Editorial

Rasti ‘Valbona’: Industria e rëndë si enverizëm, apo industria e lehtë e turizmit?






               Publikuar në : 09:27 - 11/06/16 |
mapo.al

Alfred LelaNga Alfred Lela


Javën që shkoi, bashkia e Tropojës çeli sezonin turistik në luginën e Valbonës. Ritualet ishin thuajse të përvitshmet: grupet folklorike të krahinës, një panair modest ushqimesh apo prodhimesh artizanale të zonës; krerët e pushtetit lokal dhe deputetë; gazetarë; banorë vendës e turistë ditorë apo fundjavorë. Panorama mbetej ajo e një bukurie të përjetshme, por një shqetësim i ri sikur endej mbi luginën alpine, si paralajmërimi i një korie (turpi) apo gjame tjetër.

Ajo që mund të ndodhë apo pritet të ndodhë, është ndërtimi në luginë duke shfrytëzuar ujërat e Valbonës, së 11 hidrocentraleve. Kryetari i bashkisë së Tropojës, Besnik Dusha, thotë se bëhet fjalë për vetëm 2 të tilla dhe se njëri ka qenë funksional edhe para viteve ’90 apo ‘në kohë të Enverit’. Ai, si çdo qeveritar lokal që do të maksimizojë burimet e të ardhurave për zonën, duket se është ndërdyshas.

Sido që të jetë, në 20 kilometrat e luginës që gjarpëron mes malesh në formën e një lumi që është Valbona dhe që është edhe limfa e gjithë kësaj të çare alpine, 11, 5 apo dhe 2 hidrocentrale, ngjajnë si një sipërmarrje vetëshkatërruese. Të tillë e kanë ndjesinë edhe një grup të rinjsh vendës që pyesin: çfarë do të ishte lugina e Valbonës pa Valbonën? E dënuar me mosqenie, sigurisht. Ata e të tjerë si ta kërkojnë përfaqësim të zërit të tyre në qendër dhe një shpresë e kanë te gazetarët që mund ta përcjellin këtë shqetësim në kanale publike apo private.

Shumëkujt mund t’i duket një brerje e parëndësishme lokale dhe pa peshë në shkallëzimin e madh të gjërave. Mund të jetë kështu, por ja pse tropojanët, dhe të gjithë ata që kanë pasur fatin ta vizitojnë këtë luginë do ta kundërshtonin.

Së pari, në përmasa fizike, lugina e Valbonës është një gjë e hajthme, një venë e kaltër dhe e gjelbër, aty ku ulen e pushojnë fundet e dy kreshtave madhështore malore. Ndërhyrjet në anët e lumit me kanale, beton, çarje, gërmime e ndërtime, do të krijonin një plagë natyrore të pashmangshme e të pambyllshme.

Së dyti, ndërtimet e HEC-eve mbi Valbonë do t’u hiqnin goje e duarsh banorëve të zonës një burim ekonomik të përhershëm si turizmi. Ato vende pune që do të krijonte ndërtimi i HEC-eve do të ishin të përkohshme, ndërsa vendet e përhershme për mirëmbajtjen apo sigurinë, shumë të pakta dhe të pallogaritshme në raport me ekonominë që sjell turizmi malor në zonë. Valbona do të ishte një tjetër viktimizim i veriut, i cili i ka lëndët e para dhe burimet natyrore për mirëqenie, por këtë të fundit e ka pasur e vazhdon ta ketë të ulët. Valbonasit do të pyesnin me të drejtë: pse duhet të shkojë diku tjetër ajo që është këtu?

Së treti, ndërtimi i HEC-eve ndryshon fizionominë ekonomike dhe natyrore të zonës, të cilat janë qartësisht të dhëna drejt turizmit dhe, ngadalë por me siguri, kanë prodhuar efektet e para. Turizmi është fati i Valbonës dhe pyka e një industrie tjetër, si ajo e energjisë, do ta linte zonë pa njërën dhe pa tjetrën.

Së katërti, HEC-et do të kishin edhe një implikim demografik e social. Fshatrat e luginës së Valbonës janë të populluara gjatë gjithë vitit, gjë që shkon në kah të kundërt me realitetin në veri, dhe njerëzit kanë filluar të kthehen sa nga emigracioni aq dhe nga mërgimi i brendshëm. Valbona është bërë shtëpia e dy grave të huaja: një amerikaneje dhe një gjermaneje. Të gjithë këta njerëz që janë kthyer, po të kishin dashur një hidrocentral mund të vendoseshin në Fierzë, pak kilometra më poshtë. Ata janë kthyer në vendlindje, në gji të natyrës dhe, sigurisht, drejt idesë se me sipërmarrje të vogël apo të mesme në turizëm, duke përdorur burimet e zonës mund të nxirrnin edhe jetesën.

Sipërmarrja në vetvete është një gjë e mrekullueshme: edhe kur ka të bëjë me një ndërtim ‘të rëndë’ si një hidrocentral, i cili ka në vetvete jo vetëm shpresën e fitimit, forcën e shndërrimit, por edhe idenë e dritës. Megjithatë, drita që mund të prodhohet nga ujërat dhe territoret e Valbonës nuk bën më shumë se sa shkimb një shpresë më të madhe për zonën, që është turizmi dhe kthimi i njerëzve te vendi dhe tradita e tyre.

Ka një vazhdimësi të pavend në rastin e Valbonës, së idesë enveriste për ‘industrializimin e rëndë të vendit’. Ja edhe lajmi: jemi një vend i vogël dhe nuk mund të jemi të rëndë në asgjë! Sipas peshës specifike, le të merremi me disa industri të lehta që i përshtaten shtatit të Shqipërisë, një prej të cilave është sigurisht turizmi.

Një varg hidrocentralesh ‘me dritë partish’ në Valbonë do të ishin një ndërhyrje tragjike: Bjeshkët do të ktheheshin me gjithë mend në të Namuna.



Pas