Presidenti META: NJERIU I VITIT 2018

“Me profilin e lartë politik prej politikani profesionist, i ka dhënë institucionit të Presidentit të Republikës një rol të ri ekuilibrues dhe garantues mes pushteteve në Shqipëri gjatë vitit 2018. Me gjithë traditën më shumë se 20-vjeçare të presidentit jo si lider politik të planit të parë, duke filluar nga Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi e Bujar Nishani; me gjithë rrudhjen dhe reduktimin e kompetencave të institucionit në vite, me profilin e tij të lartë politik dhe protogonizmin prej një figure politike të planit të parë, Ilir Meta e ka shndërruar Presidencën e Republikes në një pikë referimi kundër përqendrimit të pushtetit në Shqipëri. E gjitha kjo, duke qëndruar në kufijtë e respektimit të kushtetutshmërisë”.

Presidenti Ilir Meta nuk preferon që të përdorë fjalë të forta. Megjithatë e thotë se viti që po mbyllim ishte një vit stanjacioni. Në zyrën e tij, të cilës i ka dhënë një fuqi që për katër mandate përpara tij nuk ishte ndjerë, Meta flet për gazetën Mapo, që ka vendosur ta shpallë ‘Njeriun e vitit’.

“Besoj se prioriteti i të gjithë klasës politike duhet të jetë europianizimi i vërtetë i vendit, i shoqërisë, i shtetit, i institucioneve, dhe finalja është dekurajimi i të rinjve për t’u larguar nga vendi,” thotë Meta, teksa pranon vlerësimin nga gazeta Mapo.

Shqetësimi për largimin e të rinjve nga Shqipëria shoqëron të gjithë frymën e intervistës, por jo vetëm kaq. Meta ia ka dalë që me aftësitë e tij prej një politikani, t’i japë një tjetër fytyrë presidencës shqiptare. Në mënyrë paradoksale, teksa fuqitë e presidentit janë tkurrur, prania e Metës në jetën politike në vend është e ndjeshme, si një balancues i nevojshëm në kushtet e një mazhorance të fuqishme. Të paktën katër përplasje të mëdha janë shënuar mes tij dhe mazhorancës. Fillimisht rezistenca për emrin e Helidon Bendos në krye të SHISH. Më pas erdhi përplasja e fortë për autorizimin e nevojshëm për negociatat që do të sillnin ndarjen e detit me Greqinë. Si rrufe në qiell të hapur u duk se erdhi edhe mosdekretimi i Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Ndërsa më herët, Meta argumentoi me forcë kundër një ligji të posaçëm të qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Kjo është arsyeja se përse Mapo ka vendosur të vlerësojë njeriun, të cilin e respektojnë të gjithë kundërshtarët, të majtë apo të djathtë.

“Me profilin e lartë politik prej politikani profesionist, i ka dhënë institucionit të Presidentit të Republikës një rol të ri ekuilibrues dhe garantues mes pushteteve në Shqipëri gjatë vitit 2018. Me gjithë traditën më shumë se 20-vjeçare të presidentit jo si lider politik të planit të parë, duke filluar nga Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi e Bujar Nishani; me gjithë rrudhjen dhe reduktimin e kompetencave të institucionit në vite, me profilin e tij të lartë politik dhe protogonizmin prej një figure politike të planit të parë, Ilir Meta e ka shndërruar Presidencën e Republikes në një pikë referimi kundër përqendrimit të pushtetit në Shqipëri. E gjitha kjo, duke qëndruar në kufijtë e respektimit të kushtetuetshmërisë”, thuhet në motivacionin e Mapos.

Por cili është shqetësimi më i madh që ka Meta për politikën shqiptare?

“Lufta për të mbajtur pushtetin në çdo mënyrë apo për të ardhur në pushtet në çdo mënyrë është erozive për të gjitha energjitë pozitive që ka vendi, por është edhe skualifikuese për klasën politikë pasi u bënë 30 vite në tranzicion, në demokraci, dhe nëse para 30 vitesh kishim një ndarje të fortë në terren për shkak të trashëgimisë së rëndë 40-vjeçare të komunizmit, shohim se sot kjo ndarje më e fortë është në elitën politike të vendit se sa në shoqëri. Nga ky egoizëm i kësaj elite po vuajmë një konflikt, një ndarje artificiale, të pamerituar dhe ky konflikt krijon paparashikueshmëri për të gjithë dhe është një nga faktorët më të rëndësishëm sepse kemi një largim shqetësues të njerëzve, të të rinjve kryesisht dhe të shumë intelektualëve apo sipërmarrësve, pra njerëz me aftësi krijuese”, thotë Meta i shqetësuar.

Por në intervistë e pranon se nuk e ka lakmuar postin e kreut të shtetit, edhe pse tashmë i plotësohet ‘treshja e artë’ e detyrave më të rëndësishme në hierarkinë e nëj vendi.

“Objektivi im nuk ka qenë të zgjidhem Presidenti i Republikës së Shqipërisë, ose të paktën në momentin kur jam zgjedhur ka qenë një rezultat i rrethanave dhe një përgjegjësi për të kontribuar për një zgjidhje politike në kushtet kur opozita nuk pranonte të merrte pjesë në zgjedhje dhe rrezikonte bojkotin e tyre. Dhe njëkohësisht, nuk pranonte të bëhej pjesë e një zgjidhje për presidentin duke i dhënë dhe asaj mundësinë për të propozuar një figurë që ajo besonte në funksion të një pakete për të kapërcyer krizën e besimit. Ka qenë një vendim, i cili nuk ka qenë në interesin e LSI-së, por për LSI-në ka qenë pak shokuese për momentin por ka qenë detyra ime ndaj vendit dhe më pas zhvillimet treguan që ajo krizë që do të analizohet në të ardhmen u kapërcye,” thotë Meta.

Përballjet e tij me qeverinë, të shpeshtuara së fundmi, e kanë vendosur në një linjë me opozitën. Por Meta e ka gjithmonë argumentin e duhur.

“Përpiqem të jem sa më profesionist ndaj përmbushjes së detyrimeve të mia, për rolin dhe detyrat që kam si president. Ajo që mund t’iu them me bindje të plotë është se unë nuk ndiej asnjë detyrim ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim në kuptimin që kam bërë çdo gjë që LSI-ja nga një ide të shndërrohej në një forcë mjaft serioze në kushte të jashtëzakonshme të vështira, jo vetëm sa i takon Kodit Elektoral por edhe vështirësi të tjera. Në këtë plan, besoj se LSI-ja ka të gjithë eksperiencën e duhur për të marrë gjithë përgjegjësitë e saj dhe më 24 korrik kjo ndarje ka qenë e prerë dhe e sinqertë,” thotë kreu i shtetit.

Z.President, Gazeta Mapo ka vendosur që t’iu shpallë njeriun e vitit për 2018-ën, për specifikën e veprimtarisë suaj profesionale, por edhe të figurës suaj politike, për protagonizmin, mënyrën se si e keni interpretuar postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë e cila shënjon një risi. Ne gjykojmë se institucioni i presidentit nuk është më si më parë, që nga momenti kur në krye jeni ju aty. Nga ana juaj, cilët kanë qenë objektivat ose qëllimet e këtij mandati në postin e Presidentit të Republikës përtej detyrave ‘të zakonshme’ që ka një president, a ka patur prioritete presidenti?

Besoj se prioriteti i të gjithë klasës politike duhet të jetë europianizimi i vërtetë i vendit, i shoqërisë, i shtetit, i institucioneve, dhe finalja është dekurajimi i të rinjve për t’u larguar nga vendi, dhe inkurajimi i tyre dhe i forcave më krijuese dhe vitale që ka vendi për të realizuar potencialin e tyre të vërtetë këtu. Ky do të ishte integrimi i plotë i Shqipërisë në Europë dhe kjo është ajo që vlen të reflektojmë shumë thellë përpara se të jetë shumë vonë. Kjo do të thotë se ky vit mund të vlerësohej për fat të keq nga ana ime si një vit stanjacioni në drejtim të forcimit të institucioneve, të bashkëpunimit midis tyre, sidomos të forcimit të institucioneve të pavarura. Po kështu dialogut politik i cili është shumë i rëndësishëm jo vetëm për qëllimet e sipërpërmendura, por njëkohësisht në vijimësi për suksesin e të gjithë reformave kyçe që kanë të bëjnë me një objektiv madhor të marrë prej kohësh nga të gjitha palët, por të spostuar në kohë dhe për arsye të brendshme por dhe prej rrethanave të vendimmarrjes së Bashkimit Europian që është çelja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. Ky hap madhor do të sillte një tregues pozitiv të cilësisë së institucioneve tona, politikës sonë, shoqërisë dhe njëkohësisht do të ishte konfirmimi i gatishmërisë për të marrë përgjegjësi më të mëdha por do të ishte dhe një sinjal tepër pozitiv për të gjithë shoqërinë dhe të gjithë të rinjtë. Kjo duket e përgjithshme kur flasim për këtë çështje, por është konkrete në çdo aspekt, që nga bujqësia, arsimi, drejtësia dhe çdo gjë tjetër që mund të preket nga të gjithë në jetën e përgjithshme”.

Ju jeni i vetmi politikan që ka qenë Kryeministër, Kryetar Kuvendi dhe President aktualisht. Si ndiheni në postin e presidentit dhe cilin do të veçonit nga postet, kush ka qenë më i rëndësishëm për ju nga këta të tre?

Për mua çdo detyrë është mjaft e rëndësishme dhe unë gjithmonë, besoj, jam karakterizuar nga dëshira për të punuar në ekip dhe për ekipin, për të qenë gjithmonë përfshirës dhe bashkëpunues për të promovuar të rinjtë. Mund të jetë risk, por nëse nuk do iu japësh mundësinë të rinjve, do të jetë e vështirë për të sjellë ndryshime dhe qasje të re ndaj politikës, por dhe për të sjellë profesionistë në politikë. Unë në këto angazhimet e mia gjithmonë jam përpjekur të respektoj detyrën, përgjegjësinë që të jep pasi janë të ndryshme dhe besoj se kam qenë bashkëpunues me presidentin kur kam qenë kryeministër, kam qenë bashkëpunues dhe me opozitën maksimalisht kur isha kryetar parlamenti dhe pjesë e një mazhorance, dhe në vijimësi kam qenë protagonist i ballafaqimeve të mëdha kur kam qenë i bindur se ballafaqimi ka qenë i pashmangshëm por dhe i domosdoshëm për një çështje të drejtë.

Ka kaluar pothuajse një vit e gjysmë që kur ju latë kryesimin e LSI-së dhe u zgjodhët në postin e presidentit, si e gjykoni këtë vendim, jeni bërë pishman apo ka qenë vendimi i duhur?

Objektivi im nuk ka qenë të zgjidhem Presidenti i Republikës së Shqipërisë, ose të paktën në momentin kur jam zgjedhur ka qenë një rezultat i rrethanave dhe një përgjegjësi për të kontribuar për një zgjidhje politike në kushtet kur opozita nuk pranonte të merrte pjesë në zgjedhje dhe rrezikonte bojkotin e tyre. Dhe njëkohësisht, nuk pranonte të bëhej pjesë e një zgjidhje për presidentin duke i dhënë dhe asaj mundësinë për të propozuar një figurë që ajo besonte në funksion të një pakete për të kapërcyer krizën e besimit. Ka qenë një vendim, i cili nuk ka qenë në interesin e LSI-së, por për LSI-në ka qenë pak shokuese për momentin por ka qenë detyra ime ndaj vendit dhe më pas zhvillimet treguan që ajo krizë që do të analizohet në të ardhmen u kapërcye.

Pra, ishte zgjidhja e duhur, në momentin e duhur?

Pavarësisht sforcimit, ishte e duhura për ato rrethana.

Edhe pse ju shumë mesazhe i keni dhënë nëpërmjet dekreteve, mosdekretimeve apo mesazheve të ndryshme politike, sepse në fund të fundit Presidenti në një Republikë Parlamentare funksionon me mesazhe, cila është situata shoqërore dhe politike në këtë moment në Shqipëri, si e shihni nga perspektiva e presidentit?

Shqetësimi im është se kemi një ndarje të pajustifikuar politike në kuptimin e konfliktualitetit, por fatkeqësisht dhe një ndarje sociale në raportin më harmonik në shtresat e ndryshme të shoqërisë ku besoj se prioritare mbetet lufta kundër varfërisë dhe zgjerimi dhe konsolidimi i shtresës së mesme të shoqërisë, ku unë mendoj se janë më vendimtare për një shoqëri më të drejtë dhe me më shumë kohezion social. Kuptohet që politika ka rolin vendimtar dhe besoj se konflikti politik në Shqipëri është i pajustifikueshëm dhe është zgjedhur si një mënyrë për të spostuar debatin nga këto çështje, pasi unë jam i bindur se temat kryesore të debatit tonë duhet të jenë angazhimi i përbashkët për këto reforma që e afrojnë Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe garantojnë për momentin çeljen e negociatave, dhe duhet të jenë të gjitha temat që kanë të bëjnë me vetë negociatat në të ardhmen ku unë nuk shoh përgatitjen e duhur, dhe nuk i shoh ekipet e duhura dhe konfigurimin e interesave që Shqipëria do të mbrojë në bisedimet e saj për anëtarësimin me Bashkimin Europian se më pas do jetë tepër e vështirë dhe për këtë duhen ekspertët e duhur, duhen ekspertë të të gjitha fushave pasi në të kaluarën kemi bërë gabime siç kemi bërë me OBT-në, ku pranuam shumë vendime të cilat ishin të rezultatit të mosvëmendjes dhe më pas u bë një luftë e jashtëzakonshme pasi preknin shumë interesa të sektorëve të ndryshëm dhe mendoj se ky duhet të jetë fokusi ynë kryesor. Lufta për të mbajtur pushtetin në çdo mënyrë apo për të ardhur në pushtet në çdo mënyrë është erozive për të gjitha energjitë pozitive që ka vendi, por është edhe skualifikuese për klasën politikë pasi u bënë 30 vite në tranzicion, në demokraci, dhe nëse para 30 vitesh kishim një ndarje të fortë në terren për shkak të trashëgimisë së rëndë 40-vjeçare të komunizmit, shohim se sot kjo ndarje më e fortë është në elitën politike të vendit se sa në shoqëri. Nga ky egoizëm i kësaj elite po vuajmë një konflikt, një ndarje artificiale, të pamerituar dhe ky konflikt krijon paparashikueshmëri për të gjithë dhe është një nga faktorët më të rëndësishëm sepse kemi një largim shqetësues të njerëzve, të të rinjve kryesisht dhe të shumë intelektualëve apo sipërmarrësve, pra njerëz me aftësi krijuese.

Në zhvillim e sipër është Reforma në Drejtësi, ju e keni ndjekur dhe si ish-kryetar parlamenti dhe tashmë si president, sipas jush si e gjykoni ecurinë e saj dhe çfarë po i sjell ajo vendit?

Unë kam qenë i angazhuar që në fillimet e Reformës në Drejtësi dhe për shkak të detyrës si Kryetar Kuvendi në mënyrë të veçantë, por dhe në detyrën e presidentit edhe pse angazhimet janë më të pakta, kam bërë të gjitha përpjekjet e mia për zbatimin e drejtë, të shpejtë dhe kushtetues të kësaj reforme. Jam përpjekur nëpërmjet mesazheve, por më tepër nëpërmjet komunikimeve zyrtare, propozimeve dhe me kuvendin, edhe për sa u përket partnerëve ndërkombëtarë të cilët kanë qenë më të angazhuar për këtë çështje siç janë SHBA-të dhe Bashkimi Europian. Situata sot është mjaft kritike, vëmë re që vendi për një kohë të gjatë është një vend pa Gjykatë Kushtetuese funksionale. Për sa iu takon efekteve ajo që më shqetëson është se kjo Reformë në Drejtësi, e cila ka si objektiv të rrisë përgjegjësinë në radhë të parë ndaj klasës politike, drejtuesve të institucioneve, sot dhe në të ardhmen në këtë vend sa i takon ligjshmërisë, korrupsionit, transparencës, zbatimit të ligjit, duket sikur kjo paralizë ka krijuar një gjendje euforike për papërgjegjshmërinë në këto drejtime dhe kjo është mjaft shqetësuese. Është një situatë ku askush nuk merr përgjegjësi dhe kjo nuk është shenjë mirë.

Ka një ‘paragjykim’ të shoqërisë shqiptare për një lloj instrumentalizimi të reformës nga politika, por dhe një lloj pengimi qoftë nga një palë apo një tjetër, sipas jush si është sjellë elita politike ndaj kësaj reforme?

Nuk kam dëshirë të hyj në këto interpretime, ajo që mund të them me bindje është se janë tepër krenarë për konsensusin e 21-22 korrikut në Kuvend për të gjitha përpjekjet që kam bërë duke dalë shpesh dhe nga vetja për të mos lejuar votimin e Reformës pa konsensus në Kuvend, pasi kam pasur bindjen se nëse kjo gjë do të kishte ndodhur Shqipëria nuk do ta kishte marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave. Kjo ishte bindja ime e palëkundur për shkak të eksperiencës që unë kam duke ditur si funksionon Bashkimi Europian. Mundësitë kanë qenë të jashtëzakonshme që kjo reformë të kishte nisur zbatimin më parë, të mos kishim patur kontestim dhe të kishim një nivel shumë më të lartë të standardeve, të zbatimit të saj në një ambient jo kontestues. Asnjëherë nuk është vonë për të reflektuar për t’i dhënë kredibilitetin e duhur këtij procesi madhor për të ardhmen e vendit. Shteti ka nevojë për institucione të besueshme, ndërsa qeveria duhet të mjaftohet në shprehjen e aftësive në zgjidhjen e problemeve për të cilat votohen. Opozita duhet të kuptojë që bojkoti nuk është zgjidhje e cila ndihmon në përmirësimin e institucioneve, të standardeve të funksionimit të tyre, por dhe të afirmimit të vetë opozitës si një alternativë më e mirë qeverisëse nesër.

Politika ndërkombëtare, ka disa koniunktura të reja rajonale apo dhe më tej. Për shembull, ka një lloj stopimi ose krize të BE-së rreth zgjerimit duke patur parasysh frymën euroskeptike në rritje, duke futur këtu edhe BREXIT, ose ka një politikë të jashtme ndërkombëtare që me ardhjen e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, e cila bazohet më shumë te realizmi politik se sa universalizmi ndërkombëtar i administratës Obama, pra ka disa risi. A po reagon shteti shqiptar dhe politika shqiptare kundrejt këtyre zhvillimeve?

Këto zhvillime kanë të bëjnë me aleanca strategjike të cilat duhen rivlerësuar. Ne jemi shumë më pranë njëri-tjetrit sepse nuk bëhet fjalë për betejën e zgjedhjeve të radhës por për interesa afatgjatë të vendit dhe shqiptarëve. Në këtë drejtim besoj se asnjë komb në rajon nuk ka përfituar më shumë nga shqiptarët nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe kjo periudhë e re e integrimit europian të rajonit. Po të vëmë re shqiptarët kanë qenë kombi më i shtypur në të gjitha aspektet, liritë, të drejtat, si dhe në aspektin e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, dhe sot ndryshimet janë të jashtëzakonshme në krahasim me tri dekada më parë. Besoj se interesi ynë është përputhur plotësisht me këtë proces, projektin e integrimit europian dhe në të tjera. Duket situata në të cilën ndodhemi nuk është aq frymëzuese sa shumë kohë më parë, dhe më pëlqen të parafrazoj një thënie të Felipe Gonzalesit që thotë se e ardhmja nuk është më ajo që ishte. Pra, ka vështirësi, pasiguri dhe unë dëshiroj shumë që projekti europian t’u mbijetojë këtyre sfidave. Është shumë e rëndësishme për botën civilizimi perëndimor. Mendoj se fuqia më e madhe që Europa ka patur nuk ka qenë GDP-ja e saj por modeli i saj i cili është ndeshur me sfida të reja të cilat kanë krijuar pakënaqësi të mëdha ndaj të tjerëve por ia ka dalë. Për të gjitha këto sfida qëndroj në anën e realistëve, por gjithmonë të europianistëve të bindur se Europa i duhet mbarë botës si një model i jashtëzakonshëm i demokracisë dhe qytetërimit që ka.

Shoqëria shqiptare po paraqet disa problematika që lidhen kryesisht me të rinjtë si emigracioni masiv që po ndodh, protestën e studentëve etj. Sipas jush, si një politikan i rëndësishëm i tranzicionit shqiptar, duke parë këto shqetësime shoqërore që kanë të bëjnë me rininë, cilat do të ishin disa masa që politika shqiptare duhet të marrë për të orientuar këto problematika?

Mendimet janë të ndryshme, por unë dhe të tjerë, pas gati tri dekadash mendojmë se ky emigrim nuk është i dobishëm. Ndërsa disa të tjerë mendojnë se i bën mirë Shqipërisë. Një vend pa rini është si shtëpi pa fëmijë ku gëzimi, energjia dhe lumturia nuk janë aspak prezente dhe frymëzuese, dhe unë besoj se jemi ende në kohë për të vendosur në invers këtë trend. Mundësitë janë, duke demonstruar se vendi ka institucione të qëndrueshme, se në vend ka meritokraci, se në vend njerëzit do të vlerësohen në bazë të profesionalizmit, performancës së tyre dhe përkushtimit ndaj administratës publike, dhe jo vetëm ndaj objektivave partiake. Në radhë të parë, duhen përpjekje të mëdha për arsimimin. Rritja e shpenzimeve për arsimimin do të shërbejë pasi kemi nevojë për të rinj të aftë dhe jo të rinjtë që vetëm marrin diploma për të cilat tregu i punës nuk është i interesuar. Duhet të zhvillohen sektorët të cilët janë vendimtarë për familjet shqiptare por dhe për ekonominë tonë kombëtare. Kam këtu parasysh bujqësinë dhe turizmin shqiptar. Pasi në këtë mënyrë përfitojnë shumë familje shqiptare dhe ekonomia kombëtare. Ne kemi një potencial ende të pashfrytëzuar, mjafton të krahasohemi me fqinjët për të parë se produktivitetin ynë në këta sektorë është tepër i ulët në raport me potencialet tona që janë shumë herë më të larta. Me një vullnet serioz nga ne dhe përqendrim mendoj se shumë shpejt Shqipëria mund të ketë atmosferë shumë optimiste, por dhe mikpritëse për të gjithë shqiptarët që duan të kthehen në vendin e tyre.

Zakonisht pozicioni i presidentit në Shqipëri ka qenë ose hapi i fundit i karrierës, ose një ristart i ri. Pas mbarimit të kësaj detyre, si President i Republikës, ju do të jeni jashtë politikës apo qartësisht një kandidat për kryeministër?

Për mua nuk është e rëndësishme se çdo të ndodhë me mua një ditë pasi të përfundoj mandatin si President i Republikës së Shqipërisë. Unë kam besim tek e ardhmja dhe disa prej temave të cilat diskutuam sot, disa prej të cilave unë i kam artikuluar në një mënyrë të qartë dhe koncize në fjalën time inauguruese si president më 24 korrik do të angazhohem plotësisht që të realizohen, sidomos për sa i takon se çfarë do të jetë Shqipëria për të rinjtë e saj, për fëmijët e saj në atë moment. Shpresoj që Shqipëria të jetë një vend edhe më i dashur, një vend jo vetëm i lindjes së tyre por dhe i realizimit të ëndrrave të tyre. Duket si poetike por e shoh tërësisht të mundshme me një reflektim të përbashkët dhe të sinqertë. Kjo është për të gjitha gjeneratat e reja që kërkojnë një Shqipëri më njerëzore, sociale dhe më miqësore.

Cili është raporti i Presidentit Ilir Meta me partinë politikë LSI dhe me kryetaren e LSI-së në aspektin institucional. E pengon më shumë kryetarja e LSI-së punën e presidentit apo presidenti frenon më shumë punën e kryetares së LSI-së? A ju mungon LSI-ja, aktiviteti partiak?

“Përpiqem të jem sa më profesionist ndaj përmbushjes së detyrimeve të mia, për rolin dhe detyrat që kam si president. Ajo që mund t’iu them me bindje të plotë është se unë nuk ndiej asnjë detyrim ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim në kuptimin që kam bërë çdo gjë që LSI-ja nga një ide të shndërrohej në një forcë mjaft serioze në kushte të jashtëzakonshme të vështira, jo vetëm sa i takon Kodit Elektoral por edhe vështirësi të tjera. Në këtë plan, besoj se LSI-ja ka të gjithë eksperiencën e duhur për të marrë gjithë përgjegjësitë e saj dhe më 24 korrik kjo ndarje ka qenë e prerë dhe e sinqertë.

Bisedoi: Ervis Iljazaj (drejtor i gazetës MAPO)

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤