Ori Kuçi, një “madame” nga Kopshti i Parisit

IMG_9929

Oriola Kuçi, në një rrëfim për stilin, aromat e “Jardin de Paris”, jetën personale si grua e angazhuar e shoqërisë civile dhe forcën e të qenit mama “single”. “Çmenduritë” e vogla, që çojnë te dashuria…

Ajo njihet si vajza e parfumeve. Por Oriola Kuçi ka dashuri për gjithçka që është e bukur dhe nuk i mungon as forca, që të bukurën ta gjejë dhe ta bëjë të prekshme edhe për të tjerët. Një grua biznesi dhe njëkohësisht një nënë e përkushtuar, Ori Kuçi ia del të përkujdeset për të gjitha, edhe pse një mama beqare. Vajza durrsake, e cila ka studiuar dikur për kanto e ka lidhur prej kohësh jetën me “artin”, por ndërkohë në Itali, ku studio për Shkenca Politike dhe Media, ajo “zgjoi” edhe një anë tjetër të sajën, që do ta ndihmonte edhe në sipërmarrje… E angazhuar në mbrojtje të fëmijëve, ajo është edhe një grua aktive e shoqërisë civile, por gjithmonë, pa humbur dëshirën dhe kënaqësinë e gjërave të vogla… E, në fund të fundit, janë ato që i japin aromë jetës…

Biznesi, dyqani reflekton stilin e jetesës tënde, sa janë shqiptarët të prirur për të zgjedhur objekte “luxury”, veçanërisht aromat, ato franceze?
Patjetër reflekton. Është prodhim i imi, ashtu sikurse në çdo roman ka një pjesë të madhe të shpirtit të shkrimtarit. Shqiptarët, si çdo komb tjetër e duan të bukurën, të veçantën dhe shijen e mirë. “Jardin…” ka një klientelë të mrekullueshme në përqasjen e çdo të reje. Aromat janë një urë për të shkuar tek vetja, për ta njohur atë dhe për ta pranuar në të vërtetën e saj. Populli ynë, më shumë se çdo popull tjetër, është ende në zbulimin e vetes, e kur e gjejnë atë, besomë që nuk e lenë më.

Sa vjet ke që e ke hapur dhe a je e kënaqur si “biznes ëoman”? Apo vazhdon ta mbash për pasionin tënd?
“Jardin” është hapur në Dhjetor 2010. Gjatë viteve, me të jam rritur edhe unë. Në ecjen tonë, kemi hasur shumë vështirësi, suksese, momente vetmie, keqkuptime, por besoj se ajo që na karakterizon është vërtetësia, sinqeriteti, mirënjohja, korrektësia dhe mbi të gjitha, dashuria. Në “Jardin” ka shumë dashuri dhe kur gjërat bëhen me dashuri, arrijnë buzëqeshjen, duke kaluar çdo peripeci. Jam e kënaqur nga ecja jonë gati 5 vjeçare. Kemi rrugë të gjatë bashkë, ndaj më shumë e quaj si pjesë timen sesa si biznes në kuptimin e parë të tij. Në botë, asgjë e madhe nuk është bërë pa pasion. Pasioni nuk është i verbër, është vizionar…

IMG_9956

A është bërë dyqani një stacion apo një oaz për ty dhe miqtë e tu?
E di çfarë do të të tregoj? Do të të tregoj që miqtë e mi, çdo herë që hyjnë në “Jardin” thonë tek dera: Or, vetëm pesë minuta do të rri dhe do të iki! Ikin pas dy orësh.

Ti je dhe nënë e dy fëmijëve, që po i rrit vetëm. A është e vështirë të jetosh si mama “single”?
Davidi dhe Gabryel janë burimi i pasionit tim për jetën! Vështirësitë, sado të mëdha qofshin, janë absolutisht të kapërcyeshme para shëndetit, buzëqeshjes apo “hej mam, unë të dua më shumë”. Mund të të duket e çuditshme, por pasi unë besoj shumë tek energjitë, ato më kthehen gjithmonë ashtu si i lëshoj…Pozitiviteti, kjo pasuri kaq e çmuar!

Sa kohë të mbetet për vete kur je mama?
E kam harruar pak konceptin e “kohë për vete”. Kur je nënë dhe drejton një biznes, edhe kur e ke kohën për vete, mendja rri tek fëmijët, apo si po shkojnë gjërat në punë…Ndaj nuk di t’i jap një përgjigje kësaj pyetje..(Qesh).

Nga biznesi në Marrëdhëniet Publike. Një tjetër pasion apo vokacion i yti ?
E kam dashur përherë Shqipërinë. Që kur ika 18 vjeç, ika me kokën për tu kthyer. Në jetesën jashtë, e njoha më mirë vendin tim, e desha akoma më shumë dhe i dallova më qartë të mirat dhe defektet. Jam me bindjen që kur i duam vërtetë gjërat, e aq më tepër vendin, gabimet duhen identifikuar dhe munduar për t’i ndrequr. Unë kam një dashuri të pamasë për vendin tim. E dua më shumë se çdo gjë. Po, jam patriote. Si e tillë, nuk mund të hesht apo të bëj sikur nuk i shoh sjelljet që ia shtojnë më shumë rrudhat kësaj Shqipeje. Më bezdis shumë që bashkëkombësit e mi nuk reagojnë ndaj gjërave që i bezdisin, madje ata jetojnë mrekullisht me to! Nuk mundem. Më dhemb. Ky është vendi im dhe ashtu si kujdesem për fëmijët, biznesin, familjen dhe miqtë e mi, me aq shumë pasion dhe fanatizëm, rebelohem ndaj hipokrizisë dhe jetesës me “gjoja”, që bën populli im. Më dhemb që shqiptarët nuk e kanë dashur kurrë këtë vend. Ndoshta, sepse ata ende nuk duan dhe nuk kanë një jetë të tyren. Siç thotë Anna Gould: Ji i bukur nëse mundesh, i ditur nëse do, por mbi të gjitha respekto veten, sepse kjo është thelbësorja! Komunikimet e mia në publik, kanë ardhur gjerësisht për këtë arsye.
Pas biznesit, ndoshta një pjesë shumë të rëndësishme e zë angazhimi në shoqatën “Ora”.

Para pak muajsh organizove një koncert bamirësie në TKOB dhe tani iu bashkëngjite thirrjes për fëmijët e dhunuar në jetimoren e Shkodrës. Çfarë përmbush në jetën tënde ky lloj angazhimi? A është kjo fusha, ku ti shprehesh njëqind për qind vetja?
Të gjitha aktivitetet që kam bërë nëpërmjet shoqatës “Ora”, i kam bërë nga indinjata që kam për kujdesin ndaj fëmijës, shëndetit mbi ta, sjelljen, rritjen…Është e patolerueshme të lemë të na iki e ardhmja e këtij vendi nga padija apo dhuna, që karakterizon shoqërinë tonë. Janë nisma vetjake, por për të qenë korrekt me ligjin, u krijua shoqata. Jam një nënë, që kam kaluar një kohë shumë të vështirë me shëndetin e një prej fëmijëve të mi, ndaj tolerancën ndaj humbjes së një jete për pakujdesi, e kam zero. Gjithashtu, për aq kohë sa besoj se njerëzimi ka humbur vlerat parësore, që është dashuria, vëmendja, kënaqësia e gjërave të vogla. Për fat, kam ende frymë dhe fuqi të luftoj (aq sa mundem), që këto antivlera të mos i edukohen me dhunë ardhmërisë së vendit tim. E di, jam idealiste. E di, shumëkush mund ta përkthejë si çudi apo performancë reviste këtë ide, por ajo që ka rëndësi, është që, për fat jam e lumtur dhe e dashuroj çmendurinë time, për të vënë qoftë një tullë në këtë vend. Të paktën, fëmijët e mi do të kenë ku të kapen diku.

IMG_9981

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤