Një Odë për muzikën elektronike

View Gallery
6 Photos
Një Odë për muzikën elektronike
15045448_10154049376863302_1231608605_o

Një Odë për muzikën elektronike
15045822_10154049377893302_1977922434_n

Një Odë për muzikën elektronike
15128573_10154049383678302_606992727_n

Një Odë për muzikën elektronike
15086782_10154049375973302_1528532058_n

Një Odë për muzikën elektronike
15057824_10154049381403302_1693085018_n

Një Odë për muzikën elektronike
15050458_10154049377463302_1980372118_n

Në Kosovë e quajnë artiviste, një bashkim harmonik mes artistes dhe aktivistes. Kauza e fundit që përqafoi ishte koncerti-protestë në Valbonë kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Por DJ nga Prishtina është plot të papritura. Si mund të rrinë mjekësia, sociologjia, shpirti sipërmarrës dhe pasioni për të miksuar muzikën brenda një njeriu? Oda e zbulon në këtë intervistë të gjatë për Madame…

 

Quhet Oda. Një vajzë e pagëzuar si dhoma e famshme ku kuvendonin burrat. Si sociologe e shpjegon kështu “ Oda, dhoma më e madhe dhe më e mirë e shtëpisë, institucion edukativo-shoqëror për atë kohë e përdorur vetëm nga burrat, gratë e kishin të ndaluar të ishin pjesë e saj, kur vendime të rëndësishme merreshin dikur n ‘Oda. Babi ka dashur ta dekonstruktojë këtë ide maskuline duke ia vënë një vajze emrin Oda”.

Edhe ajo vetë për t’i hedhur poshtë mitet e stereotipat ka treguar se një vajzë mund të bëjë edhe aktivitete djemsh si të merret me sporte luftarake, të mësojë kitarën, të merret me biznes dhe të miksojë muzikë, ku DJ-të vajza ende numërohen fare pak . Por Oda Haliti është një kuti ku të papriturat nuk shteren kurrë…Mjaft të përmendim studimet për mjekësi dhe sociologji dhe aktivizmin e saj në kauza me ndjeshmëri qytetare…

 

Sociologe, e angazhuar në biznes, vajzë me stil të spikatur dhe gjithashtu DJ. Kush është me pak fjalë Oda Haliti dhe cili nga profilet të përfaqëson më së miri?

Unë jam një vajzë nga Prishtina, e cila nëse nuk jam aktive dhe e përfshirë në disa fusha të ndryshme paralelisht, nuk ndihem komplet. Bëhem shumë shpejt monoton nëse bëj vetëm një punë. Jam tip që eksperimentoj. Kam nevojë të jem busy, duke punuar atë që më pëlqen dhe të jap nga vetja maksimumin në vendin dhe shoqërinë ku rrethohem. Si rezultat besoj që të gjitha profilet me përfaqësojnë nga pak. Nuk e shoh veten vetëm në një profil.

Miksimi i muzikës, a ka qenë pasioni i hershëm? Kur je shfaqur për herë të parë si DJ?

Me muzikë jam e kam qenë e lidhur ngushtë gjithë jetën, gjë që është manifestuar në mënyra të ndryshme. Kurse më pas miksimi ka ndodh natyrshëm ku në një mënyrë ka filluar si hobi.  Për herë të parë si DJ kam luajtur në “Gegë”, dikur lokali dhe biznesi që po e udhëhiqja në Prishtinë. Ndër eventet e shumta që i organizoja në Gegë, ishte një ku  i jepja hapësirë të veçantë vajzave. Event i udhëhequr i tëri me “Çika”, i ftoja vajzat me lujt’ muzikë, me punu’ n’banak, me shërbye gjithashtu, event kryekëput nga çikat. Ku si përfundim luajta dhe unë muzikë dhe kështu ky aktivitet pastaj u shndërrua ngadalë në rutinë. Ishte një shoqe e imja shumë e mirë dhe e afërt nga Shqipëria Aida Stamo, DJ alien no.155, e cila më ka formuar shumë në aspektin e DJ-izmit, dhe më ka inspiruar me muzikë e teknikë përherë. Vazhdon të jetë  model dhe tutor për mua. E falënderoj pafund!

Cila është muzika që luan kryesisht? Cilat janë club-et apo skenat ku ti performon ?

Luaj muzikë të ndryshme gjithmonë.  Duke komunikuar me publikun, tentoj t’i  përshtatem ambientit, atmosferës, por gjithmonë duke qëndruar në linjën, e cila është pak a shumë Electronic Experimental. Deri tani kam pasur  nderin dhe kënaqësinë të luaj pothuajse në të gjithë skenat e club-eve ku aplikohet muzika elektronike si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri. Si e tillë nuk është skenë shumë e madhe, por jam e lumtur që ka filluar të rritet çdo ditë e më shumë.

Jam kureshtare të di origjinën e emrit. Kush të ka pagëzuar Oda?

Babi me shokun e vet, i cili është po ashtu mik i shtëpisë, piktori i njohur Regjep Ferri,  bashkë me të më kanë pagëzuar me emrin Oda. Babi ka qenë përherë fans i emrave të veçantë, të shkurtër shqiptar dhe gjithashtu i ka pëlqyer ideja që ta thyej konceptin e familjes patriarkale ku “Oda” është identifikuar gjithmonë me burrat. Gjithë e dimë historinë e dhomës “Oda”, dhomë speciale tradicionale në viset shqiptare nga mesjeta, por edhe më herët. Oda, dhoma më e madhe dhe më e mirë e shtëpisë, institucion edukativo-shoqëror për atë kohë e përdorur vetëm nga burrat, gratë e kishin të ndaluar të ishin pjesë e saj, kur vendime te rëndësishme merreshin dikur n ‘Oda. Babi ka dashur ta dekonstruktojë këtë ide maskuline duke ia vënë një vajze emrin Oda. Jam vërtet tejet e lumtur që e mbaj këtë emër dhe do të jem përjetë falënderuese babit dhe shokut tij për pagëzimin.

Marrja me shumë aktivitete në jetën tënde a ka qenë një lloj vetëzbulimi? Je marrë me sporte luftarake, me kitarë, etj.

Aktivitete fëminore që i kam pasur, kanë qenë shtytje të prindërve, kryesisht. Aktivitetet e rritjes sime, po mund të them deri diku që janë vetëzbulime. Me sportet luftarake jam marrë shumë e vogël, në atë kohë s’kemi pasur  shumë aktivitete në Kosovë. Karateja ishte ë sport i ri atë kohë në Prishtinë dhe shumica e fëmijëve të qytetit shkonim me shumë entuziazëm duke e përjetuar si diçka krejt  të re, në vendin tonë. Kitarën e kam ushtruar pastaj në kohën e pubertetit. Ishte një profesor austriak dhe shkonim bashkë me motrën time në kurs tek ai. E kam akoma kitarën, por fatkeqësisht nuk e praktikoj më. Besoj dikur do u kthehem.

Po shkolla e Mjekësisë si erdhi? Nga një vajzë që zgjedh të studiojë mjekësi qysh në shkollë të mesme në një DJ?… Si ka ardhur shndërrimi?

Shkolla e mjekësisë për gjithë është shokuese si lajm kur e ndaj. Isha në Tiranë atë kohë dhe kur u ktheva kishte kaluar afati i aplikimit ne gjitha shkollat përveç asaj të mjekësisë. Dhe kisha presion të regjistrohem patjetër me një shkollë që mos të më ik viti “kot” dhe pastaj të bëj transferim. Si përfundim nuk e bëra kurrë atë transferim dhe e kam përjetuar shumë rëndë shkollën, sepse nuk kishte të bënte fare me mua. Gjë që më vonë m’u bë shembull për jetë,  për me kërku’ me studiu’, e punu’ gjithmonë atë që vërtet kam pasion përndryshe gjithçka shndërrohet në ves .

Përse zgjodhe të studioje sociologji? Përtej punës si DJ e ushtron profesionin e sociologes?

Në moshën 18 -vjeçare është shumë problem ta dish në çfarë je i mirë, çfarë do vërtet të studiosh. Në shkollën e mesme të mjekësisë isha totalisht e pa interesuar në mjekësi, por isha shumë e interesuar në shkencat sociale. Sociologjia si fushë shumë e gjerë që është, e dija që patjetër do ta gjeja veten aty dhe ashtu ka ndodhur. Fakulteti ka shkuar shumë shpejt dhe suksesshëm. Gjithashtu më ka hapur shumë si person. Akoma mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.

Pothuajse në gjitha punët dhe aktivitetet që bëj, e ushtroj profesionin e sociologes meqenëse kryesisht punët e mia lidhen  direkt me shoqërinë, mentalitetin dhe me ndryshimin e saj.

Pastaj hape një kafene me një emër shumë interesant “Gegë”…

Isha shumë e re kur e hapa Gegën. Doja të bëja diçka vetë, ta provoja veten në një fushë që ishte e paprekur për mua dhe goxha sfiduese

Po përtej kafenesë ishte edhe qendër kulturore, apo jo?

E vërtetë që ishte më shumë se lokal, ishte koncept më vete. Kështu e kujtojnë të gjithë Gegën. Ishte një lokal relativisht i vogël, por me dashni të madhe. Ishte bebja ime e parë, dashnija ime ma e madhe deri tani Ishte lokali i parë në Kosovë që e kishte menynë të shkruar në gegnisht dhe kështu nisa të eksperimentoj me evente të ndryshme, që nuk kishin ndodhur me atë format më herët në Kosovë.

Cila ishte filozofia dhe ç ‘aktivitete ke zhvilluar me të?

Nisi si kafe-bar me ushqim të shëndetshëm, pastaj mori formë tjetër. U bë një qendër e vogël me aktivitete të ndryshme që ndodhnin, dhe me shumë muzikë  në të. Çdo jave servirte  diçka të re në program. Ishte lokali i parë ku shumë evente ishin ekskluzive. Kishte hapësirë  për eksperimentim  gjithë kohës, por e mira ishte që u mirëprit nga publiku. Atëherë e kuptova që njerëzit kanë nevoje për gjëra të reja, e sidomos në një vend të vogël si  Kosova. Si rrjedhojë në Gegë nisën ngjarjet me fokus si: “Jazz live”, “Neja e Cikave”, “Darka Gegnishte”, “Hip Hop Old School”, “Indie Rock live” muzikë klasike, bëheshin emisione radiofonike, me artistë të njohur dhe të rinj, , muzikë shqip e viteve ‘70,  shfaqja e koncerteve live në projektor, shfaqja e filmave e shumë e shumë evente të tjerë.

A vazhdon ta kesh ende apo e ka marrë dikush tjetër në menaxhim tani?

Gega si lokal nuk vazhdon më, është mbyllur. Është transformuar ne Gegë Promotion, agjencia e PR-it dhe marketingut që funksionon ende, e shtrirë në projekte të ndryshme.

Po Shallter ç’ishte për ty? Përse e le një lokal për të hapur një tjetër?

Gegën e lashë sepse  kisha nevojë për një pushim dhe për një udhëtim të gjatë, gjë që e kisha të pamundur ta bëja deri sa  kisha Gegën. Gega zgjati 3 vjet, suksesshëm, por ishte mjaftueshëm për mua. Shallter pastaj ishte krejt tjetër koncept, po ashtu i veçantë. Ishte i vetmi lokal-birrari në Prishtine me mbi 80 lloje birrash. Funksiononte dhe si një club i vogël, i cili punonte deri në mëngjes pa pushim në një lokacion fantastik, që ishte stacioni i trenit të Prishtinës.

E gjen veten në këtë biznes?

Po, e gjej dhe e kam gjetur veten përherë në këtë biznes. Më vonë dikur ndoshta edhe i kthehem kësaj fushe biznesi.  Varet si do ndihem me kohën, më shumë ka qenë eksperiencë që kam dashur ta provoj, por ndodhi që rezultoi i suksesshëm dhe zgjati goxha.

Dhe më në fund “Legere” , a mund të quhesh një businesswoman e përfshirë në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve??

Legere ka qenë restorant me kuzhinë franceze. Me një ambient komplet ndryshe nga Gega dhe Shallteri. Nuk e di a mund të  quhem businesswoman saktë me pesë vite përvojë në këtë sektor. S’ka qenë asnjëherë vetëm biznes.

Është thjesht biznes për ty apo dëshiron të lësh markën tënde ?

Gjithmonë kam bërë biznes kreativ, jo vetëm biznes në kuptimin klasik të fjalës. Kultura më përfshin në çdo punë që bëj. Çdo  biznes që kam pasur deri më tani më ka lënë shije jo vetëm të mirë, por më ka mbushur  me shumë kënaqësi, përvoja të ndryshme, rritje personaliteti, njohje të punës, njohje të njerëzve, zgjerim të  rrjetit.

Kohët e fundit u angazhove në koncertin-protestë “Mos ma prek Valbonën!”. Si ishte eksperienca dhe a përqafon shpesh aktivitete dhe nisma të tilla?

Unë në Kosovë njihem si artiviste (Art/Aktinizëm). Jam shpesh e pranishme në kauza të ndryshme, edhe në kulturë. Kur e mora ftesën për në Valbonë, pranova menjëherë dhe me shumë kënaqësi për  të kontribuuar në formën time dhe të jem në mesin e shumë artistëve të mëdhenj që ishin pjese e protestës-koncert. Ishte hera e parë për mua që shkova në Valbonë dhe u ndjeva shumë keq që nuk kisha qenë më herët me perjetu’ at’ lloj bukurie, dhe në të njëjtën kohë  isha akoma më e mërzitur nëse at’ bukuri, at’ lumë të mahnitshëm do ta shkatërrojnë me ndërtimin e hidrocentraleve.  Uroj të mos ndodhë e njëjta si me Deçanin, në Kosovë.

Me çfarë po merresh këto kohë? A ke projekte për të ardhmen,  një këngë tënden përshembull, pjesëmarrje në ndonjë festival?

Momentalisht po bëhem gati për një lloj vizite, pushimi të shkurtër dhe po ashtu do të luaj muzikë  në Gjermani. Në dhjetor do filloj zyrtarisht një punë  të re në media.

Do të vazhdoj të merrem me agjencinë e marketingut Gegë Promotion, ku janë disa projekte të reja që do të merremi me artistë  ndërkombëtarë. Në fund të prillit do të prezantoj një projekt tjetër, të cilin do ta realizojmë bashkë me tre kolegë.  Këngë? Momentalisht nuk e kam atë ambicie. Muzikën e luaj më shumë kur më mjafton kohë e lirë nga punët e përditshmërisë. Vazhdoj ta konsideroj hobi, por me shumë vlerë.  Muzika më balancon shumë mirë mes punës dhe qejfit.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤