‘Provokatori’: Dy gjëra nuk ia fal Enver Hoxhës

Ka përfunduar Panairi i Librit në Tiranë dhe interesi ka qenë i madh për stendën e UET-Press. Një nga librat më të kërkuar dhe më të debatuar ishte ‘Provocateur’ nga Mustafa Nano. Në këtë libër, Nano rrëfehet me një stil interesant në një autointervistë. Mes të tjerave, ai flet për Sali Berishën dhe Edi Ramën.

Si do të mbahet mend Berisha në histori?

Nuk di të them se si do të mbahet mend. Historisë nuk mund t’i zihet besë. Ajo ka një kut të vetin të çuditshëm për të matur gjërat. Historia jonë, fjala vjen, e ka bërë zakon të regjistrojë për mirë lloj-lloj mujsharësh e vrasësish.

S’duket se është kështu. Enver Hoxha do të mbahet mend për keq.

Jeni i sigurt? Do të ishte kështu sikur historinë ta bënim ne sot. Por historia nuk është kjo. Historia është një gjë e stërmadhe, e stërgjatë, e pasosshme dhe, siç thashë, vlerësimet i bën mbi kritere të çuditshme, të cilat neve as që na i kap truri. Pas njëqind vitesh, ndoshta edhe pas më pak sesa kaq, Enver Hoxha nuk është e thënë të shihet me syzet e sotme.

Po si do të mund të shihet?

Nuk e di. Askush nuk e di.

Bëni një përpjekje për t’u bërë njësh me historinë dhe thuajeni tuajën!

Por ky është një ushtrim i pamundur. Ne nuk e dimë se si do të jetë e nesërmja. Sikur punët e këtij vendi të shkojnë keq e më keq (fjala vjen, sikur të plasë një luftë fetare mes shqiptarëve, që Zoti mos e dhëntë), kjo e gjitha do të shkojë në favor të rivlerësimit të figurës së tij.

Ose sikur demokracia si sistem qeverisjeje të dalë nga moda një ditë, sikur rendi, siguria, uniteti kombëtar etj., të dalin si një nevojë bazike e njeriut, përpara lirisë, e për rrjedhojë të interpretohen si kryevlera të njerëzimit, sikur një autoritet i fortë qendror, në funksion të mbrojtjes së këtyre kryevlerave të reja, të rezultojë më efektiv sesa sistemet institucionale të plogështuara, ndoshta të bllokuara prej parimit check & balance, sikur modelet autoritariste e diktatoriale të rikuperojnë një farë force tërheqëse (kjo edhe mund të ndodhë nëse Kina, kjo Kinë që është sot, arrin të bëhet superfuqi ekonomike e ushtarake deri në vitin 2050, gjë që është shumë e pritshme në fakt, po aq e pritshme sa Kërshëndellat e këtij viti; dhe dihet që superfuqitë merren për model në çdo pikëpamje, kanë vetvetiu një fuqi ngashënjyese, lëre pastaj që superfuqitë dinë edhe t’i imponohen botës, e ta shesin suksesin e tyre si “fundin e historisë”) etj., etj., të gjitha këto do të bënin që vendi i Enver Hoxhës në histori të rishihej, do të bënin që mizoritë e tij të shiheshin si një dëm / efekt anësor i regjimit të tij, që nga ana e vet do të shihej si një kurë e dobishme për kohën, e për një vend si Shqipëria. Mos u çuditni nga këto pandehma. Historia është një kuçkë e keqe.

Në Irak janë duke vajtuar fundin e Saddam Hussein-it, në Libi të Muammar Gaddaf-it. Egjiptianëve nuk iu la kohë të vajtonin për Hosni Mubarak-un, pasi në fuqi erdhi, për fatin e tyre, një Mubarak i ri, Abdel Fattah el-Sisi, e kështu me radhë.

Ju mendoni se Shqipëria ka lidhje me vende të tilla?

Ju mendoni se nuk ka? Ju mendoni se Enver Hoxha nuk na ka hije si komb, si popull, si shoqëri? Unë nuk jam kaq i sigurt.

Kush është Enver Hoxha për ju?

Ne të sotshmit i mëshojmë shumë anës së tij diktatoriale, mizorive të kryera prej regjimit të tij, krimeve të urdhëruara prej atij vetë. Mirëpo, nuk janë këto që do t’ia mbyllnin derën e historisë. Gjëra të tilla nuk janë të papara e të padëgjuara në këtë botë. Përkundrazi, krimet e shteteve e të sundimtarëve janë një normë në historinë e njerëzimit. E shpeshherë janë marrë për punë të këqija të kryera për qëllime të mira. Sa për mua, janë dy gjëra që nuk do të mund t’ia falja atij.

Së pari, gjatë regjimit të tij, që zgjati shumë, gati gjysmë shekulli, u mboll një mjerim i skajshëm. Dukej sikur ai i kishte vënë si objektiv vetes që ta varfëronte këtë vend me po atë progresion që bota përreth pasurohej. Si zor të gjendet në histori një regjim tjetër, që t’i ketë pasur duk puna më pak se regjimit të tij. Sa më shumë që njerëzit stërmundoheshin, aq më të varfër bëheshin.

Dhe së dyti, është mbyllja që i bëri vendit. Edhe kjo ishte një gjë që në historinë e botës ndodh shumë rrallë. Dhe kjo ishte shenja më e qartë që atij i interesonte sundimi i tij, dhe që të mirën e vendit nuk e kishte fare në axhendë.

Unë, sikur të më ngarkohej detyra për t’i bërë gjyqin e historisë, do të ndalesha në mënyrë të veçantë te ky krim: “Veçimi i një populli të prapambetur prej botës së qytetëruar; burgosja e një populli të tërë”. Për krimet e tjera, duke përjashtuar edhe varfërinë që përmenda, ka gjithnjë një alibi. Sikur të mos ishte ai vetë i aftë për t’u gjetur një alibi krimeve të tjera, do të isha unë që do ta ndihmoja.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤