Pse nuk i dhamë Vaçe Zelës floririn për dhëmbin e thyer….

View Gallery
3 Photos
Pse nuk i dhamë Vaçe Zelës floririn për dhëmbin e thyer….
Vace Zela 1

Pse nuk i dhamë Vaçe Zelës floririn për dhëmbin e thyer….
Vace Zela

Pse nuk i dhamë Vaçe Zelës floririn për dhëmbin e thyer….
Vace-Zela

Ish-anëtari i Byrosë Politike të KQPPSH-së, Muho Asllani, në vijim të rrëfimit të tij për gazetën “Panorama” i përgjigjet djalit të Enver Hoxhës, Sokol Hoxhës, në lidhje me valutën që zotëronte PPSH për partitë simotra marksiste-leniniste të cilën e ka përvetësuar Ramiz Alia në vitin 1991.

Por Muho Asllani tregon edhe një episod për të kuptuar se sa strikte ishin ligjet për të përdorur rezervat e arit në Shqipëri në kohën e komunizmit. Ai sjell në vëmendje një rast kur këngëtares së njohur Vaçe Zela i ishte thyer një dhëmb i parë dhe ishte në prag të një turneu në Kinë dhe që shteti u angazhua që t’i siguronte sasinë e floririt që i duhej për të bërë dhëmbin.

Djali i Enver Hoxhës, Sokol Hoxha, ka shkruar se Ramiz Alia në vitin 1990 si President, kur ka shkuar në Nju Jork, në Asamblenë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara, bashkë me të birin, ka kaluar në llogarinë e tij personale fondin që PPSH kishte për partitë e huaja. Keni dijeni për këtë?

Ka pasur një fond Partia, që na i jepte Kina, që e dirigjonte Sekretariati i KQPPSH-së, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Haki Toska dhe Kryeministri, për të mbështetur partitë marksiste-leniniste. Ky fond ishte tepër sekret.

Ku ishte i depozituar, jashtë apo në Shqipëri?

Në Shqipëri.

Mund të ketë bërë Ramiz Alia ndonjë kalim në llogarinë e tij personale?

Nuk besoj, sepse çdo gjë ishte me dokumente. Kur kanë hetuar Byronë Politike, janë mobilizuar financierët më të mirë që kishte vendi, të cilët ishin shndërruar në demokratë dhe nuk na kanë gjetur asnjë shkelje. Na kanë gjetur 30 lekë në ditë, një kafe dhe një byrek që kishim si kuotë ditore për të shpenzuar. Prandaj dhe gjyqi jonë u quajt “gjyqi i kafeve”.

Por është folur shumë pas viteve ’90 për përdorime vetjake të arit shqiptar. Si përdorej dhe kontrollohej sasia e arit që përfitohej dhe nga përpunimi i metaleve në vend?

E vërteta është se është folur shumë, jo për rrëmbim ari apo transferim ari jashtë Shqipërisë. Unë di që edhe ajo përqindje ari që dilte nga përpunimi i bakrit, ishte aq e vogël dhe aq e ruajtur, saqë një gram të mungonte, tjetri shkonte në plumb. Për të kuptuar se sa të kontrolluara dhe brenda rregullave strikte funksiononte kjo punë, po të tregoj një precedent të bukur.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të shkonte në një turne në Kinë, më duket. Por Vaçe Zelës i ishte thyer një dhëmb dhe ashtu siç ishte ajo, një nga figurat kryesore të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve bënte figurë të keqe, me dhëmb të thyer. Në një mbledhje të kryesisë së Këshillit të Ministrave, ku bënte pjesë Kryeministri, zv.kryeministri dhe ndihmësit e tij, ku bëja pjesë dhe unë, si ministër Shteti, drejtori i Thesarit, Qirjako Mihali, ka diskutuar për më shumë se një orë nëse duhej dhënë disa gramë flori që nevojiteshin për të bërë dhëmbin Vaçe Zela se nuk mund të shkonte në koncerte me dhëmbin e thyer.

Unë i thashë me ironi, se më erdhi në majë të hundës: Si nuk më thanë shoku Mehmet, se kaq gram ar e kisha blerë në Shkodër se kanë malësoret tona si zbukurime në veshjet e tyre dhe e kishim mbyllur këtë muhabet! Mehmet Shehu u nxeh dhe më tha: Ti do të tallesh Muho?!

Si u vendos, u ra dakord që Vaçe Zela të merrte sasinë e arit që duhej për të bërë dhëmbin?

Jo, Kushtetuta e kishte të ndaluar nxjerrjen e arit nga Thesari i Shtetit për çfarëdo arsye, pa u mbledhur Kuvendi Popullor. Pra, do mblidhej Kuvendi për të miratuar aq gram ar sa i duhej Vaçe Zelës për dhëmbin e thyer. Nuk u miratua, sepse ishte shkelje Kushtetute. Nuk e di sesi u zgjidh dhëmbi i Vaçes, sepse edhe unë nuk pyesja më gjatë, sepse haje kokën, të thoshin, po t’i pse po pyet kaq shumë, çfarë interesi ke!

***

Sokol Hoxha: Ramizi përvetësoi në Nju Jork fondin e emergjencës

Djali i Enver Hoxhës, Sokol Hoxha, akuzon drejtpërdrejt Ramiz Alian dhe djalin e tij Arbenin, se kanë përvetësuar valutën e shtetit shqiptar, duke e depozituar në llogaritë e tyre personale. Në librin e Liliana Hoxhës, “Pushtimi i brendshëm”, Sokol Hoxha tregon se gjatë vizitës së parë në Nju Jork, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Ramiz Alia, i cili shoqërohej nga i djali i tij Arben Alia, në rolin e përkthyesit, ka bërë transaksione të fondit të emergjencës së shtetit shqiptar të depozituar në bankat e huaja, duke i kaluar në llogaritë e tyre personale.

Sipas tij, Alia dhe djali i tij janë shoqëruar nga lobingjet antishqiptare greke apo të diasporës gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork. “Me gjithë kronometrimin e kohës së takimeve, gjoja zyrtare ose vërtet të tilla të Alias, mbetet e pajustifikueshme dot nga Polovina veprimtaria në “kohën e lirë” të zotërinjve Alia, pikërisht për atë 2 orësh, që unë kam folur qartësisht vite më parë, për çka u dashka ndalur sërish.

Edhe po të fabrikohen dëshmitarë për vizitat në muzetë që pretendon të ketë shkuar R.Alia, asgjë nuk mund të provojë apo askush s’mund të kundërshtojë që atë e bir s’kanë pasur mundësi të largohen vetëm sa të bëjnë transaksionet nëpërmjet bankave të Nju Yorkut, të fondit të emergjencës së shtetit shqiptar në kontot personale të tyre. Fond ky, për të cilin më ka vënë në dijeni im atë. Lëvizje shumë e studiuar nga ana e tyre, për ta shkëputur praktikisht krejt ekzistencën e fondit partiako-shtetëror të emergjencës, depozituar në bankat jashtë Shqipërisë, nga njohja e presupozuar prej tij nga Nexhmije Hoxha. Kështu rezulton të jetë sot.

Ajo e Ilir Hoxha jetojnë me pensionet që u ka akorduar Alia për veprimtari e njohuri të përbashkët. Thënë ndryshe, edhe që të mos hapin gojë kundër njëri-tjetrit për vazhdimësinë e pushtetit. UDBja u fut edhe më thellë në Shqipëri nëpërmjet R.Alias me klientelë biznesin, përfaqësuar nga z.Kokëdhima e të tjerë, të paguar CASH në vitin ‘90, për dominim të ekonomisë, mediash e doemos të politikës. Z. Kareco, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë, kur Alia ishte President i parë pluralist, e akuzon atë publikisht në media për rrëmbim të Thesarit të Shtetit Shqiptar nëpërmjet transaksioneve duke shfrytëzuar vizitën në Nju York në ‘90″, shkruan Sokol Hoxha në librin e Liliana Hoxhës, “Pushtimi i brendshëm”.

/Panorama/

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤