Një superkoktejl për çmimet e letërsisë

Dy fituesit e Ministrisë së Kulturës për veprën letrare më të mirë, e të përkthyer në vitin 2016, janë: Idlir Azizaj me veprën origjinale “Shekspiriotët” dhe Diana Kastrati, për përkthimin nga gjuha italiane të Antionio Pennacchit, “Kanali i Musolinit”

U duk sikur njerëzit e ardhur në Teatrin e Kukullave ishin thirrur me zor, të shtyrë. Pjesëmarrja në ceremoninë e çmimit vjetor për letërsinë që ndan Ministria ishin nga kontingjenti i botuesve, shkrimtarëve dhe përkthyesve të nominuar, si dhe punonjës të Ministrisë së Kulturës më së shumti, një grusht njerëzish që mezi mbushën sallën e vogël të teatrit të fëmijëve.

Në sallën e ftohtë, si gjithmonë në këto evente, nën drita të errëta juria ul/e ngrihu në podium ka shtyrë për rreth dy orë dhënien e vetëm, dy çmimeve. Një vanitet i gjatë në një zymtësi totale të organizimit, edhe pse entuziazmi fals i ministres nuk ia fshinte dot, me gjithë përpjekjen, pritshmërinë për një event të tillë: Ngjarje për librin!

As mbrëmje, as lexime, as njohje nuk mund t’i bashkëngjiten epikrizës së djeshme si prezantim zyrtar të zhvillimit në letërsi për një hark njëvjeçar.

Ndërsa, pothuaj me “urdhër”, administrata e Teatrit të Kukullave të shtynte për nga superkoktejli i përgatitur në nderim të Librit.

Për dy muaj kemi lexuar rreth 50 libra, ka thënë kryetari i jurisë, Primo Shllaku.

“Kemi kryer detyrën me përgjegjësi. Ka qenë e vështirë puna, nuk lamë të na iknin autorë të njohur, të rinj, dhe të fondit në zgjedhjen e listës së ngushtë me 10 emra”.

Juria me në krye Shllakun, me anëtarë Flutura Açka, Elsa Demo, Bajram Karabolli dhe Lisandri Kola kanë paraqitur një listë përzgjedhëse për pesë autorë pretendentë, që i kanë vlerësuar si konfigurim i letrave të sotme shqipe!!!

Çmimi për veprën origjinale më të mirë iu dha Idlir Azizajt, për veprën “Shekspirotët” me motivacionin: “Vepra më e mirë e Letërsisë Shqipe” për vitin 2016, i jepet shkrimtarit Idlir Azizaj për veprën “Shekspirotët”, të shkruar në një zhanër që ndërthur imagjinatën groteske me peizazhin dramaturgjik.
Rezultati është një tekst ku thuren me nerv dhe humor të zi në unitet mjedisi i trazuar shqiptar i shekullit XXI me një stil moderniteti”.

Fituese e çmimit përkthimi më i mirë, për vitin 2016, u shpall përkthyesja Diana Kastrati me “Kanali Musolini” i autorit Antonio Pennacchi, për sjelljen në një shqipe sa të bukur e të pastër aq shprehëse dhe të begatë të romanit.

Kandidatët për çmimin “Vepra më e mirë e vitit” ishin: Ardian Kyçyku – Incognito (roman), Shtëpia Botuese Naimi; Erion Papagjoni – Një burrë mes dy grave (dramë), Shtëpia Botuese Ada; Idlir Azizaj – Shekspirotët (novela dramaturgjike),

Shtëpia Botuese Toena; Meritan Spahija – Vegimet e fundit (tregime), Shtëpia Botuese Fiorentia; Romeo Çollaku – Mjaltë në teh (roman), Shtëpia Botuese Zenit. Ndërsa kandidatët për çmimin “Vepra më e mirë e vitit e përkthyer”: Agron Tufa – Tristia (poezi), Osip Mandelstam – Shtëpia Botuese Pika Pa Sipërfaqe;

Diana Kastrati – Kanali Musolini (roman), Antonio Pennacchi – Shtëpia Botuese Dituria; Ermira Danaj- Një frymëmarrje jete, pasioni sipas G. H. (roman), Clarice Lispector, Shtëpia Botuese Ombra GVG; Luljeta Lleshanaku – Bija e varrmihësit (roman), Joyce Carol Oates, Shtëpia Botuese Albas; Romeo Çollaku – Poezi të zgjedhura, Konstandinos Kavafis, Shtëpia Botuese Zenit.

Jeta e këtyre teksteve tani mbetet në strategjitë e Ministrisë, edhe pse takohen për lexime librash, e që e perceptojnë leximin si fushatë, për ndërtimin e sistemit librar ende vazhdon të mbahet heshtje!

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤