Rasti i Elvana Gjatës: Pse kronika rozë është në të vërtetë e zezë

Një diskutim më ndryshe për raportimet për lajmet rozë dhe dëshirën e njerëzve për të qenë në vend të dikujt tjetër

Nga Enton Palushi
Thuajse një vit më parë, një shkrim i publikuar nga unë në gazetën Mapo, u bë viral në rrjetet sociale. Shkrimin e kisha shkruar pas vdekjes së gazetares dhe prezantueses Adelajda Xhumani. Vdekja e saj nxiti shumë reagime në median sociale duke shtuar dëshpërimin e zakonshëm se në Shqipëri dëgjon vetëm për vdekjen, se ky vend nuk bëhet, se prej këtu duhet t’ia mbathësh sa më shpejt etj.

Edhe pas rastit në ish-Bllok, ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën, rrjetet sociale janë ‘thyer’ ngjashëm nga komentet e reagimet e shumta. Ndoshta kjo nuk do ndodhte po të mos ishte përfshirë në histori edhe Elvana Gjata, një nga yjet më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Detajet e kësaj historie vazhdojnë të mos jenë të plota, por deri më tani thuhet se ‘molla’ e sherrit, ose të paktën preteksti i përplasjes së armatosur, të ketë qenë ajo.

***

Disa portale kanë publikuar këto ditë një listë të atyre vajzave të njohura të skenës dhe ekranit, që kanë patur lidhje me djem të fortë ose me personazhe të krimit. Sipas tyre, është dëshpëruese që të rinjtë e sotëm kanë për model të tilla vajza. Sado që të përpiqesh që të jesh një zë i qartë në këtë histori, mbetet sërish shumë e vështirë për shkak të kakofonisë së zërave. Siç thotë neuro-shkencëtarja Molly Crockett, postimet për çështjet e moralit janë ato që nxitin më shumë debat, por edhe revoltim në rrjetet sociale.

E para që duhet sqaruar në këtë histori është se nuk dihet se kush e ka vendosur që personat që merren me argëtimin tonë, duhen gjykuar kaq ashpër. Vërtet paratë i marrin prej nesh, por me vullnetin tonë të lirë. Kështu që si taksapagues, bëjmë mirë që të mos harbohemi pas kësaj teme.

E dyta, prej fillimit të kohës, që kur njerëzit nisën të argëtonin njëri-tjetrin, nuk është se gjithkush ka aspiruar që të bëhet një argëtues/e. Madje jeta e tyre nuk është se ka qenë gjithmonë e mirë dhe e lehtë. E kundërta është e vërtetë.

E treta, ka një përpjekje për të prezantuar argëtuesit si modelet më të mira që duhen ndjekur, një rudiment që ka ngelur që nga koha e komunizmit në Shqipëri, kur këngëtarët silleshin mirë në skenë dhe jashtë saj. Argëtuesit e bëjnë këtë gjë për të na hequr disi mendjen nga gjërat serioze dhe të lodhshme në jetë. Nëse edhe kur jeni duke u argëtuar, jeni duke menduar seriozisht dhe po indoktrinoheni, atëherë aq më keq për ju. Kjo do thotë se nuk po argëtoheni. Madje duhet të kontrolloheni.

***

“Kur isha në universitet, Hollivudi nxori filmin e titulluar “The Untouchables” (Të Paprekshmit). Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert De Niro luante rolin e gangsterit Al Kapone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “Të Paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit. Në një kohë kur Çikago qe e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafies të ngulitur thellë, kjo njësi e pakorruptueshme, e pavarur, qe në gjendje të arrestonte Al Kaponen e famshëm. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri – një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Ka një propozim që kjo të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH-së, e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane”.

Kështu deklaroi thuajse dy vjet më parë, ish-ambasadori amerikan Donald Lu, gjatë një fjalimi në Tiranë. Nuk ishte hera e parë që amerikanët iu tregojnë shqiptarëve se edhe ata e kanë patur periudhën e tyre të krimit të madh. Ishin vitet ’20, që në SHBA njihen edhe si ‘Roaring 20s’, kur krimi dhe gangsterët lulëzuan, kur muzika dhe arti ishin në kulm, kur divat përfundonin shpesh jo vetëm në vaska me qumësht, por edhe të vrara në rrugë. Nëse u hedh një sy lajmeve, e kupton se kjo ishte periudha kur Hollivudi flirtonte më shumë me krimin. Dhe e ka një arsye: Nëse krimi prevalon, nuk është e thënë që të ketë një fushë të jetës që t’i shpëtojë atij. As muzika. A jemi vërtet ne shqiptarët në periudhën e ‘Roaring 20s? Nëse i beson ish-ambasadorit amerikan, po. Shanset janë që e tillë është situata.

***

Para pak muajsh, këngëtarja e njohur Demi Lovato përfundoi në një spital me overdozë droge. Meraku më i madh i saj ishte që media të mos merrte informacion për gjendjen e saj. Lajmi përfundoi menjëherë nëpër gazeta, ashtu siç mund të mendohet. E di që ka shumë vajza të reja që do donin të ishin si Demi Lovato, e pasur dhe e suksesshme. Por jeta nuk është asnjëherë siç duket.

Thelbi i arsyes se përse shkrimi im i para një viti u bë i suksesshëm ishte se tentonte të shpjegonte se jeta është e vështirë, nuk ka rëndësi nëse je i famshëm dhe i pasur. Ata kanë të bukur talentin, rrobat, makinat e shtëpitë. Jeta e tyre është po aq e mbushur me sëmundje, varësi, seks, drogë, dhunë etj.

Thjesht ndryshon mënyra se si e pasqyron media, sidomos në Shqipëri. Këtu te ne, lajmet rozë janë vërtet rozë. Kurse kudo në botë, lajmet rozë janë kaq të zeza, sa të paktë janë ata që do donin jetën e këtyre yjeve. Problemi është se media këtu te ne nuk flet për pjesën e zezë të lajmeve rozë derisa e zeza bëhet kaq e errët, sa i trullos të gjithë.

***

Është një lojë që e kanë luajtur gjithmonë me mendjen e tyre njerëzit. Quhet ‘dua të jetoj jetën tënde’. Është një dëshirë e vjetër sa e gjithë bota. Por është e vështirë që të jesh në ‘këpucët’ e dikujt tjetër. Jeta nuk është rozë, nuk ka rëndësi nëse je në majë të Hollivudit apo diku në getot e Brazilit. A do e donit jetën e Demi Lovatos tani? Apo vërtet do të donit që të ishit në vendin e Elvana Gjatës? Dhe nuk po ndalem që të citoj studime, psikologë e neuro-shkencëtarë. Ka gjithmonë e kudo një anë të errët. Betejën e kemi me veten. Të gjithë i kemi demonët tanë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤