Kultura

Saimir Pirgu: Il mio Canto, një album si dokument






               Publikuar në : 09:44 - 04/03/16 |
mapo.al

Saimir PirguTuri koncertor për prezantimin e albumit të tij “Il mio Canto” e ka sjellë në Tiranë së fundi, ku nesër në mbrëmje do të këndojë për publikun shqiptar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Albumi që ka nisur xhiron e botës, është një dokument i tenorit për të prezantuar veten.


Jeta pa muzikën, nuk mund të ekzistojë… Të paktën jo jeta e Saimir Pirgut dhe e gjithë dashamirësve të muzikës në botë, të cilëve tenori shqiptar po u prezanton zërin e tij me anë të albumit “Il mio Canto” – një përmbledhje e arieve më të famshme të repertorit operistik botëror, të cilat Pirgu i ka kënduar në disa prej skenave më të mëdha të botës.

Itinerari operistik që ka nisur Saimir Pirgu nëpër botë, ku përfshihen qytetet më të mëdha, si: Tokio, Firence, Moskë, Vjenë, Berlin, Paris dhe Nju Jork, stacionohet edhe në Tiranë, ku mbrëmjen e 5 marsit, tenori me famë botërore do të këndojë për publikun shqiptar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Janë ariet më të bukura të repertorit botëror operistik dhe gjithashtu pothuajse tre çereku i tyre janë ato çka unë këndoj nëpër teatro të ndryshme. Bëhen pjesë të repertorit tim. Kjo ishte ideja që “Il mio Canto” thotë vetë çdo gjë” – është shprehur dje për mediet gjatë konferencës për shtyp, Pirgu., i cili ka dashur ta bëjë kryeqytetin shqiptar pjesë të këtij turi nëpër botë.

Dirigjent i orkestrës për këtë koncert është Maurizio Barbacani.

Ajo çka është vënë re ka qenë kërkesa e madhe për bileta, që ka bërë të shiten të gjitha.

“Nuk dua të justifikohem me askënd por unë vetë nuk shes bileta si Saimir Pirgu dhe është një problem i madh sepse gjithë njerëzit më ankohen mua që ti nuk na ke thënë neve se ku ishin biletat. Për fat të keq Teatri i Operas dhe Baletit vetëm 800 vende ka” – ka thënë ai.

Ky album i Pirgut është një dokument muzikor ku artisti shpalos veten.

“ Ideja ime është jo t’i tregoj botës se unë jam Saimir Pirgu, por të prezantoj veten dhe të lë një dokument. Do jetë apo nuk do të jetë një dokument që do të mbetet në histori, kjo i takon kohës” -thotë ai.

Albumi është prezantuar në Tokio, ku korri një sukses të jashtëzakonshëm- ku artdashësit japonezë, prisnin në radhë për të marrë autografe nga tenori i famshëm shqiptar – si edhe në Firence, ndërsa pas Tiranës, turi për promovimin e tij do të vijojë.

“Albumi prezanton Saimir Pirgun ashtu siç është me ariet më të bukura të repertorit operistik dhe ato çka e kanë bërë Saimirin të njohur në teatrot e ndryshme. Një potpuri ariesh që do të prezantonte idenë se kush është Saimir Pirgu ”, tha Pirgu, i cili do të niset menjëherë në Moskë pas mbrëmjes në Tiranë. Për Pirgun, ky album përmbledh një pjesë të mirë të interpretimeve të tij nga ato që mund të quhen më të lehtat, siç janë lirikat, deri te më të vështirat, Rigoleto, Traviata etj. “Më pas është Puçini, La Boheme dhe repertori francez me Romeo dhe Zhuljetën”, ka thënë ai.

 

Shqipëria është destinacioni i dytë i këtij turneu. “Unë nisem për Moskë dhe do të vijoj pastaj në datën 13 në operën e Vjenës, në datë 15 në “Deutsche Opera” në Berlin, në datën 31 mars në teatrin e Parisit dhe për të përfunduar në Nju Jork më 9 prill”,.

I duartrokitur tashmë dhe i respektuar nga publiku dhe kritika e mbarë botës, Saimir Pirgu konsiderohet si një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot, një nga interpretuesit më të rëndësishme botërorë të roleve të tenorit lirik apo si një yll në ngjitje.

Teknika e tij është madhështore, dhe cilësia lirike e zërit të tij është shumë e bukur. I lëvduar nga Placido Domingo, tenori shqiptar vazhdon të fitojë duartrokitje në skenat operistike nëpër botë. Regjistruar me një prej orkestrave më të mira të botës, ky recital shkon nga fuqia në fuqi duke shfaqur pëlqimin e tij për rolet e Verdit dhe prekjen e mëndafshtë” -shkruan prestigjiozja New York Times , duke shtuar se ai sjell njëherazi repertor verizmi dhe belkanton franceze e italiane.

I lindur në vitin 1981 në qytetin e Elbasanit, në moshë shumë të re nis mësimet e muzikës, duke u diplomuar si violinist në qytetin e tij të lindjes kur kishte vetëm 16 vjeç. Në moshën 21-vjeçare diplomohet për kanto në konservatorin “Claudio Monteverdi” të Bolzanos, nën drejtimin e Vito Maria Brunetti-t, i cili vazhdon të jetë edhe sot mentori i tij. Ende 22-vjeçar, ai zbulohet dhe zgjidhet nga Claudio Abbado për të interpretuar rolin e Ferrando-s në “Cosi fan tutte” në Ferrara dhe, në verën e vitit 2004, në Festivalin e Salzburgut me Philippe Jordan, duke u bërë kështu debutuesi më i ri i një roli kryesor në historinë e këtij festivali. Menjëherë pas këtyre dy evenimenteve të rëndësishme artistike nis një bashkëpunim i rëndësishëm me Operën Shtetërore të Vjenës, ku përveç të tjerash, shquhet interpretimi i tij në “Elisir d’Amore”, i cili nderohet me një nga çmimet më të lakmuara në botën e lirikës “Eberhard WAECHTER Gesang Medaille”, që u jepet të rinjve me karrierë premtuese. Më pas nis debutimi në role të rëndësishme që e çojnë artistin e ri të bashkëpunojë rregullisht me teatrot më të mëdha të operës në mbarë botën, nën drejtimin e dirigjentëve më të rëndësishëm të saj. Me rastin e kthimit të Saimir Pirgut në Metropolitan Opera të Nju Jorkut me rolin e Alfredos të operës “La Traviata”, e cila u vu në skenë në përvjetorin Verdian, në mars të 2013-s, gazeta e përditshme “New York Times” i kushtoi atij një artikull të gjatë prej dy faqesh, me titullin “Tenor from the dark side of the moon” (Tenori nga ana e errët e hënës), ku përshkruhen të gjitha pikat kulmore të karrierës së tij. Albumi “Il mio Canto” është hedhur në qarkullim nga Opus arte dhe u prezantua në fund të janarit me rastin e interpretimit në operën “Traviata”, në Royal Opera të Londrës. Në të përfshihen ariet më të bukura të shkruara për një zë tenori, shoqëruar me një prej orkestrave më të mira në botë, Orkestra del Maggio Musicale Fiorentino nën drejtimin e maestros Speranca Scappuci. Ky album për kritikën nxjerr në pah timbrin e zërit, muzikalitetin e spikatur dhe aftësinë për t’i dhënë çdo arie karakteristikat individuale të veçanta.

 



Pas