Sara Kapo; Wild and brave

View Gallery
7 Photos
Sara Kapo; Wild and brave
31

Sara Kapo; Wild and brave
1

Sara Kapo; Wild and brave
21

Sara Kapo; Wild and brave
4-1

Sara Kapo; Wild and brave
7

Sara Kapo; Wild and brave
8

Sara Kapo; Wild and brave
cover1

 

31

E egër. Transgresive. Antikonformiste. Rebele… Është nga ato vajza që nuk kalon pa u vënë re. As ku ia shkrep në kokë të qethë kokën tullë, as kur shfaqet në një videoklip, as kur shkruan një status në Facebook për të gjithë djemtë që nuk heqin dorë nga të paragjykuarit të vajzave. Por përtej  fotografive me kokë të rruar apo videoklipit “Beautiful” ku shfaqet në krah të Flori Mumajesit dhe Ledri Vulës, pak janë ata që e njohin vërtet Sarën. Një film dokumentar, një videoklip, një këngë e saj dhe një rol në një film artistik…Ky është vetëm fillimi për Sara Kapon, e cila në këtë intervistë zbulon të gjitha mendimet dhe pasionet e saj dhe dëshirën për të ndihmuar sa herë ka mundësi…si fëmijët e sëmurë me kancer. 

 

Suadela Balliu

Foto:Aldo Hako

 

Kishte më se një vit që doja ta kisha personazh në revistën Madame, të bijën e aktores Ema Andrea pasi hasa në disa fotografi të sajat  në rrjetet sociale,  ku shfaqej transgresive me një gërshet të gjatë dhe një pjesë të mirë të kokës të rruar, alla  mohikan…Por mendimi u largua me argumentet se nuk mjafton të jesh e bija e një artisteje, porse  personazh nga ata që tërheqin pas vetes admirues ( e në terma marketingu edhe shitje).

Hasa sërish  në fotografitë e saj në Facebook…kësaj here ajo  me kokën të rruar krejt e ndërsa mbi foto shkruante se flokët i kishte dhuruar për një shoqatë , e cila me shitjen e tyre ndihmon fëmijët që vuajnë nga kanceri. Gjest për t’u lëvduar, i bërë nga një vajzë që sapo kishte shkelur në të njëzetat e saj e deri atë ditë ( por edhe sot) asnjë personazh publik, nga bota e artit, kulturës, spektaklit apo edhe politikës nuk  e pat çuar nëpër mend, ndërkohë që kolegët e tyre nëpër botë u bashkohen kauzave të tilla e shpesh bëjnë të njëjtin gjest si vajza e cila komentohej si “e çmendura” “ajo që do të bjerë në sy” “rebelja” , “transgresivja” e shumë e shumë cilësime të tjera, si të qenë etiketa që i ngjiten një artikulli që është në shitje…

Pikërisht për të mos u parë si e tillë, jo vetëm ajo por e gjithë gjinia e saj, nuk do i vinte fre gjuhës duke vënë në pah zëshëm fenomenet paragjykuese, mizogjine, patriarkale e të prapambetura të një shoqërie si ajo shqiptare. E nuk bëhet  fjalë për mendësi rurale, por për të rinj(meshkuj) në mes të një metropoli europian (që mëton të hyjë  edhe në këtë bashkësi vendesh të kontinentit të vjetër e që stilin e jetesës e vanitetin e ka në të njëjtin nivel me ta) që kur mblidhen bashkë në shoqërinë e të njëjtit lloj tregohen të pamëshirshëm me gjininë tjetër , e cila nuk është kurrë në standardet që  kjo shoqëri u ka vënë ( stekë e lartë për t’u kapërcyer ) , ku ende bën bujë e habi të madhe numri i të dashurve, virgjëria e humbur e cila lidhet me një lidhje të shkurtër me ndershmërinë e moralin…I dëgjojmë përditë, disa prej nesh preferojnë të bëjnë sikur nuk i mbajtën vesh, të tjera i harrojnë  shpejt, të tjera mendojnë se kjo është normale, ka edhe nga ato që mendojnë se meritojnë të trajtohen të tillë sepse meshkujt, meshkujt në Shqipëri janë mbretërit, sunduesit, dijetarët që dinë mirë si duhet të sillet një vajzë e grua dhe janë ata që vendosin kufijtë për t’u quajtur një vajzë e mirë nga ato ‘për t’u marrë në shtëpi’.

Mes nesh ( grave e vajzave) ka nga ato si Sara që formulojnë dhe artikulojnë neverinë ndaj kësaj dhune verbale ( por jo vetëm) dhe kërkojnë të drejtën e tyre të respektohen ( jo si femra jo, si qenie. Si qenie njëlloj të krijuara nga i njëjti krijues qysh në gjenezë. Një qenie pa të cilën meshkujve që u ngjan vetja të përsosur dhe të epërm nuk do të bënin dot e nuk do e çonin dot përpara llojin njerëzor).

Aq u desh, një status i shkruar në Facebook, në profilin e 22 –vjeçareje të zakonshme me një jetë normale ( Sara nuk gëzon as statusin e një individi  “Very Important Person” e as nuk është shquar për ndonjë scoop a sensacion në media. E askush nuk shkroi qoftë edhe dy rreshta për veprimin e saj apo qoftë edhe për faktin se ekzistuaka një shoqatë e tillë e paska kauza që ia vlejnë të përqafohen ) që portalet online ta merrnin e ta bënin lajm, i cili u shpërnda rrufeshëm duke tërhequr pas vetes një turmë anonimësh virtualë, që si të ndërsyer hodhën breshëri ofendimesh ndaj autores së statusit.

E bija e Ema Andreas…nisnin titujt që vijonin me përmbajtjen e revoltës së një vajze që nuk do të donte  ( si shumë të tjera syresh) të komentohej si të qe një manekin nga djem e burra që

kanë një problem më të madh sesa liria e tepërt e disa vajzave ; jetojnë ende në kurriz të prindërve e nuk dalin dot nga zona e lagjes dhe e farave për të kërkuar një punë që do i pavarësonte ekonomikisht e ndoshta do i nxirrte edhe nga mentaliteti i mykur i një horizonti sa sheshpushimet mes pallateve apo kafenetë e lira nëpër lagje…  “Në radhë të  parë  nuk më dukej me vend të  bëhej  lajm një status me tre  paragrafë, nga një 22-vjeçare, e cila thjesht po përpiqej të  bënte humor me këtë fenomen, sado të  kishte shumë  të vërteta brenda” –rrëfen  Sara, ndërsa e ëma, aktorja Ema Andrea reagoi me një tjetër status në mbrojtje të mesazhit të së bijës.

Prej shembullit të mamasë dhe mënyrës sesi e ka rritur për të qenë njeri i lirë, Sara ka guximin që i mungon shpesh moshatareve të saj. Të ngrihen për të drejtat e tyre. Të bëjnë çka dëshirojnë, të mos kenë frikë nga gabimet, të jetojnë sa nuk është vonë.

“Të  shkruarit në  rrjete sociale, nuk është as gjysma e “betejës” që  unë, e shumë   femra të  tjera, luftojmë (e duhet të  fitojmë), sa herë dalim nga shtëpia”., thotë ajo. Edhe gjestet e vogla llogariten. Mos prisni të bëni të jashtëzakonshmen, thotë ajo.  “Vij nga një brez femrash të  pavarura e të  suksesshme, nga gjyshja ime mjeke, e larguar nga familja qysh  13 vjeç, e cila  më vone rriti  e vetme tre fëmijë, te tezja e palodhur, e vendosur për karrierë e deri te mamaja ime, e zonja e vetes, e plotësuar, e cila më  rriti të  jem e zonja e vetes. Ndaj, PO, jam feministe! Nuk e kuptoja që  isha e tillë , derisa përvetësova kuptimin e fjalës. Nuk mundem të  ndryshoj një mentalitet kaq të  vështirë siç është këtu, por besoj se ndryshimi vjen ngadalë dhe me këmbëngulje”.

Me ato çka shkruan,  thotë dhe mënyrën si jeton, ajo shpreson që të tjera do të marrin guxim për të reaguar. “Shpresoj t’u zgjojë  ndonjë nerv aty diku, thellë, të  fshehur pas fjalëve dhe stereotipave që  të  kuptojnë se rëndësia e kujtdo si qenie njerëzore, nuk varet nga organi gjenital. Është mësuar një koncept injorant nga njerëz injorantë  dhe duhet të  ndalojë,  tani”.

Ato që guxojnë t’i thonë këto quhen të egra, idhnake,  ekstremiste që nuk i duan burrat e as familjet. E gjithë kleçka është të mos humbasësh qëllimin për të jetuar një jetë ku rregullat i vendos vetëm ti.

Por përtej  fotografive me kokë të rruar apo videoklipit “Beautiful” ku Sara shfaqet në krah të Flori Mumajesit dhe Ledri Vulës, pak janë ata që e njohin vërtet Sarën.

Edhe pse nuk ndoqi studimet për aktrim, porse për Marketing, nuk mund të mos e kishte në gjak artin. Një film dokumentar, një videoklip, një këngë e saj dhe një rol në një film artistik…Ky është vetëm fillimi për Sara Kapon, e cila në këtë intervistë zbulon të gjitha mendimet dhe pasionet e saj dhe dëshirën për të ndihmuar sa herë ka mundësi…si fëmijët e sëmurë me kancer.  Një gjest i vogël bën ndryshimin. Duhet vetëm pak guxim.  E egër? Në humorin e saj dhe sinqeritetin me të cilin përgjigjet edhe për divorcin e prindërve, nuk ka aspak egërsi.  E guximshme? Më shumë se shumë prej bashkëmoshatareve të saj po. E lirë? Mundohet t’i shtyjë çdo ditë e më shumë kufijtë e kufizimeve që i vihen si pengesa në një garë të gjatë vrapimi nga mendjengushtët e shoqërisë. Sinqerisht, pas çdo etikete që  më  kanë   vënë, ‘e çmendur, rebele, anti-konformiste, transgresive’ etj., etj., mendoj se jam thjesht një 22-vjeçare shumë  normale, e cila po bën akte të  vogla, eksperimente, gabime siç duhet t’i bëjë çdo moshatar i imi. Më  vjen keq që dalloj nga turma pa bërë  asgjë. Jeta ime sapo ka filluar dhe e përmbledhur është thjesht një aventure tre vjeçare, e mbushur me emocione, ndodhi, ulje e ngritje, e cila më  ka përgatitur për dozën tjetër që  më  pret në  vazhdim…”Atëherë, kush ka frikë nga Sara Kapo dhe të gjitha vajzat që mendojnë si ajo?

1

 

Ta nisim nga ndodhitë e fundit. Një status i yti në Facebook u bë viral e u publikua në shumë media online. Pse ai status dhe ç‘reagim ishte? Cila është historia pas tij?

Në radhë të  parë  nuk më dukej me vend të  behej  lajm një status me tre  paragrafë, nga një 22-vjeçare, e cila thjesht po përpiqej të  bënte humor me këtë fenomen, sado të  kishte shumë  të vërteta brenda. Historia pas statusit është shumë e parashikueshme.

Dy djem në  një  lokal të  vogël, ku fatkeqësisht gjendesha edhe unë duke pritur dikë, kishin një telefon në  dorë  dhe me sa duket ishin duke parë  foto të  vajzave të ndryshme në  ndonjë rrjet social. Nuk e mora mundimin aspak t’ua shihja fytyrat, sepse më  mjaftonin vetëm komentet ofenduese që  bënin për çdo femër, artikulimi gjysmak i gjuhës shqipe dhe toni i lartë  me të  cilat vajzat në  ekranin e vogël po komentoheshin, të  cilat ngjasonin shumë me ato që  kam bërë në  Facebook, por përfshinin edhe pak “biografi shtrati” të secilës. Dy “Shakohoxhat”, ( lexo: komentatorët) kishin pak publicitet pasi njërin prej tyre e telefonon dikush. E kuptova që  ishte mamaja, sepse kthehet nga shoku tjetër dhe  i thotë, tekstualisht:  “Plako,  po iki unë se ka bo plaka bamje. Varja,  na e shpifën! Ishalla sajojm’ naj gjo sepse jemi pa kele për masdite”. E kështu, 28-vjeçarët, u larguan për në  shtëpi, te mamatë, të  çlodheshin e të  përgatiteshin, për  të  vazhduar burrërimin e lënë përgjysmë nga paraditja. Kësaj satire nuk  i rezistova dot pa e bërë publike.

Nuk është hera e parë që ti reagon me statuse në Facebook-un tënd për mënyrën sesi meshkujt shqiptarë i trajtojnë femrat.  A je ti një feministe? Apo zëri yt është thjesht revoltë ndaj atyre fenomeneve që i sheh si padrejtësi?

Të  shkruarit në  rrjete sociale, nuk është as gjysma e “betejës” që  unë, e shumë   femra të  tjera, luftojmë (e duhet të  fitojmë), sa herë dalim nga shtëpia. Nuk po them të  bësh diçka të  jashtëzakonshme. Mjafton të  kthehesh nga shtëpia një të  premte në  darkë  vetëm më  këmbë, duke bërë sikur flet me babin ose me të  dashurin në  telefon sa here kalon një tufë djemsh, të  cilët të  shohin sikur po bëjnë audicion për filmin “Nymphomaniac”. Gjeje pak çfarë ndodh të  nesërmen?!  E gjen veten në  mes të  një thashethemi të ri… ku ti je e droguar, apo kurvë  vetëm sepse ajo tufa  e dallaveraxhinjve  të  pa duke u kthyer vetëm drejt shtëpisë. E di, brez i çuditshëm. Më  vjen keq që  nuk i anashkalon dot këto thashetheme, të marrësh të  paktën një taksi, por nuk e përballon dot, sepse paguhesh më  pak se ai djali që  bën të  njëjtën punë si ty. Më  pas, vijnë me radhë… dhuna psikologjike e fizike, presioni, “autoriteti” i leshit të  këtyre pinxhove etj., etj. Vij nga një brez femrash të  pavarura e të  suksesshme, nga gjyshja ime mjeke, e larguar nga familja qysh  13 vjeç, e cila  më vone rriti  e vetme tre fëmijë, te tezja e palodhur, e vendosur për karrierë e deri te mamaja ime, e zonja e vetes, e plotësuar, e cila më  rriti të  jem e zonja e vetes. Ndaj, PO, jam feministe! Nuk e kuptoja që  isha e tillë , derisa përvetësova kuptimin e fjalës. Nuk mundem të  ndryshoj një mentalitet kaq të  vështirë siç është këtu, por besoj se ndryshimi vjen ngadalë dhe me këmbëngulje.cover1

 

Si kanë qenë komentet pas statuseve të tua? Si reagon rinia shqiptare? A vazhdojnë ata me mendësi maskiliste dhe etiketime?

Nuk e di se çfarë është bërë  në komentet e lajmit,  sepse nuk kam asnjë portal online në  rrjetet e mia sociale, por jam habitur nga mbështetja  që  më kanë  dhënë meshkujt. Prisja shumë  ofendime, fjalë  të  renda, por ndodhi e kundërta. Më  kanë  bërë   përshtypje ata që  janë sikletosur nga fjalori urban, ata që  skuqen kur u  përmend organin e vet gjenital dhe ato që  jetojnë me censurë  edhe në  bisedat më  intime në  shoqëri.

Me ardhjen e modës se këtyre çunave me videoklip ( se artistë  nuk i quaj dot), të  cilët i  trajtojnë femrat si objekte dhe magnet lekësh, përveçse nuk më  vjen keq fare që  janë ofenduar nga statusi, mundësisht të  më  qëndrojnë larg. Mendimet maskiliste, të  cekëta dhe mesazhe superioriteti material ndaj seksit femër janë rrënjosur kaq thellë  në  mendjen e tyre sa bëjnë veprime seksiste si të jenë reflekse pingpongu. Ndonjëherë  shkoj në  shtëpi dhe ndihem sikur nuk kam bërë diçka, pastaj kujtohem…Ah po, nuk më ka etiketuar njeri sot.

Si i sheh ti vajzat dhe djemtë e brezit tënd?

Më  mirë  që erdhi kjo pyetja se i  bëra blozë fare çunat e shkrete…Hahahahah!

Përgjithësisht, mendoj se u  mungon motivimi dhe i sundon frika për ndryshim, të  dyja palët. Rriten me kërkesa standarde dhe aspirojnë për një jetë të tillë; Shkolla, puna, fejesa, martesa, fëmijët dhe vdis… Të gjitha etapat kanë  një periudhë, nga mosha kaq  deri aq,  që  duhet të  kryhen. Ky brez, nuk ka më  piktorë, rebelë, muzikantë, gazetarë, shkrimtarë, nga ata   të vërtetët prej fillimit në  fund. Jemi mbushur me LRI-sta FRESSH-ista, avokatë, çuna e goca me videoklip, marketues…Më  duket sikur nuk ka më shpirt. Sikur nuk ka më  pasion dhe origjinalitet. Nuk shoh më  njerëz të  këndojnë në mes të  rrugës e të vishen me shapka me gisht nëpër club-e. Të  qeshin me ndonjë batutë  pa pasur telefonin përpara.  Mendoj se i ka zaptuar nevoja për të  pasur status sesa për të bërë diçka të  vërtetë me jetën e tyre. Të  gjithë duan një punë  që  duket bukur kur t’ua thonë shoqërisë së  prindërve dhe harrojnë të  kënaqen në këto vite kaq të  freskëta të  jetës. Duan të  gjithë të  jenë  të parët, më të  mirët,  më të bukurit, internship për lidership, internship për ‘leshi-preshi’.  Mania për t’u bërë  diçka që  nuk je dhe që  nuk të  hyn në  punë. Ndonjë herë  them: “Shyqyr që  i  kanë  zënë vendet e para këto “King and Queens” se janë vendet

e dyta dhe të  tretat pak më lirshëm”.21

Ti je e çlirët të bësh dhe të thuash atë çka ndjen a mos ka ndikuar edhe fakti që je bijë artisteje?

Mendoj se ajo është gjeneza. Familja, ambienti dhe shoqëria aspak paragjykuese kanë ndihmuar në  formimin e mendimit të  lirë  dhe sigurinë pas gabimeve.

Si është marrëdhënia me mamanë tënde Emën? Çfarë ke mësuar prej saj dhe si ka ndryshuar marrëdhënia juaj ndër vite?

Jemi shumë  gjëra unë e ajo. Ema di të  vihet në  disa role me mua. Jemi motra kur bëjmë thashetheme, shoqe kur ikim me pushime dhe nënë e bijë kur duhet të shtyjmë njëra-tjetrën qoftë  edhe për të  shkuar në  palestër. Ndër vite të  tjera këto role kanë  qenë  prezentë, por mendoj se tani është gjetur një balance e qëndrueshme.

A të ka inkurajuar Ema të luftosh për veten, për të drejtat e tua? Si është të rritesh nga një artiste, të frekuentosh ambiente në shoqërinë e artistëve, të artit dhe kulturës? Sa të ka fuqizuar kjo gjë?

Ema më ka mësuar të  jem e zonja e vetes e të  bej siç me thotë koka pa lënduar njeri dhe mendoj se është një ndër mësimet më  të vlefshme që  një prind, motër, shoqe mund të të  japë. Nuk kam frekuentuar kurrë të njëjtat ambiente me të  apo të  kem qëndruar gjatë  në  praninë e shoqërisë së  saj. Shumë  rrallë  jam prezantuar me ta dhe di akoma më  pak rreth tyre. Nuk më  ka interesuar ndonjëherë të  jem pjesë  e tyre ndaj nuk më  ka fuqizuar apo dobësuar kjo lloj marrëdhënieje.

A të ka bezdisur kur për t’i rënë shkurt njerëzit thonë “vajza e Emës” dhe jo Sara Kapo? Si është kur ke një mama të njohur dhe si e ke ndërtuar identitetin tënd?

Kur isha më  e vogël nuk më  bezdiste aspak, më vonë  arrita të  krijoj emrin tim ndaj kjo “Goca e Emes” sa vjen e bëhet më e rrallë. Unë nuk di sesi është ta kesh mamin ndryshe. Është shumë  motivuese kur sheh njerëz që  respektojnë dhe përshëndesin përzemërsisht prindin tënd, ndaj më  ka ndihmuar t’i vë  qëllim vetes të  jem edhe unë ashtu. Ema si njeri ka ndikuar shumë, si personi publik ka ndihmuar të  tjerë.

4-1

Kur je ndërgjegjësuar që të duheshe të ngrije zërin për të kërkuar diçka që të takon? Se si vajzë ke po aq të drejta sa djemtë…

Nuk është se ka pasur fazë  tranzicioni. Kështu kam qenë  gjithmonë. Ndonjëherë njerëzit kanë  imazhin e një vajze të egër,  sepse mesa duket u  bën përshtypje një femër që thjesht do ta bëjë jetën si ta dojë  dhe marrëdhënien mashkull-femër nuk e kam pare ndonjëherë ndryshe përveçse të  barabartë. Pastaj rritesh dhe kupton se  duhet të ikësh nga ky vend sa më  shpejt të  mundesh…

Po marrëdhënia jote me babain si është? A e pyet sesi qëndrojnë gjërat nga perspektiva e një burri në Shqipëri?

Marrëdhënia me babin është e rrallë,  por intensive. Si prind, bashkohet edhe ai në të njëjtën frymë si mami, që të jem e pavarur dhe e lirë,  të  bëj apo të mendoj çfarë ndjej. Më  ka lënë të  gaboj, më  ka mbështetur e ndihmuar, në një distance thjesht fizike. Një baba që  nuk do të ishte feminist mendoj se nuk do ta kishte të  lehtë  me një vajzë  si unë, kurse ai, herë-herë, ndihet krenar për mua. Më  shumë  se çdo gjë, intensive me të  janë leksionet për historinë e muzikës dhe të  lojës Bridge. Për çdo shqetësim, përgjithësisht social, Kostandini ka një zgjidhje të  thjeshtë, që ndonjëherë kam nevojë  ta dëgjoj ashtu bruto “Mos u merr me katundarët o bab’ se aq dinë,  aq bëjnë!”

Si ka qenë të rriteshe me prindër të divorcuar në një vend ku individët zgjedhin më mirë të jetojnë në marrëdhënie dhe martesa të palumtura sesa të kalojnë përmes divorcit?

Mendoj se ka qenë  më  e vështirë për mamin kundrejt mentalitetit sesa për mua. Diskriminimi ndaj meje ka ndodhur në  vegjëli,  por fatmirësisht nuk më  ka lënë shenja sot. Më  vjen habi që  edhe tani ndeshem me përbuzje nga divorci i prindërve, por thjesht më  vjen keq për këta njerëz dhe habia më e madhe vjen sepse duan ose kanë  telefonat dhe makinat e fundit, por nuk kapërcejnë dot këto mendime të  lodhura. Pastaj nga ana tjetër, gjithashtu ndihem me fat,  sepse me  sa më  pak njerëz të  jesh e lidhur, aq më  të thjeshte e ke të  largohesh.

7

Para pak kohësh ti ke interpretuar edhe në videoklipin e Flori Mumajesit dhe Ledri Vulës “Beautiful”. Si lindi bashkëpunimi për këtë video?

Pak teknikisht, pak rastësisht… Atyre u duhej një vajzë  tullace me sy të  kaltër.  Flori punon një kat më  lart zyrës time aktuale. U përfol emri im si dhe u bë  një skanim në rrjetet  sociale e ja ku u zgjodha unë për klipin!  Rastësia ishte që  ata nuk e dinin se i  kisha dhuruar flokët dhe kur e morën vesh ishte e qartë  që  do të  dilte diçka me të  vërtetë  e bukur dhe e ndjerë.

Si u ndjeve në një sheshxhirim, edhe pse muzikor?

Në sheshxhirim jam ndjerë  shume e lirshme dhe me mendimin “Këtu është vendi  ku duhet të  jem!”. Ndoshta fakti që  nuk jam aktore e trajnuar më  ka shtuar dozën e moskokëçarjes dhe të  qejfit,  prandaj është xhiruar diçka natyrale dhe e vërtetë. Përveç mikpritjes nga  stafi, jam ndjerë mjaft mirë  në  prani të  kamerave, dritave dhe grimieres.

Duke qëndruar te mesazhi i këngës, ç ‘është bukuria apo e bukura për ty?

Boooh! Për mua bukuria nuk është asnjëherë e njëjtë apo një e vetme. E kam më  të  thjeshtë të  gjej diçka të  bukur tek çdo person sesa të  vë  në  dukje defektet. Të ecën dita më mirë  kur ke këtë mendim sa herë  del nga shtëpia. Nëse do e përgjithësoja, fatkeqësisht nuk e di fjalën shqip(shpresoj ta lexoje Edmond Tupja e të  ma thotë ) është i  rëndësishëm “the vibe”, nuk është tamam energjia, as aureola, por diçka me intensive, me e prekshme.

Je komentuar shumë edhe për prerjen e flokëve. Si të erdhi t’i prisje? Nuk t’u dhimbsën fare? Jam kurioze të di cili ishte reagimi i parë që more kur të panë, miqtë, familjarët…? 

“Akt i  guximshëm!”, “Për t’u pasur zili!”, “ Veprim i çmendur!”… Lesh janë,  aman!  Arsyeja përse i preva ishte për t’u vlerësuar, por njerëzit përveçse nuk e besojnë, shtrembërojnë e xhelozojnë, zgjedhin të  kapen me tullën time dhe faktin përse e bëra publike. Më falni, ju bëni publike ku hani, rrini, pini, e unë mos të  bëja publike një ndër veprimet që më  ka bërë të  ndihem krenare për veten si asnjëherë tjetër?! Po ik ore pirdhuni!  Hahahaha!

Në  fillim nuk e bëra publike foton ku fondacioni më  falënderonte për dhurimin, por më  vonë përveçse do të  ishte shumë  mirë  sikur njerëzit të  informoheshin që  kjo formë  bamirësie ekzistonte edhe në Tiranë, duhet të  mbyllja disa kapakë tualetesh. Familja dhe shoqëria m’i kanë  pëlqyer shumë, normalisht filluan edhe shakatë, të cilat vazhdojnë deri sot.

I ke dhuruar për bamirësi flokët e prerë. Në ndihmë të fëmijëve të prekur nga kanceri. Si dëgjove për këtë shoqatë që mbledh flokët? Si re në kontakt me ta?

Mami është ambasadorja e fondacionit dhe aty u krijuan kontaktet me ta.

Njihje ndonjë rast konkret fëmijësh që doje t’i ndihmoje sadopak? Si është marrëdhënia jote me këtë dimension human, për të ndihmuar të tjerët?

Jo me fëmijët, por me një mësuese. Gjatë 9-vjeçares, ajo ishte një dritë  që ecte korridoreve dhe më vonë fatkeqësisht u largua nga jeta,  pikërisht prej kësaj sëmundjeje.

Në  rastin konkret mendoj se nuk është nevoja patjetër të  jesh afër një fatkeqësie që  të jesh human. Të  mbështesësh një  kauzë   më të e madhe se vetja e më vonë  të  veprosh, është ajo çfarë na mban të  bashkuar si komunitet e po t’i futemi më  thellë, si njerëz. Mendoj se e kemi humbur ketë ndjeshmëri duke thënë: “Nuk është puna ime fare!” ,  kur na kërkohet të  jemi të  bashkuar e ndërkohë nga nuk fusim hundët për dallaveren e radhës kur  ulemi në  kafe.

Duket sikur e ke kthyer trupin në një vepër arti. Jo vetëm modelet e flokëve ( shpesh edhe transgresive , por edhe tatuazhet. E sheh si të tillë trupin tënd? A është ai instrument për të shprehur ide që të vijnë në mendje apo për të përçuar mesazhe?

Tatuazhet janë një pjesë  shumë  e madhe e kujt jam, e çdo tranzicioni në jetën time, kujtimi apo ndjesie që  do të  doja t’i mbaja mend të gjithë jetën. Është një forme arti,  të  cilën unë e dashuroj dhe po mësoj ta përvetësoj. Tatuazhet mbajnë kaq shumë  histori arti dhe kulture sa nuk të  del e tërë jeta të mësosh rreth tyre. Jam mahnitur nga to që  kur vendosa bojë  për herë të parë nën lëkurë, sepse futesh në atë botë, lexon, sheh imazhe, e pastaj lexon akoma më shumë , bisedon me tatuatorët dhe ata të  çmendin edhe  më e shumë  dhe vetëm kur e sheh veten me çerekun e trupit të  zënë  me imazhe. Më  vjen keq që  ka shumë njerëz të  cilët i  bëjnë për inerci  apo modë, sepse përveçse nuk u shkojnë, me vjen keq që  nuk e shijojnë dot procesin si dikush që  i vlerëson,  si unë. Nuk mundet kurrsesi një tatuazh ë  qëndrojë mes fustaneve leopard dhe muzikës tallava.

Më the që së shpejti do të jesh në një sheshxhirim. A ke nisur të përfshihesh seriozisht me botën e artit? Do të ecësh në fushën e mamasë tënde apo do të jesh më gjithëpërfshirëse kur vjen puna tek arti? A ke projekte të afërta që të lidhin me televizionin apo kinemanë?

Kam qenë  në  sheshxhirim dy  herë vetëm për këtë vit dhe po më  pëlqen kjo situata..Hahahah!  Kam qenë  pjesë   e një dokumentari të  shkurtër nga Dojna Mema, si  personazh kryesor e më  pas klipi i  famshëm. Së  shpejti pres me  pa durim të  jem pjesë  e një filmi me metrazh të  gjatë, për të cilin nuk më  lejohet të  flas shumë. Ishte ndër ato herët që falënderoja Facebook-un  që  ekzistonte… Hahahah. Nuk më  besohej që  më  kishte ardhur mua oferta  e sidomos për një rol aq interesant. Për mua është arritje shumë  e madhe, sado i  vogël të jetë  roli, por gjerët e mira… avash-avash!  Gjithashtu shpresoj ta mbyll vitin fuqishëm, duke qenë  në  sheshxhirimin  e këngës sime të  parë  dhe kjo të  jetë  një shtysë për t’u përfshirë më shumë  në  botën e artit.

Ti ke studiuar marketing apo jo? Pse nuk zgjodhe Akademinë e Arteve?

Mendoj se nuk ta jep shkolla talentin, ndaj zgjodha një profesion që përveçse më  pëlqente ka edhe të ardhura. Po të mos  ishte prej drejtimit që  mora, nuk do isha kaq e pavarur financiarisht sa jam dhe nuk doja të  jetoja këtë jetën e komplikuar të  artistëve qysh  në moshë kaq të re. Jam shumë  e lumtur për këtë largësi që kam mbajtur ndaj  artit të  korruptuar e sipërfaqësor të  Shqipërisë.

Cilat janë pasionet e tua?

Absolutisht që  lidhen me artin. Kam dëshirë të  krijoj, por jo diçka të  përcaktuar. Më  pëlqen të  këndoj dhe do e bëj, por ka filluar të më  lezetoje edhe aktrimi. Me pëlqen piktura dhe tani do futem në  shkollë  të  trajnoj dorën, por dua shumë  të jem edhe artiste tatuazhesh. Jam në një lëmsh,  të  cilin se kur do e zgjidh nuk e di, por më  shijon shumë  fakti që  jam konfuze mes këtyre pasioneve që ndihem mirë  sa here përplasem.

8

Përtej stigmatizimit apo etiketimit me emërtime, a mendon se duke folur i ndihmon edhe vajza të tjera të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të luftojnë ndaj diskriminimit?

Shpresoj t’u zgjojë  ndonjë nerv aty diku, thellë, të  fshehur pas fjalëve dhe stereotipave që  të  kuptojnë se rëndësia e kujtdo si qenie njerëzore, nuk varet nga organi gjenital. Është mësuar një koncept injorant nga njerëz injorantë  dhe duhet të  ndalojë,  tani. Ndonjëherë jam e egër në  mënyrën sesi shprehem, por ja çfarë më ka mësuar biznesi;  thuaj pesë,  të  marrësh tre!

Sa e rëndësishme është liria për ty? Dhe në cilat sfera je e lirë të bësh dhe shprehësh atë që do?

Nuk di të  jem ndryshe. Jam e lirë  deri në cakun ku filloj të  cenoj lirinë apo të drejtën e tjetrit. Filozofia ime është shumë  e thjeshtë  “Lëre të jetë”. Është shume e rëndësishme për mua të  kem liri në çdo sferë  të  mundshme aq sa unë të  jem rehat dhe të ndihem mirë. Dua të mendoj, bëj, vesh, them çfarë të  dua, pa prekur asnjë aspekt të  lirisë së  tjetrit. Duket si një luks i madh, por mendoj se nuk është problemi im që  të  tjerët nuk kane aftësinë e të  kuptuarat dhe pranuarit.

Përtej asaj që duket, kush është Sara? A mund të na rrëfesh në pak rreshta jetën tënde?

Sinqerisht, pas çdo etikete që  më  kanë   vënë, ‘e çmendur, rebele, anti-konformiste, transgresive’ etj., etj.,… mendoj se jam thjesht një 22-vjeçare shumë  normale, e cila po bën akte të  vogla, eksperimente, gabime siç duhet t’i bëjë çdo moshatar i imi. Më  vjen keq që dalloj nga turma pa bërë  asgjë. Jeta ime sapo ka filluar dhe e përmbledhur është thjesht një aventure tre vjeçare, e mbushur me emocione, ndodhi, ulje e ngritje, e cila më  ka përgatitur për dozën tjetër që  më  pret në  vazhdim…

 

 

 

 

 

 

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤