Preç Zogaj: Rrëfen dashurinë e parë

…edhe po të kisha mundësi t’i huaja apo dhuroja frangat që ish i dashuri i saj nuk ia jep.

prec zogaj fotot e reja 4

E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?

Në shkollën tetëvjecare. Ishte një vajzë pak më e vogël se unë, vinte nga Tirana te disa kushërinj të saj në Lezhë, luante basketboll me ne, tregonte gjëra të cuditshme, e shfaqte pëlqimin e saj për mua. Nuk më merrte gjumi deri vonë. Babai flinte, të gjithë flinin në shtëpinë time. Nuk kishte parë e dëgjuar që njëri nga pjestarët e familjes sime të rrinte zgjuar në heshtjen e thellë e të gjatë të natës. Më dukej sikur po përgatitesha për të ikur nga shtëpia. Kjo ishte vizita e parë e dashurisë, apo jo? Nuk jam i sigurt a ishte tamam dashuri. Se herë e kujtoj më vjen keq të them nuk ishte. Tani ajo vajza, që është bërë nënë prej kohësh, është në Itali me familjen e saj.

Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?

Jo, s’ka se si. E fundit vazhdon. Kështu që nuk e di…

Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?

Kanë me shumë hënë, ndoshta!

Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë u vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?

E kuruar.

Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?

Për mua një tmerr. Dashuria kalon nga shpirti. Stomaku mund të jetë një nga shtigjet, por jo rruga e madhe.

Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?

Zgjedhje për zgjidhje.

Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?

Devijim i paparashikueshëm. Askush, besoj, nuk krijon një lidhje të vërtetë me mendjen për të tradhëtuar.

Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?

Ndëprerje e dhimbshme.

Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?

Ajo.

Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?

Po të ishte këngë… Ka shumë, shumë këngë. Spanjollja e famshme “Besame mucho” është një prej tyre, por po aq edhe “Natali” e kënduar nga Hulio Iglezias dhe po aq edhe aria shkodrane “Një këllef me ar ta cova” e kënduar nga Bik Ndoja. E tjerë e tjerë.

Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?

Është dhurata që i kam bërë gruas me rastin e ditëlindjes së djalit të dytë: një tufë me lule.

Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?

Shkon përtej saj, por ndiqet nga hija e saj

Kur i thoni një gruaje që e doni?

Kur kuptoj se edhe ajo ka një tërheqje apo ndjenjë ndaj meje.

Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)

Emma Bovary është heroinë e dashurisë dhe viktimë e rrethanave në një mjedis apo botë, mendojeni si të doni, ku dashuria del tepër dhe përfundon keq. Në këtë kuptim gjithkush që pushtohet nga ndjenja e dashurisë është në një fare mënyre zonja Bovary. Unë jam zonja Bovary dhe nuk shpëtoj dot edhe po të kisha mundësi t’i huaja apo dhuroja frangat që ish i dashuri i saj nuk ia jep.

Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?

Fatalitet. Gruaja nuk duket të nxisë ambicie të tilla te burri i saj sepse në mos atë, burrin, do të shkatërrojë lidhjen. Është krejt tjetër gjë mbështetja që një grua e dashur dhe e kultivuar i jep bashkëshortit për të realizuar synimet e tij në art, shkencë, politike, biznes, e tjerë,

Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere tek “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?

Po të isha në kushtet e tij, domethëne i lirë dhe i pasur po, pse jo.

prec zogaj armand sallabanda

Më mirë një shef apo një shefe?

Më mirë një shefe.

Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?

Pas martesës.

Çfarë konsideroni seksi te një grua?

Dashurinë e saj.

Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?

Nje pyetje të vetme! C’është gruaja?

Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?

Besoj më pak se sa mendojnë.

No Comments Yet

Comments are closed

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤