Samir Mane: E nisa biznesin me vetëm 100 dollarë!

View Gallery
2 Photos
Samir Mane: E nisa biznesin me vetëm 100 dollarë!
Samir-Mane

Samir Mane: E nisa biznesin me vetëm 100 dollarë!
Samir Mane

Biznesmeni i njohur, Samir Mane, foli para studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit. Ai tregoi se si e nisi biznesin, se përse e vlerëson UET dhe tregoi disa këshilla për të ardhmen

Është kënaqësi sa herë që vij në Universitetin Europian të Tiranës, e shikoj vërtet si përqendrimi më i madh i liberalistëve në Shqipëri dhe prandaj vij me kënaqësi këtu. Njerëz të shkolluar, të mençur, të ditur, që dinë të mbrojnë dhe të na mbrojnë ne nga shumë nga sfidat që kemi në raport me opinionin publik. Mua më njihni shumica prej jush me atë që prekni çdo ditë, me TEG-un, QTU-në, Neptun-in, Jumbo-n, Spar-in. Këto janë produktet që ne kemi zhvilluar në treg gjatë kësaj kohe. Nga hera e fundit që kam qenë në universitet, ka dhe dy ngjarje të tjera. Ne sapo kemi blerë Tirana Bank, jemi në drejtim të finalizimit të procedurave.

Para një muaji kemi blerë dhe fabrikën më të madhe të ferro-nikelit në Kosovë, që është eksportuesi më i madh i Kosovës, me 40 për qind të prodhimit të eksporteve të Kosovës, dhe kompania më e madhe në Kosovë. Këto janë dy risitë e fundit pas një takimi që kam pasur me disa studentë para një viti këtu. Para se të vija këtu, pyeta drejtoreshën tonë të përgjithshme dhe më tha se 11 studentë që punojnë në kompanitë tona, kanë mbaruar në Universitetin Europian të Tiranës. Më shumë për veten ose për kompaninë Balfin, një nga kompanitë më të mëdha në vend, me rreth 5000 njerëz të punësuar, nga këta 4000 janë shqiptarë, 1000 të huaj. Qendrën e kemi në Tiranë, por natyrisht kemi zyra në shumë vende të botës, tashmë në 8 vende. Jemi gati të dalim të konkurrojmë me aftësitë tona administrative dhe financiare në tregjet e Europës.

Kemi filluar përveç zyrës tonë tradicionale në Austri prej 25 vjetësh kemi filluar ndërtime në Austri, në Londër, po shohim mundësi të tjera për në të gjitha vendet e Europës. Dija që njeriu merr gjatë jetës është shumë e rëndësishme, unë promovoj në çdo moment për njerëz që duan të shkojnë të merren me biznes. Do ta inkurajoja këdo që të shkojë në sektorin privat, të marrë iniciativa, edhe nëse rrëzohet, edhe po të humbasë, prapë do fitojë njëherë. Mjafton të keni dëshirën të bëheni të tillë. Ne kemi shumë vajza në kompanitë në administrim, 50 për qind janë femra. Kam parë që femrat kanë më shumë dëshirë për karrierë. Ne administratën e Balfin-it kemi 50 për qind femra, flas për administratën, pjesët kryesore qendrore.

Njerëzit e ndërmarrjes së madhe, në qëllimet e tyre e kanë ditur gjithmonë kur kanë ndërmarrë një veprim, e kanë ditur se çfarë kanë synuar, apo se çfarë bëhet rrugës?

Unë vetë nuk e kam menduar kurrë që do të bëhesha një biznesmen i tillë. Natyrisht kam kërkuar vazhdimisht në momentin që vendosa të bëhesha i tillë, fillimet kanë qenë aq të vështira, por dhe shumë të veçanta, pa ndonjë ide speciale. E ndava mendjen që do të punoj, e fillova rastësisht dhe punëtorin e parë që kisha në vitin ’91, e kam akoma pas 25 vjetësh. Asnjëherë njeriu nuk e ka vizionin përpara që do arrijë këtu apo jo. Duke kaluar koha, çdo vit ndërtohet një biznes, ndërtova Neptun-in në Shqipëri, pastaj në Kosovë, pastaj në Maqedoni, Serbi. Rritet me kalimin e kohës, por asnjëherë nuk e kam ëndërruar të isha ky që jam sot.

Ne sapo kemi forcuar drejtimin Turizëm, në Diploma Profesionale, në Bachelor një profil dhe kemi forcuar Masterin Profesional. Do të doja një mbështetje po themi më shumë në lidhje me këtë drejtim të ri që i kemi dhënë fakultetit?

Në qoftë se do më pyesnit sot se cili është vizioni im pas 25 vitesh eksperiencë për të ardhmen, unë padyshim që them është turizmi. Nuk ka gjë më të mirë për vendin, më të mirë për biznesin dhe për ne se sa turizmi. Unë jam i përfshirë dhe në bujqësi. Kam serat më të mëdha bujqësore në Shqipëri. Natyrisht fitimet janë, por Shqipëria nuk është një vend bujqësor. Shqipëria dhe e gjithë bota ka një tendencë të madhe ndaj turizmit. Pse unë jam fokusuar te turizmi është arsyeja se në vitin 2016 në botë ka patur 1 miliard turistë. Për 13 vitet e ardhshme bota do ketë 2 miliardë turistë.

Pra, numri në 13 vite do të rritet sa në 100 vitet e fundit. Kjo vjen për shkak të rritjes së popullsisë me të ardhura të mesme në Indi, Kinë. Ata do jenë konsumatorët më të mëdhenj të turizmit. Çdo lloj investimi që do bëni në turizëm, është një ndër gjërat më të rëndësishme që universitetet private po bëjnë sepse vendet e punës janë të siguruara. Është një libër që unë e kam lexuar vetë, më ka mahnitur rastësisht duke parë një thënie të Bill Gates në mediat sociale. Libri merret kryesisht me statistikat e botës në 100 vitet e fundit. Atë që lexova aty. Duke lexuar atë libër dhe jam i sigurt që në këtë universitet do të sjellë edhe 100 ose 150 kopje gratis për t’i lexuar studentët.

Do të shihni që bota është shumë herë më e mirë se sa duke e krahasuar. Në atë që mësova në libër, i cili nuk merret fare me komente por vetëm me statistika. Unë u habita pasi nuk besoja se bota është më e mirë, por kur lexova këto statistika për shumë elemente të botës së njerëzve kuptova që e kisha gabim. Autori i librit ka pyetur në Davos ku janë njerëzit më të rëndësishëm të globit, ku janë biznesmenë, presidentë, politikanë, media, ka pyetur se sa është vdekshmëria foshnjore në glob. 86 për qind e njerëzve më të rëndësishëm të globit e kishin përgjigjen gabim. Natyrisht ai iu vuri statistikat përpara, pra ju që jeni shumë të rëndësishëm jeni të gabuar. Shumë elemente të rëndësishme të këtij libri, i rekomandueshëm për t’u lexuar nga të gjithë është, që bota është më solide, më e mirë. Statistika të tjera si p.sh. në vitin 2035 bota do të ketë për herë të parë 6 miliardë njerëz që e kalojnë shtresën e mesme. Bota është më e mirë padyshim.

Është krijuar ideja që për të pasur shumë para ti duhet të kesh para, ju me sa para e nisët?

Unë e nisa me 100 dollarë dhe tashmë kam një kompani që bën 500 milionë euro xhiro. Asete të regjistruara 1.4 miliardë dollarë, pra një kompani gjigande. E kam nisur në kushte shumë të këqija. Shumica e miliarderëve janë bërë vetë, nga zero. Padyshim nëse më pyesni se a është djali im më i favorizuar për t’u bërë i pasur se sa një moshatar i tij, unë nuk e besoj se është, por natyrisht mund të jetojë më mirë se ai. Duhet të ketë njerëz që të punojnë në turizëm, duhet të ketë rrugë, aeroporte, se nuk vijnë gjithë këto gjëra vetëm nga dëshira për të bërë turizëm. Nëse të gjitha këto nuk funksionojnë, çdo gjë që ke bërë, bie. Kjo do ishte një ndër këshillat që ua kam dhënë atyre që drejtojnë. Në vitet e para nuk kam pasur kohë të lexoja, tani lexoj rregullisht 10 ose 12 libra në vit. Libra kryesisht të sektorëve ku unë punoj, por dhe më gjerë. Kam lexuar Steve Jobs dhe shumë libra të tjerë se si të menaxhosh kompanitë private etj.

A mendoni se jeni i lumtur me gjithë këto mundësi që keni?

Lumturia është shumë relative, nëse më pyesni a më bëjnë të lumtur paratë, po paratë janë shumë të rëndësishme në jetë. Jam i lumtur, punoj, kam kohën të shijoj edhe më shumë gjërat e jetës. Jam i lumtur në fund të fundit. Diferenca e një njeriu të pasur me një njeri tjetër, dikush fle 8 orë, po aq fle dhe unë. Jam i lumtur me atë që bëj dhe me atë që krijoj. Ka vështirësi pothuajse çdo ditë, dhe të bëhen sfida të ndryshme për t’i kaluar. Ka probleme gjithmonë në punën e gjithsecilit. Zgjidhja e problemeve është një ndër kënaqësitë që ka njeriu. Nëse nuk je pjesë e një platforme të madhe, mund të fitosh, mund të mbijetosh, por nuk mund të bëhesh kurrë gjë e madhe.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤