‘Receta’ e një doktoranti të UET: Ne nuk jemi në tranzicion, por…

Dr. Gerti Sqapi është një histori suksesi më vete. Një ish-student i UET që i ka kryer studimet Bachelor edhe Master në Universitetin Europian të Tiranës dhe njëkohësisht është pjesë e 100 studentëve më të mirë Alumni. Punimi i tij i fundit finalizues i gjithë kësaj periudhe të gjatë akademike është Doktoratura me titullin “Demokratizimi” (Kushtet dhe faktorët që kushtëzojnë suksesin e tij). Aktualisht ka 5 vite që është lektor në shkenca politike dhe sociologji dhe doktoraturën gjithashtu e ka në fushën e shkencave politike.

Bisedoi: Ada Kacmoli

Pse zgjodhët këtë temë për zhvillimin e doktoraturës suaj? Çfarë ju shtyu më tepër?

Që në studimet e mia Master kam qenë i interesuar të lexoj dhe të përqendrohem në fushën e demokratizimit. Autorët që më tërhiqnin më tepër në atë kohë ishin Guillermo O’Donnell, Philippe Schmitter, Juan Linz dhe Alfred Stepan. Edhe temën time të Masterit e bëra në këtë fushë duke mbrojtur idenë e fundit të paradigmës së tranzicionit, si një paradigmë teorike për shpjegimin e demokratizimit në vende të ndryshme që u përfshinë në të ashtuquajturën “vala e tretë” e demokratizimit.

Temën e doktoraturës e kisha pak më të lehtë ta zgjidhja, pasi e mendova si një vazhdim dhe zhvillim në rrafshin teorik për të shpjeguar faktorët që janë të rëndësishëm për të shpjeguar demokratizimin ose konsolidimin e demokracisë në një vend. Pra, mund të them që atëherë fusha ime e interesit për t’u studiuar ka qenë demokratizimi. Për më tepër që edhe dhënia mësim në Universitetin Europian të Tiranës në një lëndë që ka të bëjë drejtpërdrejt me këtë fushë, ka qënë një shtysë më tepër për t’u thelluar më tej aty.

Cilët janë kushtet apo faktorët që ju i shihni si përcaktuese për demokratizimin në një vend?

Duke evituar formulimin pozitivist, duke i parë faktorët si përcaktues (në terma shkakësorë) për suksesin e një demokratizimi, në punim kam përdorur qasjen metodologjike post-pozitiviste, që do të thotë i kam parë faktorët si kushtëzues (pra, formulimi i ligjeve probabilistike, dhe jo shkakësorë) për shpjegimin e demokratizimit.

Në punim kam argumentuar se kushtet dhe faktorët që kushtëzojnë një demokratizim të suksesshëm varen nga forca të brendshme të një vendi, dhe këto janë përkatësisht ekzistenca e një shteti efektiv, një shoqërie civile të gjallë dhe të dendur, dhe të niveleve sa më të larta të theksimit të vlerave të vetë-shprehjes ndër anëtarët e një shoqërie. Kuadri teorik që ngrihet në punim është mbështetur mbi këto tri faktorë apo variabla strukturorë për të shpjeguar produktin e një demokratizimi të suksesshëm.

A mund të na thoni cilat ishin disa nga vështirësitë për zhvillimin e doktoraturës dhe sa zgjati ajo deri në botimin si libër?

Periudha e doktoraturës për mua zgjati më pak se 4 vite, ndërsa periudha e shkrimit të doktoratës zgjati rreth 1 vit. Gjatë gjithë kësaj kohe unë kam qenë i angazhuar edhe në mësimdhënie si pedagog i brendshëm në UET, ndaj kuptohet pse kjo periudhë zgjati më shumë.

Sigurisht, mund të them se doktoratura ka qenë sipërmarrja shkencore më intensive, më e lodhshme dhe e mundimshme për mua, por pa dyshim kur puna është e madhe, edhe frytet edhe kënaqësia që merr nga ajo, janë akoma më të mëdha. Mund të them sa ditë dhe nëtë të tëra kam kaluar zgjuar mbi libra dhe kompjuter duke punuar mbi doktoraturën, por më kujtohet ajo shprehja: “zgjidh punën që dëshiron të bësh më tepër, dhe nuk të duhet të punosh asnjë ditë në jetën tënde”.

Si e shihni procesin e tranzicionit në Shqipëri?

Termin “tranzicion” kemi mbi 27 vite që e dëgjojmë tanimë në Shqipëri, dhe me kalimin e kohës duket sikur nuk bën më përshtypje ta dëgjosh. Ajo çka jam përpjekur të bëj në punim kur kam shpjeguar kushtet që kushtëzojnë suksesin e demokratizimit në një vend, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, pasi është një nga katër rastet studimore që unë kam marrë, është se etiketimi “si vend në tranzicion” nuk ka më kuptim në ditët e sotme, duke nxjerrë në pah edhe kritikat ndaj natyrës teologjike që e karakterizon qasjen e tranzitologjisë në shpjegimin e demokratizimit.

Pra, ne nuk jemi një vend në tranzicion që presim medeomos të shkojmë drejt konsolidimit të demokracisë, dhe kemi ngecur diku rrugës. Ne jemi një demokraci e pakonsoliduar, një demokraci jo efektive, apo demokraci me probleme që mund të vazhdojmë të mbetemi të tillë për aq kohë sa nuk do kemi një shtet efektiv, një shoqëri civile të gjallë dhe energjike, dhe vlera të vetë-shprehjes (si të kundërta me vlerat e mbijetesës apo ato materialiste) të theksuar tek sa më shumë masa të qytetarëve në vendin tonë. Janë këto tri faktorë strukturorë ato që do kushtëzojnë suksesin ose jo të demokracisë në vendin tonë, dhe për aq kohë sa nuk do shkojmë drejt tyre, nuk do ta kemi produktin e një demokratizimi të suksesshëm apo të një demokracie të konsoliduar në vendin tonë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤