Rrëfehet Ermal Meta: Nuk e prisja fitoren, mami vetëm qante

Ermal Meta, fituesi i Sanremos, shprehu emocionet e tij me anë të një interviste telefonike në “Wake Up” për këtë triumf të madh.

Këngëtari shqiptar theksoi se “sa herë që nxjerr një këngë mendoj se është më e mira”, por nuk priste të fitonte festivalin e këngës italiane me “Non mi avete fatto niente”, edhe pse ishte këngë me “mesazh shumë të fortë”.

pyetur nga moderatorët, se si reagoi e ëma kur u shpall fitues, Meta u shpreh, “Mami nuk foli për 1 orë; vetëm qante. Pastaj filloi të fliste nga pak (qesh)”. Ndërsa i pyetur se si reagoi Silvia, vajza që i ka rrëmbyer zemrën, ai shprehet,“Shumë e kënaqur, kuptohet. Ka luftuar me mua në gjithë këto vite. Është i vetmi person që i di të gjitha. Të gjitha vështirësitë, gjithçka që kam bërë”.

Intervista e Plotë e Ermal Metës në Wake Up

Mirëmëngjes Ermali, faleminderit që pranove të flasim bashkë në Wake Up, dhe shumë urime për fitoren. Është super kënaqësi për ne të paktën, kush ka pëlqyer këngën që fitove çmimin e parë…

“Mirëmëngjes… Faleminderit shumë… Mirëmëngjesi të gjithëve!”

Ermal, vetëm për të kuptuar më shumë; kur ti çove këngën, që në fillim e mendove se kjo ishte puna jote më e mirë ndonjëherë?

“Këtë nuk e mendoja sepse unë sa herë që nxjerr një këngë mendoj se kjo është puna më e mirë që kam bërë, se ndryshe nuk bindem që ta publikoj ose ta nxjerr. Isha i bindur se kënga ishte shumë e fortë dhe mesazhi ishte shumë i fortë.

Nuk mendoja të fitoja, nuk mendoja të fitoja sepse kisha fituar në Sanremo vitin e kaluar me “Vietato Morire”, kështu që nuk e prisja një gjë të tillë. Por përgjigja nga ana e publikut nga ana e fansave ka qenë jashtëzakonisht e madhe, jashtëzakonisht…”

Ermal, megjithatë, a e zgjodhe ti Fabrizion apo Fabrizio kishte shprehur dëshirën të bënte një bashkëpunim me ty dhe ja ku erdhi Sanremo…?

“Ai më kontaktoi mua. Pak a shumë nga qershori më mori në telefon menaxherja e tij dhe më tha Fabrizio ka shumë qejf të flasë me ty sepse do të bëjë një propozim bashkëpunimi. Mua më ka pëlqyer gjithmonë si artist edhe i thashë: Po, patjetër, është kënaqësi e madhe. Pastaj u takuam dhe folëm për një këngë bashkë. Të dy na kishte ndodhur e njëjta gjë pas atentatit në koncertin e Ariana Grande.

Ndodhi që mua dhe atij na vinin mesazhe nga fansat tanë për koncertet tona dhe ishte një ndjenjë frike shumë e zgjeruar dhe e ndjenin të gjithë sepse pas Bataklanit njerëzit kishin frikë të vinin në koncert. Por kur e le jetën tënde në dorë të frikës, bëhet diçka që me vështirësi e kalon. Dhe në atë moment thamë të dy bashkë; le të bëjmë një gjë, të shkruajmë një këngë.

Dhe ai më tha se kishte shkruar para 3 vjetësh një këngë me një shokun e tij që fliste për diçka tjetër, por refreni mund të ishte i duhuri. Dëgjova refrenin dhe thashë “kjo mund të jetë shumë mirë” dhe e përpunuam bashkë dhe doli kënga. Por nuk e kishim në mendje që të shkonim në Sanremo.

Siç thashë dhe më parë, e kishim bërë një vit më parë një Sanremo dhe nuk na vinte në mendje të shkonim në Festival. Pastaj, fakti që po bashkëpunonim i arriti në vesh Klaudio Balionit dhe ai na ftoi që të shkonim, të paktën sa për të folur. Dhe një ftesë e tillë është diçka shumë e nderuar nga një prej kantatutorëve më të mirë në Itali dhe ishte si të them, një ftesë shumë e lartë. Dhe vajtëm. Ai e dëgjoi këngën dhe e pëlqeu shumë dhe na ftoi në mënyrë zyrtare në festival. Dhe pranuam”.

Me thënë të vërtetën kjo çështja e pezullimit të këngës unë besoj që të solli dhe pak dhimbje pak trishtim, u mërzite…?

“Po shumë!”

A pate një moment kur the: unë mund të tërhiqem. E mendove në një moment tërheqjen kur ata në Sanremo ta pezulluan këngën?

“As edhe një sekondë. Unë nuk kisha vajtur në Sanremo për të hequr dorë. Pastaj, jam si karakter që nuk heq dorë lehtë. Nuk shkojnë bashkë. Nuk e kam në karakter, nuk e mendoja. Pastaj të drejtën e kishim të dy nga ana jonë, pasi ne e kishim deklaruar të dy që ajo këngë kishte një refren që merrej nga një këngë tjetër, por që ishte prapë e të njëjtëve autorëve që kishin shkruajtur këngën tonë sepse ne ishim tre; unë, Fabrizio dhe Andrea, të njëjtët e këngës tjetër.

Por këtë, disa gazetarë e përdorën për të na akuzuar se kishim kopjuar. Ishte një këngë që ishte shkruar nga i njëjti grup. Është njësoj si të akuzosh një njeri që ka “vjedhur” në shtëpinë e tij. Ata nuk e kishin kuptuar një gjë të tillë, nuk e dinin ose nuk donin ta dinin.

Këtë nuk e di… Sepse ne e kishim deklaruar disa herë. Unë kam edhe provat sepse kishin dalë disa artikuj para se ne të shkonim në festival. Sepse ne po shkonim në festival me zhurmë të madhe, sepse të gjithë po flisnin për këngën që ishte shumë e mirë edhe na jepnin me vlerë shumë të lartë madje edhe përsa i përket basteve online.

Disa gazetarëve u ishte “fikur” veshi nga ajo anë dhe donin të bënin pak polemikë, zhurmë. Edhe mund ta kuptoj. Por nga ana tjetër, atyre iu kthye gjithçka kundër. Sepse thanë dicka që ishte e pasaktë. Është e vërtetë që ajo këngë kishte të njëjtin refren, por ishte prapë e jona”.

A mendon se gjithë kjo zhurmë, gjithë ky sulm nga jashtë nëse do ta quajmë kështu, ju ndihmoi juve që të arrini atë që donit; kënga u dëgjua u downlodua pa fund, zhurma bëri të vetën dhe kënga befas u bë popullore…

“Po, unë besoj se po, sepse të gjithë ata që kishin ndjekur Sanremon ndoshta me pak vëmendje u përqëndruan pak më shumë dhe dëgjuan këngën. Dhe duke e dëgjuar, e kuptuan pak më mirë gjithë atë që kishte ndodhur, edhe këngën e çmuan më shumë mbase. Kënga menjëherë u downlodua më shumë dhe është akoma numri 1 në Itali dhe në vende të tjera të Europës”.

Megjithatë folur shumë hapur; ti e ndjen më ndryshe edhe se Fabrizio Moro këtë punë edhe për faktin se mund të jesh shqiptar? A ke pasur këtë ndjenjë sulmi apo e përjashtojmë si pistë?

“Jo është diçka që e përjashtoj komplet. Nuk është e mundur sepse unë kam shumë vjet që bëj këtë punë dhe shumë gazetarë më kanë ngritur në qiell gjithmonë. Kësaj here përfituan pak”.

Ndërkohë, këtu në Shqipëri opinioni është ndarë në dy pjesë: ka nga ata që thonë se Ermal Meta është i yni dhe jemi krenarë që Ermal Meta fitoi Sanremon. Të tjerët thonë se: Ermal Meta është një kantautor i cili përfaqëson veten e vet. A i ke ndjekur ti këto komentet nga shtëpia jonë?

“Jo të them të drejtën. Jo se nuk kam pasur mundësinë t’i ndjek sepse ka qenë një javë jashtëzakonisht e ngjeshur dhe e çmendur për mua dhe nuk kam lexuar gjëra të tilla. Nga një anë nacionalizmi mund të jetë gjë e këndshme sepse unë jam shqiptar dhe kjo është gjë që nuk mund të fshihet dhe nuk dua ta fsheh sepse jam krenar për rrënjët e mia. Nga ana tjetër, çdo njeri përfaqëson veten e vet”.

Mami çfarë tha për fitoren tënde?

“Mami nuk foli për 1 orë; vetëm qante. Pastaj filloi të fliste nga pak (qesh)”.

Si mësuesja jote e parë në muzikë, kam përshtypjen se ajo e ka ditur kur ka dëgjuar këngën nëse ishte kënga e duhur për Sanremo apo jo. Apo nuk e konsultove ti me mamin?

“Atë e konsultoj gjithmonë sepse është shumë e rreptë nga ana e muzikës, sepse ka qenë mësuese muzike vete. E konsultoj gjithmonë sepse është mësuesja ime e parë”.

Ti do të shkosh në Lisbonë. Po aq atje do të shkojë dhe Eugent Bushpepa që përfaqëson Shqipërinë në “Eurovizion”. A e ke dëgjuar këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë atje dhe a ke kuriozitet ta shohësh?

“Akoma jo. Por do të doja ta shikoja, jam shumë kurioz”.

A do ta modifikoni këngën në “Eurovizion”. A do ta këndoni anglisht apo do ta mbani në variantin original?

“Unë mendoj se do ta mbajmë në italisht sepse këtë këngë e kemi shkruar në italisht dhe ashtu duhet të jetë sepse çdo gjuhë i jep forcë tingullit. Dhe kam frikë se po ta përkthejmë në një gjuhë tjetër do humbasë pak forcën!

Në videoklipin e këngës, mesazhi përcillet në gjuhë të ndryshme të botës…

“Po, patjetër, sepse donim që të kuptohej ky lloj mesazhi dhe po na shkruajnë nga gjithë Europa dhe nga Kanadaja, nga Koreja, nga e gjithë bota. E vërtetë…”

Si ndryshon karriera jote pas çmimit në Sanremo?

“Në këtë moment, e vetmja gjë që më intereson më shumë se të gjitha janë koncertet si muzikant live që jam, sepse kam lindur si muzikant live. Gjithmonë me koncerte, që kur isha 16 vjeç. Tani jam 37 vjeç dhe koncertet janë gjëja që më pëlqen më shumë. Në vitin 2017 kam bërë 80 koncerte.

Nuk kam bërë pak. Dhe besoj se ky vit do të jetë njësoj si 2017, sepse është e vërtetë që këtë vit fitova Sanremon, por vitin e kaluar fitova çmimin e kritikës, një çmim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Edhe viti i kaluar ka qenë vit me shumë lëvizje; bëra edhe një turne europian dhe vajta deri në Kanada dhe Majemi. Kështu që besoj se edhe ky vit do të jetë njësoj si 2017-ta”.

Meqë tani je në xhiro, a e mendon dhe Tiranën si stacion të koncerteve të tua?

“E kam menduar disa herë. Shqipërinë e kam menduar disa herë dhe besoj se do të vij patjetër të bëj një koncert në Tiranë me shumë qejf dhe me shumë nder”.

Po e dashura ndërkohë u kënaq sepse të kishte bërë një status me shumë dashuri në Instagram?

“Shumë e kënaqur, kuptohet. Ka luftuar me mua në gjithë këto vite. Është i vetmi person që i di të gjitha. Të gjitha vështirësitë, gjithçka që kam bërë”.

Ermal, ne të urojmë suksese në karrierën tënde në vijim dhe po aq në skenën e Eurovizionit. Ishte kënaqësia jonë që të kishim këtë mëngjes.

“Kënaqësia ishte e gjitha e imja… Faleminderit

Ne kemi Eugent Bushpepën atje dhe sa më shumë çuna nga tanët atje, aq më mirë dhe për ne këtej. Dhe meqë ne nuk votojmë dot nga Shqipëria Eugentin, për ty do të votojmë; kjo është e sigurtë…

“Unë do të bëj tifo për Shqipërinë, kuptohet” (qesh).

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤