Studentët e UET që përfituan nga Erasmus, Antonela Bregu: Studentët shqiptarë ne pikëpamjen time janë shumë inteligjentë

Shumë studentë të Universitetit Europian të Tiranës kanë pasur mundësi që të ndjekin një semestër studimesh jashtë vendit nëpër universitete të famshme. Këtë ua mundëson projekti Erasmus+. Por si ndjehen studentët që kanë përfituar nga kjo përvojë?

Antonela Bregu është studente e degës Informatikë Ekonomike në profilin Financë-Bankë. Ajo gjithashtu ndau me ne disa këshilla dhe eksperiencën e paharruar të saj në Bari me studimet Erasmus.

Pse zgjodhët të iknit jashtë kufijve të Shqipërisë me Erasmus? Për çfarë ju shërbeu kjo eksperiencë?

Zhvillimi i një semestri në Erasmus ka qenë një dëshirë e imja e hershme, e cila u shndërua në objektiv me ardhjen time në UET.

Ka qene realisht eksperienca më e bukur prej së cilës kam përfituar shumë si në aspektin akademik ashtu edhe në aspektin social. Njohja e njerëzve të rinj, zgjerimi i kontakteve, mikeshat, udhëtimet, njohja e kulturave janë disa prej shumë gjërave unike që më ofroi ky Erasmus.

Në cilin shtet patët mundësinë të vazhdonit semestrin e fundit të ciklit Bachelor? Si quhej universiteti?

Pata kënaqësinë të studioja në një prej universiteteve më të mira të Italisë Jugore, Universiteti “Aldo Moro”. Bari shquhet për arkitekturën, kualitetin e mësimdhënies, historikun dhe rrjetin shumë të madh të studentëve.

Si funksionon, çfarë hapash ndiqen për të aplikuar dhe për të qenë në fund një fatlum i një eksperience të tillë? Patët mbështetje në paqartësi të ndryshme gjatë dokumentacionit nga stafi i UET?

Vendimi për të aplikuar në këtë thirrje ishte shumë spontan, madje mund ta konsideroj fat sepse ishte thirrje urgjente, ndërkohë që normalisht të tjerët i kishin përfunduar në nëntor. Procedurat ishin pak të nderlikuara duke qenë se ishte dhe hera e parë, por lodhja u shpërblye. Rëndësi në përzgjedhje kanë rezultatet e vitit të parë, të cilat dokumentohen me vërtetimin e notave dhe normalisht nje sërë dokumentesh të tjerë. Vendimtare është intervista në UET dhe më pas përzgjedhja nga ambasada, e cila të pajis me vizën përkatëse.

Gjatë qëndrimit në Itali patëm komunikim të vazhdueshëm me koordinatoren e zyrës të projekteve, e cila na orientonte lidhur me dokumentacionin për ekuivalentimin e lëndëve, afatet etj.

Çfarë do ju thonit bashkëmoshatarëve tuaj në lidhje me studimet Erasmus? Do jua këshillonit këtë gjë?

Jeta në Erasmus është një nga përvojat më interesante në jetë. Një ndërthurje perfekte e studimit, argëtimit, njohjeve, hulumtimeve të kulturave e zakoneve të huaja, psikologjisë së vendasve dhe një shkëmbim shumë efektiv i tipareve ndërkulturore. Do ju thoja bashkëmoshatarëve të mi: Mos e humbisni kurrë mundësinë e studimit në Erasmus sepse nuk do të pendoheni asnjëherë.

Stafi në universitetin “Aldo Moro” si ju mikëpriti? Çfarë lehtësirash ju mundësuan? Vështirësitë me gjuhën, me kolegët e rinj arritët t’i rikuperoni shpejt? 

Mikëpritja në Bari ka qenë një ndër gjërat që ma bëri më të thjeshtë akomodimin në ditët e para që normalisht jane ditë të vështira. Fatmirësisht në Universitet nuk patëm eksperienca negative falë edhe studentëve, të cilët ishin shumë social dhe të sjellshëm. Mësimin e zhvilluam në gjuhën angleze kështu që nuk patëm vështirësi të mëdha, për më tepër mësova dhe italishten nëpërmjet zhvillimit të kursit të gjuhës italiane.

Çfarë diferencash ka midis nesh si studentë si nga ana e formimit profesional, kulturor dhe atyre në Itali? Çfarë mendoni se na identifikon ne dhe studentët jashtë kufijve, sidomos ata me të cilët ndatë bankat e auditorëve?

Studentët shqiptarë ne pikëpamjen time janë shumë inteligjentë dhe eksperienca e ka treguar qe ja kanë dalë të shkëlqejnë në universitetet e huaja. Ajo që i dallon studentët që njoha në Bari është vullneti dhe puna e palodhur si dhe bashkëpunimi perfekt me njëri-tjetrin. Por pavarësisht diferencave në sistemet arsimore të të dy vendeve unë jam me parimin se studentët që kanë aspirata dhe objektiva të qarta nuk ndalen para asnjë pengese.

A mendoni që kjo mundësi që  UET ju jep studentëve është e vyer edhe e shndërron UET-in në lider për të hapur dyert e mendjes për ne si individë që përballemi me një kulturë të panjohur, shoqëri me një formim tjetër nga të cilët marrim dhe japim për sa kohë jemi me ta?

UET për mua është universiteti i arritjeve dhe i të ardhmes së sigurtë. E them këtë sepse së pari, ai është vendi ku hodha hapat e para drejt suksesit dhe së dyti sepse UET është për studentët një familje e madhe, një strehë ku gjejnë mbështetje, dashuri, miqësi të sinqerta përtej bankave e leksioneve, promovim dhe karrierë. UET është universiteti i mundësive, shanseve dhe premisave të mëdha.

Bisedoi: Ada Kacmoli

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤