Sonila Meço: ‘Kur guxova ta lë për disa kohë, gazetaria nuk më la’

View Gallery
6 Photos
Sonila Meço: ‘Kur guxova ta lë për disa kohë, gazetaria nuk më la’
Sonila Meco

Sonila Meço: ‘Kur guxova ta lë për disa kohë, gazetaria nuk më la’
Sonila Meço 3

Sonila Meço: ‘Kur guxova ta lë për disa kohë, gazetaria nuk më la’
sonila-meco (1)

Sonila Meço: ‘Kur guxova ta lë për disa kohë, gazetaria nuk më la’
Sonila Meço 2

Sonila Meço: ‘Kur guxova ta lë për disa kohë, gazetaria nuk më la’
Sonila Meco

Sonila Meço: ‘Kur guxova ta lë për disa kohë, gazetaria nuk më la’
Sonila Meço 4

Ajo ka qenë vazhdimisht pjesë e medias, edhe kur u shkëput nga ekrani televiziv. Por rikthimi i Sonila Meços tek Ora News ka shkaktuar bujë online. Në këtë intervistë interesante për Mapo, ajo rrëfen këndvështrimin e saj për profesionin e gazetarit dhe për programin e ri.

Pas një pauze të gjatë trevjeçare, ju i jeni rikthyer medias me një program tuajin javor në Ora News. Jeni shprehur se gjatë kësaj periudhe e keni vërejtur median së jashtmi, si publik… Çfarë mendoni se i mungon medias sot në vend? Ku po shkon gazetaria sot?

Pauza trevjeçare ka qenë një vendim i imi për të qëndruar larg televizionit, por jo medias. Sepse prezenca ime me artikuj në shtyp dhe në blogun tim SMART ka qenë kordoni i dhënie-marrjes së opinioneve gjithnjë si gazetare. Ndaj nuk e gjej dot atë vijën e prerë ndarëse mes të ndjerit publik i thjeshtë apo përjetimit e reagimit si gazetare e aktualitetit. Madje sot, media sociale e ka shndërruar mënyrën e dhënie-marrjes së informacionit, duke prodhuar publik të angazhuar, individë me sjellje raportuesi a opinionisti në “panelin” e gjerë të “studios” virtuale të rrjetit.

Dhe në Erën e Informacionit këtu nisin sfidat më të mëdha, në shpërpjesëtimin mes mundësisë së gjerë të informimit nga prezenca e shumë mediave në treg dhe rrezikut te keqinformimit. Pozicionimi i propagandës në këtë kaos, ku spekulimi, abuzimi e shantazhi përdoren si arsenal nga të dy krahët, politika e media, e bën edhe më të paorientuar publikun. Media shqiptare është gjysmë e lirë sipas raporteve ndërkombëtare, por më shumë se censura e vetëcensurimi i gazetarëve, në këtë liri të cunguar ndikon edhe modeli mbi të cilin funksionon media sot.

Si në atë hierarkike, ku pronarët shkëmbejnë rolet me drejtorët e informacionit, kryeredaktorët mbajnë lidhje të shkurtër me zyrat e propagandës, analisti e opinionisti i thotë vetes gazetar dhe gazetari bën punën e zëdhënësit politik. Por edhe në modelin ekonomik, ku mungesa e transparencës së financimeve, kriza financiare, nevoja e uljes së kostove dhe gjetja e udhës së mbijetesës nga paraja publike, lejet e ndërtimit, tenderat, duke krijuar distancë gjithnjë e më të madhe me publikun. Zemra e historive të trajtuara vijon të pulsojë me “gjak” politik e nga “vena” pushteti, ndaj edhe gazetaria, që kalon nëpër ato dyer e korridore zë më shumë vend se ajo investigative dhe e përkushtuar ndaj interesit publik. Gazetari ndihet i dobët, i pambrojtur, i përdorur, duke qenë gjithnjë e më të paktë ata/ato që këmbënguljen, guximin dhe dinjitetin nuk i kanë të mësuara, por të lindura.

A jeni penduar ndonjëherë për zgjedhjet tuaja profesionale dhe a ju është dashur të bëni kompromise në punë për shkak të profesionit që keni zgjedhur?

Pendesë jo. Se është si të ndëshkosh veten. Dhe vendimet janë marrë në një kontekst të dhënë, me një grup rrethanash që vështirë të përsëriten njësoj, në një gjendje të caktuar shpirtërore. Ndaj është e padobishme ta gjykoj e ndëshkoj veten sot për si reagova dikur. Kompromiset mandej kanë ndodhur, sepse në pozicionet mediatike, që kam mbuluar në kohë të ndryshme, jam ndjerë herë e dobët prej mungesës së një solidariteti mes kolegësh, herë e pambrojtur nga pronarët, që duke ndjekur linja editoriale në funksion të bizneseve dhe të ardhurave të tyre të krijojnë situata konfliktesh të mëdha morale, zgjedhjes mes devotshmërisë profesionale, pasionit dhe bukës së gojës.

Herë e censuruar prej kryeredaktorëve, herë e vetëcensuruar prej frikës, kur je ende duke ndërtuar një profil publik dhe shantazhi e sulmet personale bëhen të orkestruara për të ndikuar perceptimin publik mbi imazhin, që rrekesh mes sakrificash të krijosh. Herë e nëpërkëmbur nga xhelozia e “të besuarve” të pushtetit, herë e dalë nga një situatë personale e vështirë, ku aftësia për t’i rezistuar kompromisit shkartiset me dhimbje te vërteta fizike prej ankthit. Se jemi prej mishi e gjaku tek e mbramja. Dhe këto situata më kanë bërë të zgjedh të mundshmen e të arsyeshmen, në vend të asaj që kam dëshiruar e në fund kam mbetur me kusurin e kompromisit në dorë.

E keni cilësuar një moment të përshtatshëm rikthimin në media… Pse pikërisht tani dhe cilat janë reflektimet e Sonila Meços në këtë periudhë pauze?

Unë do të përgjigjem me një kundërpyetje: pse jo tani një rikthim? (Qesh) Thjesht dy arsye, që u harmonizuan bash mirë me njëra-tjetrën: një shtysë e brendshme që nisi të marrë trajta të qarta duke u përvijuar në sipërfaqe, ndihmuar nga disa faktorë të jashtëm, mes tyre një ofertë profesionale tërheqëse e stimuluese në televizion dhe perceptimi i disa hapësirave të një lirie relative profesionale në kohën dhe vendin e duhur. Pas vendimit për të bërë një pauzë me angazhimet televizive për të shfrytëzuar shëndetshëm një moment të hidhur profesional, qëndronin dy arsye madhore.

E para, nevoja për të dalë nga një situatë e paqartë mediatike për t’ju përkushtuar e kthjellët disa pasioneve të tjera profesionale e akademike, që mund të më rrisnin në raport me frenimin dhe konsumimin që të jep një prezencë e spikatur në publik. Sidomos në kohëra jo të mira për median e sulmuar si “kazan” nga pushteti dhe “e pabesueshme” nga publiku. E dyta, një nevojë e fortë shpirtërore për të qenë më e pranishme në jetën e vajzës sime dhe familjes. Një distancë, që më krijoi ekuilibra të rinj jete nga ku mund të shihja më qartë veten dhe raportin tim me pasionet e punën time.

Nuk besoj se Ora News ka qenë media e vetme që ju ka kërkuar për t’u bërë pjesë e saj. Pse zgjodhët pikërisht këtë media? Çfarë e dallon atë nga mediat e tjera?

Për një periudhë kohe kam qenë në diskutime mbi ofertat, duke çmuar logot dhe drejtuesit e tyre. Duke vlerësuar edhe pauzën, rëndësinë e peshën e saj në profilin tim publik, kureshtinë e vijueshme të publikut dhe domosdoshmërinë e pasjes së një lirie në përzgjedhjen e pozicionit, programit dhe mënyrës së rikthimit, OraNews më bindi me ofertën e Presidentit të saj Ylli Ndroqi.

Thuajse çdo natë, publiku “bombardohet” ose me telenovela ose me emisione që nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, me të njëjtat tema, të ftuar e politikanë… Pse publiku duhet t’ju ndjekë ju? Çfarë do të sjellë ndryshe Sonila në këtë shterpësi idesh?

Modeli mediatik shqiptar është paradoksalisht i lidhur, por edhe distant me audiencën. Nga njëra anë nevoja për klikime, shikime me çdo kusht, kriza financiare e një tregu reklamash gjithnjë në rënie, mbajtja nga lidhjet e shkurtra me politikën dhe nderet e qokat reciproke me pushtetin synojnë publikun si numër, por jo interesin publik. Kjo e bën më të prirur median drejt sensacionales, duke synuar emocionet dhe dramat mbi psikikën e publikut. Me numrin e tij në synimin për sa më shumë reklamë dhe të prirura për t’i bërë fresk pushtetit, mediat i japin më shumë rëndësi përplasjes, spekulimit, emocioneve negative, provokimit, zhvillimeve periferike, banalitetit, fyerjeve e denigrimit personal, shantazhit për interesa të pastër financiarë, trafikut të influencave.

Përmbajtja është e sakrifikuara e parë. Statuset e komunikimet nëpërmjet Facebook-ut e tweet-eve nuk mund të jenë historia e plotë, as programet ku kontrolli i fakteve dhe ndeshja e ideve i lënë vendin supozimeve, sensacioneve, retorikës së egër që apelon fort emocionalisht publikun, duke e bërë më pak racional e kritik mbi çfarë është vërtetë lajm, debat, ide, politikë. Kjo i bën gjithnjë e më të ngjashme programet televizive, zvogëlon gjithnjë e më shumë numrin e specialistëve në ekran, duke pagëzuar analistë e opinionistë edhe propagandues a njerëz pa formim.

Po të shtojmë në këtë “menu” edhe krizën e financimit në media, nevojën për programe gjithnjë e më pak të kushtueshme, publiku mbetet me zgjedhjet e detyruara të dramave e përdëllimeve në telenovela a neurozat e konsumuara drejtpërsëdrejti të liderëve e opinionistëve që bëjnë xhiron e studiove. Fushat me interes për publikun janë jopjellore për mbijetesën e medias me modelin e zgjedhur dhe ja ku jemi, në formate thuajse të njëjtë, njëkohshëm, ngado në media. Të zhbësh këtë filozofi e model është tejet e vështirë, por të provosh mund të sjellë përfitime në kohë për misionet e harruara të medias.

Programi, që do të realizoj është në fazën e ngjizjes, ndaj dhe ndoshta është shpejt për ta përshkruar në detaje. Kam guxuar disa herë me formula rishtare, herë nga aktualiteti e herë në zemër të historive njerëzore, ndaj përvoja do më ndihmojë të arrij një rrëfim më pranë njerëzve të aktualitetit. Në kohën e duhur do mund të them diçka më shumë e deri atëherë ju siguroj se do të jem prezente në OraNews.

A është e vështirë për të gjetur atë të “mesme të artë”, për t’u përkushtuar si në profesion ashtu edhe në jetën familjare dhe shoqërore?

Kur nuk arrin t’u kushtosh kohë cilësore aspekteve të ndryshme të jetës, çekuilibri bëhet arsye për mungesë qetësie, motivimi, prezencë ndjesish faji, të gjitha të zhysin në një situatë asfiksuese, që mund të të nxjerrin nga vetja deri në atë pikë sa mos e njohësh më. Për fat kam mësuar kur të them “jo” dhe ju siguroj është një fjali e plotë dhe e mjaftueshme në shumë raste. Sidomos kur duhet të kuptosh se nuk mund të jesh gjithçka për gjithkënd, por thjesht vetja, të jesh Ti.

Në çfarë kohe dhe për çfarë arsye Sonila Meço do t’i thoshte jo gazetarisë?

Kur guxova ta lë për disa kohë, nuk më la. Medias nuk është e vështirë t’i thuash “Jo” kur e katandis veten me ndërgjegje të plotë në zgjatim të pushtetit, ku skaleta e lajmeve vjen nga zyrat e propagandës qeveritare, në një merkato ku gazetarët duhet të bëjnë agjentin e marketingut apo shndërrohet në shantazhuese për tenderin e radhës të pronarit. Por të qëndrosh brenda medias tradicionale nuk të bën më gazetar, se të ushtruarit në liri të profesionit jashtë saj.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤