Paketa e artistit politikan!

Nga Irena Myzeqari
Dy gjëra e vrasin artistin; Realiteti dhe monotonia. Fatkeqësisht në një fshat, ku punë ka pak e llafe shumë, artisti e ka shumë të lehtë, që të tërheqë vëmendjen nga faktet për t’u marrë me shpifjet. Jo të tijat, të dynjasë! Po bota është e madhe! Pjesë e botës je edhe ti edhe unë, ndaj artisti, në pamundësi të na rrekë të gjithëve, përdor pushtetin absolut për të na e mbyllur njëherë e mirë gojën me një paketë, paketë për të mirën tonë, jo të tij. Mbushjani mendjen vetes njerëz se artisti është njeri i mirë! Kërkon thjesht që ne si shoqëri, media e portale përfshirë, të mos mëkatojmë me gojët tona, duke lëshuar të pavërteta vend e pa vend, për të apo shegertët rreth tij.

Tani duhet kaluar në veprim. Artistit i duhet fillimisht një muzë. Ku ta gjejë? Jemi ne, populli. A i duam ne shpifjet? Po, vdesim për to. A vijmë ne nga një kulturë ku fletërrufeja varej në mur dhe ku të gjithë luteshim ‘skandalin e radhës falna o Zot, veç mos të jemi ne’? Po, prej nga kjo kohë vijmë. Ja ku jemi pra, gati, një tufë delesh që duhen edukuar për të lënë prapa të kaluarën e tyre dhe të kuptojnë se koha kur flitej keq për këdo ka kaluar. Ne jemi në Rinisje, kohën e lulëzimit të së vërtetës dhe idealit për një atdhe emancipues, integrues, përparues etj.

Tufa ka nevojë për bari, po artisti është shumë kreativ për burokraci. I duhet një ministri. Çfarë dreq ministrie duhet të jetë kjo? As ai vetë se di, por e ka të qartë se duhet të mbrojë të Vërtetën. Do të ketë shumë punë!- mendon ai. Dhe ka të drejtë sepse kazani mediatik siç ka qejf t’i quajë të gjithë TV-të, portalet, profilet publike, analistët që e kundërshtojnë, ka humbur busullën nga skandalet e fundit që artisti, së bashku me stafin e tij ka prodhuar, aq sa po shohin një version të shtrembëruar të realitetit. Të shkretët! Ua jep artisti ‘syzet’ të shohin siç duhet. Ministria del garant se tufa nuk do gabojë më. E vërteta do triumfojë dhe të gjithë do flasin si dele e do përsërisin me devotshmëri çfarë do të thotë ai.

Po sikur të ketë dele të zeza në tufë? Aha, artisti ka menduar edhe për këtë. Te kazani, ka disa që janë legena, kryesisht TV kombëtare që janë gati të shfaqin në ekranet e tyre edhe ngjyrën e… frymës së artistit. Për hir të besnikërisë këta do të marrin gradën policë, me detyrë të shenjtë, ruajtjen e mendjes së tufës. Dhe ju e dini sa kollaj kontrollohet mendja sot: të duhen mikrofonë që të bërtasin mendimet e njerëzve dhe kamera që të ndjekin këmba këmbës, duke spiunuar e dokumentuar çdo lëvizje të qerpikut. Larg qoftë e keqja, ama artisti duhet të ruhet edhe nga qerpiku, se sytë çoç shohin e i shpien mendjet e shkreta të mendojnë se realiteti nuk është kaq me ngjyra sa po na e shet ai.

Po me gjuhën si do ia bëjë artisti? Kjo është më e kollajta nga të tëra; albanishtja ka shumë tendenca totalitare brenda saj. Atij i duhet vetëm ta spastrojë nga ca sharje e shpifje e ta bëjë pozitive. Gjuha e re duhet të jetë politikisht korrekte, me qëllimin e vetëm përmbushjen e kërkesave ideologjike të Partisë së artistit. Nuk ka më keq, ka vetëm mirë, nuk ka më gënjeshtra, vetëm të vërteta. Nuk do shajë kush, as të mallkojë, se artisti nuk do të lejojë! Lavde për të tërë, paqe plot e eshtra nuk do thyhen se fjalët do jenë pa forcë. Si do ta mësojë tufa gjuhën e re? Nga shpikja e artistit, televizioni personal. Dy orë në ditë mësim falas, nga ai vetë, dhaskali ynë. Libri bazë: Propaganda. Metoda e mësimdhënies: Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë!

Ju kanë mbetur më paqartësi në lidhje me paketën e artistit? Muza u gjet, polici po, ministria është gati për ndërtim sa të shembë një karakatinë, që në albanishten e vjetër i thërrisnin teatër dhe çdo gjë gati. Të gjithë ulur, ndizni televizionin dhe përsërisni njëzëri: Shpifja është robëri! E vërteta liri! Artisti është fuqi! Amin!

Ps. Ju lutem mos shpifni. Unë nuk jam përgjegjëse për çfarë kuptoni ju. Çdo insinuatë për emrin e artistit, tufës dhe legenave mediatikë, janë produkt i imagjinatës suaj. Që ta kuptoni që keni mendje të mbrapshtë e ju duhet një orë e më parë një polic mendimi dhe një ministri e së vërtetës!

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤