Parid Teferiçi: E fundit është gjithmonë e vetmja

View Gallery
2 Photos
Parid Teferiçi: E fundit është gjithmonë e vetmja
img_1020-edit

Parid Teferiçi: E fundit është gjithmonë e vetmja
img_1044-edit

Kur bie fjala te dashuria, pas së parës shpesh do të ketë të tjera…Ama e fundit do të jetë e vetmja. Ndoshta në jetën e vërtetë nuk është gjithnjë kështu, ose edhe kur është jo të gjithë munden ta përshkruajnë si të tillë. Por një shkrimtar si ai di ta bëjë të veçantë përgjigjen edhe për pyetjen më të zakonshme. A ka rrëfyer të vërtetën  apo ka stisur  një trill letrar? Filli që i ndan është i hollë, por për gruan dhe letërsinë (që rastis edhe ajo të jetë grua) një burrë duhet të jetë i sinqertë…edhe kur është shkrimtar

 

Foto: Jetmir Duraku

 

E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?

Ata që thonë “Dashuria e parë nuk harrohet” kanë kujtesë të dobët. Nuk ka qenë dashuri! Në atë moshë meshkujt janë në fazën bimore: kur të gjitha degët nisin t’iu rriten, tronditen e budallepsen vetëm nga njëra.

Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?

E fundit është gjithmonë e vetmja.

Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?

Barsoletat.

Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë u vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?

Në të dyja rastet, po atë ndjenjë dhembshurie si kur thonë për dikë: “burrë i mirë, i shkreti”. Më tërheqin gratë krenare, të cilat “janë, s’janë të mira, janë për veten e tyre.”

Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?”

Dashuria kalon nga s’ta pret mendja. Dhe fajin e ka gjithmonë mendja. As zemra, as veshi, as veshkat… Kam gatuar gjithmonë më mirë se partnerja, dhe pastaj kam duruar ankesat sesa shumë rrëmujë bëj në kuzhinë.

Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?

Zgjedhë, nëse nuk është zgjedhje e lirë. Nëse zgjidhjen ta jep “familja” apo “shoqëria”, ne do të vazhdojmë të kemi familje dhe shoqëri si këto tonat: hipokrite, të nënshtruara dhe mbytëse. Është perverse të detyrohesh të vesh përnatë në shtrat me dikë “për sytë e botës”. Lumturia e një shoqërie nuk matet nga euforitë kolektive e idiote të dasmave, por nga kënaqësitë e përditshme (e të përnatshme) të njerëzve që shijojnë të qenit me njëri-tjetrin dhe i konceptojnë fëmijët dhe planet së bashku.

Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?

Njoh shumë besnikëri më të panatyrshme dhe më të pamoralshme sesa tradhtitë.

Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?

Shpesh disa martohen edhe pse nuk kanë dashuri, por jo gjithmonë dy vetë ndahen sepse nuk kanë më dashuri. Rastin e dytë e njoh. Dhemb. Ose, më saktë, shemb. Por kështu e ka komedia njerëzore: dy njerëz që do të jepnin jetën për njëri-tjetrin, befas dëshirojnë që tjetri të mos kishte ekzistuar kurrë!

Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?

Jo po Nëna Shqipëri tek Varrezat e Dëshmorëve!!! Një “na bën kokën”; të tjerat pastaj “na heqin trurin”.

Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?

“The wonder of you”, Elvis.

Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?

Një bonsai, bashkë me gërshërët për ta krasitur.

Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?

 

Aventura kërkon të panjohurën. Por t’i kërkosh “të panjohurat” me makinë luksi te Blloku nuk të bën aventurier, ashtu siç nuk bëhesh luftëtar trim po të shkosh tek Partizani i Panjohur.

Kur i thoni një gruaje që e doni?

Kur nuk ka nevojë t’ia them me fjalë. Por gratë, çuditërisht, besojnë ende tek “fjala e burrit”.

Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)

Unë do të ndërroja edhe gjininë vetëm të shkruaja si zoti Flaubert! Zonja Bovari është një heroinë. Të vendosësh të jetosh jetën që do pavarësisht rrethanave është më heroike sesa të vendosësh të sakrifikosh jetën për të ruajtur ose për të ndryshuar rrethanat. Viktima janë “heroinat” tona të “emancipimit socialist”, ose sot VIP-et që garojnë me selfie buzë pishinave.

Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?

Edhe Lady Macbeth hyn tek ato “gratë e mira, të shkretat”. E bindur dhe e përkushtuar gjer në përçudnim ndaj burrit, ndaj dëshirave dhe ambicieve të tij. Sikur të kishin pasur një jetë më të mirë në shtrat, as Makbethi nuk do të ëndërronte tundimin e tre shtrigave, as nuk do të ftonin miq të pushtetshëm në shtëpi, as nuk do ta kalonin natën korridoreve me thika e pishtarë.

Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere tek “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?

A do të kisha zgjidhje tjetër? Një romantik (por gjerman ama!) thoshte: “Për dashurinë jap jetën. Për lirinë jap dashurinë.” Një shpikje amerikane thotë: “Merr tre, paguaj dy!”, por, si kavajas që e njeh pazarin, unë e di se, në kësi rastesh, zakonisht jeta të del e skaduar.

Më mirë një shef apo një shefe?

Më mirë më vete.

Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?

Nuk jam i martuar, por vërej sesi bota dhe unë ndryshojmë përditë. Nuk po rinohemi. Por nuk besoj se të martuarit kanë faj për këtë.

Çfarë konsideroni seksi te një grua?

Atë buzëqeshjen kur ajo kupton sa seksi më duket, e gjitha.

Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?

“Në ç’orë fillon ndeshja?”

Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?

Kaq shpejt mbaruam? Ke tjetër?

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤