Primo Shllaku: Grueja asht’ kangë

 

1979321 pyetje

Grueja asht kangë, bile të gjitha kangët e mundshme që janë thurë e do të thuren, thotë poeti, ndërsa burrat janë ata që gjithnjë do të shkruajnë e kompozojnë për gratë. Për Primo Shllakun gruaja  aq ndryshueshmëri dhe kjo e fundit është cilësi e paqes, kurse seksi i bukur instrument për ta arritur paqtinë…

 

E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?

Dashuritë e para janë si dhambët e parë. Bien pa dhimbje.

Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?

Dashunia nuk asht person. Dashunia asht ndjenjë universale. Romantikët dhe ata që vdesin të rij njofin vetëm një dashuni, të parën dhe të fundit.

Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?

Biondet i kanë flokët ngjyrë ari, kurse brunet i kanë të mbyllët deri në të zij si penda e  korbit. Biondet janë ma tërheqëse për synin, janë ma xhingilore, shquhen për mendjelehtësi dhe bujari. Brunet janë ma të përmbajtuna, kanë ma shum  personalitet e dinjitet, por janë zemrake deri në hakmarrëse. Mos i përbuz biondet se të marrin inat dhe mos i inatos brunet se të përbuzin.

Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë ju vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?

Shprehja “grua e mirë” në kontekste të ndryshme ka disa kuptime. I pari dhe ai literali kishte me qenë se ajo grue asht e bukur, formoze dhe seksualisht e pëlqyeshme. Pra ajo që anglezët i thonë “cute”. Tjetri kuptim asht se ajo grue ka karakter, asht e shoqnueshme, përzihet me guxim në shoqni mikste dhe nuk heq pas vetes dyshime dhe thashetheme. Për nji grue të moshës mbi 50 vjeç, kur femnës i fillon zbehja e sex-appeal-it, kjo shprehje ka gjithnji konotacione morale, pra e drejtë, e qëndrueshme, që mban fjalën duron dhe di ta respektojë veten dhe detyron që ta respektojnë.

primo2

Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?

Shprehja se “dashuria kalon nga stomaku” i asht atribue Napoleon Bonapartit. Në traditën europiane dhe ma gjanë grueja asht për antonomazi shtëpia, votra, pushimi, gjella, ushqimi, ngrohtësia e kthimit në shtëpi dhe gjetja gati e atyne të mirave që gatuen ajo me duert e veta. Burrat janë mbi të gjitha njerëz që lodhen jashtë shtëpie dhe kur kthehen atje ushqimi asht i pari që i rikrijon fizikisht dhe shpirtnisht. Nji grue me aftësi gatimi ka ma shum shanse për ta mbajtë familjen kompakte dhe për ta ba jetën mbrenda saj interesante. Nanat tona kanë pasë receta të pasuna gatimi, madje edhe bibliotekë të vogël me literaturë kulinare. Sot çiftet hanë përherë e ma pak bashkë e përherë e ma pak të gatueme prej njenit nga të dy. Për të vjetrit bashkëngrania (komensaliteti) ka qenë një element integrator i pjesëtarëve të familjes. Sot martesa asht katandisë në bashkëjetesë pa shum elemente të trungut të saj. I ka mbetë vetëm seksualiteti. Pra martesa asht vorfnue dhe ndoshta ky asht edhe shkaku përse martesa asht fort e brishtë e gjithsesi në krizë. Nji ditë pashë makinën e stolisun të një dasme me çiftin e ri mbrendë që po ecte me shpejtësi në rrugë. Për ku nxitoheshin vallë, e pyeta veten. Për divorc në  gjykatë, më erdhi lehtas përgjigjja. E po kishin nji orë bashkë. Mjaft e kishin shty.

Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?

Martesa duhet të jetë zgjedhje. Por ka martesa që kryhen edhe si zgjidhje. Martesa vjen mbasi pjesëtarët e çiftit kanë formue bindjen se nuk mund të rrijnë ma larg njeni tjetrit dhe se janë njoftë mjaftueshëm me njeni-tjetrin. Megjithatë as kjo nuk asht formula e plotë. Martesa asht me i lidhë sytë dhe me u hjedhë poshtë shkambit. Mund biesh në shkambij, mund të biesh në pambuk, por mund të vazhdosh gjithë jetën pa ra askund. Kjo e fundit do të ishte idealja. Martesa asht sinteza e të gjitha ramjeve, e asaj fizike, e asaj të paraqitjes, e asaj të interesave, e asaj të dashunisë, e asaj të betimeve. Pak janë ata fatlumë që vetëm bien. Ka disa të tjerë që capërlohen shkambijsh, ose disa të tjerë që bien butë dhe u duhet t’ia fillojnë prap nga e para.

Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?

 Fjala “tradhti” asht ma e egër se vetë përmbajtja e saj në këtë rast. Ruejtësit institucionalë të martesës i kanë vu pranë përmbajtjes së ekzogamisë nji term të tmerrshëm për ta parandalue edhe me mbështetje verbale ndodhjen e atij fenomeni. Na duket se ata që “tradhtojnë” janë burrat dhe gratë janë vetëm të “tradhtuemet”. Revolucioni gjinor e ka barazue këtë ekuacion dhe ta mbrosh “tradhtinë” nuk asht ma nji tradhti as teorike. Unë mund të them me siguri se jeta na fsheh kurtha të mëdha dhe shpesh këto kurtha që na mbërthejnë kambën ne, gjakosin dikë tjetër. Njeriu nga natyra asht poligam, kurse nga morali asht monogam.  Vija ndamëse mes natyrës dhe moralit nuk ka qenë kurr e preme si me thikë. Ajo asht nji vijë fluktuante që herë shkon në nji anë, herë në tjetrën. Njerëzimi i paguen dualitetit të tij nji haraç që përsëritet nga brezi në brez. Prandej thoshin latinët : “ Asgja njerzore nuk më çudit.”

Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?

Divorci sot asht kthye në sakrament. Edhe kisha që ishte kaq anmike e tij, sot po i shef mundësitë e liberalizimit të tij. Në martesë janë dy dhe që martesa të funksionojë të dy duhet të jenë të kënaqun, të lumtun dhe të interesuem. Poqese njeni prej tyne nuk asht i tillë, ajo martesë nuk funksionon, pra duhet zgjidhë sa ma shpejt, sepse ajo rrezikon të kthehet në burg për të dy ose njenin. Divorci ka dhimbje të mëdha sepse vetë shoqnia ende nuk e pranon atë si normalitet baraz me martesën. Por divorci me fëmijë asht i dhimbshëm, qoftë kur ndahen fëmijët, qoftë kur shkojnë me njenin prind. Çiftet duhet të maten kur bajnë fëmijë. Llogaritjet gabim të të rritunve kalojnë si teh shpate mbi kokat e njoma të fëmijëve. Janë skandaloze divorcet me katër fëmijë ose edhe tre.

Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?

Fjala grue na çon tek gjysma numerike e  njerëzimit. Grueja për burrin asht misteri identik që ushtron burri mbi gruen. Njerëzimi ripërtërihet nga ndërveprimi seksual i grues e burrit. Natyrshëm koncepti “nanë” zavendësohet prej konceptit “grue”. I pari asht koncept ma konkret, ma njëkuptimësh, kurse i dyti asht ma i përgjithshëm. Me një fjalë nuk e zgjedh dot nanën, ajo asht e dhanë. Kurse gruen e zgjedh dhe e rizgjedh. Me rritjen psikike të njeriut, nana kthehet në nji kujtim të fëmijënisë dhe për shkakun se ajo asht detyrimisht dhe grueja e dikujt tjetër, në botën e moralshme gjithçka mbetet aty. Për arsye të bashkëjetesës dhe të ramjes së natyrshme të interesave fillestarë, grueja fillon e merr pamjen e nanës, sidomos kur çiftet kanë pasë fëmijë. Asht ma i thjeshtë dhe i manovrueshëm raporti me nanën sesa me gruen.

Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?

Grueja asht kangë, bile të gjitha kangët e mundshme që janë thurë e do të thuren. Mos e mohoni se pjesa ma e madhe e kompozitorëve janë burra. Tek Verdi kemi arien : “Grueja asht e lëvizshme si pupla në erë” kuptimin e së cilës mund ta marrësh si të duesh, por që unë e lexoj si përkulshmëni të sjelljes, dhe aspak, mozot, si predispozitë të sajën për mbrapshti. Grueja asht diçka që ndryshon fort e shpesh për të gjitha. Nganjëherë edhe në dashuni. Kjo veçori e saj ka të bajë me instinktin e ruejtjes së fëmijëve të saj. Asaj natyra i ka imponue versatilitetin me të cilin ajo përshtatet kushteve që ndryshojnë, tue ndryshue edhe ajo në përputhje me to. Ndryshueshmënia asht cilësi e paqes dhe grueja asht instrument i paqes.

Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?

Unë personalisht nuk besoj tek dhuratat. Shpesh dhurata asht sosia e asaj që nuk ekziston. Dhurata asht kaparim. Dhurata asht ajo që kërkohet dhe pëlqehet. Shpesh japim atë që nuk kërkohet dhe nuk pëlqehet. Por ceremoniali e do që dhuruesi të marrë falënderim dhe mirënjoftje. Personalisht kam jetue mirë pa dhurata të dhana e të marra.

Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?

Aventura e ka emnin njeri. Si burri si grueja e kanë shpirtin e aventurës. Mashkulli e ka ma të zhvilluem dhe shkon gjithnji ma larg. Arketipi i tij ishte gjahtari. Ai hyn në fund të pusit, shkon thellë në pyll, shkon në hapësinën kozmike. Të tjerët e presin kthimin e tij dhe aventura e tyne asht kryesisht mendore ku ankthi i pritjes ka skenaret e veta. Gratë nuk i shof si aventuriere. Grueja tërhjek drejt stabilitetit. Ajo e do atë dhe investohet për të.

Kur i thoni një gruaje që e doni?

Kur ndihem ma mirë me të se pa të, kur e shof se mund ta duroj dhe mund të më durojë. jeta e përbashkët reduktohet në këto kufiza të thjeshta. Po nuk funksionuen ato, gjithçka asht në kambë të pulës.

Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)

Flaubert-i konsiderohet së bashku me Henrik Ibsenin si njeni nga feministët e parë europainë. Nitsche-ja u tall me ta. Nuk shof ndonji kundërshti themeli mes heroinës dhe viktimës. Herojtë viktimohen në fund të gjithë. Shoqnia borgjeze filloi si shoqni maskiliste. Por ajo nuk mund t’i mbante në fre përjetësisht forcat substanciale të shoqnisë. Lëvizja filloi nga përmbrendë dhe gjysma e popullsisë nuk mund të mos zgjohej me ide të mira për veten e saj. Lëvizjet feministe që filluen në Amerikë pak a shum e mbaruen ciklin e tyne në vitet ’70. Por gratë europiane nuk janë të kënaquna me çfarë kanë arritë. Mbetëm se mbetëm amvisa, thonë ato. Tashti kemi edhe punën 8orëshe në fabrikë ose në zyrë.

Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?

Sa i takon Lady Makbeth-it unë kam nji mendim tjetër. Ajo vetëm në pak raste asht grue. Në pjesën ma të madhe të dramës shakespeareiane ajo personifikon shpirtin e njeriut që polarizohet nga ideja e pushtetit.  Si grue ajo asht edhe e butë. Mbani mend se ajo i thotë të shoqit se do ta kishte vra Dunkanin, poqese ai nuk do t’i përngjiste ashtu në gjumë babës së saj. Megjithatë nuk dihen raste pak kur grueja e shtyn burrin dhe ia përflak ambiciet. Gratë ambicioze e nënshtrojnë burrin dhe e kthejnë ne vegël të tyne. Ky asht një rast josimetrik, pra burri nuk preferon ta bajë nji gja të tillë.

Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere tek “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?

Dashunia dhe pasioni që e shoqnon, kanë qenë shpesh fatale për njeriun. Pasionet njerëzore kanë fuqi të madhe në përcaktimin e sjelljes tonë. Pasionet erotike kanë natyrë shpërthyese dhe vala e tyne e parë mund të çojë në veprime të ngutshme dhe të tipit : “ U shembtë bota ”

Më mirë një shef apo një shefe?

Gratë në punë janë ma skrupuloze, pra punojnë ma në detaj, janë ma sistematike dhe e racionojnë kohën. Atyne nuk u mbaron puna në zyrë. Mendojnë edhe për punët e shtëpisë etj. Burrat janë ma të lirshëm, pra ma insistues, por, nga ana tjetër, janë edhe ma të komunikueshëm e ma tolerantë. Gjithsesi përvojat e mia kanë qenë të mira në të dy krahët.

Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?

Bota ndryshohet para, gjatë e pas martesës. Megjithatë një pjesë e njerëzve ndryshojnë shum pas martesës. Ata bahen ma të përgjegjshëm, ma seriozë, ma sipërmarrës, ma indiferentë dhe ma të sigurtë. Por mos të harrojmë se ka asish që martesa ua nxjerr sheshit të gjitha dobësitë dhe shpesh humbasin aftësinë për të mbajtë marrëdhanie me të tjerët.

Çfarë konsideroni seksi te një grua?

Nji grue quhet seksi kur fiziku i saj nënvizon  dukshëm qenien e saj femnore. Zakonisht seksi janë ato gra a vajza të cilat kanë forma të lakueshme të siluetës, volume të spikatuna, zhdervjelltësi dhe sjellje elegante. Por sot mençunia dhe kultura nuk e prishin imazhin e nji grueje seksi, përkundrazi e shtojnë atë. Ideali rinashimental i grues ishte bashkimi i cilësive fizike me ato shpirtnore në nji trup të vetëm.

Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?

Grues meshkujt i bajnë gjithnji të njajtën pyetje, edhe pse shpesh vetëm me mend : “ Pse jeni të pafundme ju gratë ? ”

Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?

Gratë kanë shum punë dhe zakonisht bajnë pak pyetje. Pyetjet e grave shumpyetëse janë të natyrës së xhelozisë dhe të sundimit të burrit, tue e kontrollue atë orë e çast e minutë. Por një grue që nuk pyet do të ishte një gjenerator monotonie në familje. Njof gra që, si u mbush, si u zbraz, nuk lozin qerpik. Kto gra besoj se nuk janë nga ma interesantet.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤