Prishtina, Qyteti që nuk fle


1960015_10153915754820227_1183076405_n

Edhe pse dukshëm më e vogël se Tirana, për kontekstin shqiptar të shoqërisë dhe kulturës, Prishtina është një metropol i vërtetë.

Mbase është qyteti i vetëm shqiptar që nuk fle kurrë dhe ku energjia e jetës bubërron si në hoje të bletëve.

Shkrimtari dhe filozofi urban, Albatros Rexhaj në një guidë të kryeqytetit të Kosovës

Vendet për të mos u humbur

Swiss-Diamond-Hotel

Dua të filloj me hotelin Suis Diamond, hoteli i vetëm në rajon që mund të thuhet se ka më shumë se pesë yje dhe me një SPA përrallor. Një “must see” është monumenti gjigand i “Bashkim – Vëllazërimit”, simbol i bashkëjetesës së dështuar të kombeve të Jugosllavisë së dikurshme. Edhe pse e shoh çdo ditë, për mua, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, një ndërtesë gjigande që ishte dizajnuar me idenë që të shpërfaqte fuqinë e rinisë jugosllave, është një nga simbolet e Prishtinës.

Diçka e veçantë për t’u parë është ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare, që është një atraksion ndryshe, sepse është radhitur një nga objektet më të shëmtuara në Evropë. Monumenti NewBorn, i vendosur përkohësisht përbri Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, por që asnjëherë nuk u zhvendos në një lokacion më të mirë, është simbol i Prishtinës si kryeqytet i Kosovës së pavarur.

Për adhuruesit e kulturës orientale, në qytetin e vjetër janë xhamitë e vjetra që datojnë që nga shekulli XV dhe XVI dhe që janë thesar i arkitekturës tipike osmane. Thuhet se një pjesë e zbukurimeve të brendshme, që janë shumë të bukura, janë punuar nga kurator hebre, pasi aty- këtu kanë lënë shenja të dukshme të kulturës hebraike (ylli i Davidit, pema Sefirot, etj.).

Koha më e mirë për ta vizituar

Prishtina shijohet më së shumti në pranverën e vonë, gjatë verës dhe në vjeshtën e hershme. Kjo është koha kur qyteti është zgjuar për 24 orë. Gjatë mbrëmjeve ka organizime të shumta, muzikë LIVE dhe vallëzime në qendër të qytetit, ndërsa pedonalja vlon nga njerëzit që shëtisin deri në orët e vona të natës.

4197170506_33f56def38_o

Ku ta kthesh një gotë

Prishtina ka shumë vende ku mund ta kthesh një gotë, qoftë në qendër, por edhe në periferi. Ka aso vende ku duhet të paguash çmimin e krekosjes – vende ku shkohet për të treguar praninë –por ka edhe vende ku bëhet shumë qejf edhe pse birra kushton vetëm një euro. Rrugica e vogël e njohur si “te Martini” apo “te taverna Tirona” është vend ku kohën e kalojnë bohemët e qytetit, si ata të rinjtë ashtu edhe ata të vjetrit. “MIQT Pub” është kthyer në simbol të Prishtinë urbane, pasi që aty nuk e ndiejnë veten mirë të gjithë ata që kanë komplekse. Pastaj aty është “Tingle Tangle”, një vend për të gjithë ata që nuk kanë komplekse dhe për ata që duan t’i heqin ato.

tingel tangell

Ku ta shijosh kulinarinë vendase

taverna e tirones

Taverna “Dardha”, taverna “Miqtë”, taverna “Tirona”… të gjitha këto janë vende ku shijohet një kuzhinë ndryshe dhe shumë e shijshme – natyrisht baza është mish dhe vetëm mish. Për ata që duan restorante Fancy, aty janë restorantet që frekuentohen politikanë e biznesmenë vendas si dhe nga diplomatët e shumtë ndërkombëtarë që punojnë në Prishtinë.

taverna dardha

Pjata tipike

Kombinim mishërash me perime dhe djathë tradicional. Aty-këtu ende gatuhen simite tradicionale (bukë e shijshme me aromë që shkon shumë larg). Në pamje të parë, nuk duket diçka e veçantë, por posa ta shijosh menjëherë ndryshon mendim.

thumb_600

Ku të hedhësh dy hapa

pedonalja

Posa të zbresësh nga makina apo autobusi, drejtimi i parë duhet të jetë për në pedonalen e madhe në qendër të qytetit, ku vargëzohen njëra pas tjetrës tre sheshe dhe një bulevard. Pedonalja (apo siç i thonë vendësit “te sheshi”) është ekuivalenti i bllokut në Tiranë, vendi ku janë baret dhe kafeteritë kryesore të qytetit. Dallimi është se këtu mund të shëtisësh i qetë dhe i lirë nga presioni i makinave. Për ata që nuk duan zhurmë, parku “Gërmia”, që është vetëm pesë minuta larg qendrës, ofron qetësinë dhe kënaqësinë e natyrës. Në këtë park mund të pihet kafe, të hahet një drekë apo darkë, të bëhet pak jogging nëpër shtigjet malore të gjata me kilometra apo të luhet një ndeshje futboll apo basketboll.

Ku të shpenzosh ca para për shopping

Dikur Prishtina kishte shpirtin e vet unik tregtar, por në kohën e “Shopping malls” gjithçka është kthyer përmbys, por gjithsesi aty-këtu mund të gjendet ndonjë Argjendari e vjetër dhe ndonjë shitore suvenirësh.

Pak informacion për vendasit
final
Prishtinasit janë njerëz mendjehapur dhe të dashur në raport me të gjithë të huajt. Kjo e bën Prishtinën të jetë një vend shumë i sigurt dhe ku dikush, pavarësisht prej nga vjen, mund të integrohet shpejt në ritmin e jetës. Të gjithë flasin gjuhën angleze, ndërsa gjuhët e tjera janë shumë më pak të pranishme. Stili i veshjes anon kah stili londinez, si për meshkujt ashtu edhe për femrat; veshje modeste, por me shumë shije. Ky shpirt mendjehapur i Prishtinës e bën qytetin lider në botën shqiptare në aftësinë për të prodhuar “POP Culture” dhe për ta imponuar atë te viset tjera shqiptare.

Qyteti shëtitet më mirë me…

Me këmbë. Prishtina nuk është qytet për biçikleta, sepse është i vendosur mbi disa kodra, por aty janë edhe vozitësit e pamëshirshëm që kanë pak konsideratë për biciklistët.

Ku të shpengohesh netëve

10933923_835146786553059_9020218747782707969_n

Ku të mundesh! Prishtina është plot me klube të natës që punojnë deri herët në mëngjes. Mjafton të futesh në facebook dhe aty i gjen të gjitha të dhënat apo pas orës 24 vetëm ndjek hapat e atyre që ende janë rrugëve. Mos kërkoni të dini se ku bëhet më mirë, sepse secili vend e ka ritmin e vet. Mjafton të bëheni bashkë me dikë nga miqtë tuaj vendas (nëse nuk keni gjejeni dikë! ) dhe gjithçka tjetër pastaj ecën në sinkron me ritmin e natës.

Këshilla ekstra

Nëse vjen në Prishtinë për argëtim, mos provo të kalosh kohën në restorantet chic, sepse aty nuk bëhet qejf apo në “Shoping Malls”. Prishtina është një qytet me shpirt bohemi dhe duhet synuar zbulimi i këtij shpirti.

loading...
No Comments Yet

Comments are closed

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤