Rudina Kraja: Të ngas makinën? It’s my business

 

e madhe

Ajo numërohej si gruaja e dymbëdhjetë e pajisur me një licencë drejtimi në vitin 1991 . Ishin vetëm njëmbëdhjetë të tjera si ajo e së bashku sikur bënin dishepujt e një fenomeni që asokohe do të ishte çudi; gratë në timon! Gruaja e biznesit rrëfen aventurën e saj të gjatë në vozitje dhe sesi e mësoi në kohën kur autoshkollat nuk ekzistonin…

 

Kur mori në dorë kartonin  me emrin e saj të shkruar mbi të, që dukej si një pasaportë që dëshmonte se ishte e zonja të ngiste  një  automjet, dëgjoi se ishin aq të rralla gratë dhe vajzat që e kishin një të tillë sa mund të numëroheshin  me gishtërinjtë e dorës.

E njoftuan se ajo ishte e dymbëdhjeta. Një numër sa mistik, ndoshta edhe fatsjellës për Rudinën e cila i hyri botës së biznesit, kur ky i fundit sa kishte marrë lirinë në një vend me ekonomi të centralizuar në duart e shtetit.

Tashmë emri i saj njihet fort në botën e biznesit

E suksesshme në biznesin e importit dhe eksportit të peshkut “Poseidon Seafish”, me një ndërmarrje ku ka të punësuar  rreth 60 punëtorë, e ka shtrirë sipërmarrjen e saj edhe në Selanik nën logon “IvaMare EPE”, Rudina Kraja gjithashtu është anëtare e Dhomës së Tregtisë që nga viti 2008 dhe zv. Presidente që nga viti 2010.

Por pak janë ata që ia njohin pasionet. Përveç filantropisë ku së bashku me gratë deputete dhe figura të tjera të politikës si Erion Veliaj, Arban Ahmetaj dhe Silva Cak ka shpërndarë pako me ushqime për familjet në nevojë ajo është e pasionuar edhe pas makinave.

E ka mësuar ta ngasë  25 vite të shkuar, më 1991 –shin. Guida drejtuese duhej sajuar, pasi në atë kohë termi autoshkolla nuk ishte i dëgjuar. Dikush që kishte një patentë e mësoi ta ngasë.  “Është ndryshe të marrësh patentën dhe ndryshe ta ngasësh në realitet” –kujton  Rudina.

IMG_5575

Në fillimet e saj, kujton sesi përplaste stopat e makinës nëpër ngushticat e lagjes ku banonte e ndërsa sot është një pilote e vërtetë.

Kujton me humor një episod që i ka mbetur gjatë në kujtesë kur sa kishte nisur ta ngiste makinës. Ishte me vajzën e vogël, në Durrës për të marrë furnizim peshku. Pa e llogaritur mirë i ishte afruar një karrocë me kuaj dhe papritur kali prapësohet.

“Shtangëm  nga frika.  Nuk e ngisja dot makinën dhe as nuk dilja. Thjesht shihja sesi hekurat e karrocës i bënë disa vija të gjata te kofanoja. Pa të keq, i zoti i karrocës, e merr kalin, e largon thjeshtë dhe thotë: “Na fal motra!”.

E përkufizon veten si shofere shumë të mirë. Është më parimin se shofer bëhesh gjatë jetës, pra me eksperiencë.

Udhëton me orë të tëra, pa u lodhur. Brenda dhe jashtë vendit, për arsye biznesi,  por edhe për kënaqësi. I vetmi problem thotë ajo, është të mos jesh vetëm, sepse kur je vetëm në makinë, ngre muzikën, rritet adrenalina dhe pa e kuptuar rrit dhe shpejtësinë.

“Rrugët jashtë shtetit të ndihmojnë edhe të shmangësh aksidentet,  sepse çdo gjë funksionon në rregull. Në Shqipëri çdo gjë është shumë kaotike sepse nuk funksionon mirë asnjë nga strukturat e rrugëve dhe të trafikut” –thotë  Rudina, ndërsa  zbulon krenare se nuk numëron asnjë aksident.

IMG_5567“Femrat në timon janë shumë të kujdesshme sepse janë rrugë të rrezikshme. Meshkujt e quajnë veten superiorë në aspektin e drejtimit të makinës dhe nga vetëkënaqësia e shkelin pak më shumë gazin, bëjnë parakalime “të fortësh” dhe sigurisht bëjnë dhe  aksidentet më të mëdha”- thotë e bindur ajo.

Makinën e parë e bleu po atë vit që u pajismë patentë,   më  1991-shin. Ishte një Volkswagen Golf,  i vogël  me dy dyer në ngjyrë të zezë.

Prej asaj kohe i ka ndryshuar shpesh makinat. Prej  1992-shit e  deri më 1998-ën  ndërroi tre makina.  Pas Volkswagen Golf,  një Alfa Romeo 145 dhe më pas një Audi.

Pas këtyre bleu Renault me 0 km, më pas një Toyota Fuoristradë, më pas një BMË X5, më pas sërish një Toyota të re Fuoristradë. Në  vitin 2000 bleu  një Porche, më 2002-shin një Audi Alfa8,  një Porche tjetër më 2004-ën,  e  një tjetër Porche më 2008-ën. Prej  2014-ës nget  një Range Rover. Sipas përllogaritjeve që bën i ka ndërruar çdo dy vjet, sepse i pëlqen të jetë me më të rejat e fushës së automobilave.

Admiruese  e makinave të mëdha të tipit Fuoristradë, sepse siç shpjegon ajo kanë një kubazh të madh dhe “të mbrojnë kokën.” Ajo mendon se ka gjetur veten tek makina aktuale dhe preferon që deri sa të dalë në pension të ngasë makina të mëdha.

Kur është në Shqipëri  radion e përdor vetëm për të dëgjuar lajmet, sepse distancat e rrugëve janë të shkurtra, por kur bën rrugë të gjata jashtë Shqipërie preferon muzikë nga më të ndryshmet, gjithmonë sipas gjendjes shpirtërore.

IMG_5607-EditI pëlqejnë shumë udhëtimet e gjata dhe nuk lodhet kurrë. Çdo ditë i duhet të lëvizë me makinë. Fatkeqësisht i duhet të bëjë rrugë jo shumë të gjata ose për kënaqësi sepse biznesi sa vjen dhe rritet dhe çdo lëvizje, qoftë në Selanik apo në Itali është e shkurtër dhe për çështje biznesi. Gjithashtu nuk ka kohë në dispozicion për lëvizje të gjata, sepse duhet t’i qëndrojë biznesit mbi kokë.

Në Shqipëri nervozohet shumë në timon nga kaosi, ndërsa jashtë jo. Është një trafik i keq, ku askush nuk respekton asgjë. Gjithsesi nuk ka pasur konfrontime as me shoferët e tjerë, e as me policë. Rudina mundohet gjithmonë të jetë brenda rregullave.

Pasagjerët e preferuar janë ata që nuk dinë të ngasin makinën . Janë më të lirshëm dhe të rehatshëm. Përgjithësisht preferon të udhëtojë me shoqëri.

 

IMG_5596-Edit

Who’s who

Rudina Kraja është diplomuar në Ekonomi dhe Juridik dhe nisi të merret me biznes në vitin 1994. Në vitin 2015 ishte e nominuar si businesswomen  e vitit për  “Bleta e Artë”. Aktualisht ka biznesin në Shqipëri, “Poseidon Seafish”, ku përveçse bën import dhe eksport peshku, ka nisur një linjë prodhimi me më shumë se 60 punëtorë dhe gjithashtu ka biznesin në Selanik, IvaMare EPE.

 

Emri: Rudina Kraja

Patenta: 1991

Makina e parë: Volkswagen Golf

Makina Aktuale: Range Rover

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤