Pango: Tek shqiptarët, veç ndjenjës së inferioritetit, shfaqet megalomania

View Gallery
2 Photos
Pango: Tek shqiptarët, veç ndjenjës së inferioritetit, shfaqet megalomania
Ylli Pango libri

Pango: Tek shqiptarët, veç ndjenjës së inferioritetit, shfaqet megalomania
Ylli Pango

Profesor Ylli Pango sjell librin ‘Psikologji shqiptare’, një botim i UET-Press, si një hulumtim në laboratorin social dhe psikologjik të identitetit tonë

Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, libri me titull ‘Psikologji shqiptare’ me autor Ylli Pangon, botim i UET-Press. Libri përcjell një hulumtim në laboratorin social-psikologjik të identitetit tonë. Ky libër iu jep përgjigje disa prej pyetjeve për kulturën tonë dhe është i vlefshëm jo vetëm për studentët e psikologjisë, por siç u shpreh edhe vetë autori “Është një ftesë e hapur për t’u lexuar nga të gjithë”. Përveçse një libër psikologjik, është një libër ku ndërthuret historia dhe shohim më shumë për ndryshimet tona historike, pasi shkenca shqiptare është marrë pak me këtë temë.

Libri ‘Psikologji shqiptare’ i profesor Pangos vjen sot si domosdoshmëri dhe plotësim i një boshllëku në fushën e shkencave sociale. Kjo sepse, siç dihet, nuk ka patur deri sot libra me studime të mirëfillta të psikologjisë së shqiptarëve si popull. Ky është libri i parë me fokus njohjen dhe analizën psikologjike të shqiptarëve, kryesisht në aspektin e raporteve të tyre sociale, me të tjerët, por edhe me veten. Në vend të tij deri më sot kemi patur, për rreth gjysmë shekulli, shkrime të ideologjizuara të sistemit që ra e artikuj të shkëputur të pas viteve ‘90. Analiza psikologjike e shqiptarëve është me interes jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt, pasi Shqipëria paraqet veçori dhe kuriozitet për të njohur pasojat psikologjike që mund të lërë një izolim i gjatë dhe i plotë.

Libri i prof. Pangos ka një parathënie nga prof. dr. Aleksandër Dhima. Ai shprehet se është një libër me motiv bashkëkohor, me meritë mbresëlënëse të profesor Pangos. Kjo qëndron në faktin se krijohet një këndvështrim i plotë i psikologjisë së shqiptarëve në optikën e një specialisti me status akademik dhe shkencor të fushës.

Pjesë e parathënies së librit ‘Psikologji Shqiptare’, gjithashtu është edhe prof. asoc. dr. Voltisa Lama. Ajo tha se ky libër, kërkon kurajë për t’i shkruar gjërat hapur dhe bagazh intelektual për të analizuar dhe mbështetur në fakte pozicionimin për tiparet psikologjike sociale të një pjese të madhe të shqiptarëve sot.

Në fjalën e tij përshëndetëse, autori i librit vlerësoi punën që bën Universiteti Europian i Tiranës në promovimin e librave.

“Unë do të theksoja një gjë, që atë që ka bërë Universiteti Europian i Tiranës për promovimin e librave, në kohët e sotme këtu te ne nuk e bëjnë pjesa më e madhe e universiteteve. Për mua vërtet është surprizues promocioni, nuk e prisja kaq shpejt dhe kaq mirë. Falënderoj në mënyrë të veçantë prof. dr. Aleksandër Dhimën dhe profesoreshën Voltisa Lama”.

Ç’MENDOJNË SHQIPTARËT PËR VETEN

Pjesë nga libri

Keq? Mirë? Inferiorë? Superiorë? Oh sa mirë me kenë shqiptar? A ia bëjmë qejfin vetes? Sa e njohin historinë e tyre dhe të fqinjëve. Mitet. Rrjedhoja në raportet mes vedi e me të tjerët

Duke e njohur e pranuar sëmundjen mund të tentosh ta shërosh atë, ndryshe agravohet e vijmë aty ku kemi ardhur e nga ku nuk po dimë ku po shkojmë. Psikologjia kombëtare bashkon karakteristikat e përbashkëta specifike që rrjedhin e ngjizen nga gjuha e zakonet e përbashkëta, nga historia, por jo rrallë edhe nga sistemet, politika e mediat e vendit: këto meqë ra fjala kanë ngjizur jo pak në këta 27 vjet në pjesët e liga të shpirtrave tanë. Këtu, siç dihet, si edhe për popuj të tjerë, edhe e mira dhe e liga bashkëjetojnë.

Jo më kot teoria e modeleve, sipas së cilës njeriu formohet duke imituar a ndjekur modelet e parapëlqyera, janë sot ndër më të konsoliduarat në psikologjinë bashkëkohore. Modeli i politikanit, fort i ndjekur nga një pjesë e të rinjve, i atij politikani që veç me aktivitet politik pa fryt e llafollogji fiton gjithçka, ka dalë mjaft në pah si model këto tri dekada. Sallat e partive kryesore, atyre që “kapin” pushtet, mbushur me plot të rinj arrivistë, të etur për para e pushtet, emisionet politike mbizotëruese në media etj., janë një shembulli qartë i ndikimeve, imitimeve, modeleve që ndjekin jo pak njerëz te ne sot. Kësisoj nuk ngjizet pak përzierje pa lëndë në mendjen e të rinjve shqiptarë. Madje edhe në karakterin e tyre. Jemi nën ndikimin më të fuqishëm të sistemit, politikës, medias, mentalitetit ngritur këta 28 vjet te ne.

Po le të shkojmë pak pas … Përveçse mesdhetarë dhe ballkanikë, a kanë shqiptarët cilësi psikofizike specifike të ndryshme nga fqinjët? Kanë si çdo popull. Është e njohur në psikologjinë sociale dhe në atë të popujve (Wundt, Gustave Lebon) se ka tipare të qenësishme që e dallojnë një popull nga tjetri. Ka tipare le t’i quajmë pozitive, ka dhe negative. Mjaft autorë vënë në dukje në librat e tyre se nëpërmjet artit e kulturës që kanë krijuar e trashëguar a përcjellë ndër shekuj, shprehet e mund të vlerësohet niveli i zhvillimit mendor të popujve e ai i qytetërimit të tyre.

Popujt që kanë mundur të bëjnë art e të përçojnë deri më sot kulturën e tyre të pasur, janë edhe popujt me konstitucion më të lartë shpirtëror. Dhe këtu shqiptarët kanë qenë shumë lart, kohë më parë. Eqrem bej Vlora vë në dukje në librin e tij “Kujtime”: Kam parë prodhimet më të rralla më të çmueshme dhe më të bukura të artit të vjetër popullor shqiptar, të blera dhe të nxjerra jashtë nga tregtarët shëtitës në periudhën e dekadencës (vini re si përsëritet historia, kujtoni 1997-n e vite të tjera pas ’90-s, e vjedhjen a kalimin tej kufijve të vlerave tona të trashëgimisë kulturore jashtë kufijve) … Kur sheh Shqipërinë dhe shqiptarët sot, çuditesh dhe e ke të vështirë të parafytyrosh si edhe ku janë krijuar këto relikte të çmuara. Mjerimi në të cilin jetoi populli shqiptar në periudhën e dekadencës, paaftësia për të kuptuar artin dhe bukurinë që haste dhe në shtresat e kamura, nuk të japin dorë të hamendësosh se ky popull ka qenë njëri nga më artdashësit, nga më të kamurit dhe më fisnikët e të gjithë Lindjes së Afërme … (Eqrem bej Vlora, Kujtime, f. 67-68).

Te ne, veç këtyre pasurive materiale të trashëgimisë kulturore, siç dihet ndër shekuj ka pasur edhe pasuri të mëdha që i takojnë trashëgimisë kulturore shpirtërore. Ka patur edhe veçori psikologjike mjaft interesante të menduara si të trashëguara ndër shekuj deri më sot. Flitej për trimëri, besë, bukuri, temperament etj. Duhet gjykuar lidhur me këto, lind pyetja sa janë ruajtur e sa janë bjerrë syresh. Sa shfaqen tejet të ndryshuara edhe për shkak të përzierjeve me prurje të tjera popujsh, pushtimeve, emigrimeve, sistemeve shoqërore e politike, globalizimit, mediave etj. Eqrem bej Vlora përmend ndër tipare të tjera të shqiptarëve të Jugut, Labërisë e veçanërisht Vlorës, veti të bukura kalorësiake, por edhe shprehi negative trashëgim dhe një ngarkesë e një edukate luftarake mijëravjeçare, si edhe e një tradite mercenarizmi: ata ishin njerëz krenarë, gjaknxehtë, mendjemëdhenj, lakmitarë, tekanjozë, dembelë dhe joshoqërorë sikundër mund të ishin njëherësh edhe trima, të gatshëm për t’u flijuar, bujarë, mikpritës, këmbëngulës dhe të besës. (Eqrem bej Vlora, Kujtime, f. 178).

Duke lexuar këto lind pyetja: A është populli në thelbin e tij psikologjik po ai dhe nëse jo deri në ç’masë ka ndryshuar? Sa ka ndryshuar? Sa dhe si është përzier? A ka firuar a humbur goxha tipare sidomos nga ato me vlerë, ashtu si çdo popull tjetër? Le t’i hedhim një sy Historisë së Francës (bashkërenduar nga George Duby, anëtar i Akademisë Franceze, me autorë kapitujsh akademikë, specialistë periudhash që nga prehistoria e deri më sot, e po kështu Historisë së Italisë, Spanjës etj., të të njëjtit format, përkthimet shqip Botimet, Dituria 2012), vëmë re një përzierje pa fund popujsh prej të cilëve rrjedhin francezët e sotshëm, që nga galët, romanët, frankët (popull i shfaqur në rrafsh të parë), gotët, burgondët, alemanët, visigotët. Për rrjedhojë edhe për popuj të tjerë të kultivuar e me trashëgimi të pasur kulturore materiale e shpirtërore, të flasësh për tipare të qëndrueshme ndër shekuj, origjina të pastra, gjak të papërzier etj., do të ishte thjesht folklorike. A pseudopatriotike.

Te ne për fat të keq ende për paradoks, veç ndjenjës së inferioritetit, kombinuar me të (sidomos në biseda tryezash) shfaqet megalomania. Mburrja. Krenaria për origjinën tonë të pastër: në mënyrë të palëkundur vetëm ilire. Ka ardhur prej kohësh koha t’i lëmë të qetë pellazgët, madje ilirët, varret e të cilëve shtrihen pothuajse në të gjithë Ballkanin e që për rrjedhojë bën logjikisht, por edhe me prova që të mos gjesh dot popull ballkanik të mos ketë më shumë a më pak gjak ilir përzier me gjakun e tyre. Të lëmë të qetë edhe heronjtë e kohërave të sotme, De Niron, e mjaft të tjerë, legjenda e të qenët shqiptar të të cilëve na bën të mburremi pa reshtur për cilësitë tona të vyera. Shprehja ‘Oh sa mirë me kenë shqiptar’, tej stimulimit të patriotizmit, sidomos në ndeshjet e futbollit, duhet të kombinohet me tendencën për t’u bërë gjithnjë e më të mirë e të avancuar si kombet më të zhvilluara. Konica vë në dukje se: Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse në ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr. 2, 14, 15-30 qershor 1898). Duhen flakur së fundmi tej të gjithë nacionalizmat a izmat “gjakpastra shqiptare” e duhet parë realiteti në sy me të mirat e të këqijat që kemi.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤