dhe e shndërron UET-in në lider për të hapur dyert e mendjes për ne si individë që përballemi me një kulturë të panjohur, shoqëri me një formim tjetër nga të cilët marrim dhe japim për sa kohë jemi me ta?

Le të themi me zë të lartë atë që shumica e kanë në mendje. Sigurisht që Erasmusi në UET është një mundësi e vyer, dhe e kundërta do ishte gënjeshtër. Arsyet janë të thjeshta. UET është universiteti privat në Shqipëri me më shumë thirrje të ofruara për një semestër jashtë. Kjo përkthehet në: shumë mundësi dhe pak konkurrencë, e thënë thjesht: numri i studentëve që aplikojnë për një thirrje është më i ulët dhe shansi është më i lartë për ta fituar. Secili le t’i bëjë llogaritë vetë.

Bisedoi: Ada Kacmoli

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤