Kultura

Opa Opa: Kur bëhen bashkë një shqiptare dhe një serbe…






               Publikuar në : 09:56 - 26/01/17 |
mapo.al

Ballkani pushton Romën, me muzikë turbofolk, raki e kallashnikovë…Është ky provokimi i Jonidës dhe Ivës apo ashtu siç e quajnë veten; luftëtaret ballkanase. Dy muzikante të rrymës elektronike që janë bërë sensacion i italianëve këto kohë. Mes autoironisë, përplasjeve kulturore, kriticizmit të nacionalizmave që të dyja i cilësojnë vulgarë, dy vajzat kanë gjetur një mënyrë origjinale për të rënë në sy dhe për të debutuar në tregun muzikor europian…


Intervistoi: Suadela Balliu

Marrë nga revista ‘Madame Mapo’

Veç Ballkanit, ajo që i bashkon shqiptaren dhe serben është emigracioni. Të dyja kanë zgjedhur Italinë si vendin që do të përmbushte aspiratat e tyre për të ardhmen. Jonida Prifti, vajza nga Berati e la Shqipërinë më 2001 –shin, kur ishte vetëm 19 vjeç për të studiuar Letërsi Moderne Italiane, ndërsa Iva Stanisic, e la Beogradin për Romën në vitin 1993, fill pas shpalljes së luftës në vendin e saj.

Të dyja i mbajnë mend mirë vështirësitë e para, por pas kaq vitesh tashmë kanë fituar natyrshmërinë e vendasve…

Ndërsa Jonida përgatiste terrenin letrar për të bërë debutimin si poete gjithashtu ishte e përfshirë për disa vite me një grup muzikor, pagëzuar “Shesh” ku edhe pse Jonida ishte e vetmja shqiptare, grupi emërtohej në shqip.

Kolegia e saj serbe, e ka nisur rrugëtimin me muzikën qysh herët. Para emigrimit, në Beograd ishte aktive në një grup muzikor vajzash, megjithatë Akademinë e Arteve e kreu për Vizatim e Ilustrim. Por pasioni për muzikën e shndërroi në audidakte dhe kështu studioi tastierën dhe pati një përvojë me disa grupe të ndryshme muzikore, deri në momentin kur doli si soliste me projektin “Yva & The Toy George” që e prezantoi me muzikën elektronike.

Pikërisht në këtë rrymë krijon këngët për duon “Opa Opa”. Turbofolku serb dhe tingëllimet shqiptare shkrihen në tekstet ironike që flasin për kallashnikovë, raki dhe llumra kafeje ku gratë e Ballkanit parashohin të ardhmen. Fillimisht bashkëpunimin e tyre e quajtën “Pushtime Ballkanike” dhe ishin të vetëdijshme për reagimet që do të nxiste bashkëpunimi i dy vajzave me prejardhje nga kombe të para historikisht armike mes njëri-tjetrit.

“Që në fillim menduam për efektin që mund të nxiste tek nacionalistët shqiptarë apo serbë, dhe pikërisht për këtë arsye menduam të tejkalonim paragjykimet për të nuhatur terrenin shpirtëror, kulturor, artistik të dy vendeve. Nëpërmjet muzikës vumë re që të dyja vendet kanë shumë gjëra të përbashkëta, si tingujt muzikor ashtu edhe aspekte të tjera, p.sh ushqimi, fjalët e përbashkëta etj.

Ne mundohemi të jetojmë të tashmen, sepse historikisht midis dy vendeve e kaluara është e turbullt dhe shumë e ndërlikuar. Ne na intereson që nëpërmjet artit të lidhim botët e ndryshme të dy vajzave që dëshirojnë të shprehen lirshëm pavarësisht nga origjina e tyre”- rrëfen Jonida.

Përgjigja për nacionalistët që mund ta shohin vëngër këtë bashkëpunim, është … “po, është e mundur një miqësi midis një shqiptareje dhe një serbeje dhe se nuk ka nevojë të emigrojmë në një vend të huaj në mënyrë që të bëhet e mundur. Pra motoja jonë është: Dashuria, Dashuria, dhe akoma më shumë Dashuria”.

Por më shumë sesa ideja për të provokuar në dy vendet e origjinës, projekti i tyre muzikor ishte edhe një lloj revolte apo talljeje që i bëjnë paragjykimeve që perëndimorët kanë ndaj qytetarëve që vijnë prej Europës Lindore. Rezultati? Një përplasje kulturore me tinguj ballkanikë e tekst në gjuhën angleze që nuk kalon pa tërhequr vëmendjen…një gjetje inteligjente për dy të reja që duan të gjejnë një vend në tregun muzikor europian. Jonida Prifti zbulon të gjithë rrugëtimin e projektit muzikor, por edhe të sajin muzikor… me ambicien për të pushtuar Romën.

“Opa Opa” , Pushtimi Ballkanik… A ia keni dalë ta pushtoni terrenin perëndimor, duke nisur nga Italia?

Po mundohemi me të gjitha forcat tona. Pak nga pak, duke filluar nga Roma, me anë të muzikës, mundohemi të shtrojmë një terren ku njerëzit mund të hyjnë dhe të argëtohen me tingujt tanë ballkanikë.

Mbase në Itali nuk bën aq përshtypje sa do të bënte në Shqipëri, një shqiptare dhe një serbe të bashkuar në një duo muzikore. Si u bëtë bashkë me Ivën?… E keni menduar se ky bashkëpunim juaji do të nxiste gjakun e ndonjë nacionalisti nga të dy vendet? Për ju të dyja si kanë qenë ndjenjat, ato të lidhura me nacionalizmat, historinë dhe urrejtjen mes dy kombeve? 

Faktikisht, është e vërtetë që italianëve nuk u bën përshtypje origjina jonë, sepse nuk janë të informuar për ngjarjet historike, por në të njëjtën kohë origjina jonë u krijon bezdi një sasie të madhe të tyre. Kjo ndjenjë besoj se është lidhur historikisht nga flukset e emigrantëve shqiptarë dhe serbe që në Itali gjetën folenë e tyre jetësore. Unë dhe Iva u hasëm rastësisht në “Fanfulla”, një nga lokalet underground në Romë, e që në fillim kishim respekt për njëra-tjetrën. Më pas, muaj më vonë, i propozuam administratorit të “Fanfullës”, francezit Manù, të organizonim një festë ku unë dhe Iva mund të miksonim këngët e vendeve tona përkatëse. Festën e parë e bëmë në 2010, me emrin “Invasioni Balcaniche” në shqip “Pushtime Ballkanike”. Që në fillim menduam për efektin që mund të nxiste tek nacionalistët shqiptarë apo serbë, dhe pikërisht për këtë arsye menduam të tejkalonim paragjykimet për të nuhatur terrenin shpirtëror, kulturor, artistik të dy vendeve. Nëpërmjet muzikës vumë re që të dyja vendet kanë shumë gjëra të përbashkëta, si tingujt muzikor ashtu edhe aspekte të tjera, p.sh ushqimi, fjalët e përbashkëta etj.

Ne mundohemi të jetojmë të tashmen, sepse historikisht midis dy vendeve e kaluara është e turbullt dhe shumë e ndërlikuar. Ne na intereson që nëpërmjet artit të lidhim botët e ndryshme të dy vajzave që dëshirojnë të shprehen lirshëm pavarësisht nga origjina e tyre.

Keni emigruar herët në Itali? 

Në vitin 2001, në moshën 19-vjeçare, u nisa drejt Romës si shumë studentë të tjerë moshatarët e mi për të kryer universitetin. Kanë kaluar pothuajse 15 vjet nga ajo ditë dhe më duket një shekull. Shumë nga ata studentë bashkatdhetarë i humba nëpër rrugët e Romës për arsye të ndryshme. Prej disa vitesh tashmë që studimet për Letërsi Moderne Italiane i mbarova, por me të thënë të drejtën nuk më ndihmuan shumë sa i përket anës ekonomike. Ndaj edhe kam bërë punë nga më të ndryshmet për të jetuar e pavarur. Përkrah studimeve dhe punës së radhës ushqeja pasionin e të shkruarit, muzikës dhe aparatit fotografik, edhe pse pasioni i të shkruarit më lindi kur isha në Shqipëri, në moshën 14-vjeçare. Mbaj mend që kur isha 16 ose 17 vjeçe kam fituar çmimin e tretë në një emision radiofonik të radios sime të preferuar “Top Albania Radio”, me një poezi që fliste për luftën civile në Shqipëri. Fitova dy pako “Lori Cafe” që nuk munda t’i merrja sepse ishte e pamundur të shkoje në Tiranë në atë periudhë. Më kanë ngelur në fyt ato pakot. Kurse Iva ka emigruar në Romë në vitin 1993, pas shpalljes së luftës në Beograd. Si unë, edhe ajo ka pasur shumë vështirësi në fillim, por pak nga pak u ambientua. Nostalgjia për vendet tona është një ndjenjë që na shoqëron si sot e kësaj dite, dhe fakti që nuk i përkasim një kulture në veçanti mund të ofrojë shumë avantazhe, si për shembull pikëpamje më të gjëra.

Kallashi, rakia, kafeja turke, tallavaja, turbofolku… bëni një lloj autoironie me këngët tuaja dhe kulturën e të dy vendeve. Pse keni zgjedhur të çoni këtë fytyrë të Ballkanit – si përfaqësuese të tij? Përtej satirës , mos vallë impakti është më i shpejtë?

Po e vërtetë, impakti në këtë mënyrë është më i shpejtë. Përveç kësaj, zgjodhëm të personalizonim këtë imazh për të bërë më shumë efekt në “fytyrën” e italianëve. Në Itali, besojmë se pak a shumë në të gjitha vendet perëndimore, ekziston një lloj paragjykimi ndaj njerëzve që vijnë nga Europa Lindore. Për shumë vjet serbët shiheshin si luftënxitës dhe shqiptarët si kriminelë. Tani e kanë me rumunët dhe romët. Këto paragjykime përhapen sidomos nga kronikat e lajmeve italiane. Më shumë na bën përshtypje është fakti se ngatërrojnë prejardhjen. Të gjithë ata që vijnë nga Europa Lindore i fusin në të njëjtin kazan. Për shembull, kur tregojnë ngjarjet aktuale në televizion, në lidhje me vepra penale shpesh dëgjojmë fjali si : “krimineli kishte një theks të qartë të Europës Lindore” ose “banda sllave…” për të theksuar vetëm faktin që armiku vjen nga Europa Lindore. Shumë italianë nuk dinë se ku ndodhemi gjeografikisht, kur në të vërtetë na ndan veç një det. Kështu që menduam të fiksonim imazhin e “barbarit të egër lindor”, luajtëm me këtë imazh dhe bëmë shaka me këto etiketa absurde. Nga ana tjetër, kafeja turke, muzika, rakia janë gjëra që bëjnë pjesë në kulturat tona. E gjithë bota thotë që kuzhina italiane është më e mira, por rakia ama është më e mirë se ajo italiania.

A është disi edhe politik ky projekt? Domethënë muzika juaj përfshin edhe zërin politik, nëse do ta quanim çdo qytetar të botës një qenie politike… Cili është mesazhi i madh që doni të përçoni? 

Nuk është kryesisht politik, por përcjell një mesazh politik. Duam që popujt tanë të shohin vetëm të ardhmen as të kaluarën, as të tashmen. Ne flasim për jetët tona, ngjarjet që na prekin dhe që na zemërojnë, por na pëlqen të trajtojmë këto ngjarje duke lozur me to, duke u përpjekur të shmangim mendjemadhësinë. Një nga mesazhet kryesorë që duam të shpërndajmë është dashuria për origjinën, krenaria për kulturën pa rënë në nacionalizmat vulgarë. Gjithashtu duam t’u themi (veçanërisht nacionalistëve) se po, është e mundur një miqësi midis një shqiptareje dhe një serbeje dhe se nuk ka nevojë të emigrojmë në një vend të huaj në mënyrë që të bëhet e mundur. Pra motoja jonë është: Dashuria, Dashuria, dhe akoma më shumë Dashuria.

Megjithëse bazoheni tek tingujt e Ballkanit, muzika juaj është e zhanrit elektronik, apo jo? 

Jonida, ju shkruani edhe tekstet, jeni poete. Për çfarë flasin kryesisht tekstet tuaja? 

Po, elektronik. Përdorim Groovebox dhe sintisajzerë për të krijuar bazat tona dhe na pëlqen të flirtojmë me zhanre të ndryshme. Ne i japim shumë rëndësi teksteve dhe përdorimin e fjalëve duke përfshirë elementet tradicionale të vendeve tona si meloditë dhe lirikat apo instrumentet, për të krijuar një sound më “organik”. Jam poete por në këtë rast tekstet i shkruajmë bashkë, si dhe muzikën. Tekstet në përgjithësi flasin për gjendjen shpirtërore të një emigranti. Konfuzioni i gjuhëve, impakti kulturor, diskriminimi e të tjera. Në veçanti përshkruajnë ato ndjenja të veçanta që zemra të këshillon t’i nxjerrësh jashtë pa asnjë STOP. Kur këndojmë në gjuhët tona, luajmë me tingujt e fjalëve duke gjetur ngjashmëritë e tingujve, por dhe të kuptimit.

Krahas muzikës a keni edhe aktivitete ku përfshiheni si poete në Itali?

Po, kam aktivitete të tjera. Njëri nga këta është duoja që kam me muzikantin dhe bashkëshortin tim Stefano Di Trapani “Açhiappashpirt”. Jemi duet dhe interpretojmë poezitë që shkruajmë vetë, në italisht quhet “poesia sonora”, në anglisht “sound poetry” në shqip do të thosha “poezi zanore”. Pastaj kam projektin me muzikanten Andrea Noce, edhe ky “sound poetry” me emrin J A. Si poete-performer, përveç publikimeve të ndryshme, kam marrë pjesë në shumë festivale si në Itali, po ashtu edhe në Europë.

Sa këngë keni realizuar si “Opa Opa” deri më tani? 

Projekti Opa Opa është i ri edhe pse si “Pushtime Ballkanike” jemi aktive prej gjashtë vitesh. Tani për tani kemi gjashtë këngë, dhe shumë gjëra në fermentim. Së shpejti do të publikojmë një EP me dy këngë me shtëpinë diskografike “Filbusta Records”, dhe shpresojmë të publikojmë një album në vitin 2017. Që të dyja kemi projekte të tjera personale prandaj dhe nuk i kushtojmë 100% të kohës sonë, por procesi krijues zhvillohet shpejt sepse jemi intuitive.

Përpara se të bëheshit bashkë secila ka pasur karrierën e vet në muzikë. Kur keni nisur të merreni me muzikë? Ka qenë një pasion apo të dyja keni formim me background muzikor?

Secila nga ne ka pasur aktivitetet e veta muzikore. Përveç poezisë dhe “sound poetry” kam kënduar pothuajse për katër vjet në grupin SHESH duke publikuar edhe një album me të njëjtin emër. Emri, si e shihni është në shqip, por unë isha e vetmja shqiptare. Tani grupi fatkeqësisht nuk ekziston më. Përveç grupit “Shesh” kam një duo me muzikanten dhe shoqen time të ngushtë Andrea Noce me emrin “J A” . Kam nisur të merrem me muzikë në vitin 2008, këtu në Itali. Në Shqipëri nuk kam pasur asnjëherë mundësi për arsye të ndryshme, kështu që fantazoja dhe ushqeja brenda vetes pasionin derisa të kisha mundësi dhe fatmirësisht mundësia m’u dha. Iva që kur ishte e vogël e ka dashur shumë muzikën, nëna e saj është pianiste. Në Beograd ka qenë aktive në një grup muzikor i formuar me vetëm vajza, por dashuria e saj e parë ka qenë vizatimi/ilustrimi. Faktikisht ajo ka kryer akademinë e arteve. Obsesioni për muzikën e ndoqi dhe kështu ka studiuar vetë tastierën dhe më pas me grupe të ndryshme me zhanër kryesisht punk, new wave, synthpop etj. Në një moment, e lodhur nga shpërbërjet dhe konfliktet e ndryshme të grupeve filloi projektin e saj solist “Yva & The Toy George” dhe në këtë mënyrë pati mundësi të studionte më në detaj muzikën elektronike duke prodhuar këngët e saj. Tani është e ngazëlluar për krijimin e duos tonë “Opa Opa”.

Përtej përzierjes kulturore apo impaktit, diferencave dhe ngjashmërive mes dy kombeve në duon tuaj por edhe vendit pritës siç është Italia, muzika dhe tekstet tuaja a kanë edhe mesazh feminist? Duke qenë se jeni një duo vajzash… 

Po, përmban sidomos mesazh feminist. Është mënyra sesi përballojmë vështirësitë ne si femra në radhë të parë, duke u bashkuar shpirtërisht për të bërë të mundur edhe ironizimin e tyre, e duke u munduar t’i shikojmë nga një këndvështrim tjetër sepse jeta nuk do të ngurrojë asnjëherë të na ngrejë pengesa. Përveç kësaj, mendojmë se imazhet tona flasin mjaft, jemi dy luftëtare Ballkanike.

Jeni të fokusuara vetëm në Itali apo do të donit ta shtrinit influencën edhe në vendet e origjinës suaj?

Duam që projekti ynë të tejkalojë kufijtë italianë, dhe do të kishim shumë dëshirë që të mbërrinte më lehtësisht në vendet tona. Kemi disa oferta për të ardhmen e afërt që përfshijnë vendet tona përkatëse. Një nga arsyet pse vargjet tona janë kryesisht në anglisht është se duam që të kuptohen nga sa më shumë njerëz të jetë e mundur dhe gjithashtu sepse çështjet që trajtojmë janë universale dhe kanë të bëjnë me të gjithë emigrantët në botë. Nga ana tjetër përdorim fjalë në gjuhën shqipe dhe serbe duke luajtur me ngjashmëritë fonetike, për t’iu afruar skenave muzikore të vendeve tona.

A shihni diskriminim në tregun muzikor italian, duke qenë se nuk jeni vendase? Apo muzika është pak më tolerante më të emigruarit?

Në ambientin që frekuentojmë zakonisht, pra në ambientin undergorund nuk ka diskriminim; këtë të fundit e jetojmë në jetën e përditshme ngaqë vijmë nga Europa Lindore dhe flasim gjuhë me shumë bashkëtingëllore, dhe çuditërisht nuk mirëpritet nga shtresa e mesme italiane. Jemi pak të lodhura nga ky fakt. Si e themi edhe në “Buongiorno Italia”: “I’m your black beast cause i come from the East”. Kjo këngë lindi edhe nga mllefi që kemi kundrejt kësaj sjelljeje. U bashkuam, unë dhe Iva, për t’i thënë italianit: “We are not sweet like the beagles we fight like two head eagles”.

A keni pasur reagime nga audienca shqiptare dhe ajo serbe? Si e kanë pritur muzikën tuaj? Po shqiptarët që jetojnë në Itali si reagojnë kur shohin videon ku ju shfaqeni me kallashë në duar. Duhet të themi që ka shpesh një tendencë nga emigrantët të shohin vetëm gjërat e bukura të vendit të tyre dhe të flasin me krenari për to. Por ju dukeni sikur i zhvishni edhe nga këto mite të krenarisë…

Deri tani nuk kemi pasur reagime negative, përkundrazi. Por akoma duhet të vijmë në viset tona për të parë drejtpërdrejt efektin që mund të krijojmë. E njohim shumë mirë vendlindjen, bile mendoj se fakti që jetojmë jashtë kufijve thekson anët pozitive dhe negative të atdheut; më ka rastisur të vij në Shqipëri me mall të madh e kam ngelur e zhgënjyer, po ashtu edhe e kundërta vij me mëdyshje e gjej një copë timen që e kisha harruar! E di që është kontradiktore por ky është realiteti. Ne po i zhveshim këto mite për t’u shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa reklamime ose parulla të mirëqena, por në të vërtetë unë dhe Iva jemi shumë krenare për origjinën tonë. Në fund të fundit e krijuam këtë duo edhe për të mbajtur gjallë dhe për të pasur kontakt të vazhdueshëm me mozaikun e kujtimeve që kemi brenda.

Cilat janë projektet e ardhshme? Do të vini për koncerte në Shqipëri apo Serbi?

Në janar, na kanë ftuar në kryeqytetin e Serbisë, për vitin e ri ortodoks serb. Aty kemi një koncert dhe një intervistë ekskluzive dhe jemi shumë të emocionuara. Regjisorja Carlotta Cerquetti po kryen një dokumentar mbi realitetin muzikor femëror në Romë dhe na ka ftuar të marrim pjesë në të. Nga vera kemi disa koncerte në veri të Italisë. Po presim nga Shqipëria! Do të isha shumë e lumtur si unë dhe Iva të bënim një koncert në Shqipëri! Po përfitoj nga rasti të falënderojmë regjisorin e videoklipit “Buongiorno Italia” Pierluca Zanda për punën e mrekullueshme që kreu, gjithashtu edhe të gjithë aktorët vullnetarë dhe producentin muzikor Manuel Cascone.



CLOSE
CLOSE
Pas