Si tallej ‘Broduei’ me Enverin

Nga Spartak Ngjela
Pjesë nga libri “Përulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”

Në të njëjtën kohë, Enver Hoxha kishte nisur punën për krijimin e perandorisë së tij, e cila padyshim që do të ishte marksiste–leniniste. Atij do t’i hante rreth dhjetë vjet kohë që ta stabilizonte plotësisht këtë “perandori”. Nuk kuptohet se cila shtysë psikologjike e ka nxitur drejt këtij vendimi. E tërë historia e ideologjive është histori skizmash, prandaj, deri këtu, gjithçka duket se ecën brenda një rrjedhe historike normale për llojin e vet. Dihet se, gjithmonë, në të gjitha skizmat ka patur interesa krerësh. Të shumtë kanë qenë ata krerë dogmatikë që kanë ushtruar tmerrin kundrejt shoqërisë në emër të ideologjisë apo të fesë që kanë drejtuar, edhe pse e kanë besuar më pak nga të gjithë atë fe apo atë ideologji.

Kjo është historia e trishtë e mendjes joracionale njerëzore dhe e pushteteve që janë mbështetur gjithmonë te pjesa fanatike e shoqërisë, domethënë, tek ajo pjesë që nuk ka ditur asgjë rreth vetes dhe botës. Enver Hoxha s’mund të ishte përfaqësues i ndonjë krahu real në lëvizjen komuniste botërore. Ai ishte një mendje e shkathët politike në lojën për pushtet, dhe, si themeluesi i një lëvizjeje ideologjike, për interesin e tij, ia arriti ta shkëpuste “kishën” e vet nga Moska. Pastaj, me ndihmën e të tremburve dhe të të nënshtruarve të tij, ai mendoi që ta mbante “kishën” vetëm për vete dhe ta trajtonte atë si një objekt të shenjtë e të pacenuar, sepse këtu e kishte burimin e pushtetit politik.

Lëvizja komuniste botërore u ngrit me shpresën e një revolucioni për barazi shoqërore, por praktikisht ajo përfundoi në atë përzierje të humanizmit me terrorin. Në këtë përzierje, ata që kishin qenë humanistë sui generis dhe që besuan realisht tek ajo doktrinë, ranë viktima të terrorit që ushtruan krerët e tyre, të cilët, në më të shumtën e herëve, nuk kishin lidhje as me humanizmin dhe as me doktrinën. Kështu që, edhe për këtë rast, Hoxha e nisi veprën e vet për krijimin e një “perandorie marksiste-leniniste”, duke përdorur gjithashtu tezën e një revolucioni proletar botëror.

Kjo ishte një alibi që Hoxha e krijoi për t’i dhënë vërtetësi lëvizjes së vet, si dhe për të krijuar “doktrinën” e shkëputjes nga kampi socialist.

***

Propaganda ishte e ethshme, por “mjerë ne ku na kishte rënë të jetonim”. Kjo ishte shprehja që përsërisja prore me vete, tek lexoja gjithçka që më binte në dorë për diktaturat dhe totalitarizmin, duke përfshire “Stalin” e Isak Dojçerit, disa monografi të Revolucionit Francez e sidomos të Edmund Burkes e të Thomas Karlajlit. Kjo e Karlajlit më kishte mahnitur, por edhe sistemi stalinian i marrjes dhe i mbajtjes së pushtetit, sipas Isak Dojçerit, po ashtu.

E ndieja se ishte krejt e njëjta gjë, paçka se në fund të fundit po jetoja në një kohë pas Revolucionit Francez, kur gjithkush mendonte se revolucioni ishte një proces në vazhdim, kurse normaliteti ishte reaksionar. Ishte një kohë e turbullt, kur askush nuk e mendonte dot qartë se çfarë do të sillte e ardhmja. Në fakt, gjysmës së botës, i mungonin burrat e shtetit dhe prandaj ajo drejtohej dhe sundohej nga “revolucionarët”. Çdo grusht shteti sillte një revolucion dhe secili kolonel, mëtonte drejt pushtetit me forcë. Në Shqipëri, ndërkaq, ishte krijuar befas një ideologji e re, pa formë, e bërë sipas vullnetit të një njeriu, i cili nuk kishte më asnjë lloj përgjegjësie dhe i duhej që të fillonte një betejë për të përmbysur gjithçka.

Hoxha e ndiente se në Kinë kishin ardhur ato forca që i duheshin dhe ai mund t’u merrte gjithçka, çdo gjë që i duhej për të konsoliduar pushtetin e vet ekonomik. Por, kishte edhe diçka tjetër: ai nuk e dinte çfarë ishte ekonomia, nuk dinte se çfarë ishte tregu dhe eficienca ekonomike, nuk e dinte se çfarë ishte prodhimi, prandaj mendoi se, me një “frymë revolucionare” dhe me autarki, do të përjetësohej. Marrëzia, në fakt, ushqehet e kalon në hapësira utopike nga mosnjohja e gjërave dhe kjo ishte natyra e pushtetit ‘revolucionar”, që po strukturohej në Shqipëri. Kalonin muajt dhe unë e ndieja që përballja ime me atë shtet do të ishte e pashmangshme.

S’kisha rrugë tjetër, sepse, ndonëse vetëm njëzet vjeç, unë nuk mund të përfundoja dot te kopetë e rinoqerontëve, të cilëve, që prej dhjetë muajsh, po u dëgjoja “trokun” teksa përshkonin me zhurmë rrugët e Tiranës e të gjithë Shqipërisë. Kurse Broduei ziente nga barsoletat dhe nga humori kundër Enver Hoxhës. Por edhe rinoqerontët e kishin shtuar së tepërmi luftën e tyre me anë të fletërrufeve. Ato i gjeje kudo, në çdo institucion, e sidomos në qendër të Tiranës e nëpër korpuset kryesore të Universitetit të Tiranës.

Universiteti i Tiranës atëherë kishte katër korpuse: njëri ishte në kodër në “Rrugën e Elbasanit” dhe ishte Fakulteti i Gjeologjisë; poshtë tij, po në të njëjtën rrugë ishte Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë; te sheshi “Nënë Tereza” ishin fakultetet e Inxhinierisë, Ekonomisë dhe Jurisprudencës dhe në fund të Bulevardit të madh, afër Stacionit të Trenit, ishte Fakulteti i Shkencave të Natyrës; kurse poshtë, nga Spitali Civil, ishte Fakulteti i Mjekësisë. Të gjithë zienin nga fletërrufetë dhe me një nxitje të ashpër kundër studentit tiranas.

Nuk na linin të qetë për asnjë çast. Befas nisën të sulmonin edhe femrat e emancipuara e të bukura, të cilat dukej se po dëshironin të nxirrnin jashtë të gjithë mllefin e pakonsumuar erotik që u ishte grumbulluar rinoqerontëve nga jeta që kishin bërë në provincat e largëta. Të parës ia varën fletërrufenë Vera Bekteshit. Nuk i lanë gjë pa i thënë; gati sa nuk i thoshin edhe femër e përdalë. E atakonin për veshjen dhe ekstravagancën e saj, por nuk i thoshin asnjë gjë për inteligjencën dhe nivelin e saj si studente e shkëlqyer.

Dhe ajo e ndjeu shumë. Ishte tepër e shqetësuar dhe, si shumë mike që e kisha, m’u rrëfye me një sarkazëm të hollë: “Janë një tufë injorantësh,-më tha,-dhe bën mirë ti që tallesh gjithë ditën e u thua rinoqerontë. Por ma kanë bërë edhe këto femrat që po duan të afrohen me komitetet e Partisë dhe që ti i njeh, që më urrejnë për jetën time të lirë e pa komplekse”. Më përmendi edhe ndonjë emër, por nuk ka rëndësi, sepse gjithçka në fakt ishte e drejtuar nga një dorë që vinte nga Sigurimi i Shtetit. “Lëre Vera,- i thashë,- se të gjithë këtë lëvizje nuk e drejtojnë ata, por Sigurimi”. Ajo ndenji pak dhe më pa në sy. E shihja që edhe ajo dyshonte, por e kuptova se nuk donte ta besonte, jo se nuk e dinte se ç’ishte Sigurimi i Shtetit, por e shihte shumë të rëndë për familjen e saj nëse vërtet atë e kishte sulmuar Sigurimi, domethënë Enver Hoxha.

Nuk donte ta pranonte, por në sy pashë dyshim. Ishte shumë inteligjente për të mos i pasur frikë rinoqerontët; kishte akumuluar një kulturë solide dhe ishte në vitin e katërt për Fizikë. Kishte espri, siç thonë francezët, por ishte e destinuar të dështonte. Nuk mund ta pranonte Sigurimi i Shtetit, por as edhe ajo shoqëri që ishte e ngritur e gjitha kundër çdo lloj elite intelektuale. Koha e tregoi se ishte e pamundur të bëje ndonjë gjë me Enver Hoxhën, por askush nuk kishte forcë që të ndryshonte rrjedhën e gjërave. Dhe Vera Bekteshi e ndiente dhe e kuptonte më mirë se unë këtë; ajo ishte femër, madje një femër me inteligjencë të lartë, dhe politika e intrigave të oborreve totalitare ka shpesh natyrë femërore.

Më vonë, pas dhjetë vjetësh, kur isha në Burgun e Ballshit dhe kur vetë Sigurimi erdhi e më pyeti për Vera Bekteshin dhe donin ta arrestonin për veprimtari politike kundër regjimit, m’u kujtua kjo bisedë dhe mendova rishtas se kisha pasur shumë të drejtë qysh atëherë, kur kisha krijuar bindjen se e gjithë ajo lëvizje prej rinoqerontësh drejtohej nga Sigurimi i Shtetit.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤