Orjana Hanxhari: Shqipëria pa arkiva mjedisore

“Standardet mjedisore”, Shqipëria përballë Bashkimit Europian/ Orjana Hanxhari sjell një studim mbi situatën mjedisore në vend. Integrimi i vendit drejt institucioneve të BE-së vetëm përmes aplikimit të standardeve mjedisore

Si lindi ideja për të sjellë këtë libër dhe pse mendoni se lexuesi (kryesisht i fushës së mjedisit dhe shkencave të lidhura me të) do të duhet ta lexojë atë?

Në fakt libri është finalizim i procesit të studimeve të mia doktorale në fushën e mjedisit, proces që zgjati disa vjet pasi kërkoi një punë të thelluar dhe e zhvilluar në një terren jo shumë komod, sa u takon studimeve mjedisore në Shqipëri, të cilat ose mungojnë ose janë vështirësisht të aksesueshme për publikun dhe ato që mund të gjenden janë mjaft të fragmentarizuara e monotematike. Për këtë qëllim u deshën disa vite pune kërkimore brenda dhe jashtë vendit, e cila u finalizua me mbrojtjen e temës doktorale në muajin Janar të vitit 2017. Që të jem e sinqertë nuk e kisha menduar që ta botoja studimin doktoral, por ishin pikërisht profesorët e komisionit të vlerësimit të mbrojtjes së doktoraturës, recensuesit, dhe profesorët e fakultetit ku mbrojtja doktoraturën, të cilët më kërkuan dhe insistuan në njëfarë mënyrë për ta botuar këtë studim, duke theksuar faktin që studime të tilla mungojnë në Shqipëri dhe janë një vlerë e shtuar për gjithë ekspertet e fushës, por jo vetëm.

Modestisht mendoj, se ky libër përbën interes veçanërisht për ata lexues të interesuar profesionalisht për fushën e mjedisit por jo vetëm. Ai bën një vlerësim kompleks të proceseve mjedisore në Shqipëri, duke i krahasuar ato me mënyrën sesi të njëjtat procese zhvillohen sot në Europë dhe është një analizë krahasimore mes këtyre dy botëve. Duke qenë se nëpërmjet tij tentohet të dalin në pah defektet dhe mospërputhjet e mëdha që ekzistojnë për çdo proces apo hallkë të proceseve, sa u takon standardeve mbi të cilat ato performojnë në nivel kombëtar dhe atyre në nivel europian, libri ka mesazhe të qarta dhe rekomandime se çfarë nevojitet që ne të bëjmë në nivel kombëtar me qëllim ridimensionimin dhe rishikimin e këtyre proceseve, parë nga një qasje më evropianë dhe në përputhje të plote me standardet e aplikuara sot gjerësisht në vendet e tjera të BE-se, ku ne duam të integrohemi.

Pra, janë ata që bëjnë politikat mjedisore në vend, që ndoshta diçka me vlere qoftë edhe në nivel njohje të përgjithshme, diçka do t`ju vlente nga ky libër i cili i trajton problemet në kompleksitetin e tyre dhe ndërvarësitë që i karakterizon këto procese, ku njeri kondicionon tjetrin e kështu me radhë deri te produkti final. Por njëkohësisht, edhe ekspertet e fushës së mjedisit, brenda dhe jashtë institucioneve përgjegjëse ndoshta do t’ju vlente për punët e tyre kërkimore e shkencore pasi libri jep një panorama të përgjithshme dhe komplekse, sa u takon gjithë proceseve që lidhen me mjedisin dhe vlerësimin mjedisor në Shqipëri, duke e dhënë të plotë panoramën dhe duke trajtuar gjithë proceset të marra nën analizë, duke aplikuar qasjet konceptuale dhe metodologjike që aplikohen sot në Europë.

Ka gjithashtu, nocione dhe trajtime kuadër për proceset mjedisore, të cilat në nivel reference shkencore përbëjnë një vlerë të shtuar dhe ofruar një bazë informative për terminologji e metodologji mjedisore me vlere për lexuesin dhe që aplikohen sot gjerësisht.

Ju gjatë ceremonisë së promovimit të librit u shprehët se “libri ka një vlerë të shtuar pikërisht në momentin në të cilin gjendet Shqipëria dhe institucionet e saj”, duke nënkuptuar këtu proceset integruese të vendit në BE. Pse e mendoni ketë?

Në fakt, libri është sjellë pikërisht në momentin e duhur sa u takon proceseve integruese të vendit në Bashkimin Europian dhe përpjekjeve që ne duhet të bëjmë në të gjitha fushat për përmbushjen e kritereve të përcaktuara për çdo fushë, një prej të cilave edhe mjedisi e kapitulli përkatës (Kapitulli 27). Nuk mund të ketë integrim europian, nëse nuk ka zhvillime të brendshme (në të gjitha fushat respektive sipas kapitujve përkatës) dhe me standardet e përcaktuara. Përfshirë këtu edhe mjedisin. E nëse, këto standarde fillimisht nuk kuptohen e më tej të aplikohen, atëherë do të jetë i vështirë integrimi ynë drejt institucioneve të BE-së.

Duke qenë se libri, merr në analizë pikërisht këto standarde dhe tenton të nxjerrë në pah se ku Shqipëria është me zbatimin e tyre, e çfarë duhet bërë për t’u përafruar sa më shumë me ato të BE-së për proceset mjedisore, objekt studimi i këtij libri, kjo i shërben qëllimit final, integrimit tonë në institucionet europiane, një prej të cilëve në fakt, është edhe Agjencia Europiane e Mjedisit, e cila na mbështet prej vitesh tanimë pikërisht për ketë qëllim: njësimin e metodologjive dhe standardizimin e gjithë proceseve që lidhen me mjedisin në nivel kombëtar me ato të përcaktuara nga legjislacioni mjedisor europian, sa u takon proceseve mjedisore. Kjo do të bëjë të mundur, përgatitjen e institucioneve shqiptare mjedisore dhe rritjen e konsolidimin e kapaciteteve të tyre të brendshme, me qëllim aplikimin e këtyre standardeve prej tyre. Vetëm në këtë mënyre, Shqipëria do të ketë mundësinë të bëhet një vend i BE-se edhe në fushën e mjedisit. Për këtë qëllim, mendoj se libri jep “shinat” ku duhet të ecet, me qëllim integrimin drejt institucioneve mjedisore europiane siç është Agjencia Europiane e Mjedisit, anëtarësimi drejt së cilës duhet thënë që është proces paralel me anëtarësimin e vendit drejt BE-së.

Pse mendoni që ky studim ka qenë sfidues dhe çfarë ju ka bërë përshtypje më shumë gjatë përgatitjes së tij?

Studimi ka qenë mjaft i vështirë dhe tejet i lodhshëm. Fillimisht kam pasur dilemat e mia nëse duhet t’i futesha një teme të tillë apo jo, pasi duke qenë pjesë e sistemit e kisha shumë të qartë që nëse do t’i futesha këtij studimi mbi “standardet mjedisore- Shqipëria përballë Europës” asgjë nuk do ishte e lehtë, përkundrazi. Unë njoh mjaft mirë situatën mjedisore në vend, si ajo që lidhet me ‘proceset mjedisore’ ashtu edhe me ‘kuadrin institucional’, ‘kuadrin ligjor’, studimet aktuale kërkimore – shkencore në ketë fushë, aktorët, roli dhe kontributi i tyre, literatura mjedisore e mangët dhe shkalla e kufizuar e aksesit në të etj., ashtu sikundër njoh mjaft mirë edhe institucionet europiane, si EEA (Agjencia Europiane e Mjedisit) apo agjenci të tjera homologe të vendeve të BE-së apo Ballkanit që mbulojnë mjedisin dhe mënyra sesi ato punojnë dhe mbi çfarë filozofie dhe kuadrosh metodike operojnë. Kështu që e kisha mjaft të qartë, që të flisje për `standarde mjedisore` shqiptare dhe të bëjë krahasime me ato të BE-së, nuk do ishte një punë e lehtë.

Përpos kësaj, çka e bënte edhe me të vështire këtë studim ishte fakti që, në Shqipëri nuk ka asnjë arkave mjedisore, evidencë të aksesueshme apo raporte tematike kërkimore e studimore, vlerësime mjedisore të bëra, me të cilat të mund të konsultoheshe, mbi të cilat të informoheshe dhe krijoje një bazë njohurish paraprake të nevojshme për të pasur një gjykim të drejtë dhe të mirëbazuar mbi analizën dhe vlerësimet që do të ndërmerreshin në kuadër të studimit. Problemi tjetër është që, edhe ato pak materiale që analizojnë çështjet mjedisore në Shqipëri ose janë të fragmentarizuara dhe monotematike, ose janë të bëra nga ekspertë të huaj, të cilët nuk njohin fort mirë sistemin dhe problematikat e veta ne kompleksitetin e tyre dhe kontekstin e përgjithshëm kombëtar e të zhvillimeve edhe të fushave të tjera social-ekonomike në vend. Materialet më cilësore, por gjithmonë jo direkt të lidhura me temën e studimit, madje shumë të avancuara në nivel teknik për tema të caktuara mjedisore të trajtuara në nivel europian, ku përfshihej edhe Shqipëria, kanë qenë botime apo raporte të përgatitura nga agjenci dhe eksperte të huaj, pasi në Shqipëri thuajse nuk ekzistonin analiza të tilla. Ishin të gjitha këto që e bënë këtë punë mjaft të vështirë por edhe sfiduese njëkohësisht. Ishte edhe kjo një arsye më shumë që më shtyu, për ta finalizuar ketë punë dhe për t’ua ofruar atyre që do të kenë interes për të.

Cilat janë mesazhet që vijnë përmes këtij libri dhe kontributi që ai pritet të sjellë?

Duke u nisur nga mënyra sesi është trajtuar ky studim, qëllimi i të cilit ishte që nëpërmjet analizës krahasimore të proceseve mjedisore në Shqipëri të evidentoje pikërisht mangësitë e problematikat aktuale, që karakterizojnë këto procese, me qëllim që aty të fokusohet edhe puna e institucioneve tona në përgatitjen e terrenit të duhur për korrigjimin e tyre në të ardhmen.

Një nga gjetjet kryesore të këtij studimi, është fakti se në çdo proces që lidhet me vlerësimin mjedisor në Shqipëri, ka mospërputhje sa u takon standardeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të tij. Këto pa përputhshmëri, vijnë për shkaqe të ndryshme, duke filluar që nga mangësitë ligjore dhe paqartësia në shpërndarjen e përgjegjësive dhe detyrimeve institucionale, ashtu edhe nga mungesat që lidhen me infrastrukturën mjedisore në Shqipëri, e cila është ende e paplotësuar dhe e pakonsoliduar, sa u takon gjithë komponentëve mjedisore të nevojshëm për t’u trajtuar dhe në përputhje me metodologjitë e përcaktuara nga legjislacioni europian, por tanimë edhe ai shqiptar i përafruar në një masë të konsiderueshme me legjislacionin e BE-së, pamjaftueshmëria e kapaciteteve njerëzore dhe burime financiare në dispozicion të zhvillimit normal të këtyre proceseve, mangësive në informacionin mjedisor që i ofrohet publikut dhe vendimmarrësve dhe në fund, por jo më pak e rëndësishmja, kjo e reflektuar për vite me radhë, mungesa e vëmendjes së vendimmarrësve dhe politikëbërësve ndaj çështjeve mjedisore në përgjithësi dhe atyre që kanë të bëjnë me mekanizmat dhe instrumentet e nevojshëm që çojnë në standardizimin e tyre, në veçanti.

Të gjitha këto, duhet të na bëjnë të gjithëve të reflektojmë dhe reagojmë pasi dëmet në mjedis janë ose të pakthyeshme ose vështirësisht të rikuperueshme, veçanërisht në kohët që jetojmë e me sfidat mbarë botërore me të cilat mjedisi po përballet. Për ketë qëllim, është koha që të kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtyre problemeve dhe një shkallë reagimi më të lartë e përfshirje më serioze e të gjithë aktorëve që kanë një rol dhe mund të bëjnë diçka më shumë, për të qenë më afër Europës nesër por mbi të gjitha për të dhënë një kontribut, qoftë edhe modest sot, për një mjedis më të mirë. Në fund doja të falënderoja shumë UET Press që u tregua i gatshëm dhe shprehu interesin për ta botuar këtë libër, si gjithmonë në kërkim dhe i vëmendshëm ndaj prurjeve të reja dhe studimeve me interes për publikun.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤