Aktualitet

SHBA shpall ‘non grata’ Llallën, Washington Post: Rasti i parë publik në Shqipërinë post-komuniste






               Publikuar në : 10:13 - 16/02/18 |
mapo.al

Departamenti i Shtetit i ndaloi të mërkurën hyrjen në SHBA ish-Prokurorit të Përgjithshëm dhe familjes së tij. Vendimi pason përplasjet që Llalla ka patur me ambasadorin e SHBA në Tiranë. ‘Washington Post’ shkruan se “ky është rasti i parë publik në Shqipërinë post-komuniste”


Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Vendimi thekson se vetë Sekretari i Shtetit Rex Tillerson e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në afera madhore korrupsioni ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në SHBA. Shefi i diplomacisë amerikane ka miratuar ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes, Ardjana Llalla dhe fëmijëve.

Më 2 shkurt të 2017, një listë me prokurorë e gjyqtarë, mes të cilëve edhe ish-kreu i Prokurorisë, Adriatik Llalla, iu refuzua dhënia e vizës amerikane. Vendimi vinte para nisjes së vettingut dhe u komentua gjerësisht si një vetting amerikan për njerëzit e drejtësisë.

Gazeta e njohur amerikane ‘Washington Post’ shkruan se “ky është rasti i parë publik në Shqipërinë post-komuniste”.

Vendimi i Tillerson

Në njoftimin e bërë publik nga sekretari i shtetit Rex Tillerson, nënvizohet se ky vendim merret për shkak të përfshirjes së Z. Llalla në mënyrë ‘domethënëse’ në korrupsion ose shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut.

Ligji amerikan parashikon që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose t’i bëjë publike, siç ishte rasti kundër z. Llalla. Përveç Llallës, vendimi sanksionon hyrjen në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Në njoftimin e departamentit të Shtetit thuhet “Seksioni 7031(c) përdoret në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të vendeve të tjera janë përfshirë në korrupsion të thellë ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në raste të tilla, këta zyrtarë dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë u refuzohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ligji e kërkon që Sekretari i Përgjithshëm ta bëjë këtë njoftim publikisht ose privatisht për të prekurin nga vendimi dhe familjes së tij. Përveç zotit Llalla, Sekretari i Shtetit po vendos në “listën e zezë” edhe bashkëshorten e tij Ardjana Llalla, vajzën Eni Llalla, si dhe fëmijën tjetër të tij që nuk është qytetar i Shteteve të Bashkuara”.

Llalla, vettingu dhe reagimi i Lu

Adriatik Llalla shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm nga viti 2012 deri në dhjetor 2017, kur ai u zëvendësua nga Arta Marku.

Pas largimit nga posti Llalla i kërkoi Presidentit që ta heqë nga listat për emërimet si gjyqtar.

Llalla me anë të një letre e informoi Presidentin se hiqte dorë nga e drejta për t’u emëruar si gjyqtar Apeli.

Pas largimit nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm ligji i jepte të drejtën Llallës që të emërohej si gjyqtar në Gjykatat e Apelit.

Ish-kryeprokurori informoi edhe organet e vettingut se nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë dhe si i tillë nuk ka më arsyet që figura e tij të kalojë në vetting, të cilat nuk dhanë ndonjë përgjigje nëse kjo ishte e mundur. Por përgjigjen e munguar të tyre e plotësoi një reagim i ambasadorit amerikan me të cilin Llalla ka patur një histori të gjatë përplasjeje gjatë vitit të kaluar.

Donald Lu deklaroi se “Vendimi për t’u tërhequr është vendim individual, por largimi i ndonjë gjykatësi apo prokurori të korruptuar apo të paaftë është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Fati i mirë është se ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vite”, ka deklaruar Lu.

Ambasadori amerikan ka folur edhe në një linjë më të përgjithshme, duke përfshirë të gjithë zyrtarët e drejtësisë që janë larguar para se t’i nënshtrohen vettingut. “Vendimi për t’u tërhequr nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vettingu duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”, shtonte ambasadori i SHBA.

Historia e përplasjes Llalla-Lu

Që në fillim të vitit 2017, kur Reforma në Drejtësi nisi të hedhë hapat e parë, përplasjet Llalla-Lu morën një karakter publik.

Rrënjët e konfliktit ishin më të thella dhe Llalla e dinte se nuk kishte vend për të në drejtësinë e re që kërkonin amerikanët. Ai që hodhi gurin e parë publikisht që më 2 shkurt 2017 ishte Donald Lu: “Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi”.

Ambasadori e akuzoi Llallën edhe për konfiskimin e serverit të ILDKPI-së, aty ku ruhen deklarimet e pasurisë të zyrtarëve shtetërorë prej vitesh. Aludimi ishte se prokurorët donin t’i manipulonin deklaratat e pasurisë para se të niste Vettingu.

Por vetëm disa orë pasi Lu e shpalli “armik” të Reformës në Drejtësi, Prokurori i Përgjithshëm doli në studion e Opinion. Ai e akuzoi ambasadorin amerikan për shantazh, e quajti sorosian dhe i përmendi çështjen e Bankers Petrolium, për të cilën ambasadori kishte ndërhyrë personalisht në mbylljen e hetimeve.

Madje Llalla la të kuptonte se Donald Lu i kishte kërkuar edhe arrestimin e Sali Berishës. “Këto ambasadorë kanë përfituar nga fakti të imunitetit nga statusi të cilin ata kanë. Nëse këto ambasadorë nuk do të kishin imunitetin që kanë për shkak të statusit, ata sot do të ishin para përgjegjësisë. Në zyrën time ambasadorë të tillë kanë ardhur duke kërkuar të imponohen në mënyrë të tillë për arrestimin e zyrtarëve të lartë në vend”, deklaroi Llalla gjatë intervistës së tij.

Kjo goditje kaq e rëndë e Llallës do ta bënte atë përfundimisht armik me Donal Lu, i cili pas një heshtje të gjatë e dha goditjen e tij pikërisht atëherë kur pritej: në përfundim të mandatit 5-vjeçar të ish-kryeprokurorit.

Në kulmin e përplasjeve politike të mazhorancës dhe opozitës, më 7 dhjetor 2017, Lu ndërhyn përmes një reagimi të bërë zyrtarisht nga ambasada e SHBA në Tiranë në të cilin thuhej: “Kushtetuta dhe Ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë Ligjin”.

Ishte e qartë se mandatit të Llallës i kishte ardhur fundi. Më pak se dy javë më vonë, më 18 dhjetor 2017, Parlamenti, në një seancë të nxehtë përplasjesh politike, zgjodhi si Prokurore të Përgjithshme të përkohshme Arta Markun.

 

 



CLOSE
CLOSE
Pas