Shkëlqim Çela: 10 libra nga letërsia shqipe…. Zgjedh Kadarenë

Në listën prej 10 librash nga letërsia shqipe që duhet t’ua rekomandojë lexuesit të “MapoLetrare”, shkrimtari Shkëlqim Çela zgjedh gjashtë vepra të Ismail Kadaresë që nuk duhen humbur pa lexuar. Më pas, ai ndalet te Mjeda, Migjeni, Jakov Xoxa dhe Ervin Hatibi …

Ndre Mjeda – Poezi (botim i 1978)

Poezia e Mjedës është ndër më të bukurat e letrave shqipe. Poet dhe njeri i madh, ai është një urë e fuqishme lidhëse e kulturës së autorëve të vjetër me letërsinë e re shqiptare … një personalitet i shquar i letërsisë dhe kulturës shqiptare, që mbeti me shpirt të lirë deri në fund të jetës së tij.

Migjeni – Novelat e qytetit të Veriut, Vargjet e lira

Një ndër autorët e rëndësishëm të letërsisë shqipe. Në tregimet e skicat e tij të përmbledhura në Novelat e qytetit të Veriut, ashtu si edhe në poezitë e tij të mbledhura në Vargjet e lira, rrihet vazhdimisht ideja për jetën e vështirë materiale, për kushtet e njeriut dhe vuajtjet e shumta në suazat e të cilave njeriu zhvishet nga vlerat shpirtërore dhe morale. Por, për Migjenin nuk janë me rëndësi vetëm idetë dhe mendimi i tij, por edhe artikulimi sa më artistik i tyre, sepse vetëm ashtu ato mund të jetonin brenda veprës dhe vetë vepra në kornizat e mirëfillta të artit letrar.

Migjeni shihet qartë se është shkëputur nga poezia tradicionale dhe ajo shkëputje ishte e qëllimshme, e dukshme me plot kuptimin e fjalës. Kjo shihet qartë në ciklet e poezive të tij, si p.sh. siç është cikli Kangët e rinisë në përmbledhjen Vargjet e lira. Synimi i Migjenit për t’u shkëputur nga e kaluara, nga tradicionalja shprehet edhe në poemën Na të birtë e shekullit të ri: Na të birtë e shekullit të ri, / që plakun e lamë në “shejtnin” e tij….
Duke folur për thyerjen që bëri Migjeni në traditën e poezisë shqipe, kritiku Arshi Pipa mendon se Migjeni sjell një stil të ri duke i zëvendësuar temat dhe motivet e vjetruara me tema aktuale. Ndonëse Migjeni vendos shkëputjen e dukshme nga tradicionalja, lexuesi mund ta ndiejë lidhjen e pashmangshme dhe referencat në poezinë e traditës

Jakov Xoxa – Lumi i vdekur

Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit XX. Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues – realist: fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime. Shëmbëllyeshëm me romanet e shquara realiste, Jakov Xoxa do ta vendosë dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti, të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike.

Parashenja më karakteristike e prozës së Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare: nga njëra anë është e pranishme fryma e urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv; nga ana tjetër, kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi.

Ismail Kadare – Kronikë në gur

Kronikë në gur afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij. Që nga kjo fëmijëri e kanë zanafillën elementet që përbëjnë “universin Kadare”. Ai fiton sensin e tij të mprehtë të fantastikes, apo të “realizmit magjik”.

Pjerrësia marramendëse e rrugëve, prania kudo e gurit, banesat e çuditshme, të mëdha e të fortifikuara, kështjella burg që zotëron mbi disa lagje, pamja spektakolare mbi fushën e Drinos dhe malet, e gjitha kjo do të formojë e stërhollojë pak nga pak vështrimin e shkrimtarit të ardhshëm. Gjirokastra të fton në magji dhe, siç shkruan Kadare, “duket sikur qyteti është ngritur për të zgjuar ide të mëdha”.

Ai e quan një fat të madh që e nisi jetën e tij në një mjedis të tillë: “Sa më shumë unë mësoja sekretet e artit të të shkruarit, aq më shumë bindesha që kisha pasur fat të rritesha në këtë qytet më se të veçantë, që kisha dëgjuar shpjegimet e para për botën nga goja e këtyre plakave të vjetra e të mençura, veshur me të zeza, që mbanin kupën e kafesë në njërën dorë dhe tejqyrën në tjetrën”.

Ismail Kadare – Ura me tri harqe

Në qendër të librit Ura me tri harqe gjendet një baladë dhe ishte më e urtë të përqendrohej vëmendja mbi ndërtimin e ngrehinës e shfaqjen e njëkohshme të legjendës. Për t’ia arritur këtij qëllimi, Ismail Kadareja zgjedh tonin e kronikës dhe vë në punë një rrëfimtar të veçantë, murgun Gjon.

Nën zhgunin e tij është fshehur një personazh i vërtetë, ekleziastiku Gjon Buzuku që, në vitin 1555, shkroi librin e parë në gjuhën shqipe, Mesharin. Ismail Kadare, murgun Gjon, që me këtë analogji bëhet simbol i “shqiptarisë”, e bën të jetojë dy shekuj para Buzukut. Jemi rreth vitit 1378. Perandoria Osmane i shtrëngon në mengenenë e vet principatat shqiptare.

Kadareja është frymëzuar nga procesverbalet e ndodhive ushtarake dhe të vrasjeve për t’i dhënë mbështetje historike tekstit të vet. Por atij i shërben si bazë veçanërisht legjenda e kështjellës së Rozafës, qerthulluar rreth idesë së flijimit të bërë me qëllim përfitimi. Që ura të qëndrojë më këmbë, del se është e domosdoshme që një njeri të murohet në këmbë të saj.

Në të vërtetë, një firmë, ajo e mjeshtërve të urës, e shfrytëzon besëtytninë e njerëzve dhe besimin e tyre te legjenda për t’ia arritur synimeve të saj në luftën kundër shemrës së vet, Lundra dhe trape, armike e egër e idesë së urës. Kadareja, me anë të shtjellimit të fabulës, e ka vënë theksin mbi një nga themelet e sistemit stalinian: ftesa për flijim.

Ismail Kadare – Dimri i vetmisë së madhe

Ky nuk është një roman politik i koniunkturave, që tregon se si u zunë binjakët politikë, shoku Enver me shokun Nikita, por një analizë psikologjike e gjendjes së shoqërisë gjatë periudhës totalitare. Mendoj se kështu duhet të perceptohet ky roman, i cili provon se fuqia e realizmit socialist është e pamjaftueshme përpara një talenti, siç është shkrimtari Ismail Kadare.

Ismail Kadare – Koncert në fund të dimrit

Romani Koncert në fund të dimrit është një satirë dhe përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë e tij. Kjo satirë dhe tallje fshihet nën idenë e goditjes së “socializmit” kinez dhe të “majtizmit” të tij. Deri këtu është disi e fshehtë.

Por ajo shfaqet haptazi pastaj në faqet e romanit, përmes ideve dhe frazave të dykuptimta, me të cilat është mbushur e gjithë vepra. Bashkë me ironinë përzihet edhe zymtia e gjendjes: shkarkime, arrestime, burgosje, kritika dhe autokritika. Në roman, nga faqja në faqe, ironia, tallja dhe përqeshja ndaj kritikave dhe demaskimeve që u bënte partia komplotistëve dhe devijatorëve të vet sa vjen e thellohet, aq sa kthehet kundër veprimeve tona.

Disa përshkrime e bëjnë socializmin si një zymtësi, ku njerëzit dridhen për fatin e tyre, për fatin e të afërmve dhe në përgjithësi për të ardhmen. Këtu është e qartë ideja e shkatërrimit të njeriut, e frikës, e etheve, e pasigurisë që krijon lufta e klasave në socializëm, sipas autorit.

Ismail Kadare – Emblema e dikurshme (tregime, novela)

Përmbledhja me tregime e novela nën titullin e përbashkët Emblema e dikurshme, numëronte shtatëmbëdhjetë shkrime. Njëri prej tyre, në trajtë reportazhi, që synonte të jepte “historinë a kronikën e një uzine”, e quante këtë një punë tepër të vështirë, po të krahasohej me kronikën e një lufte.

Nëntitulli i parë i reportazhit ishte Bërthamë për një libër. Madje, duke e shtrirë më tej, përfundonte te mendimi se: “Çdo shkrim duhet konsideruar si bërthama e një libri të ardhshëm, dhe çdo libër si bërthama e librave të tjerë”. Për t’iu përmbajtur këtij detyrimi, që për shkrimtarin do të thoshte premtim për krijimtarinë e tij, kur u botua për së dyti përmbledhja Emblema e dikurshme në vitin 1981 kishte gjashtë shkrime më pak.

Prej tyre tashmë kishte dalë një libër i ardhshëm, Ura me tri harqe, dhe ishte shtuar një novelë e re, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Titulli i kësaj novele, që më pas gjithashtu do të bëhej roman, kishte dalë që te Breznitë e Hankonatëve edhe turqisht si Tabir Saraj, edhe shqip si Pallati i Ëndrrave. Tani, pas pothuaj një çerekshekulli nga radha e parë, Breznitë e Hankonatëve po botohet edhe një herë tjetër, si libër më vete.

Ismail Kadare – Gjenerali i ushtrisë së vdekur

Gjenerali i ushtrisë së vdekur i Ismail Kadaresë është një “përmbledhje përrallore, njëkohësisht fëminore, e vjetër dhe e goditur, që shpalos një ngjarje, të cilën vetë libri me jodisiplinë të përsosur artistike e ka derdhur në toposin sugjestiv, fantastik, frikëndjellës dhe erotik të një romantike ferri.

Sepse në këtë roman që habitshëm sillet në vetvete, që fillon vazhdimisht rishtazi dhe që modifikon motivet vërtet është fjala për zhgroposjen, katalogizimin, kthimin në shtëpi të një armate pushtuese. Toka e Shqipërisë duhet t’i kthejë kufomat e armiqve të dikurshëm në mënyrë që ata të varrosen në vendlindjen e tyre matanë detit.

Ervin Hatibi – Gjashta maç

Një nga përmbledhjet poetike më të bukura pas viteve ‘90.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤