Pranvera Borakaj: Formula e duhur është puna në grup

View Gallery
3 Photos
Pranvera Borakaj: Formula e duhur është puna në grup
Pranvera Borakaj 1

Pranvera Borakaj: Formula e duhur është puna në grup
Pranvera Borakaj 2

Pranvera Borakaj: Formula e duhur është puna në grup
Pranvera Borakaj 3

Pranvera Borakaj është tashmë një ikonë e Vizion Plus. Gazetare, spikere dhe moderatore, ajo tregon në këtë intervistë se përse puna që bën ajo është ndryshe, vështirësitë e karrierës dhe vlerësimin për tregun mediatik televiziv.

Pranvera, tashmë u bë mbi një dekadë në ekran. Ju duket se kanë kaluar shpejt? Nëse do bësh një analizë të shkurtër, si kanë qenë këto 10 vite?

Më duket sikur koha ka fluturuar! Tani që jemi dhe në ditët e fundit të vitit dhe është koha më e mirë për bilance habitem edhe vetë se sa shpejt kanë kaluar vitet pa u ndjerë. Por mund të them se gjithmonë kisha dashur që 30 vjeç të isha bërë nënë dhe të kisha një emision timin. Këto dy objektiva madhorë i kam realizuar, ndaj bilanci është më se pozitiv. 🙂

Dita nis në 7 pa 5. Çfarë mendoni se ju dallon në mesin e shumë emisioneve të tjera?

Ne fillojmë në 7 pa 5 dhe kjo na dallon që në fillim prej të tjerëve 🙂

Përtej shakasë, unë kam respektin maksimal për kolegët në mediat e tjera, sepse kur zgjohesh herët vetë dhe të duhet që maksimumin ta japësh që në 7 të mëngjesit e kupton sa e mundimshme është dhe për të tjerët. Përgjatë 2 orëve që transmetohet emisioni i mëngjesit ne përpiqemi të japim sa më shumë informacion, të argëtojmë, por dhe të nxjerrim në pah e të analizojmë problematika të ndryshme duke filluar nga informacioni më utilitar deri tek analizat politike. Pra, në dy orë, çdo teleshikues ka mundësinë të gjejë fushat e veta të interesit. Gjithashtu, përpiqemi të jemi sa më profesionalë, të drejtë dhe të paanshëm, duke ruajtur me fanatizëm etikën gazetareske, e cila fatkeqësisht sot gjendet jo shumë shpesh në ekran.

Sa e vështirë është që të organizosh një emision? Cilat janë pritshmëritë që keni?

Nuk besoj se ekzagjeroj kur them se “është shumë”. Unë e para hyj në ambientet e televizionit në 6 të mëngjesit dhe jam nga të fundit që largohem në darkë, sepse 120 minuta në tv çdo ditë nuk janë pak.

Por, pavarësisht kësaj, gjithmonë kam besuar te puna në grup dhe kjo ka rezultuar formula e duhur. Ne jemi një skuadër shumë e mirë dhe këtu nuk flas vetëm për gazetarët e 7 pa 5 të cilëve u jam mirënjohëse për angazhimin e përditshëm, por për të gjithë ekipin e Vizion + që punon çdo ditë pa orare, ashtu si dhe unë. Pritshmëritë e mia si autore dhe moderatore e emisionit janë ruajtja dhe përmirësimi i mëtejshëm i cilësisë që besojmë se kemi sjellë me emisionin tonë, objektiva të cilët jam e bindur që do të realizohen nisur nga përkushtimi që secili prej nesh tregon çdo ditë në punë.

Gazetare, spikere dhe moderatore. Tashmë jeni një ikonë e Vizion Plus. Cilat janë planet që keni për të ardhmen?

Ashtu si thashë dhe më lart, plani më i afërt ose më mirë “sfida” e çdo dite, është që t’i ofrojmë publikut 2 orë emision të mbushura me cilësi. Plani më i largët mbetet që të mos zgjohem në 5:20 të mëngjesit 🙂

A keni patur një moment të vështirë në punë kur keni menduar të largoheni? Po momentin më të mirë, kur e keni patur?

Nga dita e parë e punës, deri sot, nuk kam menduar asnjëherë të largohem nga Tv. Media nuk është thjesht puna ime, është pasioni më i madh në jetë dhe çdo ditë punoj me shumë dashuri. Ndaj, të largohem s’e kam menduar kurrë edhe në momente shumë të vështira.

Momente të mira kam pasur pafund. Sigurisht, atëherë kur ka zhvillime, ka ngjarje me peshë, është dhe adrenalina më e madhe. Të realizosh një intervistë të mirë, një direkte të mirë, një emision me audiencë të lartë, ose të vendosësh disa standarde gazetareske janë momente që unë i konsideroj shumë të mira në karrierë.

Por, kur m’u besua të jem autore dhe moderatore e emisionit 7pa5 ishte një përgjegjësi dhe besim shumë i madh, të cilin unë e vlerësova shumë. Besoj se ky ka qenë momenti më i mirë nga ana profesionale.

Të punosh në media dhe të jesh nënë, ky është një mision sfidues. Ju ndani këtë mendim?

Jam plotësisht dakord. Nuk e di si mund t’ia kisha dalë pa mbështetjen e familjes time në lidhje me vajzën. Kjo më bën të ndihem e sigurt që ajo merr të gjithë kujdesin e nevojshëm dhe është e rrethuar me shumë dashuri. Herë pas here ndihem keq që nuk kaloj shumë kohë me vajzën, por përpiqem shumë ta rikuperoj kohën me të gjatë fundjavës. Kur shkëmbej biseda me të ftuarat në emision, të cilat janë gjithashtu nëna dhe gra në karrierë më krijohet përshtypja që kjo është një “sëmundje” e kohëve moderne. Por unë dua shumë që vajzën ta edukoj me frymën që puna është shumë e rëndësishme dhe ajo duhet të punojë shumë për të qenë një njeri i plotësuar dhe për të patur një jetë të mirë.

Nëse do e vlerësonit tregun mediatik televiziv në Shqipëri, cila është nota që do i jepnit? Pse?

Nuk kam dëshirë t’i fus të gjithë në të njëjtin “kazan”, meqë ky term përdoret pa kriter së fundmi 🙂

Ka media të cilat vërtet meritojnë të vlerësohen për investimet në teknologji, studio, por mbi të gjitha në burime njerëzore. Ofrojnë programe të cilat ke vërtet dëshirë t’i ndjekësh. Por këto sot janë shumë pak.

Ka dhe një pjesë tjetër që kanë investuar në gjithçka, por vetëm në cilësi jo.. .

Ndihem keq kur bëj “zapping” dhe shoh programe të cilat në emër të “show” degjenerojnë në formate vite dritë larg nga misioni edukues i medias.

Sa për nota, do preferoja të mos vendosja, pasi unë kam më pak se dy dekada në ekran dhe jam e re në moshë për të vendosur të tilla. Le ta bëjnë ata që kanë jetuar dhe punuar më shumë se unë. Vetëm dëshiroj dhe do të uroja që ata të cilët punojnë në media ta bëjnë me pasion dhe dashuri, duke mos harruar se janë aty për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo politikës apo interesave vetjakë.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤