Personazhi apo autori?

A ekziston një betejë mes autorit dhe personazhit? A ka një sfidë mes tyre? Le të ndalemi për shembull në tre libra për të cilat mendoj se kanë patur edhe lexuesit më të shumtë në botë. Kështu, ne themi Don Kishoti, Shvjeku, Shekspiri. Dy të parët janë personazhe, i treti është autor. Përse vallë ky ndryshim teksa i referohemi këtyre tri rasteve? Çfarë e bën Shekspirin të vazhdojë të jetë padron i të gjithë personazheve të tij?

(Beteja tek lexuesi përballë Don Kishotit, Shvejkut dhe Shekspirit)

Nga Agim Baçi

Rëndom, kur tentojmë të flasim për letërsinë, për libra të ndryshëm, disa herë përdorim emrin e autorit, por në disa raste përdorim emrin e personazhit. Në të dy rastet, përdorimi i këtyre emrave imponohet në mënyrë të vetvetishme por që shpesh përbën edhe një mënyrë të kuptuari ndaj asaj që lexojmë.

Por, a ekziston një betejë mes autorit dhe personazhit? A ka një sfidë mes tyre?

Le të ndalemi për shembull në tre libra për të cilat mendoj se kanë patur edhe lexuesit më të shumtë në botë. Kështu, ne themi Don Kishoti, Shvejku, Shekspiri. Dy të parët janë personazhe, i treti është autor. Përse vallë ky ndryshim teksa i referohemi këtyre tri rasteve? Çfarë e bën Shekspirin të vazhdojë të jetë padron i të gjithë personazheve të tij? Përse Servantesi duket i zbehur përballë emrit të Don Kishotit. Po Hasheku pse nuk mundet të jetë më aq i fuqishëm se sa Shvejku?

Duket se kur themi Don Kishoti, askush nuk tenton të identifikojhë heroin me emrin e Servantesit. Autori duket sikur nuk mundet dot ta përfaqësojë më atë sepse personazhi është bërë më i fuqishëm. Pra historia e leximeve dhe diskutimeve duket se i ka dhënë të drejtën “krijesës”, për të mbajtur gjithë fuqinë e veprës. Ndërkohë, e njëjta histori shfaqet edhe mes Hashekut dhe Shvejkut.

Hasheku mbetet krejt i largët, thuajse i papërfillshëm përballë fuqisë që shfaq emri i Shvejkut. Dhe, besoj se biem në një mendje se, sot, në mbarë botën, emri e këtyre dy personazheve janë më popullorë se sa i autorëve. Madje, mund të ketë shumë persona në botë që dinë diçka për Don Kishotin por nuk dinë asgjë për Servantesin, që dinë shumë gjëra për Shvjekun e që nuk e njohin aspak Hashekun.

Si për ironi të fatit, këto dy vepra mbeten edhe të vetmet të famshme të këtyre dy autorëve, pasi veprat e tjera të tyre nuk e kanë pasur vlerën sa ”Don Kishoti i Mançës” apo ”Ushtari i mirë Shvejk”.

Krejt e kundërta ndodh me Shekspirin- për të vazhdojmë të mendojmë më së shumti si autor. Edhe pse Hamleti, Mbreti Lir, Makbethi, Otello, Ofelia, Romeo e Zhuljeta, janë personazhe të interpretuar në qindra skena, në qindra Akademi Artesh, apo që kanë vënë në lëvizje mijëra kritikë arti, sërish askush nuk ka guxuar të mendojë se Shekspirin mund ta mundë ndonjë prej personazheve të tij.

Atëherë, përse në këtë komunikim me këto libra, për Shekspirin vijojmë të mendojmë si autor, ndërsa për Servanetin e Hashekun ”vendosin” personazhet? A mund të ketë diçka që mund t’i ndajë, a ka ndonjë faktor thelbësor që bën këtë dallim?

Mund të ketë disa arsye, por unë do doja të rreshtoja vetëm një nga logjikat që mund të ketë qenë vendimtare në këtë mënyrë pranimi që i është bërë këtyre veprave.

Don Kishoti është natyrshmëri. Eshtë pjesë e brendshme. Eshtë dëshirë për të triumfuar në dashuri. Eshtë provim me vetveten.

Shvejku është ironi, është dysheme e së vërtetës, e njëkohësisht edhe mënyra se si shihet e vërteta.

Ardhur në kufijtë e naivitetit, pa komplikacione, pa skena të stërholluara, për Don Kishotin dhe Shvejkun duket e lehtë të mendojë kushdo. Ata janë aq të natyrshëm sa nuk duket se lexuesi ka ndonjë kufi për t’i kontrolluar. Autorët duket sikur ia kanë dorëzuar çdo lexuesi që t’i marrë përdore e të udhëtojë me ta. Mjafton të kujtojmë se sa emërtime, krahasime, keqkuptime, ka me këto dy personazhe, për të kuptuar guximin që kanë ndërmarrë mijëra lexues për t’i diskutuar, debatuar, gjykuar, e më pas edhe përjetësuar më shumë se sa autorët.

Krejt ndryshe duket sikur ndodh me Shekspirin. Ai është piktori i pushtetit, parasë dhe tradhtisë. Asnjë penë nuk i ka pikturuar si ai këto tre “pushtete” që vërtisin miliona jetë njerëzore. Por të tri këto veti janë më së shumti pjellë e mendjes. Si rrjedhojë, personazhet e Shekspirit ngjajnë më së tepërmi si produkt mençurie. Jeta i ka vërtetuar dhe vazhdon t’i vërtetojë fjalët e tij- askush nuk guxon t’i kontrollojë “krijesat” e tij, por vetëm të mendohet përpara tyre.

Me dy të parët, pra me Don Kishton dhe Shvejkun, ne etiketojmë qindra, mijëra persona. Madje, edhe një pjesë e mirë e atyre që nuk i kanë lexuar si libër, kanë mundësinë të dinë kuptimin e etiketimit për shkak të përdorimit të herëpashershëm në jetën e përditshme.

Ndërsa me Shekspirin gjithçka ndodh ndryshe. Ai i përket zgjidhjeve të mendjes, zgjidhje që për ne, edhe pse përbëjnë shenja për të përcaktuar një fenomen, mbeten brenda zgjidhjeve të mençura, ose zgjidhjeve që mund të arrihen apo shmangen nëpërmjet mençurisë.

Don Kishoti është ëndërr – por ëndrra nuk mund të jetë emërtim i përgjithshëm, pasi ëndrra i përket thelbit të intimitetit tonë. Ndaj, keqkuptimi me Don Kishotin ka ardhur në një rrjedhë që duket normale, ku zakonisht “Don Kishot” ne cilësojmë dikë që po merr kot, që ëndërron kot. Por a mundet që dikush të ëndërrojë kot në dashuri? Kjo duket e pamundur, pasi një njeri ne thuajse e kemi dashur të gjithë edhe pa ia thënë.

Shvjeku është “e vërteta pa etiketë” – por ne jemi mësuar që të vërtetën ta themi në forma sa më të buta, të veshur me fjali amortizuese. Ndaj, me Shvejkun ne zakonisht etiketojmë ata që sillen si naivë, pasi të drejtët, ata që thonë të vërtetën, ne i shikojmë si naivë, ose gati-gati, si budallenj.

Ndërkohë, Shekspiri është zgjidhje e mendjes. Tradhtinë, pushtetin dhe paranë ne thuajse i etiketojmë njëlloj. Meqenëse i përkasin marrëveshjeve nëpërmjet mendjes dhe jo shpirtit, përgjithëssht njerëzimi nuk i ka keqkuptuar personazhet e Shekspirit, ose edhe në raste keqkuptimi nuk ka guxuar t’i shohë larg autorit. Kjo situatë leximesh na sjell përpara etiketimesh të qarta të personazheve të tij: Kështu, me Brutin ne shikojmë tradhtarin, Me Romeon e Zhuljetën ne shikojmë dashurinë.

Ndërkohë, Don Kishotin dhe Shvejkun thuajse e hasim në gjykime “të kollajshme” tek çdo lexues, sepse ata të dy janë drejt një bote “të humbur”, larg “të mençurve”. Ndaj, meqenëse çdo lexues merr guximin t’i gjykojë, atëherë autori nuk është vendimtar në atë që i duhet lexuesit të mendojë. Ndërsa te Shekspiri, mençuria e drejtpërdrejtë ose si fabul, është në çdo gërmë.

Meqenëse në libër ato janë personazhe, shpesh lexuesve i duhet një mbështetje për të besuar ato mendime të rrufeshme, filozofike, të goditura, rrëqethëse që shfaq korpusi i personazheve shekspiriane. Pra, pavarësisht se dimë shumë për Makbethin, Hamletin, Brutin, Otellon, Mbretin Lir, ne sërish i shohim ata të fshehur pas emrit të Shekspirit. Sepse Shekspiri është emër njeriu, pra një njeri- kështu që duket më e lehtë që barrën e mençurisë ta mbajë ai për të gjithë. Ndaj vetëm ai mund t’i përmbledhë ato mendime, ndërkohë që Don Kishoti e Shvejku “bredhin të lirë” .

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤