Përvoja ime me drogën, ditari i një përdoruesi droge…

klementin-mile

Nga Klementin Mile

Në ditarin e një përdoruesi droge rrëfehej një ngjarje tronditëse, të cilën po e sjell në këtë shkrim pa iu ndryshuar gjë fjalëve të tij. Përkundër idesë se përvoja e drogës është diçka anormale për organizmin e njeriut, përvoja e rrëfyer në këtë ditar duket të zbulojë disa të fshehta intime të qenies njerëzore. Besimi im është se të vërteta të tilla janë ato që na bëjnë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, njerëzorë.

Ditari fillonte me këto fjalë: “Ndodhi në Londër gjatë stinës së verës. Bashkë me dy amerikanë që ndiqnim të njëjtin kurs në shkollë u nisa drejt një tregu të paligjshëm droge në periferi të Londrës. Vendosëm secili paratë që duheshin dhe njëri prej tyre shkoi të blinte mallin. Nuk e mora vesh ndonjëherë emrin e drogës që blemë. Isha amator në këtë gjë, vetëm një herë më parë kisha provuar drogë dhe nuk pata përjetuar asnjë ndjesi. Di vetëm që droga që morëm ishte një lloj bari për t’u pirë i dredhur në formë cigareje ose në llullë.

Nuk e zgjatëm. Morëm barin dhe u nisëm tek apartamenti ku jetonin amerikanët për ta konsumuar. Aty nuk jetonin vetëm ata të dy, kishte dhe amerikanë të tjerë, por në atë kohë të pasdites apartamenti ishte bosh. Mbushëm një llullë me bar dhe dolëm në ballkon për ta thithur. Në fillim nuk ndjeva asgjë. Por nuk kaloi shumë dhe nisa të përjetoj një gjendje që s’e pata provuar kurrë më parë dhe që s’e kam provuar kurrë as më pas.

Në gjendje normale njeriu ka hierarki të gjërave – disa gjëra janë më të rëndësishme se të tjerat. Kjo hierarki nuk është thjesht aty jashtë, nuk është vetëm konvencion social, por vetë mendja e njeriut i kushton më shumë vëmendje dhe kohë gjërave që i duken më të rëndësishme. Në fakt është vetë mendja jonë që e vendos hierarkinë. Efekti i drogës që piva e kishte ndryshuar gjithë këtë. Hierarkia kishte rënë. E kisha të pamundur të mendoja për ndonjë gjë më shumë se një fraksion sekonde. Sapo mendoja për diçka menjëherë mendimi më zhvendosej te diçka tjetër, pa mundur të qëndronte as aty, e kështu në vazhdimësi për të gjitha gjërat. Realiteti më kalonte para syve si një makth imazhesh që nuk arrija t’i ndaloja dot.

Me sa e njihja veten deri në atë moment e dija që isha i fiksuar pas kontrollit; kisha nevojë të kontrolloja situatat ku gjendesha, kisha nevojë ta mendoja paraprakisht veprimin tim, të dija pasojat dhe të mos i lija gjë rastësisë. Duke ndjerë humbjen e vetëkontrollit më kapi një ndjesi terrori. Kuptova pamundësinë për t’i dhënë ndonjë gjëje më shumë rëndësi se të tjerave. Kjo pamundësi më shfaqej qartë prej paaftësisë për të menduar ndonjë gjë më shumë se një fraksion sekonde. E provova të sjell në mendje gjëra që deri atëherë kishin patur rëndësi të madhe për mua, si p.sh. prindërit, një vajzë që pëlqeja, idealet që kisha… por më kot. Asnjë nga këto gjëra nuk arrinte ta fokusonte mendimin tim më gjatë se të tjerat – ato që deri atëherë i quaja më pak të rëndësishme. Kur mendja ndalet njësoj në të gjitha gjërat, të gjitha gjërat rëndojnë njësoj në mendje. Dhe kur rëndesa është e njëjtë, hierarkia, rregulli që quajmë realitet nuk është më.

Pas kësaj përpjekje të dështuar u futa në një fazë të rrezikshme. Në mendje më erdhi ideja se çdo gjë është njësoj e rëndësishme dhe njësoj e parëndësishme si çdo gjë tjetër. Fillova të vetëdijësohem që si të rrija aty në divan ashtu dhe të hidhesha nga kati i tretë i banesës së amerikanëve ishte njësoj. Jeta dhe vdekja filluan të rëndojnë njësoj në mendjen time. Nuk gjeja arsye as për njërën as për tjetrën. Duke e kuptuar rrezikun, u shtriva në divan dhe u mbërtheva fort me duar pas anëve, në mënyrë që t’ia vështirësoja vetes sadopak rrugën deri te ballkoni, me shpresën se gjatë rrugës do më ndryshonte mendja e nuk do hidhesha.

Nuk e di për sa kohë isha në atë gjendje. Di vetë që terrori sa vinte më shtohej, i bindur që nuk më ndalonte asgjë të bëja vetëvrasje. Në mendje më erdhi vargu i një kënge të Queen, ‘nothing really matters’ (asgjë nuk ka rëndësi) dhe u binda që Freddy Mercury kishte qenë i droguar kur kishte bërë tekstin. Në këtë kohë erdhën amerikanët e tjerë që jetonin në apartament. Me sa duket do më kenë parë mua dhe dy të tjerët të shtrirë mbi divane dhe e kuptuan gjendjen tonë. Një vajzë amerikane m’u afrua dhe filloi të më bënte pyetje. Nuk e mbaj mend ç’më pyeti, por përgjigjet e mia duhet të kenë qenë të jashtëzakonshme, pasi vija re kuriozitetin që rritej në fytyrën e saj. Një vajzë tjetër më dha një çokollatë. E mora dhe nisa ta përtypja. Më në fund, pas disa orësh pamundësie për të menduar ndonjë gjë më tepër se një fraksion sekonde, arrita të fokusohem pak më gjatë te shija e çokollatës. Prej aty nisi kthesa dhe dalja nga gjendja pa realitet. M’u kujtua Marksi me tezën e tij që akti i parë historik ishte material. M’u duk e drejtë: historia e realitetit tim, ringritja e hierarkive, atribuimi i vlerave të ndryshme për gjërat po fillonin nga akti i thjeshtë material i shijimit të një çokollate. Pas kësaj u rikthyen të gjitha – figurat e prindërve, të femrave që pëlqeja, të idealeve që kisha patur – dhe nuk u larguan më”.

*Pedagog në UET

Peripatos

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤