Mapo Letrare

Shenjat pa rrugë në trafikun global!






               Publikuar në : 10:59 - 11/12/18 |
mapo.al

“Ne jemi një shenjë që akoma nuk është lexuar. Ne nuk ndjejmë dhimbje, pothuajse e kemi humbur gjuhën, në dhera të huaj” – Holderlin


Nga Mimoza Ahmeti

Ky kërkim është tashmë një gjetje, që më duhet ta shpalos në formën e kërkimit, pasi bëhet fjalë për shenjat pa rrugë, të cilat dëshpërimisht po kërkojnë të ruajnë sinjalistikën e tyre për hir të mosndryshimit të një funksioni- disfunksioni.

Përpara se të shtjellojmë pohimin e mësipërm, do të doja të flisja diçka për gravitetin mental, i cili është i hershëm sa njerëzimi  dhe po aq i panjohur, pasi njohja kërkon distancim teknologjik prej mitit të mëndjes. Dhe tashmë ka ndodhur. Ju mund të studioni Egon shumë më mirë në shkencën e Informatikës, sesa në atë të psikologjisë…Por kjo është përtej këtij kërkimi.

Shenja është një rrugë tashmë e bërë,  e dalluar si një shenjë. Historiket, ato, janë tipike shenja rrugësh të bëra. Modernët mendojnë se edhe njeriu është një shenjë. Nga jashtë, po. Kjo mbetet, megjthatë, për t’u vërtetuar!

Ata që e dinë që njeriu është një shenjë, përpiqen të mos identifikohen me asnjë shenjë, dhe të manaxhojnë ata që identifikohen me shenja  dhe, ndoshta, pse jo, të nxjerrin edhe përfitime me këtë sipërmarrje taktike! Tek e fundit, edhe besimi i zakonshëm, dhe i jashtëzakonshëm, është deri diku identifikimi me një mënyrë hapësirimi, sipas disa shenjave të përcaktuara më parë!

Të qenit e shenjës një rrugë e mpiksur, nuk është premtim që referimi ndaj saj do të na japë një rrugë të rrjedhshme, domethënë, një rrugë. Në të vërtetë shenjat nuk japin rrugë, pasi ato janë markime(shenjime) të asaj që është ecur, dhe me to krijohet ideja se mund të ecësh duke ndalur mundimet e ecjes.

Por nuk është e thënë! Njeriu është i detyruar të mendojë, domethënë të eci. Komoditeti i hapësirës së siguruar prej shenjash (të shënuara), ka kohë që ka mbaruar. Në ditët tona je i detyruar të ecësh papushim, madje edhe kur rri në një vend, apo dhe në dhomën e gjumit, mëndja ecën, i duhet të. Dormancy(gjumë) brenda hapësirës së kuptimeve standard të shenjave, ky fenomen që mund të ndodhë prej konservimi ose prej frustrimi të qenies prej qenies, duket se po pakësohet me shtimin e politikës, që shënon, me këtë, edhe fundin e njeriut politik.

Por atëherë si ta kuptojmë një shenjë?

Pararendës modernë na mësojnë se shenja mer vlerë në kontekstin e kuptimit dhe se është konteksti i kuptimit që i ve shenjat në një vlerë të re. Pra, kuptimi dhe shenjat janë në asimetri dhe në zhvendosje të vazhdueshme asimetrike.  Kuptimi  është forcë, shenja është simbol. Përdorimi i simboleve për forcë është e kundërta e forcës së simboleve…E para është violencë, e dyta është dritë.

Një nga dramat e njeriut është identifikimi me shenjën ose ndërgjegjen puro! Ndërgjegja nacionale është një ndërgjegje puro, sepse është e pranuar pa vërtetim. Ndërgjegja puro e përdor shenjën sikur të ishte natyrë e vetes njerëzore dhe jo mjet i saj.

Shenja është marreveshje, shenja është një rrugë e mpiksur në një simbol që ndihmon rrugëtime të reja, duke edhe i penguar ato, pasi të gjitha shenjat përgjatë përdormit mbajnë, lëvizin, orjetojnë forcën në raporte tërësisht fizike me identifikim shenjësor, duke e krijuar rrugën që i krijoi. Midis langazhit shënjor dhe aksesit kuptimor, qenia balancohet, irritohet, reduktohet, rrebelohet, anullohet, qetësohet.

Njeriu do të duhej të shënonte në çdo çast të jetës së tij, por duke qënë dembel nga natyra dhe injorant prej pushtetit, kërkon të mbetet në shënjimet e shkuara, ose vrapon t’i fshehë ato, apo zhdukë, apo prapë t´i nxjerrë nga zhdukja, për nevoja të papritura të prapësisë së tij. Nga nevoja e rangut, sidomos!

Së fundmi po dalin në skenë shkrimtarë dhe patriotë të panumërt, që i paskëshim pasur dhe truajtur! Ata qënkan patriotët që i mohuam në kohën kur na duheshin dhe i mihim e vëmë në poltronën e logosit politik ende pa  ua shkundur pluhurin e harrimit tranzito-post-komunist, që u hodh mbi ta!

Njeriu vdes, ndërgjegja nuk vdes. Është në dorën e sistemeve nëse një ndërgjegje meret apo jo në përdorim, thotë Luhmann.Por këtu duhet shtuar se marrja apo refuzimi, mbulimi apo rimarrja, u bëkësh për diçka më të rëndësishme sesa ndërgjegja puro e një ndërgjegjeje, qoftë edhe kombëtare, e këtu duhen hapur pak sytë. Madje duhen hapur shumë!

Akoma nuk e dimë, nëse  shpirti këkon të ushqehet me shpirt për nobilitet apo dominim. E dyta është ushqimi i barbarëve!

***

Duke kaluar nga barbaria te qytetërimi, megjithëse duken kaq të ndryshëm si rrafshe, trupi dhe mendja, shtojnë ose pakësojnë energjinë e njeri- tjetrit në formën e qenies.

Kjo shtrirje fushe apo hapësirizim i qenies, në mes meridianëve truporë dhe binarëve kuptimorë, të cilët shndërrohen te njeri- tjetri duke zmadhuar ose reduktuar hapësirën energjitike, deri në dhënie jete në fushëbetejat e kuptimit, qëquhen luftë, kjo mbetet një fenomen  i vazhdueshëm aotopoiesi –vetëorganizimi.

Procesi i qenies procedon pa pushim dhe shfaqet gjithmonë në kohën Tani. Por kjo nuk do të thotë se jetojmë në të tashmen.

Ne mbahemi tek ajo që na mban, thotë Heideger.  Ndoshta njeriu kërkon aq shumë kur mundohet të mendojë, saqë bën shumë pak. Ajo që mbetet gjithmonë për t´u menduar është mendimi më nxitës (provokativ). Poetët janë ata që guxojnë të mendojnë papushim, por edhe ata përdorin shpesh  shenjat, domethënë, gjuhën. Frymëzimi, si gjuhë e shtuar, është hyjnore dhe nuk vjen papushim!

Natyra tragjike e fushës virtuale, apo mendimit,  gjithmonë ka rezultuar e tillë prej identifikimit të njeriut me shenjat. Njeriu gjithmonë i ka ngatërruar shenjat me rrugët, pa mundur të lerë shenjën e vet. Kështu Hamletit iu bë e padurueshme jeta, kur kuptoi se e ëma, ajo zonjë grua, kishte këkuar dashurinë në një rrugë pa shenja. Dhe kjo rrugë pa shënjim, që quhej tradhëti, u duk se i kriminoi të gjithë, jo vetëm brezin e vjetër por edhe më të riun. Por e vërteta e padukshme është se ata të gjithë kriminuan për hir të kodit të vjetër, domethënë shenjave.

Këtu ndalemi në idenë se nevoja për ta shënuar momentin e tashëm me emrin e vet, është jo vetëm e domosdoshme, por edhe shpëtuese.

Rrugët pa shenja njohin sanksione, ndërsa shenjat pa rrugë kërkojnë viktima. Në këtë dualizëm përpëlitet njeriu, për të mos qenë thjesht produkt!

Ajo që veçanërisht është interesante dhe që nuk ka ndodhur rrallë me një vend si yni, është implementimi dhe përdormimi i shenjës pa rrugë për përfitim të hapur të të tjerëve.

Le të supozojmë se komunizmi është një shenjë, sikurse edhe është. Si teori u themelua nga një shënues që e markojmë me emrin Marks. Në numrin masiv të njerëzve të funksionit, që quhej vendi ynë, Shqipëri, implementimi i kësaj shenje solli një gjendje sociale dhe shpirtërore aspak të këndëshme; së pari se kjo shenjë nuk ishte esenciale për kontekstin tonë, pra nuk buronte natyrshëm prej besimit, së dyti, në tërësinë e lidhjeve përtej kontekstit, ajo shenjë funksiononte si një kundërfunksion komplementar, që krijon kufirin e kordës midis hapësirave, pra linte të shënuarin, ne, jashtë zonës së privilegjuar, apo që ndryshe do ta quaja zona e zhvillimit të esencave prej besimit.

Ajo që për momentin po ndodh përsëri në hapësirën tonë shoqërore, në një formë tjetër, është rimarrja e shenjave historike, por përsëri për efekt të brigjeve të funksiont(global) duke na përdorur si kundërfunksion. Zhvilimi i signifikancës së këtyre shenjave historike tani, pra i esencave të vjetra që me dhunim i holloi komunizmi dhe për më shumë se çerek shekulli i zhvlerësoi tranzicioni, tregon për tensionin në brigjet e kordës së ndarjes së kufinjve, midis hapësirash që zhvillojnë esencat në mënyrë të privilegjuar apo natyrale në fushën e besimit të tyre dhe hapësiarash si e jona e cila e zhvillon besimin në mungesë besimi, me shenja gjithmonë jashtë hapsinore, jo esenciale.

Për këtë arsye do ta pëcaktoja identitetin tonë si rudimentar dhe të zhvilluar në mungesë identiteti. Jetesa- si- mbijetesa ka qenë dhe mbetet i vetmi reflektim masiv yni, ndërsa shpirti ka qenë gjithmonë një instrument përtej esencës së besimit, për të mbajtur gjallë jetën. Nga kjo pikëpamje ne shumë pak e kemi shijuar qenien tonë, sepse ajo pak ka qenë Qenie, dhe kemi qenë të detyruar të përjetojmë në inversin tonë, si qenie në mosqenie, me shenja që nuk transpirojnë esencat tona por i mbulojnë ato, duke na frustruar në limite.

Nuk është e rastit që në hapësirat shënuese të paqes globale vendosur edhe prej raketash bërthamore, ka filluar të shkëlqejë shpata e vjetër e Skënderbeut dhe nacionalizmi rilindas. Këto shenja po rimerren dhe inforcohen jo për të na kthyer privilegjin e përjetimit të besimit, por për të na fshehur rrugët, me një shenjë pa rrugë, historike, pasi proceset e historizmit tonë i kanë tejkaluar tashmë detyrat; Ne duam të marrim pjesë në funksionin global jo si kundërfunksion, por si vazhdimësi natyrale e tij, e zonës së privilegjuar nga besimi.

Natyrisht në hapësirën shënuese nuk ka shenja pozitive dhe negative në kuptimin natyral. Ato bëhen të tilla vetëm nëse funksionojnë apo nuk funksionojnë pozitivisht, nëse sigurojnë vazhdimësi logjike apo jo, nëse të fusin brenda zhvillimit apo të lenë jashtë, në margjin, nëse të integrojnë apo konfliktuojnë, nëse ke kapacitet intelektual t´i absorbosh, apo të lesh veten të të absorbojnë… Nga kjo pikëpamje, identifikimi me shenjat është shumë i padobishëm, pasi ato janë mjete për të ndarë rrugët dhe hapësirat. Është njësoj si një shofer, kur ecën, në vend që të vazhdojë rrugën, të godasë shenjën e trafikuk, sepse është i fiksuar me të.

François Julien, kinezolog bashkëkohor, nuk gjen në filozofinë kineze ndonjë princip si projeksion universal, pra ndonjë shenjë për të identifikuar gjithçka dhe gjithëkënd. Përkundrazi, ai na flet për një filozofi të manaxhimit të resurseve, për një organizim pa kufizinj drastikë politikë, për modelime që ju ngjajnë lëvizjeve të erës që lëvizin helikat dhe atyrë të burimeve që sjellin ujin.

Janë në dyshim të gjitha fondamentet e identifikimit të deritanishëm, në lëmin e shoqërisë dhe atij farefisnor(gjakut). Shoqëria tenton drejt një zone të bardhë që është organizimi i panjohur me një identifikim- natyrë –ekologji- jetë.

Proceset materiale dhe kuptimore ecin më shpejt sesa ato linguistike, aq saqë duket sikur një funksion shfaqet në gjuhë pasi ai e ka mbaruar krijimin e tij në kuptim, dhe vetëm përsërit vetveten për të tjerët aty, pra nyjëtohet në fjalë për tu bërë tautologji(përsëritje).

Mosidentifikimi me shenjat por përdorimi i tyre për efekte hapësirëzimi, është një çështje sa strategjike aq edhe sfiduese sot e subjektit. Drama e zhveshjes nga identifikimi është në të njejtën kohë edhe dilemma e së ardhmes emocionale, pra, jetës në shpirt!

Sa më shumë identifikime të pabesimta bëjmë në jetën tonë, për arsye të frustrimit ndaj tjetrit, aq më e varfër është jeta jonë shpirtërora dhe egzistenca bëhet mizerabile edhe në mes të luksit, dhe krimi paraqitet si i vetmi vend ku psiqika identifikon pakënaqësinë në formë lirie.

Dr. Mimoza Ahmeti (UMSH)


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas